Çaji i mëllagës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Mëllaga mjaft e njohur në vendin tonë, megjithëse një bar i keq, në mjekësinë popullore ka treguar vlera të jashtëzakonshme. Me mjaft sukses gjethet dhe lulet e bimës janë përdorur në qetësimin e krizave të astmës. Rrënja përmban me shumicë mucilagje e pektina, amidon dhe sheqerna. Në sajë të këtyre elementëve bima përdoret me sukses kundër pezmatimit të rrugëve të frymëmarrjes dhe të sëmurëve me astmë. Gjatë krizave, që prekin të sëmurin, këshillohet pirja e menjëhershme e çajit të mëllagës të ëmbëlsuar me mjaltë.

Kolla[redakto | redakto tekstin burimor]

Rezultate të mira çaji jep kur i sëmuri preket rëndë nga kolla, duke i vështirësuar frymëmarrjen. Çaji i mëllagës ndihmon në qetësimin e saj dhe në rast se kolla është e shoqëruar me gëlbazë lehtëson nxjerrjen e saj. Elementët përbërëse të bimës bëjnë të mundur lëngëzimin e saj, deri në zhdukjen përfundimtare. Në raste ftohjesh rekomandohet pirja disa herë në ditë e çajit të përftuar nga gjethet e mëllagës. Çaji mund të pihet i ëmbëlsuar me mjaltë ose sheqer. Rezultate shumë të mira lëngu i mëllagës ka dhënë gjatë përdorimit në formë gargare kundër acarimeve të fytit, në raste skuqjesh apo dhembje të tyre. Gargara këshillohet të bëhet disa herë në ditë deri në shërim të plotë të të sëmurit. Lëngu përdoret edhe në rastet e acarimit të mukozës së hundës, kur shoqërohet me rrufë si pasojë e të ftohtit, pluhurave të shumta apo për shkak të alergjive. Sipas mjekësisë popullore, rrufa mund të kalojë lehtë e shpejtë vetëm duke pirë çajin e gjetheve të mëllagës disa herë në ditë dhe rezultatet do të jenë të menjëhershme. Çaji i mëllagës ka dhënë rezultate të shkëlqyera edhe në mjekimin e diarresë. Heqja e barkut është dukuri që sjell shumë sëmundje akute apo kronike, prandaj dhe suksesi i mjekimit të saj lidhet ngushtë me shkaktarin. Vëmendje të veçantë u duhet kushtuar fëmijëve të vegjël. Çaji i mëllagës është mjekim mjaft i mirë për shmangien e kësaj dukurie (diarresë). Këshillohet pirja e herëpashershme gjatë ditës e çajit të ëmbëlsuar. Bima përdoret gjithashtu edhe në pezmatimet e rrugëve urinale dhe në shkrirjen e gurëve në veshka. Formimi i gurëve shoqërohet me dhimbje të forta të shoqëruar me kriza, duke e munduar shumë të sëmurin. I sëmuri këshillohet të pijë disa herë në ditë çajin deri në shkrirje të tij. Ndërsa në acarimet e rrugëve urinale këshillohet të bëhet larje me lëngun e përftuar nga zierja e gjetheve të mëllagës, deri në përmirësim të shëndetit. Gjethet dhe lulet e mëllagës mund të përdoren me mjaft sukses në eliminimin e çibanëve, ose të thatit me dhimbje. Në sajë të vetive kuruese që përban bën të mundur zbutjen dhe qetësimin e tij. Për përgatitjen e mjekimit, gjethet dhe lulet shtypen mirë deri sa bëhen në formë qulli. Me masën e përftuar lyhet vendi, ku është shfaqur i thati dhe lidhet me fasho. Mjekimi zgjat deri zhdukjen plotësisht të tyre.

Çaji[redakto | redakto tekstin burimor]

Këshillohet që çaji të përgatitet me rrugë të ftohtë. Për këtë qëllim një lugë gjelle me rrënjë ose gjethe të thata e të prera hidhen në një enë, ku shtohet një gotë me ujë. Përzierja lihet për gjashtë orë, më pas përmbajtja kullohet dhe pihet i ëmbëlsuar sipas dëshirës. Çaji i freskët pihet tri herë në ditë. Mund të përdoret për shpëlarjen e fytit ose gargarë disa herë në ditë. Meqenëse rrënjët e mëllagës përmbajnë sasi të madhe amidoni, çaji i tyre mund të përgatitet edhe duke i përvëluar ato me ujë që zien, por jo me zierje.

Shifra[redakto | redakto tekstin burimor]

  • 2 lugë gjethe dhe lule të thara e të grimcuara nevojiten për çajin e mëllagës.
  • 3 gota në ditë këshillohet të pihet nga çaji i freskët i bimës, për kurim.
  • 18 muaj është koha brenda së cilës bima mund t’i ruajë aftësitë e veta kuruese.
  • 1 metër i lartë është kërcelli i bimës së mëllagës gjatë periudhës së lulëzimit.
  • 30 minuta lihet në qetësi përmbajtja me lulet dhe gjethet e mëllagës në ujin e nxehtë.

Paketë këshillash[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Pjesët që përdoren për kurimin e sëmundjeve janë gjethet dhe lulet e bimës.
  • Këshillohet që të mblidhen në kohën e lulëzimit të mëllagës, pasi kanë më tepër efekt.
  • Tharja e gjetheve dhe luleve duhet të bëhet në vende me hije për rreth një javë.
  • Përgatitja e çajit bëhet me ujë të ftohtë ose të nxehtë, por nuk duhet të zihet.
  • Në acarimet e rrugëve urinale, rekomandohet banjë me lëngun e përftuar.
  • Këshillohet bërja e gargarve disa herë në ditë për të shmangur acarimet e fytit.
  • Çaji, që do përdoret për kurimin e sëmundjeve, këshillohet të pihet i freskët.
  • Bima është 2-vjeçare dhe në latinisht quhet malva silvestris.
  • Llojet e bimës dhe përdorimi në mjekësi

Mëllaga, ose siç quhet në gjuhën latine malva silvestris, është bimë barishtore dyvjeçare shumë e zakonshme në vendin tonë. Ka kërcell deri në një metër të lartë me gjethe të këmbyera, në formë rrethore të dhëmbëzuara. Lulet, që dalin nga gjethet, janë të mëdha me ngjyrë rozë në vjollcë e kombinuar edhe me ngjyrë të kuqe. Mëllaga lulëzon në muajin maj deri në shtator. Rritet në zonat e ulëta. Pjesët që përdoren për mjekim janë gjethet dhe lulet e mbledhura gjatë lulëzimit. Përveç kësaj, ekziston edhe një lloj tjetër i kësaj bime, mëllaga e bardhë ose althaea officinalis. Edhe kjo lloj mëllage është bimë barishtore shumëvjeçare. Në vendin tonë rritet në vendet me lagështirë, nëpër shkurre, buzë detit, zakonisht në zonat e ulëta. Bima arrin deri në 1 metër e gjysmë lartësi. Gjethet i ka të këmbyera me bisht të gjatë të dhëmbëzuara, të buta. Në ndryshim nga malva silvestris, gjethet e kësaj mëllage janë të mbuluara me push të dendur si kadife. Lulet i ka me bisht të shkurtër, me ngjyrë të bardhë rozë. Lulëzon në qershor e shtator. Pjesët kuruese të kësaj mëllage janë përkatësisht rrënjët e prera, të qëruara dhe të thara dhe gjethet. Efektet kuruese janë të njëjta me malva silvestris, por përgatitja e çajit është e ndryshme, pasi në këtë rast përdoren rrënjët dhe gjethet. Për përgatitjen e tij nevojiten një lugë me rrënjë ose gjethe të thata të prera dhe u shtohet një gotë me ujë. Përzierja lihet 6 orë. Më pas kullohet dhe pihet e ëmbëlsuar. Çaji i përgatitur pihet disa herë në ditë.