Abaz Kupi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Abaz Kupi
Kapiten i xhandarmërisë në Krujë
1924 - 1932
major i xhandarmërisë në Durrës
1932 - 1939
Kryetar i Legalitetit 1943 - 1976

Abaz Kupi.jpg

Emri: Abaz
Mbiemri: Kupi
Lindi më: 6 gusht 1892
Vendlindja: Flag of Turkey.svg Krujë (Vilajeti i Shkodrës Perandoria Osmane)
Vdiq më: 7 korrik 1976
Vdiq në: Flag of the United States.svg New York, SHBA
Profesioni: Ushtarak

Abaz Kupi (18921976) i njohur dhe si Bazi i Canës ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore.[1] Me zbarkimin e italianëve në Durrës me 7 prill 1939 mbajti qëndresë për 36 orë.[2]

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në Krujë6 gusht 1892 në lagjen Varosh. Familja e tij e kishte origjinën nga Kurbini.[3] Bashkëpunon me Esat pashë Toptanin në nëntor-dhjetor të 1914, kur bashkë me parinë e Krujës vendosin t'i bien Lëvizjes së Shqipërisë së mesme.[4] Me formimin e qeverisë kombëtare të Lushnjës, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun ai mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik. Merr pjesë në kryengritjet e M. Merlikës, B. Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars 1922.[1] [4] Gjatë 1924 qëndroi neutral, kapiteni Prenk Pervizi e afroi me Zogun,[5] i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si komandant i xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit,[1] që zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje. Më vonë u gradua major dhe shërbeu në Durrës më 1934.

Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, A. Kupi udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak te Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi në një ikonë.[6] Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll, Turqi. Në qershor të vitit 1939 familja u internua në Himarë. Atje ishin të tre djemtë, Petriti, Rrustemi dhe Fatbardhi, të mbledhur bashkë me nënën dhe motrat.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Familja Kupi u dërgua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindizit. Për më shumë se një muaj, ata janë mbajtur në një burg të Brindisi-t, të izoluar plotësisht. Më pas i dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942. Më pas u lanë të lirë, banuan pranë t'afërmit, Sejfulla Merlikës. Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë po shihnin mundësinë e krijimit të rezistencës në Shqipëri. Kalon nga Turqia në Jugosllavi i pritur nga Gani Kryeziu në kryeqytet, ku takon kolonelin Stirling[7] dhe kol. Dayrell Oakley-Hill, i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd. Me ndihmën e të cilit kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga Julian Amery. Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër por pas pushtimit të Jugosllavisë nga gjermanët, së bashku me Gani Kryeziun, Xhemal Herrin, e Mustafa Gjinishin, Kupi u fut në Shqipëri me ndihmën e Muharrem Bajraktarit për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin[8], gjë që e bëri me shpenzimet e tij.[2]

Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ, si shumë figura tjera përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat[9] bashkë me emrin e bujshëm "Fronti Nacional-Çlirimtar".[10]

Më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës "Balli Kombëtar".[11] Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve edhe koloneli A.P. Skampa.[12]

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.[13] Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët deri kur komunistët nisën të sulmonin Gegninë dhe zonat e Bazit. Gjatë avancimit të komunistëve në veri gjendej në vështirësi për të manovruar mes malesh, sidomos në Mirditë.[14]

Në pranverën e 1944, përveç oficerëve Billy McLean dhe David Smiley iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Raportet e operacioneve të shumta kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Gabimet dhe spiunazhi komunist në Shtabin e Përgjithshëm të Operacioneve Speciale (SOE) në Bari bëri që nëpërmjet keqinformimit s'u kuptua veprimtaria e Bazit.[9]

Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nepërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej bashkë me oficerët britanikë), për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë.[2] Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.

Pas Luftës së Dytë Botërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Në emigracion merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin "Shqipëria e Lirë"[15] me president Mit'hat bej Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin "Valuable" - organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri. Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara. Vdiq në vitin 1976ShBA,[15] New York, trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.[3]

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b c (Anglisht) Elsie R., "Historical dictionary of Albania", I.B. Tauris 2012
  2. ^ a b c Amery J., "Sons of the Eagle" 1948, Macmillan & Co. LTD. Përkthyer nga Filatun Vila më 1950, botuar nga shtëpia botuese "Lumo Skëndo", Tiranë 2002
  3. ^ a b Bungo Markensen, "Nacionalisti Abaz Kupi në një monografi" New York 2001, “Gjonlekaj Publishing”
  4. ^ a b Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida 2000.
  5. ^ Hidri P., "Gjeneral Prenk Pervizi", Toena, Tiranë 2002.
  6. ^ Hoxha E., "Zëri i Popullit". Organ i Partisë Komuniste Shqiptare, viti i II-të. shkurt 1943 nr. 13-14.
  7. ^ (Anglisht) Pearson O., Albania in Occupation and War: From Fascism to Communism 1940-1945, I.B. Tauris 2006
  8. ^ Fischer B.J., "Albania at war, 1939-1945", 1999. Përkthyer nga Kreshnik Hajdëri, Botime Çabej 2004
  9. ^ a b Smiley D., Albanian Years 1943-1945, West Lafayette, Purdue University Press, 1999
  10. ^ Këlcyra A., Shkrime për historinë e Shqipërisë,Botime Onufri, 2012
  11. ^ Procesverbalet e Mbledhjes së Mukjes
  12. ^ AQSH, f.270, d.5 v.1943
  13. ^ Kupi A., Njoftim i Posaçëm i major Abaz Kupit si përgjigje "Buletinit Bashkimi" lëshue nga Partija Nacional Shlirimtare me datë 7 dhjetor 1943
  14. ^ Ermenji A., "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" (bot. I Paris 1968) Tiranë 1996, Botime Çabej.
  15. ^ a b (Anglisht) Pearson O., "Albania as dictatorship and democracy: from isolation to the Kosovo War 1946-1998" I.B. Tauris, 2007.