Aeroporti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Një aeroport nga lart.

Aeroporti ose Aerodromi është një fushë me pistë e me pajisje të nevojshme për ngritjen, uljen dhe qëndrimin e aeroplanëve e të mjeteve tjera fluturuese në shërbim të bartjes së udhëtarëve, bagazhit, mallrave, dhe qëllimeve tjera.

Zakonisht aeroportet e mëdha ndërkombëtar ndodhen në afërsi të qyteteve të mëdha dhe janë të lidhura me rrugë dhe autostrada. Vendndodhja e tyre është bërë një pengesë për popullsinë që e rrethon për shkak të zhurmës dhe ndotjes së ajrit.

Një aeroport i madh modern kushtuar trafikut komercial dhe linjave të udhëtimit përbëhet nga një pistë, zakonisht nga asfalti dhe me gjatësi prej 2000 m, një zonë parkimi për aeroplanët, një terminal udhëtarësh, një hangar për punë teknike në avionë, dhe kullës së fluturimit.

Pista[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pistat moderne të një aeroporti ndërkombëtar janë nga çimento e mbuluar me një shtresë asfalti. Orientimi i pistës studiohet gjerësisht nga pikëpamja e pengesave natyrore, të njeriut, të erërave mbisunduese në zonë, dhe pozitës së diellit gjatë ditës. Pista mund të jetë e ndriçuar në mes dhe anash ; fillimi i pistës mund të ketë një rresht me drita të gjelbra, fundi i pistës një radhë me drita të verdha ndërsa vetë fundi ndriçohet me drita të kuqe. Ndriçimi i pistës bëhet natën ose në kusht të shikueshmërisë së vështirësuar.

Pista mund të ketë edhe sistem PAPI dhe ILS. Në aeroporte me më shumë trafik shpesh ka më shumë se një pistë, për të ndarë uljet dhe ngritjet apo për tu përshtatur me drejtimin e erës. Pistat janë të lidhura me rrugë (taxiway) për përdorim të mjeteve të ndihmës së shpejtë dhe për lëvizje të avionëve deri te terminalet dhe zonat tjera të aeroportit.

Terminali[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dyqanet në Aeroportin e Zyrihut

Terminali i një aeroporti modern përmban në brendësi çdo gjë që nevojitet për procedimin e udhëtarëve, prej banakëve për checkin, pikës për kontrollimin e dokumenteve, doganës (në rastin e aeroporteve ndërkombëtare) e deri te shërbimet përkatëse për bagazh. Për ta bërë më të këndshëm kohën në aeroport, ka edhe shërbime ndihmëse si bare, restorante, dyqane dhe, në rastet e aeroporteve ndërkombëtare, dyqane duty free. Në zonat qasëse të terminalit gjenden parkingje për vizitorët, udhëtarët, ndalesa për autobus dhe taksi si dhe stacione hekurudhore që lidhin me qytetin më të afërt. Në anën tjetër të terminalit ndodhen avionët të parkuar të cilët lidhen me terminal nëpërmjet urave kaluese që lejojnë hipje të rehatshme në avion, apo të autobusëve të brendshëm që bartin udhëtarët deri te aeroplani i parkuar më tutje në fushë dhe pastaj hipet nëpërmjet shkallëve.

Kodet identifikuese të aeroporteve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aeroportet identifikohen në mënyrë të njësuar nëpërmjet të një kodi katër shkronjësh të vendosur nga organizata ICAO. Shkronja e parë tregon regjionin e botës, e dyta shtetin, dhe dy të fundit aeroportin. Vendet me shumë aeroporte, si p.sh. ShBA-të, mund të kenë më shumë shkronja për shtet. Simboli ICAO-së i aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë është LATI. L është simboli i rajonit, A është simboli i Shqipërisë, dhe TI është simboli i vetë aeroportit. IATA përdorë një simbol tjetër prej tre shkronjash që zakonisht është një shkurtesë e emrit të qytetit apo inicialet e emrit të aeroportit. “Nënë Tereza” përdorë simbolin TIA.

Një pamje e Aeroportit të Frankfurtit që tregon terminalin, urat, dhe bagazhin.

Shiko dhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aeroporte[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]