Albukasis

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Ebul Kasim El Zahravi, i njohur në perëndim si Albukasis, ishte padyshim kirurgu më i madh i mesjetës. Më së shumti njihet për zbulimet origjinale në kirurgji, si shpikës i instrumenteve të ndryshme kirurgjike si dhe për enciklopedinë e tij të famshme mjekësore. El Zahravi konsiderohet si babai i kirurgjisë moderne.

Emri i tij i plotë ishte Ebul Kasim Halaf ibn El Abas El Zahravi. Ai lindi dhe u rrit në Zahra, rreth mbretëror i Kordobës (Kurtuba, në gjuhën arabe), kryeqytetin e Spanjës myslimane. Historia informon se Zahra krahasohet me dinjitet dhe madhështi me Bagdadin dhe Kostandinopojën. El Zahravi shërbeu si fizikan në oborrin mbretërorë të mbretit El Hakami II të Spanjës. Mbas një karriere të gjatë dhe të shquar si mjek ai vdiq më 1013 në moshën 77 vjeç.

El Zahravi ishte një kirurg i ngritur. Pacientët dhe studentët nga gjithë vendet e Evropës vinin tek ai për mjekim si dhe këshilla. Simbas Uill Durant, në këtë kohë Kordoba ishte vend i preferuar për evropianët për operime kirurgjike. Dr. Campbell (Kampbel) në librin "Historia e Mjekësisë Arabe" shkruan se metodat e El Zahravit në shkencat mjekësore i kalojnë ato të Galenit në planet mësimore mjekësore evropiane.

El Zahravi është i njohur me enciklopedinë mjekësore tridhjetë vëllimesh "El Tasrif li men axhaz anil-talif" (Një ndihmë për atë që i mungon aftësia për të lexuar libra të mëdhenj). Tre vëllimet e kësaj enciklopedie gjigante kanë të bëjnë me njohuritë kirurgjike duke përfshirë zbulimet dhe procedurën e tij. Vëllimi i fundit përmban më shumë se dyqind diagrame dhe ilustrime të instrumenteve mjekësore shumicën e të cilavet vetë ai i shpiku. El Zahravi përshkruan në detaje shumë operacione kirurgjike dhe trajtimin e tyre duke përfshirë hiqjen e gurit nga fshikëza, operimin e syrit, veshit dhe grykës, heqjen e fetusit - foshnjës së vdekur, amputimin, autopsinë e kafshëve dhe regjjes.

Si shpikës i shumë instrumenteve mjekësore, El Zahravi është i famshëm për veglat kontrolluese të brendësisë së veshit dhe uretës si dhe për heqjen e trupave të huaj nga gryka. Ai paraqiti procedura të reja si djegjën e plagëve, shkatërrimin e gurëve brenda fshikës, viviseksionin dhe diseksionin. Ai përdori djegjën për të ndaluar infeksionin në mbi 50 operacione të ndryshme. Përveç kësaj ai diskutoi pregatitjen e ilaçeve dhe aplikimin e teknikës si sublimimin dhe kullimin. Ai përshkruajti përdorimin e urinës, djersitjes, qitjes the larjes me ujë të nxehtë. El Zahravi ishte i pari që shpjegoi në detaje homofilinë dhe i pari që përdori fije mëndafshi për të qepur plagën.

El Zahravi ishte gjithashtu ekspert në kirurgjinë orale si dhe dentari. Ai diskuton problemin e dhëmbëve jo të drejtë dhe të deformuar dhe procedurën për di kuruar këto defekte si dhe rregullimin e dhëmbëve artificial nga kocat e kafshëve.

Në Epokën e Mesjetës, Gerardi i Kremonës (1114 - 1187) përktheu "El Tansifin" në gjuhën latine. Më pas u përkthye në gjuhën hebreje, frëngjishte, anglisht dhe dialekte të tjera latine. "El Tansifin" i El Zahravit ishte libër esencial në programet mjekësore të vendeve Evropiane për shumë shekuj. Kirurgu i famshëm francez Guy de Chauliac (1300 - 1368) e bashkëngjiti botimin latinisht me librin e tij mjekësorë. Libri (pjesët për kirurgji) u botua disa herë si në Venice (1497), Basel (1541), dhe Oksford (1778) dhe u përdorë për pesë shekuj si libër shkollorë për kirurgjinë në universitetin e Salernos në Itali, Montpelierit në Francë si dhe universitete tjera evropiane.