Ali Derhemi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Haxhi Ali Derhemi (Tiranë, 1850 - 1938) ka qenë myderiz, kryetar i Bashkisë Tiranë në vitet 1923-1924 dhe zv/kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familja Dërhemi mendohet se ka ardhur në Tiranë nga Kalaja e Ndroqit dhe madje shumë herët gjatë viteve 1830 – 1850. Pjesëtarët e saj janë të njohur gjithmonë për vlerat miqësore dhe qytetare, ku në shumicën e tyre kanë ushtruar sidomos profesionin e nënpunësit dhe të tregtarit. Aliu lindi në Tiranë në vitin 1850 dhe ai u njoh shumë shpejt nga bashkëqytetarët si Ali efendiu. I ati Hasani (1800 – 1870), jurist i njohur i kohës kishte detyrën e inspektorit të gjyqeve për vilajetin e Shkodrës, prej nga varej dhe Tirana. Vetë Aliu pasi mbaron medresenë e Tiranës i mbaroi studimet e larta në Universitetin e Kajros, Egjipt. Kur u kthye në vendlindje sikurse dhe i ati, edhe ai po ashtu filloi inspektor, por për problemet financiare dhe duke punuar sidomos në qytetet e Durrësit, Kavajës dhe Shijakut. Duke qenë për vite me radhë edhe mësues për lëndën e matematikës në medresenë e Tiranës, ai aktivizohet kështu me sukses në detyrën e edukatorit. Gjatë karrierës së tij, falë dhe përgatitjes teologjike që kishte, ai ka patur dhe detyrën e zëvendëskryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar, e tamam në atë kohë kur institucioni i sapothemeluar drejtohej nga i mirënjohuri Haxhi Vehbi Dibra. Me formimin profesional të tij Aliu drejtoi me sukses aktivitetin financiar të këtij institucioni, duke filluar që nga evidentimi dhe inventarizimi i pasurisë së patundshme e deri te problemet e tjera të kësaj fushe. Falë personalitetit dhe qytetarisë së tij ai u zgjodh disa herë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ndërsa në vitet 1923 – 1924 edhe kryetar i Bashkisë. I bindur për nevojën e ligjshmërisë Aliu kishte besimin dhe përkrahjen e regjimit mbretëror dhe të drejtimit të mbretit Zog. Prej tij ai ishte dekoruar me urdhrin e Skënderbeut të klasit të parë.[2]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Basha, Ali (15 qershor 2021). "Haxhi Ali Derhemi (1850-1938)". dritaislame.al. Arkivuar nga origjinali më 17 shkurt 2022. Marrë më 17 shkurt 2022.
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 2 gusht 2023. Marrë më 2 gusht 2023. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)