Androkli Kostallari

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Përmet, është gjuhëtar, leksikolog dhe akademik shqiptarë.

Mbaroi shkollën e mesme në Shkodër në konviktin "Trimat e maleve" dhe njëzetvjeçar doli partizan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitin 1946 ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Në vitet 1949 - 1954 kreu studimet e larta për gjuhësi në universitetin "Lomonosov" të Moskës. Që kur ishte student nisi punën për hartimin e Fjalorit Rusisht - Shqip, i cili u botua në vitin 1954. Atje paralelisht kreu edhe tri vitet e para të studimeve për gazetari. Në prill të vitit 1955 emërohet nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë, më 1957 zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë: më 1958 - 1962 dekan i këtij Fakulteti dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë. Më 1969 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike(CIOS). Disa herë ka marrë pjesë me referate e kumtesa shkencore në kongrese e simpoziume, duke kryesuar dhe delegacionet shqiptare në veprimtari të tilla, si në: Athinë, Romë, Sofie, Mynih, Kopenhagen, Pris etj. Në prill 1970 u bë Profesor, më 1972 dekorohet me Urdhërin "Naim Frashëri" të Klasit të Parë- për ndihmesë të shquar në fushën e arsimit dhe të kulturës; më 1974 mori Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë- për veprën shkencore "Drejtshkrimi i gjuhës shqipe". Këtë çmim mori edhe për Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, si edhe bashkautorët; në mars 1986 "Mësues i Popullit". Më 1963 u zgjodh anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore(AIESEi) dhe më 1974- anëtar i Byrosë së këtij Komiteti dhe nënkryetar i tij. Kostallari ishte një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Drejtshkrimit si dhe ideator dhe redaktor kryesor i Fjalorit të Gjuhës Shqipe. I është dhënë titulli “Honoris Causa” nga Universiteti i Stokholmit, si dhe titulli “Mësues i Popullit”, “Profesor” etj. Ka qenë anëtar i redaksisë së “Atllasit të Gjuhëve të Evropës”.

Në bibliografinë e pasur të studimeve shkencore të Prof. Kostallarit përmendim : Fjalor shqip- rusisht, Fjalor rusisht- shqip, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe(1973), Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe(1976). Ka botuar edhe 18 monografi e studime, ndër të cilat: Sur les traits principaux de l' albanais litéraire contemporain"(1966), La figure de Scanderbeg dans la litèrature mondiale(1968), Parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1968), Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë( 1985); është kryeredaktor i veprës madhore "Fjalor i gjuhës së sotme shqipe"(1980), Fjalor i shqipes së sotme(1984) etj. Është lavderuar dy herë me Çmimin e Republikës.