Apolonia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Pamje nga Apolonia

Apolonia është qyteti antik në Shqipëri ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike.

Vendndodhja sot[redakto | redakto tekstin burimor]

Jo larg Fierit në rrugën që shkon në drejtim të detit Adriatik në një largësi rreth 14 km.

Spuren der griechischen Kolonisten : Drachme nga Apolonia

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s. Gërmadhat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbeturina të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve. Në vitet 1824-1838, në këtë qytet, ka zhvilluar kërkime një mision arkeologjik francez, më vonë kërkimet janë bërë nga arkeologët shqiptarë. Ndërsa vitet e fundit, nga një mision i përbashkët shqiptaro-francez.

Apolonia, pas Dyrrahut, ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera që e mbanin të njëjtin emër në kohën antike. U ngrit mbi një kodër (me dy maja të larta 101 e 103 m mbi nivelin e detit) në një pozicion që zotëron tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Aoos (Vjosë) lidhej me detin Adriatik. E shtrirë në një sipërfaqe rreth 140 ha dhe e rrethuar me një mur rreth 4 km të gjatë Apolonia ishte një qendër e madhe tregtare dhe industriale. E ngritur në kurrizin e fundit të kodrave të bukura dhe frytdhënëse të Mallakastrës, Apolonia mbizotëronte pothuajse krejt hapësirën e gjerë që shtrihej në këmbët e saj e përfundonte buzë detit Adriatik. Kjo fushë e formuar nga aluvionet e lumit Seman dhe Vjosë ka qenë me sa duket një nga rajonet më pjellore të Fushës së Myzeqesë.

Ndryshe nga qytetet koloni tjera të cilat ishin ngritur buzë bregdetit, Apolonia ishte ngritur më në brendësi, disa kilometra larg bregdetit. Mirëpo, lidhej me bregdetin përmes lumit Vjosa, që në atë kohë ishte i lundrueshëm.

Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apolonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin !

Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apoloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në momentin kur në Romë, gjatë një komploti në Senat u vra Jul Cezari, nipi i tij Oktavian Augusti studionte oratorinë në Apoloni. Kronikat romake tregojnë sesi ai me të marrë vesh lajmin e vrasjes së Cezarit u nis me një anije nga Apolonia dhe kur, pas disa kohësh vetë Oktaviani u bë Perandor, e ruajti mirënjohjen për qytetin ku kishte studiuar duke e liruar Apoloninë nga të gjitha taksat.

Pas një tërmeti në shek. III e.s lumi Aoos ndërron shtrat duke e shkëputur qytetin nga deti. Goditja rezultoi fatale në një epokë ku i gjithë aktiviteti tregtar zhvillohej në lidhje me detin. Qyteti e humbi gradualisht rëndësinë ekonomike duke u shndërruar në një qendër të thjeshtë fetare. Por shuarja graduale dhe jo e dhunshme e jetës qytetare si dhe shndërrimi i zonës përreth në kënetë, të bonifikuar vetëm pas vitit 1945, bëri që zona arkeologjike të ruhet mjaft mirë. Arkeologët e quajnë Apoloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.

Disa nga objektet arkeologjike dhe statujat u përvetësuan nga vendet e tjera para vitit 1945. Ato që kanë mbetur janë vendosur në një muze që ndodhet në një manastir të shekullit XIII. Në kopshtin e Manastirit ndodhet edhe një kishë bizantine që i përket shekullit të XIV.

Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj.

Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë si dhe rruga automobilistike në gjendje të shkëlqyer, pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër e bëjnë Parkun Arkeologjik Apolonia lehtësisht të arritshëm për vizitorin dhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri.

Historiku i kërkimeve arkeologjike në Apoloni[redakto | redakto tekstin burimor]

Hulumtimet e para për Apoloninë i kemi nga studiues dhe shtegtarë të huaj në gjysmën e parë të shek XIX. I pari studiues që e ka vizituar Apoloninë është Pouqueville në vitin 1806, i cili na kumton për gërmadhat e këtij qyteti antik. Pastaj W.M.Lake në veprën "Travels in northern Greece", ndër të tjera përshkruan skulpturat, mbishkrimet, murin rrethues dhe një tempull në Kryegjatë. Nga ky tempull ka mbetur vetëm një shtyllë në këmbë dhe që është dëshmia e vetme. Pak kohë pas vizitës së tij, Ibrahim pashë Vrioni rrëmbeu gurët e tempullit për të ndërtuar sarajet e veta në Berat. Peshkopi grek i Beratit, Anthimi, vjen në Apoloni dhe grabit skulpturat dhe objektet antike që gjendeshin në manastirin e Shën Mërisë, një pjesë të madhe të tyre ai e nisi për në Greqi. Këto lëvizje nuk i ikën luanit të Janinës Ali pashë Tepelenës. Sipas një dëshmie të kohës ai dërgoi në Apoloni njerëz për të gërmuar, dhe dy statuja të gjetura i dërgoi në Berat.

Apolonia në lashtësi.

Në vitin 1861 shkel në Apoloni arkeologu i parë Leon Heuzey i cili ishte i ngarkuar nga Napeoloni III që të studionte veprimet luftarake të Cezarit në Iliri. Nëpërmjet L. Hezey-it shtohen njohurit mbi Apoloninë sidomos nga skulptura dhe mbishkrimet.

Gjatë luftës së Parë Botërore erdhën në Shqipëri Arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober. Prashnikeri vepronte në Apoloni në vijën e parë të frontit, nën goditjen e artilerisë italiane. Prashnikeri zhvilloi gërmime në murin rrethues të anës lindore, të ndërtuar në periudhën klasike, me një bazament gurësh dhe strukturë qerpiçësh. Gjithashtu, Prashnikeri bëri kërkime për tempullin në zonën e Temenosit, gërmoi në banesat e anës perëndimore, dhe hapi disa varre në nekropolin tumular të qytetit.

Ai gjithashtu bëri edhe botimin e disa skulpturave dhe mbishkrimeve që ruheshin në manastirin e Apolonisë, ku disa prej skulpturave i dërgoi për në Vjenë.

Rezultatet e kërkimeve të tij u botuan në serinë akademike austriake me titujt "Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro" (Wien 1919 ; C. Praschniker, Muzakia und Malakastra, Wien 1920).

Në vitin 1924 deri 1944 në Apoloni fillon gërmimet një ekip francez i udhëhequr nga Leon Rei, i cili në përjashtim nga arkeologët e tjerë zhvilloi gërmime së bashku me arkeologun shqiptar Hasan Ceka.

Ai i përqendroi gërmimet në pjesën më të lartë të qytetit, në anën perëndimore të kodrës ku gjendeshin rrënojat e një tempulli arkaik. Stoa me gjatësi 78 m, më një arkitekturë të veçantë dhe e ruajtur në tërë katin përdhe. Në nishet e saj ai gjeti katër shtatore dhe tri koka të bukura. Pas zbulimit të stoas Rei u orientua në drejtim të agoras ku në shpatin e kodrës ai zbuloi teatrin, të cilin e quajti Odeon. Përballë Odeonit, e ndarë nga një hark triumfi, ngrihej ndërtesa e bulesë, me një fasadë monumentale, pjesa më e madhe e së cilës e rrëzuar nga një tërmet. Mbi bazën e këtyre objekteve, bashkëpunëtorët e Rejit bënë një rikonstruksion të ndërtesës dhe arritën të lexojnë mbishkrimin e antablementit, i cili lidhej me dy vëllezër, nga familja e Villëve. Të dy këta ishin agonotetë (njerëz që merreshin me organizimin e shfaqjeve për publikun), dhe prandaj Reji e pagëzoi ndërtesën "Monumenti i Agonotetëve". Një tjetër zbulim më rëndësi i Rejit ishte edhe muri i tarracimit, që të çonte për në tempullin kryesor të qytetit të vendosur në majën e kodrës. Nga ky tempull ai nuk gjeti veçse pjesë të bazamentit, por edhe një reliev të gjysmës së II të shek IV p.kr. që paraqiste amazonomahinë (luftën e fisit të grave luftëtare, amazonave, me grekët). Me interes ishin zbulimet në nekropolin e qytetit, ku ai ndeshi varre me materiale korintike më të hershme se data tradicionale për themelimin e Apolonisë (588 p.kr).

Rezultatet e gërmimeve të misionit francez në Apoloni u botuan në gjashtë numra të revistës “Albania” (1927-1939), e cila u mbyll së bashku me gërmimet.

Pas pushtimit fashist u bë një përpjekje për të vazhduar gërmimet në Apoloni më 1941 nga një mision italian i drejtuar nga C. Sestieri. Ai zbuloi një ndërtesë me oborr qendror në anën jugore të qytetit, jo larg mureve të manastirit të Shën Mërisë. Forma planimetrike dhe gjetja tullave me vulën "gimnasiou", i dhanë atij shkak të identifikonte një nga gjimnazet e Apolonisë. Ekspedita italiane gërmoi edhe në murin rrethues, si dhe zbuloi një tempull "in antis" të kohës perandorake në nekropolin e qytetit.

Me këtë përfundon etapa e parë e gërmimeve arkeologjike në Apoloni ku të gjitha gërmimet u kryen nga arkeologë të huaj të cilët pjesën më të madhe të materialit e morën me vete.

Lufta nuk kaloi pa u ndier edhe për arkeologjinë shqiptare, gjatë luftës së vitit 1939 u grabitën pothuaj të gjitha objektet e zbuluara në Apoloni, gjithashtu kjo qendër që kishte një rëndësi të veçantë strategjike, pësoi dëmtime nga instalimet ushtarake gjermane.

1947 u krijua Muzeu Arkeologjik Etnografik pranë Institutit të Shkencave, Ku arkeologët Hasan Ceka dhe Skënder Anamali grumbulluan materialet arkeologjike që kishin shpëtuar nga koleksioni i Bibliotekës Kombëtare dhe nga koleksionet private. Në vitin 1948 u organizua edhe ekspedita e parë arkeologjike e cila u vendos në Apoloni në godinën e dikurshme të misionit arkeologjik francez.

Në këtë kohë gërmimet kryheshin nga arkeologë shqiptarë, sepse pushteti komunist nuk lejonte asnjë të huaj të merrte pjesë në gërmime. Gjatë viteve 1958-60 në Apoloni fillon gërmimet ekipi shqiptaro-sovjetik nën udhëheqjen e S. Islami dhe H. Ceka nga ekipi shqiptar si dhe V. Blavatskin nga ekipi sovjetik.

Gjatë këtyre gërmimeve u zbuluan plotësisht bastioni i madh në murin lindor të qytetit, tempulli i Dianës dhe Prytaneioni pranë Monumentit të Agonotetëve, një godinë banimi pranë manastirit dhe një banesë e madhe me 13 dhoma, e shtruar me mozaikë në anën perëndimore.

Themelimi i Apolonisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Teatri në Apoloni
Temple ruins (Monument of Agonothetes) in Apolonia.

Krahas kolonizimit helen të Mesdheut Perëndimor bën pjesë edhe procesi i kolonizimit helen edhe në pellgun e Adriatikut. Rol më aktiv në kolonizimin e pellgut të Adriatikut pa dyshim e ka luajtur Korinti. Fillimisht kolonët u vendosën në Dyrrah në vitin 627 p.e.s.

Pas vendosjes së tyre në Dyrrah, kolonët filluan të vendosën edhe në Apoloni, viti 588 p.e.s. edhe në Apoloni rolin hegjemon e ka luajtur Korinti por së bashku me ta kishte edhe Korkyras. Ka mendime se në Apoloni erdhën kolonë nga Dyrrahu.

Për themelimin e Apolonisë na jep njoftime autorit antik Stefan Bizantinit i cili thotë se “këtë qytet të Ilirisë si dhe Epidamnin e banonin ilirët. Pastaj u dërguan 200 kolonistë korinthas me në krye Gylakun. Për, Gylakun, nuk shkruan asnjë autor tjetër antikë, kjo ka shkaktuar te disa dijetar edhe dilemën e pasigurisë së këtij lajmi, Edhe pse Stefan Bizantini nuk tregon se prej nga e mori këtë lajm, pasi që ky jetoj shumë kohë pas kësaj ngjareje, duket se ai ishte mjaftë i saktë, pasi u vërtetua nga gjetja e një mbishkrimi ku përmend fushën e Gylakut (Gylakion pedion). Themelimi i kolonive kishte domethënie jashtëzakonisht të madhe për zhvillimin e fiseve ilire që gjendeshin në afërsi të tyre, por gjithashtu edhe për shumë fise të tjera që jetonin më në thellësi.

Marrëdhëniet e Kolonëve me popullsinë vendase[redakto | redakto tekstin burimor]

[[Datei:Dewing 1426.jpg|left|thumb|Spuren der griechischen Kolonisten: Drachme aus Apolonia]] Një çështje mjaftë e rëndësishme e cila është trajtuar mjaftë pak nga aspekti arkeologjik është edhe marrëdhëniet e popullsisë vendase me kolonët si dhe roli i tyre në proceset politiko-ekonomike si dhe ato kulturore. Disa objekte arkeologjike të gjetura në Apoloni (megjithatë të pakta) janë një tregues mjaftë i mirë se edhe popullsia vendore luante një rol në jetën shoqërore dhe politike të Apolonisë. Ngritja e kolonive ka qenë e kushtëzuar nga interesat e dy palëve, e klasës sunduese Korinto-Korkyrase, nga njëra anë, dhe aristokracisë fisnore ilire, nga ana tjetër. Vendosja e këmbimeve të rregullta me helenët ishte fitimprurëse edhe për aristokracinë fisnore të vendit, sepse në këtë mënyrë mundë të këmbente me kolonistët prodhimet e tepërta të grumbulluara prej saj.

Në periudhën e parë të ekzistencës Apolonia nuk ka qenë vetëm një qendër tregtare e Korinthit dhe Korkyrës në Iliri. Pozicioni gjeografik i Apolonisë i dha shkas edhe zhvillimit të bujqësisë, gjithashtu popullsia erdhi duke u rritur dhe shumë shpejt u bë qytet i pasur. Sipas Strabonit popullsia apolonase u shtua edhe me ardhjen e të mërguarve nga qytetet helene Kikys dhe Dyspont të cilët i zgjodhën vetë Dyrrahun dhe Apoloninë për tu vendosur.

Apolonia gjithashtu kishte marrëdhënie të mira edhe me qytetet e tjera Ilire, sidomos në tregti. Dëshmitë e tregtisë së Apolonisë me qytetet tjera gjendet në rrugët e lashta. Në radhë të parë vjen rruga që kalonte luginën e Shkumbinit (rruga e Kandavisë)dhe që arrinte në krahinën juglindore të Ilirisë që përshkonte viset e kandaveve dhe dilte në Dasareti. Kjo duhet të ketë qenë rruga nëpër të cilën shkuan tek aristokracia e pasur dasarete, sendet e luksit, enët korintase prej bronzi, janë zbuluar edhe në varrezën e njohur të Trebenishtit, pranë liqenit të Ohrit. Një rrugë tjetër e cila është përdorur për qëllime tregtare, nga Apoloniatët, ka qenë ajo e cila kalonte gjatë luginës së lumit Aos (Vjosë) për të dalë në Thesali e në Epir. Në fund vjen në konsideratë edhe rruga detare për në Ilirinë e Jugut. Objektet helene që janë gjetur në varrezën e madhe, tumulare Ilire të Gllasinacit, (Bosnjë) kanë qenë me prejardhje nga Kolonitë helene të bregdetit të Ilirisë së Jugut.

Gjithashtu për marrëdhënie të mira të kolonive me ilirët janë edhe monedhat e Apolonisë të cilat janë gjetur në rreth 34 lokalitete Ilire. Kjo ishte faza e parë e marrëdhënieve në mes Ilirëve dhe kolonive të cilat mbeten kryesisht në fushën ekonomike.

Më kalimin e kohës marrëdhëniet e kolonive me ilirët marrin karakter tjetër, këto marrëdhënie ndryshojnë në raport me ndryshimin në politikën e re të qytetit.

Apolonia kishte raporte të mira, sidomos tregtare edhe me trevën e Dardanisë. në territorin e Dardanisë, përkatësisht, në Nekropolin e Romajës janë gjetur disa enë të cilat janë të njëjta me ato të zbuluara në Apoloni. Ndërsa si duket apoloniatët nga treva e Dardanisë merrnin argjendin, i cili ishte një nga burimet kryesore për veprimtarin monetare të Apolonisë. Straboni e përmend Damastionin dhe për minierat e argjendit që gjenden në këtë qytet. Staraboni këtë qytet e vendosë në prapatokën e Apolonisë duke shprehur me përshkrimin e vendndodhjes së këtij qyteti më shumë interesin e kolonisë për argjendin sesa një regjion gjeografik.

Straboni përmend edhe djathin Dardan si një nga prodhimet më të preferuara të fqinjëve përreth, si duket me Apoloninë ka pasur tregti edhe me djathë. Ndërsa Plini e përmend “rrathë ari që vinin nga Dardania prandaj edhe quheshin dardanë”.

Dëshmi më e mirë për marrëdhënie tregtare të mira ne mes Apolonisë dhe Dardanisë janë edhe gjetjet e një numri të madh të monedhave në Fshatin Qollopek të Pejës, (Kosovë)që kishin prerjen nga qyteti i Apolonisë.

Në politikën e re të qytetit, që u realizua me sukses ka qenë edhe shkëputja e tyre nga varësia ekonomike e metropolit. Midis shek të IV p.e.s. Apolonia filloj të presë me sasi të madhe monedhën e vet gjë që dëshmon për forcimin e mëtejshëm të qytetit si dhe në hinterlandin Ilir ishin krijuar kushte për një veprimtari tregtare mbi bazën e monedhave. Për ekzistimin e tregtisë së mirë në mes apoloniatëve dhe ilirëve dëshmon edhe zgjedhja e poletit, i cili ishte funksionarë që e rregullonte tregtinë me ilirët. Për ekzistimin e Poletit të dhëna na jep Plutarku. Kjo veprimtari tregtare u favorizua nga marrëdhëniet e reja që patën kolonit me fqinjët e tyre Taulantë. Në këtë kohë rritet presioni i taulantëve mbi qytetet koloni të cilët fillojnë të përzihen edhe në punët e brendshme të kolonive siç është rasti i Luftës Civile në Dyrrah dhe pjesëmarrjes së Taulantëve në këtë luftë. Kjo periudhë bashkëpunimi mbyllet me kalimin e Apolonisë në vartësinë e Taulantëve.

Rendi shoqëror dhe organizimi politik[redakto | redakto tekstin burimor]

Nëse i referohemi një lajmi të Aristotelit i cili na e jep në veprën e tij “Politica” ku shkruan se “Kemi demokraci kur të lirët, megjithëse të paktë, sundojnë mbi shumicën e popullsisë së lirë sikurse ngjanë në Apoloni e cila gjendet në detin Jon. Nga kjo është një e dhënë e sigurte se në Apoloni sundonte rendi skllavopronarë në mënyrën më klasike të tij. Në Apoloni një pjesë e mirë e skllevërve ishin pronë e shtetit skllavopronar, që përdoreshin kryesisht për ndërtime shoqërore apo për punë të cilat quheshin turp për tu punuar nga të lirët. Përpos skllevërve shtetërorë ekzistonin edhe skllevërit privat të cilët punonin në punishte të metaleve, bujqësi apo edhe si shërbyes të shtëpisë. Ndërsa në grupin e popullatës së lirë bënin pjesë fisnikëria të cilët edhe e themeluan të parët koloninë. Shtresën tjetër të të lirëve e përbënin pronarët e punishteve, tregtarët dhe zejtarët. Pos kësaj mase dhe skllevërve kishte edhe një shkallë tjetër shoqërore e cila përbëhej nga njerëz të huaj pa të drejtën e qytetarisë. Shoqëria Apoloniate ndahej sipas disa kritereve: në të lirë dhe skllevër, në të pasur dhe të varfër, në aristokrat, demos dhe të huaj. Apoloni kishte një politikë më të ashpër ndaj të huajve në qytet. Eliani shkruan se “Apoloniatët i dëbonin të huajt sipas ligjit të Lakedemonëve”. Sipas arkeologut N. Ceka ky dëbim bëhej për shkak të karakterit bujqësorë që kishte kolonia dhe ishte xheloze për tokat e saj dhe mundohej që të zgjerohej në kurriz të fqinjëve. Zhvillimi i vrullshëm ekonomik dhe zejtarë i qytetit si dhe shkëmbimi i mallrave që patën kolonët me popullsinë ilire, erdhi deri te forcimi i shtresave zejtare dhe tregtare. Kjo shtresë doli kundër grupit oligarkik me qëllim për ta marrë pushtetin dhe për ta përdorur në shërbim të interesave të tyre. Si rrjedhim i kësaj në Dyrrah në vitin 437 p.e.s. shpërtheu në një kryengritje e demosit, e cila solli më pastaj Luftën e Peloponezit. Në këtë luftë morën pjesë edhe ilirët të cilët përkrahën aristokracinë e dëbuar nga qyteti, kështu ata u radhitën në grupin që përkrahte Athinën në luftë kundër Lidhjes së Peloponezit. Si rezultat i Luftës Civile në Dyrrah, kemi triumfin e plotë të parimit të ndarjes klasore të shoqërisë dhe forcimin e polisit skallvopronar. Pushteti tani kaloj nga duart e rrethit të ngushtë të aristokracisë në duart e gjithë skllavopronarëve. Me këtë rast u forcua edhe pozita e ilirëve që jetonin në qytet. Dukuri e tillë ngjau edhe në Apoloni. Këto ndryshime u bënë edhe funksionet shtetërore. Vendin e Fylarkëve (krerët aristokrat) tani e zuri një organ kolegjial, buleja (këshilli), anëtarët e të cilët mundë të ishin jo vetëm nga fisnikët por edhe nga shtresat e tjera të skllavopronareve. U krijua edhe Helieja (organ i mbledhjes së përgjithshme të popullit) e cila kishte për detyrë miratimin e ligjeve, marrja e vendimeve me rëndësi dhe zgjedhja dhe kontrollimi i veprimtarisë së organeve ekzekutive të qytetit. Nga anëtarët e Bylesë, në krye të çdo viti zgjidhej prytani, i cili ishte funksionari më i lartë civil i qytetit, me emrin e të cilit lidheshin të gjitha ligjet, dekretet dhe vendimet të shpallura gjatë vitit. Një organ tjetër ishte toksarku (komandant i shigjetarëve) dhe që merrej me çështjen ushtarake dhe luftën. Sekretari bënte ngulitjen në gurë apo në tabela prej bakri të ligjeve, dekreteve dhe vendimeve të marra nga helieja apo organeve të larta ekzekutive dhe i bënte publike ato. Të tre hieramnamonët, merreshin me organizimin e kultit, me organizimin e lojërave dhe festave, dhe me sa duket edhe me çështjen financiare të qytetit. Veç këtyre kishte edhe nëpunës të tjerë të një rangu më të ulët por që luanin një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike, i tillë ishte edhe nëpunësi i ngarkuar me prerjen e monedhave i cili përpos që duhej të siguronte lëndën e parë duhej të bënte edhe shpërndarjen e monedhave. Një funksionarë tjetër ishte poleti i cili duhej të merrej me rregullimin e tregtisë me Ilirët sipas Plutarkut "ky zgjidhej çdo vit nga radhët e qytetarëve më të njohur që të shkonte tek barbarët në emër të gjithë qytetarëve".

Nga mbishkrimet e shek. I-rë të erës sonë njohim edhe Agonotetin, emri i të cilit do të thotë nëpunës i garave, por detyra e tij shtrihej në një sferë më të gjerë. Ai mirrej me edukimin e rinisë dhe njëkohësisht jetën kulturore të qytetit. Ky funksion ishte i ndarë nga pushteti administrativ dhe s’kishte rolë të rëndësishëm politik, kjo kuptohet edhe nga fakti se ai nuk zgjidhej periodikisht por zgjidhej për tërë jetën. Forma demokratike e pushtetit skllavopronar u ruajt edhe pas pushtimit romak kur qyteti u konsiderua federati-aleat. Ndërsa Augusti nuk i a cenoi privilegjet e mëparshme, por përkundrazi e ngriti qytetin në një shkallë edhe më të lartë, në civitas libera et immunis (në qytet të lirë dhe të paprekshëm). Apolonia në këtë kohë vazhdon prerjen e monedhave prej bronzi, ashtu si edhe denarët, i përshtaten tani në peshe monedhave të njëkohshme perandorake, ndërsa për sa u përket emblemave ato u mbetën në përgjithësi besnike traditave të mëparshme duke dashur në këtë mënyrë të spikasin pozitën e privilegjuar që gëzonte qyteti ne kuadrin e Perandorisë Romake. Denarët pushuan së preri jo shumë kohë pas vdekjes së Augustit, ndërsa monedhat pseudoautonome në Apoloni ngjajnë të kenë marrë fundë në kohen e Antonin Piut, me Mark Aurelin fillon në Apoloni fillon seria e fundit e pashkëputur e bronzeve perandorake, të cilat në kohën e Severëve arrin një lulëzim të paparë ashtu si në sasi por edhe në cilësi stilistike e artistike të vulave. Por edhe pse qyteti ishte shpallur i lirë dhe që nuk paguan taksa, mirëpo edhe në këtë kohë politikën e jashtme e udhëhiqte Roma që do të thotë se qyteti ishte i lirë vetëm brenda mureve të tij.

Bujqësia dhe Blegtoria[redakto | redakto tekstin burimor]

Apolonia përpos që ishte një qendër prodhimi zejtar ajo ishte njëkohësisht edhe një prodhues bujqësorë. Ngritja e Apolonisë në një tokë pjellorë është treguesi me i mirë për rolin bujqësor që kishte ky qytet. Pranë mureve të qytetet ishte vendosur tempulli i hyjneshës Demetra ku pastaj fillonin arat e Apoloniatëve, fusha e Gylakesë. Në afërsi të Apolonisë 1-2 km në perëndim të saj, pranë fshatit të sotëm Sop, janë gjetur me shumicë figurina terakotash të shek IV p.e.s. kushtuar hyjneshës Demetra. Përveç tokave të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë, zona përreth qytetit ka qenë e pasur me kullota mjaftë të mira për rritjen e gjethit, te kuajve e të bagëtisë së imët. Prodhimi kryesorë i bujqësisë apoloniate ishte drithi. Gjatë gjurmimeve arkeologjike janë gjetur kokrra të drithit të cilat kanë qenë të karbonizuar që në antikitet. Gjithashtu janë të njohur edhe pitosët të cilët kanë shërbyer për mbajtjen e drithit. Për rendësin e drithit në Apoloni na tregojnë edhe disa monedha ku në faqet e saj ka qenë pamja e kallirit. Një prodhim mjaftë të rëndësishëm në bujqësinë Apoloniate kanë pasur edhe vreshtat. Nga gërmimet arkeologjike na janë gjetur kazma e gjata njëtehëshe (qylyke) të cilat janë nevojitur për punimin e e thellë të vreshtave, kosoret për pastrimin e kopshteve, kiza të madhësive të ndryshme, që përdoreshin për krasitje. Për rëndësinë dhe kultivimin e rrushit ndër apoloniatër na tregojnë edhe disa vepra artistike, sidomos në enët e pikturuara gjatë shek. VI-III p.e.s. kurrë nuk mungon diçka nga rrushi: lastari,fleta apo fryti. Gjithashtu na janë të njohura shumë enë që shërbehej vera, si amforat me të cilat shërbehej në tavolinë si dhe kupat që shërbenin për tu pirë. Për vreshtarinë na tregon edhe Straboni i cili kur e përshkruan bregdetin ilirë tregon se ai ishte i pasur me vreshta.

Përpos bujqësisë në Apoloni një zhvillim mjaftë të madh pati edhe blegtoria. Vetë fakti se në Apoloni nderohej perëndesha Artemis, tempulli i së cilës zinte pjesën kryesore të qytetit tregon për rendësin e blegtorisë dhe bujqësisë. Kullosat Apoloniatët i kishin jashtë mureve të Apolonisë, buzë Vjosës. Njoftime për blegtorin Apoloniate na jep Herodoti i cili na jep njoftime se në Apoloni ka dele, të cilat i janë kushtuar diellit, dhe që i ruanin burrat më të shquar si nga pikëpamja e pasurisë, ashtu edhe e fisit secili nga këta i ruante një vit. Herodoti na tregon edhe për Evinin i cili gjatë ruajtjes së deleve e kishte zënë gjumi dhe ujqërit i kishin shqyer kopenë. Për këtë Apoloniatët e dërguan Evinin në gjyq dhe e dënuan me verbim . Por menjëherë pasi e verbuan as delet dhe as toka më nuk jepte fryt. Apoloniatët dërguan njerëz te orakulli i Dodonës dhe Delfit për të mësuar të vërtetën, përgjigjja e tyre ishte se ata ishin të dënuar pasi që ata kishin dënuar rëndë Evinin. Dhe derisa Apoloniatët të mos e vuanin dënimin deri sa që Evini do ta quante të drejtë. Si dhe deri të mos jetë Evini i lumtur. Pas kësaj përgjigjeje ata shkuan te Evini dhe e pyetën për dënimin të cilin do tua e jepte ai Apoloniatëve dhe të ishte ai i lumtur. Evini duke mos ditur përgjigjen e orakujve ai kërkoj dy ara të cilat ai i dinte që janë ndër më të mirat, dhe një shtëpi pranë këtyre arave. Apoloniatët ia plotësuan menjëherë këtë dëshirë. Menjëherë pas kësaj Evinit i erdhi vetia e orakullit i cili u bë edhe i dëgjuar. Kjo legjendë për Evinin është tregues i qartë se çfarë vendi zinte bujqësia dhe blegtoria tek apoloniatët. Nga relievet dhe terakotat dimë se edhe rritja e shpendëve kishte vendin në ekonominë e Apolonisë. Kryesisht ndeshim pula, rosat dhe patat.

Ndërsa lumi Vjosa, luginat bregdetare si dhe vetë deti mundësonin edhe zhvillimin e peshkatarisë. Gjithashtu nga një reliev shatërvani kemi edhe paraqitjen e një skene peshkimi.

Urbanistika dhe arkitektura[redakto | redakto tekstin burimor]

Gjate shek. V-I p.e.s. Apolonia jetoj një periudhe lulëzimi. Arkitektura dhe urbanistika e këtij qyteti është e bazuar në arritjet e arkitekturës helene por e lidhur me realitetin ilir. Apolonia u ndërtua sipas një plani që mbështetej në sistemin ortogonal të Hipodamit ; përshkohej nga rrugë të drejta, kryesore e dytësore, që kryqëzoheshin me njëra-tjetrën duke kufizuar lagje të veçanta.

Gjatë gjysmës së parë të shek. VI p.e.s. Apolonia ishte kthyer në një qytet të mirëfilltë, për këtë dëshmojnë edhe gjurmët e një muri rrethues i cili ka gjerësinë 3 m. I punuar më blloqe ranore katërkëndëshe.

Me zgjerimin dhe fuqizimin e qytetit gjatë shek. V-IV p.e.s. u ndie nevoja e rindërtimit të murit rrethues. Kjo u realizua nëpërmjet përforcimit të tij me një bastion të madh, të përshtatshëm për vendosje balistash, në anën lindore ndërsa në anën perëndimore u ndërtua një mur i ri. Murit perëndimor i shtohen edhe kulla katërkëndëshe dhe të rrumbullakëta që përforconin hyrjet ose pikat më të zbuluara ndaj sulmeve të armikut. Muri rrethues përfshinte në vete 140 hektarë, por një pjesë e qytetit u shtri edhe jashtë mureve të qytetit, sidomos në pjesën perëndimore. Ndërsa në pjesën lindore shtrihej nekropoli.

Jo e gjithë sipërfaqja brenda mureve të qytetit ishte shfrytëzuar për ndërtim. E tërë pjesa veriperëndimore rreth 10 ha ishte lënë e zbrazur ku strehohej popullsia fshatare bashkë me pasurin dhe bagëtinë.

Qendra e qytetit ishte rezervuar për ndërtimet me karakter shoqëror, ku pjesën kryesore e përbënte agoraja (sheshi kryesor i qytetit)ku gjendej teatri, stoat, godinat zyrtare etj. Pjesa tjetër që përbënte tërë sipërfaqen e kodrës më të lartë e që ishte e rrethuar me një murrë mbrojtës përfshinte Temenosin (zonën e shenjtë) ku gjendej tempulli kryesorë i qytetit dhe altarët e perëndive të rëndësishme.

Zbatimi i sistemit ortogonal në Apoloni është shoqëruar me krijimin e tarracave, për t’iu përshtatur pjerrtësisë së kodrave. Agoraja ishte vendosur në pjesën më piktoreske të qytetit, me pamje që hapej drejt fushën së Myzeqesë dhe detit. Monumentet kryesore që ruhen aty i takojnë shek. IV-III p.e.s.

Stoa (shëtitore antike) kishte gjatësinë e saj prej 78 m ndërsa gjerësi 12 m të ndarë nga një kolonadë dorike poshtë dhe jonike lartë. Pamja e stoas kishte shikim nga Adriatiku kështu që krijonte një pamje qetësuese për parinë fisnore të asaj kohe. Muri i pasmë që ka një rol mbajtës është me 17 nishe (pjesë e harkuar e murit),ku vendoseshin shtatoret, kolonada e brendshme dhe e jashtme e katit të parë formohej nga kolona tetëkëndore. Stoa kishte funksion të dyfishtë, për rritjen e qëndrueshmërisë së murit ndaj presionit t të dheut dhe për vendosjen e skulpturave.

Një monument tjetër i cili është mjaftë i ruajtur nga agoraja i formuar në shek. IV-III p.e.s. është teatri. Teatri përafërsisht kishte rreth 9000 vende, dhe futej kështu në mesin e teatrove mesatare të botës antike. Temenosi i Apolonisë ngrihej në kodrën më të lartë (104 m) dhe ishte i rrethuar me mur. Kjo zonë iu kishte kushtuar perëndeshës Artemis. Muri i rrethues i temenosit nuk kishte funksion ushtarak por vetëm për të kufizuar zonën e shenjtë të qytetit. Faza më e vonë e të cilit i takon shek. III pe.s. Me këtë periudhë lidhet edhe ndërtimi i një porte monumentale me qemer të rremë. Në krahë të saj qëndron obelisku si atribut i Apolonit Agieus, mbrojtës i kolonëve. Pjesa e poshtme e tij është një kolonë cilindrike me diametër 0,47 m madhe lartësi 0,80 m, ndërsa e sipërmja, me sipërfaqe 1,70 m përfundon në formë koni. Ky simbol i thjeshtë paraqet omfalin-kërthizën e botës. Sipas arkeologut N. Ceka ky simbol ishte ndërtuar për kompensim që i bëhej Apolonit për vendin që i kishte zënë e motra e tij, Artemisi. Fundit të periudhës arkaike, rreth viteve 480 p.e.s. i takon një tempull jashtë qytetit të Apolonisë, mbi kodrën e shtyllasit. Vetë emrin fshati e kishte marrë nga kolonë e vetme që kishte mbetur në këmbë nga tempulli i dikurshëm. Legjendat popullore e konsideronin atë si shtyllë ku lidheshin anijet, duke ruajtur kështu kujtimin e skelës që gjendej edhe vetë tempulli.

ky tempull ishte zhdukur nga Ibrahim Pasha i cili në fillim të shek XIX, ka marrë këtu 70 karroca me material guri dhe i ka dërguar në Berat për të ndërtuar sarajet e tij të e veta.

Nga arkitektura Apoloniate e periudhës helenistike janë përfaqësuar edhe ndërtimet inxhinierie ujëmbledhëse. Vetë pozita e Apolonisë në një kodër kishte prurje të pakta të ujit si dhe mungesa e burimeve të mëdha bëri të nevojshëm zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm për qytetin. Kjo zgjidhje ishte bërë me ndërtimin e nimfeut (çezma monumentale) në shpatin perëndimor të qytetit.

Ndërtesa simbol (me e shquar) e Apolonisë që shpesh jemi mësuar ta shohim nëpër foto quhet ndryshe edhe Monumenti i Agonotetëve. I cili u ndërtua për te mëshiruar vdekjen e vëllait ushtarak te një zyrtari te larte te Apolonisë. Gjithashtu ky ishte vendi ku bëheshin mbledhjet e këshillit te qytetit. Mbishkrimi në këtë monument na tregon se atë e financoi një qytetar me origjinë romake, Kuint Vil Krisp Fur Prokuli , i cili mbante tri funksione : prytan, agonotet dhe kryeprift i përjetshëm. Mbishkrimi na njofton se ky e bëri këtë ndërtim për të nderuar vëllaun e tij, Valentin, i cili në karrierën e tij kishte qenë prefekt dhe tribun ushtarak, i cili po të mos kishte vdekur në Panoninë apo Sirinë e largët, do të ishte bërë agonotet. Në inaugurimin e këtij monumenti u ndeshën 25 çifte gladiatorësh. Marrëdhëniet e ndërsjellat të qyteteve koloni me hinterlandin ilir shpejtuan procesin e lindjes dhe zhvillimit të një tog qytetesh ilire.

Nymfeu[redakto | redakto tekstin burimor]

Dion Kasi historian grek i cili kishte vizituar Apoloninë dhe përshtypje të mëdha gjatë qëndrimit të tij në Apoloni i kishte lëne Nymfeu, siq shkruan ai “Kjo Apoloni e quajtur korinthase ndodhet në një vend të bukur të tokës dhe detit, dhe në një vend shumë të bukur lumenjsh. Por ajo që më çuditi më shumë se çdo gjë është zjarri i madh që del pranë lumit Ana (Vjosa) dhe që nuk përhapet me tepër në tokën rreth e rrotull... bile shumë afër tij ka gjelbërim dhe pemë që lulëzojnë ; përveç kësaj kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngritët më lartë. Për këtë ky vend quhet Nymfe bile këtu ka pasur edhe një orakull”. Përpos Dion Kasit njoftime për të këtë zjarr na japin edhe autorë tjerë antikë. Ndërsa Eliani i cili shkruan se “zjarri nuk zë një hapësirë të madhe, dhe ka një rreth të ngushtë ; mbanë erë squfuri dhe çamçakëzi dhe rreth tij ka bimë që lulëzojnë plotësisht, dhe zjarri që del aty pranë nuk dëmton bimët. Zjarri digjet natë e ditë dhe s’kishte pushuar, kurrë siç thonë apoloniatët, para luftës që u ndodhi atyre me Ilirët (470 p.e.s. shënim i autorit)” Sipas N. Cekës apoloniatët nuk ishin zotëruesit e plotë të këtij vendi të çuditshëm, sepse ai ndodhej në kufi të tokave me bylinët dhe amantët, dhe në mes apoloniatëve dhe bylinëve kishte një grindje të vazhdueshme për të provuar pronësinë e këtij vendi. Bashkë me zjarrin dilte edhe pisë edhe asfalt. Plini shkruan se “ka edhe një përzierje natyrale pisë-asfalt prej pisës dhe asfaltit që del në tokat e Apolonisë. Këtë përzierje disa e bëjnë vetë. Ky është një ilaç shumë i mirë kundër zgjebes së berrave dhe kundër plagëve që u shkaktohen memtheve nga lindja. Më e mirë është ajo që del sipër kur përzierja është duke vluar. Për karakteristikat shëruese të tij flet edhe Straboni i cili thotë se pasi përzihet me vaj, lyhen hordhitë, kështu që insektet të ngordhnin para se të arrinin degën.

Aristoteli na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me dy fenomene që ndodhin njëkohësisht. Ai shkruan se “aty del asfalt dhe pisë si currila që shpërthejnë nga toka... dhe banorët thonë se jo larg nga ky vend është një zjarr që qëndron i ndezur vazhdimisht. Të njëjtën ndarje e bënë edhe Straboni ku thotë “në krahinë e Apolonisë është një vend i quajtur Nymfe ; një shkëmb aty nxjerrë zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vaktë dhe asfalt”.

Nga gërmimet arkeologjike kemi edhe një përdorim tjetër të serës. Që nga shek.Vi p.e.s lyheshin me të enët nga brenda, qypa dhe pitosa për të siguruar një hidroizolim. Kuptohet sera ishte një produkt i kërkuar për tregun e atëhershëm dhe vetë nymfeu përmbante vlera ekonomike. Mbi dy tipe të monedhave të Apolonisë, të prera në shekujt III dhe II p.e.s shfaqet emblema e një leme zjarri që kishte të bënte me nymfeun.

Nuk ishte pa arsye edhe kuptimi fetar që merrte ky vend në sytë e popullsisë vendase, të cilët duke mos mundur të kuptojnë origjinën e flakës e konsideronin atë si burim të perëndive.

Nga përshkrimet e mësipërme del se zjarri shkaktohej nga djegia e gazit që dilte nga nëntoka dhe që shoqërohej edhe me nxjerrjen e fraksioneve të rënda të naftës. Arkeologët e kanë vendosur Nymfeun në fshatin Frakullë në Muzeqe.

Artizanati[redakto | redakto tekstin burimor]

Artizanati zinte një vend të rëndësishëm, duke përfaqësuar vetë nevojat e popullsisë si dhe furnizimin e popullsisë ilire të prapatokës. Prodhimi i qeramikës e përbënte një nga zejet më të rëndësishme për të plotësuar kërkesat e përditshme, për materiale ndërtimi (tjegulla, tulla), për enë rezerva (pitosa, amfora), enë kuzhine, objekte arti etj. Punishtet e tjegullave dhe tullave ishin vendosur jashtë qytetit, ku e kishin pranë lëndën e parë dhe uji. Tullat prodhoheshin sipas një mase të caktuar katrore. Ishin të njohura punishtet shtetërore dhe ato private. Nëpër punishtet private punëtori vendoste edhe vulën me qëllim të reklamimit në treg. Njëlloj si tullat edhe tjegullat e kishin formën e tyre standarde. Ato kishin formën trapezoidale e sheshtë dhe përmasat 54 cm x 80 cm për tipin solen, këto ishin shtrojat e çatisë ndërsa vijat e bashkimit mbuloheshin me tjegullën kalipter që kishte forme gjysmë cilindrike, si tjegullat e sotme.

Kisha e Shën Mërisë në Apoloni.

Në punishtet e tjegullave përgatiteshin edhe enët e mëdha, pitosat, që shërbenin për mbajtjen e drithit, verës apo për të varrosur të vdekurit.

Prodhimi i poçarisë gjithashtu përbënte një zeje të rëndësishme për nevojat e përditshme.

Format e enës ishin të ndërtuara sipas funksionit. P.sh. dallohen enët e verës nga ato të ujit, ato të gjellës nga ato të peshkut, apo shishet e parfumeve nga ato të vajit. Në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. të IV p.e.s. dallohet edhe prodhimi i enëvë me figura të kuqe. Format kryesore të enëve të zbukuruara ishin amforat dhe krateret, ndërsa temat e parapëlqyera ishin paraqitja e ushtrimeve në palestër. Zbukurimi i enës mundë të bëhej që kur ishte e njomë, mirëpo puna më e përkryer ishte pikturimi i saj pas pjekjes.

Gjysma e dytë e shek. të IV p.e.s. karakterizohej me punimin e qeramikës me vernik të zi (shkëlqim metalik i enës). Format kryesore të këtij prodhimi ishin : amforat e tryezës, ojnohet, lekitëta soset dhe veçanërisht, skifosat, kandilat, kupat dhe pjatat, të cilat punoheshin në bazë të kërkesave të qendrave qytetare dhe fshatare ilire. Deri në shek. e III p.e.s. ky prodhim mbizotëronte në tregun ilirë, i cili konkurrohej më pas nga qendrat qytetarë ilire. Deri në shek. III p.e.s. piktorët i kushtonin shumë rëndësi pikturimit nëpër enë, por me zhvillimin ekonomik rriten edhe nevojat e konsumit që kërkonin sasi të mëdha enësh. Me këtë edhe merr fund puna e pikturimit të enës e cila konsideroj artë. Tani enët punoheshin thjeshtë dhe vizatoheshin me shpejtësi.

Nga punëtorit e poçarisë kemi edhe punimin e terakotave (figurinave prej balte). Një pjesë e tyre janë lodra fëmijësh. Pastaj vjen edhe një grup me realizime të vërteta artistike.

Prodhimi i metaleve gjithashtu përbënte një zeje të rëndësishme, i cili përfaqësohej nga prodhimi i veglave të hekurit, siç ishin veglat zejtare për punimin e gurit, të metaleve,marangozë etj.

Pasi që Apolonia kishte edhe karakter bujqësore, veglat bujqësore zinin një vend të rëndësishëm të prodhimit zejtar. Vegla të tilla janë gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike.

Prodhimi i armëve përbënte një nga drejtimet kryesore të zejtarisë, ku dallohen : punimi i përkrenareve prej bronzi ku dallohen përkrenaret e tipit korintik dhe kalkidik. Në gjysmën e shek. të IV p.e.s. u fut në përdorim përkrenarja e tipit maqedon. Gjatë kësaj kohe është e përfaq1ësuar edhe përkrenarja e tipit ilire-Kanina si pikë e rëndësishme arkeologjike tërhoqi vëmendjen edhe të arkeologëve vendas të cilët pas çlirimit kryen disa gërmime në kë të kala. Kështu H. Ceka duke bërë fjalë për qytetet Ilire në krahinën e Vlorë bëri përshkrimin edhe të mureve të Kaninës i cili thotë se muret mesjetarë të Kalasë janë të vendosura mbi trakte muresh antike të përbërë nga mur të mëdhenj paralelepiped. Kjo gjë vërehej edhe gjatë vizitës sonë ku në disa pjesë të murit rrethues kishte mbetje të mureve të periudhës Helenistike ku mbi të cilët ishin vendosur muret mesjetare me formë të rrumbullakët dhe zbukurim rrathësh koncentrik.

Armët e sulmit dëshmohen nga maja heshtash dhe shpata që nuk ndryshuan shumë.

Zhvillimi i artit[redakto | redakto tekstin burimor]

Për zhvillimin artit apoloniat do të bëjmë fjalë shkurtimisht, pasi kjo është një temë shumë e gjerë. Pasi edhe ky nuk është qëllimi kryesor në këtë punim, ne do të japim vetëm disa vepra arti, dhe pa përshkrime të hollësishme.

Krahas themelimit dhe forcimit të qytetit ndiqet edhe fillimi i artit. Fillimet e artit në Apoloni ndiqen nga shek. VII-VI p.e.s. dhe ishte i lidhur ngushtë me artin grek dhe shpesh përfaqësohej nga objekte të sjella nga Korkyra. E tillë ishte edhe terakota e cila paraqiste gjyqin e Paridit, që vjen nga një punishte e Korkyrës, ose figurat e rrafshta prej plumbit në relief që paraqesin Artemisin ose me fildish që jep një perandoreshë me hiton të gjatë, të Apolonisë të punuara në Korint.

Zhvillimin e artit apoloniat mund ta ndjekim krahas atij ekonomik-shoqërorë, në fund të shek. VI dhe në Gjysmën e I-rë të shek. V p.e.s. kjo periudhë në Greqi quhet Arkaike, edhe në Apoloni përmban karakteristika të njëjta.

Skulptura arkaike janë një gjë e rrallë. Më tepër ishin të zhvilluara figurinat prej bronzi dhe balte. Vlen të veçohet punimi i një terakote që paraqet një grua, e trajtuar me dy ngjyra, te kuqen e baltës dhe të zezën e një verniku. Vetë punimi i saj ishte bërë me modelim dhe jo me kallëp siç bëhet zakon më vonë.

Një realizim artistik të periudhës arkaike e përbën edhe terakota e vogël që paraqet Sarapisi, në trajtën e një plaku me kokën e mbuluar. Fytyra me sy eliptikë, ballë të ulët dhe buzëqeshje tipike e përcakton atë si punë arkaike.

Në Apoloni arritje të lartë përfaqëson relievi i amazonomahisë (lufta kundër amazonave) i realizuar në gurin gëlqeror të akrokerauneve. Mendohet se ai i takonte një tempulli të stilit dorik me elemente të ati jonik të ndërtuar rreth vitit 530 p.e.s. krahas tipave arkaike siç janë kundërvënia e pjesëve përballë dhe profil, apo fshehja e fytyrës nën formën e përkrenares, bien në sy përpjekje të guximshme për të dhënë vrullin e lëvizjes përmes kontraktimit gjymtyrëve dhe paraqitjes së trupave në pozicionin gjysmëperball.

Shkolla vendase e skulpturës e krijuar që në epokën arkaike vazhdon të zhvillohet edhe në kohën klasike, edhe pse është vështirë të përcaktohen karakteristikat e shkollës klasike të skulpturës apoloniate për shkak të numrit të kufizuar të veprave që janë zbuluar. Arti arkaik është përfaqësuar edhe nëpër pikturat të cilat kanë arritur vetëm nga miniaturat e saj në figura të zeza nëpër vazo.

Shek. i V p.e.s. është ende i panjohur për Apoloninë edhe pse në këtë kohë pati disa ndërtime siç është tempulli i shtryllasit, dhe i cili me siguri ka qenë i shoqëruar me vepra artistike.

Një periudhë e veçantë e lulëzimit të artit përfaqëson gjysma e II e shek. IV p.e.s. dhe shek. III p.e.s. kjo është si pasojë e përfshirjes së qytetit në shtetin Ilirë si dhe hapjes së tij ndaj prapatokës Ilire.

Një vepër me cilësi të larta artistike e gjysmës së II të shek. IV p.e.s. është koka e Artemisit e paraqitur me një kthim të qafës, trajtimi ekspresivi fytyrës dhe dhënia e një frizure e tipit kekryfalos.

Me ndërtimet monumentale të kohës janë lidhur edhe disa skulptura, siç është paraqitja simbolike e lumit Aos në formën e një plaku të fuqishëm, të shtrirë në një mënyrë që zinte këndin e frontonit të një tempulli, me trajtimin muskuloz dhe theksimin e tipareve të lëvizjes kjo skulpturë qëndron brenda normave artistike së periudhës së zhvilluar helenistike.

Relievi sepulkral është i lidhur ngushtë me zbukurimin e monumenteve ose të stelave mortore. Relievi i frizit jonik të një tholosi të she. III p.e.s. paraqet amazonomahinë me një kundërvënie të vrullshme të figurave. E veçantë e kësaj skene është se në këtë luftë, të grekëve kundër amazonave na paraqitet fitorja e amazonave dhe mungon skena e luftimit të Pentesilesë me Akilin.

Në shek. III p.e.s. skulptura Apoloniate na ofron një kryevepër me kokën e një burri të punuar sipas tipareve të shkollës së Rodosit. Forma katërkëndëshe e kokës, me ballin e rrudhur, nofulla të theksuara dhe vetullat e dala shprehin cilësinë e vullnetit tipik për sundimtarët helenistik. Në këtë duhet të kërkohet një figurë historike vendase nga shtëpi mbretërore.

Arti apolonisë vazhdoi të ndjek traditat e artit helen, duke përvetësuar sukseset e shkollave të përparuara të Polikletit, Praksitelitapo Lisipit. Shkëputja e qytetit nga metropoli ndikoi që Apolonia të mos e ndiente krizën politike dhe ekonomike që po e kaplonte Greqinë në periudhën klasike.

Gjatë qeverisjes romake, Apolonia kishte një ndërthurje të traditës lokale me tipat roma, që shprehet me portretin e një anëtari të familjes perandorake, ku vendin e ashpërsisë së ftohtë e ka zënë qetësia shpirtërore dhe mendimi i thellë.

Ndërsa potreti që paraqet fizionominë tipike romake është portreti që të kujton Agripën ose të një qytetari romak nga Apolonia.

Lulëzimi i fundit ekonomik i Apolonisë në shek. I-III të e.s. ishte për artin një rilindje. Kjo duket, së pari në interesin e veçantë që ngjallet për periudhën klasike nëpërmjet kopjimit të modeleve më të mira.

Gjatë kohës së Hadrianit Apolonia bëhet qendra kryesore e skulpturës, duke na dhënë kryeveprat e saj. Këtu bëjnë pjesë potreti i perandorit Hadria, potreti i Antinoit si dhe një radhë portretesh që paraqesin qytetarët romak të Apolonisë. Kulmin arti apoloniat e arrin në shek. III të e.s. gjatë periudhës së Severëve.

Një zhvillim tejet të lartë në këtë kohë e kishte edhe mozaiku. Gjatë shek. I e.s. u zhvillua mozaiku bardhë e zi, ku zotëronin figurat gjeometrike. Në dallim nga mozaikët e periudhës helenistike të bërë me zaje lumi, ky mozaik realizohet me kubikë të thyer nga guri, që quhen tesella. Gjatë shek. II-III e.s. zhvillohet mozaiku polikrom, ku krahas figurave gjeometrike, vend më të gjer zënë kompozimet me figura mitologjike. I tillë është është mozaiku me skenën e amazonomahis, ku paraqet Akilin që mbanë në duar Pentesilenë, nga një godinë e madhe banimi në anën perëndimore të qytetit.

Studimi i artit të shek I-III e.s. ka rëndësi të veçantë sepse ndihmon të veçohet diferencimi i artit popullor nga ai zyrtar.

Braktisja e Apolonisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Qyteti i Apolonisë gëzoi të drejtën e qytetit të lirë dhe i mbrojtur siç ia kishte dhënë dikur Oktavian Augusti deri më 213 të erës sonë. Po këtë vit (213) me ediktin e Karakallës që i trajtonte njëjtë të gjitha qytetet dhe njerëzit e perandorisë, Apolonia e humbi pavarësinë e saj dhe u kthye në të njëjtat pozita si qytetet fqinje. Në shek. III të erës sonë Apolonia fillon ta humbë edhe rëndësinë e saj ekonomike, këtë e dëshmojnë edhe monedhat e prera të kësaj kohe, të cilat paraqesin në shpinë të saj lumin Vjosa. Në këtë kohë Apolonia kishte marrë një goditje të fortë e si duket ishte ndryshimi i shtratit të lumit Vjosa i cili kishte ushqyer Apoloninë për 8 shekuj. Lumi kishte qarë në drejtim të fshatit Boçovë rreth 6 km nga Apolonia ku ruhen edhe sot gjurmët e tij me emrin e lumit Sllanikut. Në këtë mënyrë qyteti mbeti pa port dhe pa lidhje me detin. Më 234 të erës sonë një tërmet shkatërroj qytetet e bregdetit lindorë të Adriatikut, pas këtij tërmeti Apolonia filloj të braktisej. Tani lumi Vjosa po ushqente një tjetër qytet, Bylisin. Kriza e sistemit skllavopronarë dhe shthurja e Perandorisë Romake bënë që qyteti të mos e merrte më veten. Ai ruan rendësin si qendër peshkopale deri në shek V të erës së re. Në shek e VI duhet të ketë qenë peshkopi personaliteti i fundit që e braktisë Apolonisnë duke u vendosur edhe ai në Bylis.

Shiko edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]