Arbërit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko



Në shek.III-I p.e.sonë Iliria e Jugut nuk ndryshonte shumë nga fqinjët jugorë e lindorë të saj, si nga zhvillimi ekonomik e kulturor, ashtu edhe nga organizimi politik. Mënyra antike e prodhimit kishte përfshirë gati të gjitha krahinat ilire të jugut. Jeta e gjallë urbane dëshmohet nga shkrimet e autorëve grekë e romakë të cilët, duke përshkruar ngjarjet politike të kohës, përmendin shumë qytete ilire, tablloja e vërtetë e të cilëve bëhet shumë më e plotë nga të dhënat dhe dëshmitë që ka nxjerrë në dritë kazma e arkeologut.

Rritja dhe fuqizimi i shtetit ilir binte ndesh me itneresat romake në Ballkan, ndaj në periudhën nga viti 250 deri në 168 p.e.sonë këto dy fuqi u ndeshën me njera tjetrën. Gjatë të tri luftrave që romakët zhvilluan me shtetin ilir, u njohën nga afër me gjeografinë e Ilirisë së Jugut, me burimet ekonomike e njerëzore të saj. Ata gjetën një vend të zhvilluar, një vend ku mënyra antike e prodhimit dominonte jo vetëm në qytete e qyteza, por edhe në qendra të banuara në thellësi të vendit. Kultura materiale dhe shpirtërore kishte të gjithë treguesit e kulturës helenistike mesdhetare.

Materiali arkeologjik i zbuluar në rrënojat e qyteteve ilire si Bylisi, Nikaia (Klosi), Margëlliçi, Dimale, Amantia, Selca e Poshtme Albanopoli, Lisi , Skodra, etj., tregon se edhe në situatën e re politike, të kirjuar pas luftës së tretë iliro-romake, më 146 p.e.sonë, kur një pjesë e Ilirisë së Jugut ishte përfshirë në provincën e Maqedonisë, pamja e saj e përgjithëshme nuk kishte pësuar ndryshime cilësore. Natyrisht luftrat dhe pushtimi romak nuk ishin pa pasoja, por Roma ende nuk i kishte eliminuar plotësisht prodhimet vendase dhe monedha republikane nuk kishte zënë tërësisht vendin e drahmeve të Dyrrahut e të Apolonisë. Në mesin e shek.I të e.sonë pushteti republikan romak mundi të bëjë disa ndryshime, të cilat çuan më tej e në mënyrë të plotë nën pushtetin Perandorak Romake.

Shekujt e parë të e.sonë karakterizohen nga një depërtim dhe qëndrueshmëri e kulturës romake në tërë Ballkanin, gjë që u pasua me një zhvillim ekonomik e kulturor të Ilirisë së Jugut. Gjatë sundimit të perandorit August në qytetet si Dyrrahu, Bylisi, Buthroti e Shkodra u vendosën kolonë romakë. Kolonizimi romak ushtroi një ndikim të madh mbi popullsinë vendase ilire, e në radhë të parë në qytetet, po, edhe në zonat fshatare. Elemente të qytetërimit romak hyjnë edhe në brendësi të viseve ilire. Qeramika romake u përhap gjërësisht, duke u shoqëruar edhe me uniformizimin e prodhimeve të poçerisë. Në disa qendra banimi u bënë ndërtime të reja publike e shoqërore. Në materialin arkeologjik që përfaqëson kulturën e kohës, mund të veçohen qartë elemente tradicionale, që u ruajtën nga periudha e mëparëshme, por elementet e traditës u ruajtën më mirë në fshat, në ndryshim nga qyteti që mori me shpejtësi ngjyrën kozmopolite. Ky proces forcohet edhe më shumë gjatë antikitetit të vonë, kur pjesa më e madhe e qyteteve ilire bie ose kthehet në qëndër të thjeshtë ushtarake e administrative. Në këto rrethana merr përparësi veprimtaria ekonomike e fshatarësisë ilire dhe prodhimi zejtar vendas plotësonte gjithnjë e më shumë kërkesat e banorëve. Kështu, edhe roli i kulturës fshatare, e cila mbështetej më tepër në elementet e traditës, bëhet më i fuqishëm. Gjatë antikitetit të vonë, me dobësimin e administratës qëndrore dhe të rolit përthithës të qendrave kozmopolite, iu dha mundësi popullsisë ilire të zhvillonte një kulturë me tipare të vetat e cila do të përbënte një komponent të rëndësishëm në formimin e kulturës së re.

Me ndarjen e Perandorisë Romake në Perandorinë e Lindjes dhe në Perandorinë e Perëndimit më 395 e.sonë, ilirët e jugut u përfshinë në Perandorinë e Lindjes ose siç u quajt ndryshe në Perandorinë Bizantine. Kjo ndarje administrative nuk solli ndonjë ndryshim në strukturën ekonomike e shoqërore të krahinave ilire jugore, të cilat në tërësi vazhduan të ruanin veçoritë që kishin patur më parë. Por në zhvillimin historik të Ilirisë ndikuan ngjarje të rëndësishme, siç ishin dyndjet e barbarëve. Kështu mund të përmendim invazionin e vizigotëve, të cilët në fund të shek.IV e më vonë me në krye Teodorikun pushtuan Skampinin dhe Dyrrahun.

Arkeologjia shqiptare ka nxjerrë në dritë fakte e të dhëna që e bëjnë më të plotë gjendjen në territorin e provincës së Prevalitanisë, të Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër, të cilat përfshiheshin në territorin e sotëm të Shqipërisë.

Duke ndjekur të dhënat për këtë periudhë (shek. IV-VI e.sonë) mund të vihet re mjaft qartë se nuk ka dëshmi të ndërprerjes së jetës, por ka një kontinuitet kulturor. Disa nga provat që e mbështesin këtë vazhdimësi janë vetë qytetet, qytezat e kështjellat ilire, që vazhduan të ekzistonin e të banoheshin pandërprerje (Shkodra, Lisi, Dyrrahu, Bylisi, Kanina, Onhezmi, Buthroti, Berati, Pogradeci, Symiza (Korçë). Edhe varrezat e këtyre shekujve kanë dhënë objekte që do t’i gjejmë më vonë në varrezën e Komanit. Edhe inventari i gjetjeve në varrezën e vogël të Malit të Robit (në afërsi të Durrësit) që përbëhet nga disa vegla pune e fibula të shek. IV të e.sonë, është i ngjashëm me atë që do ta ndeshim më vonë në kulturën e Komanit. Rindërtimet që u bënë më vonë në kështjellat e disa qyteteve tregojnë se ato ishin dëmtuar nga sulmet e gotëve. Situatat e paqëndrueshme e bënë të nevojshme edhe rimëkëmbjen e kështjellave dhe të fortifikimeve të tjera, të cilat deri atëhere ishin lënë pas dore.

           Nuk ka të dhëna për ngritje qytetesh të reja, por ka ndërtime me karakter ushtarak e ndërtime kulti. Kështjella të tipit “castra” janë: Skampi (Elbasan), Vigu (Mirditë), Paleokastra (afër Tepelenës) etj.

Në kohën e sundimit të Justinianit , shek.VI e.sonë, Iliria e Jugut (d.m.th. territori i sotëm i Shqipërisë) përjetoi një rigjallërim të traditës antike, gjë të cilën na e provojnë burimet e shkruara dhe dëshmitë arkeologjike. Ka edhe një listë të tërë të kështjellave të ndërtuara e rindërtuara nga Justiniani, por që ende një pjesë e mirë e tyre është e palokalizuar.

Në periudhën e antikitetit të vonë dhe në kohën e Justinianit ka patur një veprimtari të gjërë krijuese dhe në fushën e ndërtimeve monumentale kishtare, e cila shihet në arkitekturën e tyre, në mozaikët dhe në plastikën dekorative arkitektonike. Të tilla janë: bazilika në qytetin e Butrintit e Sarandës, bazilikat e Bylisit, të Ballshit, me skulpturën dekorative arkitektonike shumë të pasur, bazilika e Arapajt (Durrës) e cila është një nga ndërtimet e kultit kristian, që shquhet për mozaikët cilësor. Numri i rrënojave e bazilikave paleokristiane që njohim ka ardhur duke u rritur nga zbulimet e reja dhe ato meritojnë një trajtesë të veçantë.

Për t’u shënuar janë edhe ngjarjet që ndodhën në jetën kulturore të Bizantit në kohën e sundimit të perandorit Herakli (610-641) të cilat ndikuan që, brenda kuadrit të gjërë të kulturës bizantine, të veçoheshin zona të veçanta kulturore. E tillë ishte treva e kulturës së Komanit, e cila në të njëjtën kohë nuk i shkëputi lidhjet me qytetin e Durrësit që ishte një nga qendrat më të mëdha ekonomike e kulturore të trevës perëndimore të Perandorisë Bizantine.

Gjatë shek. VII e VIII e.sonë popullsia e trevës shqiptare ishte e organizuar në bashkësi fshatare dhe qytetare. Në bashkësinë fshatare mbizotëronin fshatrat e lirë, po pa u zhdukur elementet e marrëdhënieve të vjetra shoqërore. Qytetet me origjinë nga lashtësia si Shkodra, Lisi, Durrësi, Ohri etj. mbetën qendra të fuqishme zejtare dhe tregëtare, meqënëse ndodheshin në krye të rrugëve të rëndësishme të komunikacionit (Historia e Popullit Shqiptar I, 111-181).


Qendresa e popullit shqipetar ndaj pushtimeve osmane.

Pas betejes se Marices,osmanet filluan te depertonin ne krahinat e pjeseve jugperendimore te Ballkanit.Me 1385,moren pjese ne betejen e Saves(afer Lushnjes)kunder Balshes dhe korren fitore.Beteja e kosoves dhe disfata e forcave te koalicionit ballkanik nga osmanet krijuan kushte per pushtimin e pjeseve te tjera te Arberise.