Arti luftarak
Sportet luftarake janë shkathtësi apo arte luftarake, që shpesh i hasim të quhen "Arte marciale" (apo "Martial Arts"), të cilat kanë kaluar nëpër procesin e modifikimit, të fisnikërimit dhe të humanizimit, me ç'rast elementet apo teknikat e luftimit janë vënë në korniza të frymës dhe të parimeve sportive.
Ndryshimi në mes te sporteve luftarake dhe shkathtësive luftarake (apo të mbrojtjes) qëndron në faktin se shkathtësitë luftarake janë shkathtësi, apo variante shkathtësish që nuk kanë kaluar procesin e transformimit në sporte. Për këtë arsye, te shkathtësitë luftarake, apo shkathtësitë e mbrojtjes nuk mbahen dhe nuk mund të mbahen gara sportive, siç është për shembuill rasti me Jiu-jitsun, Hapkidon apo me ndonjë shkathtësi tjetër të këtij lloji.
Kur flitet për këtë, duhet bërë dallim midis garës sportive dhe shfaqjes publike, ku në disa raste dhe në disa shkathtësi nuk vlejnë parimet sportive, siç është rasti, po e zëmë, me formën e luftimit të lirë (Free Fighting), ku nuk vlejnë kurrfarë rregullash, për ç'arsye shfaqjet e tilla janë shumë të ashpra për numrin më të madh të njerëzve.
