Banda e Mandelës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Banda e Mandelës
Background information
OrigjinaShqipëria Lagjia rome, Elbasan, Shqipëri
Vitet aktik1997
Anëtarët e kaluarEduart Peqini (Mandela)
40 pjesëtarë të tjerë nga farefisi i tij

Banda e Mandelës ishte një grup kriminal që veproi në qytetin e Elbasanit gjatë trazirave të vitit 1997. Aktiviteti kriminal i kësaj bande u zhvillua në periudhën prill-shtator 1997 dhe konsiston në një sërë aktesh si krijim i grupeve të armatosura, armëmbajtje pa leje, vrasje, vjedhje me armë dhe me dhunë, plagosje, prostitucion, rrëmbime personash dhe shkatërrim pronash.

Aktiviteti i bandës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Eduart Peqini u vetëquajt Mandela dhe krijoi një bandë gjatë trazirave të vitit 1997, fillimisht prej tetë vetash dhe më pas prej 40 vetash. Shumë shpejt ai u bë romi më i "famshëm" i Elbasanit dhe së bashku me tetë anëtarët e bandës së tij janë dënuar për një numër të madh veprash penale. Grabitje me armë, rrëmbim personash e vendosje gjobash, vrasje e deri te djegie e shkatërrim personash, janë krimet që rëndojnë mbi "Mandelën" shqiptar. Pas arrestimit, në një bankë franceze, "Mandelës" i janë sekuestruar rreth 2 milionë dollarë, të cilat "rridhnin" nga trafiku i klandestinëve dhe i prostitucionit. Ai i kishte depozituar këto para me emrin e tij të rremë, për të cilin kishte edhe pasaportën shqiptare. Banda e "Mandelës" kishte bërthamë familjare të qëndrueshme, së cilës i bashkëngjiteshin edhe persona të tjerë brenda fisit dhe më gjerë. Në organizimin e tyre dallohej hierarkia absolute dhe zbatimi i porosive pa asnjë hezitim nga kryetari i saj, Eduard Peqini, i njohur me pseudonimin "Mandela". Sipas shkrimeve, edhe nga specialistë të policisë për bandën e "Mandelës" mësohet se poshtë tij vinin katër vëllezërit të shoqëruar me kushërinj, të afërm dhe lidhje shoqërore të besuara, të cilët, sipas detyrave të ndara, bënin studimin e shpejtë, lëshonin rekomandimet te "kapoja" dhe rekrutoheshin. Mbi bazën e vlerësimeve u jepeshin edhe "ofiqet", duke imponuar seriozitetin e veprimtarisë së grupit dhe kryerjen me besnikëri të detyrës. "Mandela" organizoi njerëz të afërt, të besuar, të cilët të maskuar lëviznin në zonat rivale për të siguruar informacion të nevojshëm, kryesisht femra të hijshme dhe që kishin dhënë prova se ishin të afta të kryenin detyra të tilla. Nga ana tjetër, vendosi rregulla të forta për ruajtjen e sekretit, duke përcjellë mesazhin e frikshëm të ekzekutimit ndaj çdo personi që tradhtonte. Duke qenë tepër i vendosur dhe mizor, urdhrin e dhënë për ekzekutim ndaj personave që tradhtonin do e zbatonte vetë, duke ekzekutuar edhe dy persona, të cilët jepnin informacione për bandat kundërshtare. Eduart Peqini ishte një elbasanas me trup mesatar, por të lidhur, i shëndetshëm, me flokë të dendur të zinj. Me autoritet të dallueshëm impononte çdo mendim që për të tjerët kishte formën e një urdhri. Opinioni në qytet, kryesisht në lagjen ku banonte, e cilësonte gangster të rrezikshëm, që nuk fliste dy herë për të njëjtën gjë dhe nuk hezitonte të zhdukte këdo që për të bëhej kërcënues.

Konflikti me bandën e Cërrikut, Lufta e Jevgjitëve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kapoja i Bandës së Cërrikut, Arjan Toska, me inteligjencën praktike kishte arritur të siguronte një informator në radhët e Mandelës. Enver Beqiri, i afërt i Mandelës, e paralajmëroi Arianin për betejën që e priste, ndërkohë që në takimin me të e informoi për lëvizjet kontrolluese të vëllait të Mandelës në afërsi të zonës së tij. Arjan Toska, duke kuptuar përfundimisht që lufta mes tyre ishte e pashmangshme, caktoi dy njerëzit e tij që të vrasin Gazmir Peqinin. Vdekja e vëllait qe një goditje e fortë për Mandelën, ndërkohë që thirri mënjanë dy njerëzit më të besuar, Marashin dhe vëllain e tij, Vladimirin dhe pa gjykuar rrjedhën e kësaj lufte, vendosën t'i përgjigjeshin bandës rivale në shenjë hakmarrjeje. Fill pas vrasjes së të vëllait, në shenjë hakmarrjeje Mandela së bashku me dhjetë pjesëtarë të bandës brenda ditës, me breshërinë e kallashnikovëve derdhin mbi familjarët e Arjan Toskës mijëra fishekë. Në këtë batare të lëshuar, Mandela nuk bëri përjashtim as për gratë dhe fëmijët, që për fat, të mbuluar nga zjarri vetëm se u plagosën. Duke mbrojtur krahët, pjesëtarët e "Bandës së Cërrikut" vendosën të plagosurit në një furgon dhe u nisën me shpejtësi për në spitalin e qytetit, ndërkohë që mundoheshin të tërhiqnin vëmendjen e njerëzve të Mandelës, që qëndronin fort në pozicion luftimi. Duke kuptuar lëvizjet mashtruese të kundërshtarit, Mandela i egërsuar, ngarkoi një grup të vetin për të goditur furgonin e mbushur me gra e fëmijë të plagosur, që të lemerisur dëgjonin plumbat që çanin kabinën e furgonit. Të ndodhur para rrezikut të krijuar, detyrohen të devijojnë nga rruga që të çonte drejt spitalit, duke u futur nga rrugicat e lagjeve që dominoheshin nga njerëzit e Arjan Toskës. Në rrethanat e diktuara, ndihmën e parë të plagosurit do e merrnin nga njerëzit e tyre, që shihnin tmerrin dhe gjakun që shpërndahej gjithandej. Errësira që pllakosi në qytet, detyroi grupin kriminal të tërhiqej. Njerëzit e mbledhur në shtëpinë e Mandelës prisnin marrjen e gjakut, por dështimi që solli me vete rinisi më keq vajin për njeriun e tyre të humbur. Pa kaluar shumë kohë, pikërisht më 29 prill 1997, Mandela i qetësuar disi nga dhimbja për të vëllanë, merr vendimin për vrasjen e "tradhtarit" Enver Peqini, të cilën ia ngarkon të vëllait, duke qenë me të edhe Marashi, me kusht që trupin e tij ta merrnin me vete. Dy killerat, nën petkun e konfuzionit të krijuar tek njerëzit e tyre nisen për në Cërrik dhe qëllojnë njëherësh me automatik mbi trupin e Enverit, por pa arritur ta asgjësojnë. Të detyruar nga shkëmbimi i zjarrit, largohen me mjetin e tyre me shpejtësi për në Elbasan, të bindur se e kishin vrarë. Nga ana tjetër, Enveri i plagosur keq niset menjëherë për në spitalin e Elbasanit për të marrë ndihmën e parë, por Mandela që kontrollonte situatën nga larg, nëpërmjet njerëzve të tij informohet për këtë fakt dhe urdhëron Marashin të nisej atje për të çuar vendimin hakmarrës në vend. Ashtu siç e kish parashikuar, Marashi futet në sallën e reanimacionit dhe pa hezituar, nën përpëlitjet e dhimbjeve, duke larguar me armë në dorë personelin mjekësor realizoi ekzekutimin e tij. Më pas, i urdhëruar nga Mandela dhe me urrejtjen e një njeriu të shpërfytyruar, nis nipin e tij dhe një femër, të cilët e marrin kufomën dhe e vendosin në vendin ku ishte vrarë vëllai i tij. I tërbuar nga urrejtja për vrasjen e vëllait, Mandela hedh mbi trupin e kufomës benzinë dhe duke menduar se vendosi në vend dinjitetin familjar, i vë flakën duke e djegur plotësisht. Pasi kreu ritin e të vëllait, Mandela projektoi planin për të larë njëherë e mirë hesapet me Arjan Toskën dhe grupin e tij. Mandela e kishte të qartë se dinjiteti i tij mbetej i lëkundur, përderisa rivali i qëndronte përballë i pashqetësuar. Duke vlerësuar kundërshtarin, me idenë e goditjes së befasishme, mendonte se operacioni do të dilte me sukses. Për këtë qëllim, si njeri që besonte te vetja dhe te fshehtësia e veprimeve, bëri gati grupin prej 10 vetësh, për të vrarë Arjan Toskën. Për të shmangur çdo dyshim, shmangu autoveturat dhe me një makinë të madh tip "Saureli", të maskuar në karroceri dhe vetë në kabinë, në orët e vona të natës dhe me të gjitha llojet e armëve afrohet në zonën që dominohej nga "Banda e Cërrikut". Sapo mbërriti tek rruga që të çonte në lagjen e Arjan Toskës, akoma pa zbritur nga makina, në mënyrë të befasishme i gjithë grupi, me "kapon" në krye u gjend nën goditjen e një arsenali të vërtetë armësh, duke i shushatur për befasinë e krijuar. Por duke gjykuar me shprehjen "dy duart për një kokë", me vështirësitë e momentit zunë pozicion dhe iu përgjigjën me zjarr të fuqishëm njerëzve që u kishin zënë pusi. Lufta e vërtetë zgjati më shumë se tre orë, pa ditur pasojat e dy palëve. Në të gdhirë, Mandela me sytë e gjakosur pa me dhimbje bilancin negativ të kësaj ndeshjeje, katër të vrarë dhe disa të plagosur. Nga ana tjetër e llogores, Arjan Toska me grupin e tij festonte fitoren, pasi nga radhët e tij nuk kishte asnjë të dëmtuar. Është paradoksale, por grupet kriminale nuk njohin ligjet e shkruara, ndërsa për ato morale as që bëhet fjalë. Kufomat e mbetura në zonën e Cërrikut qëndronin të shtrira, duke mos lejuar Mandelën për t'i tërhequr. Ndonëse e kishte kërkuar një gjë të tillë, cërrikasi "triumfues" e refuzoi atë. I tronditur nga humbja e shkaktuar, me ndjenjën e hakmarrjes së tërbuar shkon tek shtëpia e Petrit Kuminas, njerku i Arjan Toskës, e merr me vete duke e futur në bodrumin e shtëpisë dhe për disa ditë do ta torturonte mizorisht. Më pas do ta tërhiqte zvarrë deri në lumin Shkumbin duke e varrosur të gjallë në shtratin e këtij lumi.

Femrat spiune[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për të siguruar informacion të mjaftueshëm nga zonat rivale, Mandela rekrutoi një grup femrash të hijshme, të cilat e treguan veten të afta të jepnin informata të sakta, duke e kthyer bandën e Mandelës në më të frikshmen e Elbasanit.

Fundi i bandës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mandelës iu desh kohë për të kuptuar se diçka nuk shkonte në bandën e tij. Edhe më parë kishte shfaqur dyshime se dikush e tradhtonte, por këtë radhë ishte plotësisht i bindur. Duke luajtur me zaret e njëri-tjetrit, nëpërmjet një femre të besuar arriti të mësojë njerëzit që e informonin Arjan Toskën. Megjithëse rregullat ishin sanksionuar që në fillim, ai përsëri u deklaronte pjesëtarëve të grupit pasojat e njerëzve që tradhtonin. Ndërkohë, Mandela do të mësonte nga informatorja e tij se tre nga pjesëtarët e bandës ishin ngarkuar nga grupi rival për të informuar gjithçka që lidhej me planet e Mandelës. Në kushtet e dëshpërimit të thellë për humbjet, do të ekzekutonte pjesëtarët e grupit, I.SH., M.D. dhe D.B. Kur gjërat u qetësuan, prokuroria do ta akuzonte për vrasje, tentativë vrasjeje për disa persona si dhe për vjedhje me armë të N.Z, XH.P dhe V.M. Në këto kushte, Mandela së bashku me katër vëllezërit e tij do të linin Elbasanin dhe do të arratiseshin në Greqi, më pas në Itali dhe në fillim të vitit 1999 do të kapërcenin kufijtë Italianë për t'u vendosur në Francë. Largimi i tyre erdhi si pasojë e informacioneve të siguruara nga elementë të korruptuar në radhët e policisë, të cilët arritën t'i njoftonin kriminelët për operacionin që përgatitej për arrestimin e tyre. Edhe në Greqi, Mandela do të ndiqej nga kundërshtari i tij, që kishte mësuar vendndodhjen e bërthamës së grupit. Të strehuar në zonën e Selanikut, një nga lidhjet e tij më të besuara që e shoqëronte, D.B. do të ekzekutohej. Në këto rrethana, Mandela bie në kontakt me lidhjet e tij kriminale në Torino dhe arrin të vendoset prej disa kohësh në Itali. Në nëntor të 2009, ekstradohet nga Franca në Shqipëri. Mandela ishte dënuar edhe në Francë për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe të prostitucionit. Gjykata franceze e ka dënuar vetëm me 6 vjet heqje lirie Mandelën, ndërkohë që në Shqipëri ai është dënuar fillimisht me pushkatim dhe më pas me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh të rënda, nga vrasja e deri te djegia e kufomës. Që pas arrestimit të tij, pikërisht më 17 maj të vitit 2001, Interpol Tirana priste vendimin e Gjykatës franceze për të realizuar kështu një ndër ekstradimet më të bujshme, duke sjellë në Shqipëri kreun e trafiqeve ndërkombëtare të drogës dhe qenieve njerëzore, si edhe autorin e disa vrasjeve, të ndodhura në qytetin e Elbasanit më 1997-n. Përveç vendimit të Gjykatës franceze, ekstradimi i Mandelës pengohej edhe nga mungesa e shenjave të gishtave, si edhe elementeve të tjera në dosjen e tij, që u dërgua fillimisht në Francë nëpërmjet Ministrisë sonë të Drejtësisë. Më vonë, dosja u ripunua dhe u dërgua sërish, ku u aprovua ekstradimi i tij.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]