Bejto Isufi
Bejto Isufi (Osmanaj), lindi më 15 prill të vitit 1927 në fshatin Mavrovë, 16 km në lindje të qytetit të Vlorës drejt luginës së Shushicës nga një familje e pasur e me tradita të veçanta patriotike. Bejto ishte djali i madh i patriotit dhe luftëtarit Isuf Rustemi Mavrova (Osmanaj). Ai i kreu studimet ne shkollën tregtare të Vlorës ku dhe u njoh me një brez të tërë patriotësh dhe luftëtarësh si Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Arif Hasko Memaj etj. Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Bejto Isufi u inkuadrua si zëvëndëskomisar në batalionin e V-të të Brigada e V-të Sulmuese të Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar që kryen luftime që nga Qarku i Jugut të Shqipërisë deri në Vishegrad të Bosnje-Hercegovinës, duke përfshirë edhe Kosovën, për çlirimin e tokave shqiptare në Jugosllavi nga okupatorët gjermanë. Pas çlirimit vajti për studime në Akademinë Ushtarake "Xherxhinski" të Moskës ku u dipllomua me rezultate të shkëlqyera. Pas kthimit në atdhe u caktua në detyra të larta ushtarake, si Komandant i Artilerisë Kundra-ajrore dhe i Aviacionit[1], Komandant i Garnizonit të Tiranës etj. Në vitin 1974 drejtoi paradën ushtarake me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, paradë që për nga madhështia dhe disiplina kujtohet edhe sot nga bashkëkohësit e tij. Ai ka lënë shumë shkrime dhe studime mbi artin e luftës. Bejto Isufi ndërroi jetë në vitin 1995.

