Carravrana

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Carravrana
Gurbardh
Fshat
Carravrana në vitin 2023
Carravrana në vitin 2023
ShtetiKosova Kosova
KomunaMalishevë
RajoniRajoni i Prizrenit
Sipërfaqja
 • Gjithsej7,2 km2 (28 sq mi)
Lartësia mbidetare
559 m (1,834 ft)
Popullsia
 • Gjithsej1.995 banorë
 • Dendësia329/km2 (850/sq mi)
Emri i banorëveCarravrans
Targat04

Carravrana është një fshat në komunën e MalishevësKosovë. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Gurbardh. Është vendbanim i vendosur rrëzë malit, 6 kilometra në perëndim të qendrës së Malishevës.[1] Si sipërfaqe është fshat kodrinor në formë të zgjatur.

Fshati ka shkollën fillore nëntëvjeçare, xhaminë dhe disa dyqane të mallrave të përziera. Ka dy burime natyrore të ujit afër njëri-tjetrit, në pjesën më jugore të fshatit. Ato, përveç fshatit, furnizojnë me ujë të pijshëm edhe disa fshatra përreth. Në pjesën perëndimore, rreth 700 metra larg fshatit, gjendet Shpella natyrore e Pribojës, e paeksploruar deri më sot.[2][3]

Prejardhja e emrit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Duke qenë se nëpër fshat kanë kaluar rrugët që lidhnin Drenicën me Dukagjinin, janë ruajtur edhe toponimet dhe gjurmët e kalldërmit. Nëpër këtë fshat kanë kaluar shumë karvanë, dhe më vonë, pushteti serb e ka ndërruar toponimin nga Karavane në Caravrane.[1]

serbisht, ky toponim del si Crnavrana, një kompozitë e përbërë nga mbiemri crna (e zezë) dhe nga emri vrana (sorrë).

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si vendbanim, me këtë emër nuk është gjetur asnjëherë në dokumente të shkruara të Mesjetës. Ndoshta ishte i braktisur ose i regjistruar me një emër tjetër. Për herë të parë është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900.

Afër këtij fshati, në vendin që quhet Pallanka, në ngastrën e fshatit Dragobil, ishin vendosur 25 familje kolone sllave, malazeze, të cilat i kishin uzurpuar pronat, livadhet e këtij fshati, të quajtura Livadhet e Nevadit.

Masakra e Gurbardhit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ushtria serbe, e udhëhequr nga koloneli Kataniq, Babiq dhe Stanku filloi një ofensivë në fshatrat e Llapushës gjoja në ndjekje të kaçakëve që ishin strehuar në malet e Gurbardhit. Më 1919, ata i kishin rreshtuar dhe pushkatuar 23 fshatarë të këtij vendbanimi dhe një mysafir nga fshati Përçevë. Ata janë varrosur në vendin që quhet Vorret e Batares (Vorret e Reja).

Familjet dhe mikrotoponimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familjet më të njohura në Carravranë janë: Mujaj, Avdiaj, Dinaj, Hysenaj dhe Sylaj, të gjithë të fisit Berishë. Ndër toponimet më karakteristike të fshatit janë: Te Pajatat, Zabeli Shmigës, Petrani, Asoja e Canës, Vrella, Jama, Maqilla, Llatkofci, Vorret e Reja, Shpella e Pribojës, Nevadi, Asoja, Gropa e Camës, Baçavishta, Bllata, Ara e Muçës.

Pozita gjeografike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fshati Carravranë ndodhet në pjesën jugperëndimore të Llapushës dhe në kufi me qendrën e Rahovecit dhe të Anadrinisë si pjesë lidhëse me Rrafshin e Dukagjinit. Kufizohet në lindje me fshatin Joviq, në verilindje me fshatin Mirushë, në veri me fshatin Lubizhdë, në jug me Astrazupin, kurse në perëndim me Malet e Zatriqit dhe të Rahovecit. Në pjesën veriperëndimore ka dalje me Malet e Shpatit dhe fshatin Turjakë.

Në kuadër të kësaj shtrirjeje gjeografike, Carravrana ka një sipërfaqe prej 517 hektarë, 59 ari e 60 metra katrorë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2011, fshati ka rreth 1995 banorë dhe një dendësi prej 329 banorë për kilometër katror.

Ujërat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jama, Carravranë

Gravitacioni i ujërave të Gurbardhit i takon pellgut të lumit Mirusha. Gurbardhi posedon dy burime të fuqishme ujore siç janë Vrella dhe Jama. Këto dy burime, volumin më të madh ujor e kanë në sezonin e vjeshtës së vonë, të dimrit dhe të pranverës. Me matjet që janë bërë nga ekspertët në mars të vitit 1998, del se kapaciteti i këtyre dy burimeve është diku 30 metra kub për sekondë. Në stinën e verës, për shkak të ndërtimit gëlqeror të terrenit, këto dy burime humbin intensitetin e tyre, madje edhe shterrin. Përgjatë fshatit ekziston përrocka ose lumi i vogël, i cili kalon përmes periferisë lindore, pastaj përgjatë rrjedhjes veriore bashkohet me lumin Mirusha. Në fillim të burimit të këtij lumi ekziston shtrati i tij, që i ngjason një miniliqeni dhe më pas rruga e rrjedhjes së tij vazhdon të ngushtohet.

Meqë hidrografia e Gurbardhit është e lidhur ngushtë me sasinë e të reshurave atmosferike gjatë një viti, analizat e ekspertëve flasin për një bazen të mundshëm nëntokësor ujor ndikimi i të cilit vjen në shprehje me damarë të lidhur ngushtë me Drinin e Bardhë, por edhe nga Liqeni i Ohrit. Dëshmi për këtë ëshë edhe një numër i madh i krojeve që dalin në anën jugore dhe juglindore pas një regjimi një apo dy javor me shi në këto dy pellgje të lartpërmendura. Gurbardhi sot posedon ujësjellësin me kapacitet prej 180 mijë litra dhe furnizon me ujë të pijshëm afro 5 fshatra përreth.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Popullsia sipas viteve
Viti i regjistrimit Numri i popullsisë Numri i shtëpive
1878 - 42
1913 255 -
1918 310 40
1921 130 30
1948 365 47
1953 413 54
1961 483 58
1971 661 64
1981 914 88
1999 1374 147
2011 1995 -

Koha e Luftës së Kosovës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitet 1998-99, nga ushtria serbe janë djegur dhe shkatërruar 125 shtëpi dhe objekte të tjera banimi. Është djegur shkolla e fshatit, me gjithë dokumentacion. Nga ky vendbanim janë vrarë 3 persona, nga të cilët 2 dëshmorë. Njësoj sikur nga fshatrat përreth, edhe popullata e këtij fshati ishte dëbuar përkohësisht për në Shqipëri asokohe.

Galeria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Osmani, Jusuf (2006). Vendbanimet e Kosovës - Malisheva. Vëll. 19. Prishtinë: Shkrola. fq. 115. ISBN 9951-8658-3-6.
  2. ^ "Shpella e Pribojës në Gurbardh të Malishevës". Telegrafi. 2021-04-13. Marrë më 2024-02-06.
  3. ^ "Shpella e pa eksploruar e Gurbardhit në Malishevë (VIDEO)". Klan Kosova. 2020-05-13. Marrë më 2024-02-06.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]