Censusi i Shqipërisë 2011

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Censusi i Popullsisë dhe Banesave për Shqipërinë 2011 është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në periudhën 1 tetor 2011 deri 21 tetor 2011.

Bazuar në të dhënat paraprake të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Vlerësimi paraprak i numrit të personave që kanë refuzuar në këtë census është 29,355 (1.04 %). Llogaritja e saj bazohet në vlerësimin paraprak të numrit të banesave që kanë refuzuar të marrin pjesë në census dhe është e përshirë në numrin gjithsej të popullsisë.

Numri gjithsej i banesave në Shqipëri bazuar në të dhënat paraprake të Censusit të vitit 2011 është 1,075,881. Në censusin e vitit 2001, numri i banesave ishte 785,515. Përqindja e rritjes së numrit të banesave në krahasim me vitin 2001 është 37.0%.

Nga të dhënat paraprake, rezulton se numri i ndërtesave është 686,405. Në vitin 2001 ky numër ishte 512,387, që nënkupton një rritje prej 34.0%.

Gjithashtu në këtë census janë numëruar 740,256 njësi ekonomike familjare (Nj.E.F), ndërkohë që në vitin 2001 kjo shifër ka qenë 726,895. Numri mesatar i pjesëtarëve të një Nj.E.F-je është 3.8. Në censusin e vitit 2001 ky tregues ishte 4.2. Numri mesatar i pjesëtarëve për Nj.E.F në zonat urbane është 3.6 nga 3.9 që ishte në vitin 2001. Nga ana tjetër, në zonat rurale ky tregues është 4.1 nga 4.5 që ishte në vitin 2001.

Popullsia rezidente është e përbërë nga 1,421,810 meshkuj (50.2%)dhe 1,409,931 femra (49.8%). Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale.

Lidhjet të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]