Danish Jukniu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Danish Jukniu ose Jukni (Shkodër, 19 qershor 1934 - 3 shkurt 2003) ishte pedagog dhe piktor shqiptar.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër në gjirin e një familjeje tregtare me origjinë podgoriçane, familja në zanafillë njihej si Jukniq. Mbaresa -iq u hoq me shqiptarizimin e antroponimeve pas pavarësisë.

Mësimet e para për artin mori në kursin e Shtëpisë së Kulturës, kurs që drejtohej nga rusja e bardhë, Vitoria Puzanova, specialiste për ikonografinë. Në shkollë, lëndën e vizatimit e jepte piktori Zef Kolombi. Në Liceun Artistik në Tiranë pati për pedagogë A. Buzën dhe S. Kacelin në liceun artistik “Jordan Misja”. Si familje me biografi të mirë prej vëllait dëshmor Xhavit Jukni, Danishit iu dha e drejta e ndjekjes së studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në KrakovPolonisë, ku përfundoi studimet në atelienë e performancave tekstile me prof. Fancissek Welerowfski-it. Përvoja mbrujtëse dhe mjedisi akademik në Krakov dhe qëndrimi më liberal i politikës, i mundësoi një formim të shëndetshëm. Përgjatë studimeve, më 1956 njihet me gruan e tij të ardhshme Danuta Kosciuszko, atëherë studente mjekësie. Kur u kthyen më 1959 së bashku në Shqipëri u martuan dhe Danuta nisi punë si pediatre. Pavarësisht trysnisë së autoriteteve ajo i qëndroi pranë të shoqit.

Danishi fillon punë si piktor dizajner në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë dhe pak më vonë themelues dhe pedagog i Ateliesë së tekstilit në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi edhe si ilustrator për të përkohshmet "Drita" dhe "Nëntori" deri kur dëgjoi fjalë mbi mospëlqimin e eprorëve[1].

Krijimtaria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si i pari specialist i kësaj fushe ai ka krijuar prodhime arti të mrekullueshme në gjininë e sexhades. Për realizimin e tyre ai skicoi qindra projekte të kërkuara nga instancat e larta shtetërore. I nderuar me titullin “Piktor i Popullit”, Jukniu ka realizuar edhe shumë vepra të tjera artistike, mes të cilave si më të fshehtat e të panjohurat deri në vitin 1990 ishin veprat intime. Ai merrte pjesë aktive në ekspozitat kombëtare e lokale të arteve figurative ku shquhen peizazhet, portretet e kompozimet e realizuara artistikisht, si “Elektrifikimi”, portreti i J. Kerajt etj. Ai nderohet me titujt: “Piktor i Merituar“ dhe “Piktor i Popullit”. Veçori e krijimeve artistike të Jukniut është eleganca dhe kultura e të pikturuarit, niveli i lartë cilësor. Ai nuk ka pasur numër të madh krijimesh por nivel të lartë artistik. Danish Jukniu ka dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e brezave të piktorëve ku ishte shquar për aftësitë e tij pedagogjike për mendimin estetik të përparuar dhe për ndihmesën e pakursyer që u jeptë të rinjve. Vdiq në Shkodër ditën e hënë me 3 shkurt 2003.

Piktura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Krasniqi G., Danish Jukniu: intervista e fundit, Sot ("Art", suplement). - 11 maj, 2003, f. 7.