Erazmo Roterdami

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Desiderius Erasmus)
Erasmus nga Holbein

Erazmo Roterdami (1466 - 1536), njihet edhe si Desiderius Erasmus Roterodamus, ndërsa emri i vërtetë i tij ishte Geert Geerts), filozof humanist holandez.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindur më 1466, si djalë i paligjshëm i një prifti, Erasmusi pati një ndikim të konsiderueshëm mbi zhvillimet e humanizmit. Ai ishte armik i teologjisë skolastike, megjithatë nuk kishte qëllim ta mohonte besimin e krishterë. Nëpërmjet mësimeve të tij humaniste, veçanërisht në gjuhën greke, ai kërkoi të zbulonte elementët e pastër dhe të thjeshtë të krishterimit, që ishin lënë pas dore dhe të paqartë nga racionalizmi i tepruar i doktrinës skolastike. Përgatitja e tij fillestare filloi në shkollën e Jetës Praktike të Bethrenit, ku prej andej ai, më vonë, hyri në manastirin augustinian të Stinit. Në manastir jeta e Erazmusit ishte shumë e vështirë. Ai nuk mund të përshtatej mendërisht, fizikisht, dhe nga temperamenti, me një regjim që ofronte shumë pak rehati fizike dhe liri intelektuale. Fatmirësisht atë e kërkoi Peshkopi i Kambrait (Cambrai) që të bëhej sekretari i tij latin. Peshkopi e dërgoi atë për ca kohë të studionte në kolegjin Montanjë në Paris, ku përsëri ai ndjeu vetëm përçmim për mësimet e metodës skolastike. Megjithatë, pikërisht këtu, entuziazmi i tij për letërsinë klasike u stimulua, dhe po këtu ai filloi librin e tij të parë me proverba të titulluar »Proverba e Kiliadës«, i cili më vonë u bë një nga volumet e tij më të famshëm. Në 1499, Erasmusi vizitoi Anglinë, ku shpejt ra nën ndikimin e Colet, një mendimtar biblik dhe Tomas Morit (Thomas More). Erasmusi mendonte se ashtu si Colet mund të jepte leksione mbi Biblën, pa pasur njohuri në greqisht. Më vonë, ai vendosi të bëhej i përkryer në këtë gjuhë, duke botuar një përkthim të ri në latinisht të Testamentit Grek, i cili u bë tepër i kërkuar. Gjatë vizitës së tij të dytë në Angli, më 1511, Erasmusi u bë anëtar i akademisë së Kembrixhit, ku iu dha titulli Profesor "Ledi Margaret". Ai kishte pak respekt për kolegjet që kishte ndjekur, duke i quajtur ato "dema qipriot dhe plehngrënës", por nuk thoshte as ndonjë fjalë të mirë për birrën apo klimën angleze. Pas disa vjetësh ai shkoi në Bazel, ku qëndroi deri në vdekje. Ai vdiq më 1536, në moshën 70 vjeçare.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Adagia (1500)
  • Enchiridion militis Christiani (1503)
  • The Praise of Folly (1511)
  • Copia: Foundations of the Abundant Style (1512) (a.k.a. De Copia)
  • Disticha de moribus nomine Catonis (1513)
  • Sileni Alcibiadis (1515)
  • Novum Instrumentum omne (1516),
  • The Education of a Christian Prince (1516)
  • Bellum (ese, 1517)
  • Colloquies|Colloquia (1518),
  • Ciceronianus (1528)
  • De recta Latini Graecique Sermonis Pronunciatione (1528)
  • De pueris statim ac liberaliter instituendis (1529)
  • A handbook on manners for children (1530)
  • Consultatio de Bello Turcis Inferendo (1530)
  • A Playne and Godly Exposition or Declaration of the Commune Crede (1533)
  • Ecclesiastes of Erasmus|Ecclesiastes (1535)
  • De octo orationis partium constructione libellus (1536),
  • Apophthegmatum opus (1539)
  • The first tome or volume of the Paraphrase of Erasmus upon the newe testamente (1548)[2]

Shih[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Erasmusi dha një kontribut të madh në shpirtin e Rilindjes. Entuziazmi i tij për të mësuarin klasik pati një influencë vendimtare në këtë kohë. Ai e kuptoi se shpikja e shtypshkronjës bëri të mundur popullarizimin e klasikëve të vjetër, duke nxjerrë botime jo shumë të shtrenjta për nevojat e një numri të madh lexuesish. Këto libra hapën mundësi të reja për mësimet klasike, të cilat nuk kishin ekzistuar në Mesjetë. Por Erasmusi nuk ishte thjesht një botues. Edhe nëpërmjet punës për të nxjerrë botimet greke dhe latine, ai do të siguronte reputacion për domethënien në mendimin e tij historik. Akoma më i rëndësishëm ishte kontributi i tij në zhvillimin e një stili të ri në shprehjet letrare. Erasmusi i donte fjalët dhe harxhonte shumë kohë për të zgjedhur fjalën ose frazën e drejtë, që të shprehte atë që mendonte. Ashtu si piktorët do ta shfaqin gjeninë e tyre në përdorimin e ngjyrave, Erasmusi, si armik i përhershëm i diskutimeve pajetë skolastike, gjente një gëzim dhe liri të plotë në krijimin e një stili të ri dhe të pasur letrar, të shoqëruar me elegancën e çdo fraze. Erasmusi kritikonte zhargonin skolastik jo vetëm për mungesën e finesës, por akoma më shumë, për errësimin që i bënte ai mësimeve të vërtetë të Zotit. Për Erasmusin, idetë e shkrimtarëve të mëdhenj klasikë ishin në harmoni të përhershme me perënditë. Në mënyrë të veçantë, ai pa një lidhje të ngushtë midis filozofisë së Platonit dhe mësimeve të Krishtit. Ai shihte një mospajtim të madh midis mësimeve të thjeshta të Krishtit dhe fryrjes dhe arrogancës së Gjykatës papale. Kjo e shtyu atë të shkruante satirën "Julius Exdusus", në të cilën Papa Juli II ndalohet nga Shën Pjetri që të hyjë në portat e parajsës. Eksperienca e tij e hershme nga jeta në manastir e nxiti atë që të shkruante një kritikë të fuqishme për klerikët në librin e tij të quajtur »Lavdërimi i marrëzisë«, të cilin Luteri e bëri shume të përdorshëm gjatë debateve të tij me kishën. Por Erasmusi nuk ishte besimtar skeptik dhe nuk u bë as luterian. Ai kishte një dëshirë ta kundërshtonte kishën. Ai dëshironte të hormonizonte mësimet kishtare me mësimet e reja humaniste. Ai, gjithashtu, donte të sfidonte idenë se e vërteta e fesë ishte e pranueshme në shumë njerëz, vetëm nëpërmjet ushtrimit rigoroz të aftësive të tyre racionale. Lavdërimi i marrëzisë i Erazmusit ishte njëkohësisht një trajtim serioz dhe ironik i dy lloj marrëzish. Nëpërmjet talljes për çmendurinë klerike, ai godiste priftërinjtë për intrigat e tyre si edhe për kohëzgjatjen e qëndresës së shpirtit në purgator. Ai vinte në lojë debatet midis teologëve, të cilët bënin një luftë të kotë mbi doktrinat e Mishërimit, Trinitetit dhe ndërsubstancializmit. Vërejtja e tij kryesore ishte se baza e besimit kishte humbur, duke theksuar gjithnjë e më shumë elementet e sipërfaqshëm dhe të parëndësishëm; siç ishin manastiret, ku çështjet e veshjes dhe disiplina i shmangnin njerëzit nga shpirti i krishtërimit. Me vënien e priftërinjve përpara gjykimit të madh, të ulur në pritje për të hyrë në parajsë, duke përmendur të gjithë të mirat që kishin bërë, Erasmusi kalon nga humori në tallje duke përshkruar një prift, i cili ngrihet duke thënë: "në emër të gjithë lutjeve, betohem, se s'kam prekur asnjë peni, pa veshur të paktën dy palë doreza..." Për të gjitha këto Krishti i kthen përgjigje: "unë po largohem duke ju thënë se nuk dëgjova asnjërin nga ju të thoshte se unë jam krejt i pastër". Por ndërkohë që Luteri u bë një reformator pasionant, Erasmusi mbeti vefëm një kritik. Në librin e tij të moderuor »Ese mbi vullnetin e lirë«, ai shprehte idenë e Rilindjes, që njeriu ka mundësi të mëdha për t'u bërë më i moralshëm. Këtij libri Luteri i përgjigjet me librin »De Servo Arbitrio«, duke afirmuar doktrinën e Paulinit për korrupsionin e natyrës njerëzore dhe duke hedhur tej Erasmusin si një "llomotitje", një "skeptik", ose si "një derr të stallës epikurase të qejflinjve". Interesi i tij në letërsinë klasike dhe filozofi nuk e çoi Erasmusin në formimin e një skolasticizmi të ri, apo të krijonte një varësi të besimit të krishterë nga filozofia e Platonit. Por akoma më mirë ai përdori njohuritë e tij në gjuhën klasike për të zbuluar fjalët e vërteta të Ungjillit (të së vërtetës absolute), duke thënë se, "në qoftë se del ndonjë fjalë e re në greqisht, unë lë peng pallton, po nuk e gjeta, aq më tepër në qoftë se kjo fjalë është e lidhur me krishterimin, siç janë psalmet greke apo ato të Ungjillit". Siç duket edhe më sipër Erasmusi ushtroi një influencë të fuqishme për të stimuluar zhvillimin e të mësuarit njerëzor dhe, megjithatë, ai mbeti për reformacionin një bir i kishës. Ndërsa Erasmusi shikonte pas në antikitet për vlerat e çmuara të klasikëve, reformatorët, në mënyrë të veçantë Luteri, shihnin shumë mbrapa në komunitetin primitiv të të krishterëve, për të gjetur shpirtin e Krishterimit. Në këtë mënyrë Rilindja dhe Reformizmi, së bashku, përmblodhën një ringjallje të së kaluarës. Megjithëse Erasmusi dhe Luteri kanë shumë pika të përbashkëta, në përplasjet e tyre të shumta për gjendjen e krishtërimit në shekullin XVI, Luteri i shtynte argumentet e tij deri në atë pikë, sa mund të shkaktonin një shpërthim brenda kishës. Domethënia e revoltës së fuqishme të Luterit ishte se ai tjetërsoi mënyrën e të menduarit të një numri të konsiderueshëm njerëzish të qytetërimit perëndimor. Ndërsa Erasmusi do të ekulibronte mësimet klasike njerëzore me një besim të krishterë të thjeshtuar, besimi i ekzaltuar i Luterit hodhi dyshime serioze mbi mundësinë e arsyes njerëzore për ta udhëhequr njeriun drejt shpëtimit.

Kureshti nga jeta e filozofit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Erazmo Roterdami ishte njohës i jashtëzakonshëm dhe mjeshtër i stilit latin, letrar, erudit, komentues i Aristotelit, Jeronimit, Augustinit e të tjerëve, filolog që shkroi disa vepra fundamentale të teksteve kritike, pedagog dhe filozof, poet dhe satirik, është një nga personalitetet më të ndritura dhe më të rëndësishme të humanizmit.
  • Me pikëpamjet filozofike Erazmo Roterdami ishte skeptik me disa tendenca të epikurizmit. Erazmo, ndonëse edhe vetë prift, u shpreh me shumë ironi të lartësuar mbi paragjykimet fetare, degjenerimi e klerit dhe të sunduesve, duke tallur diturinë e rreme dhe primitivizmin njësoj. Therës dhe spirituoz në përshkrimet e tij të dyfytyrsisë, të hipokrizës morale dhe të kryelartësisë së sunduesve, ky «pironist, epikurist, ateist dhe përdhosës» (Luteri) së shpejti u bë i urrejtur, edhe në taborin katolik edhe në taborin protestant të prelatëve kishtar. Satira dhe skepsa e tij shpesh e mëshirshme pati ndërkaq jehonë të jashtëzakonshme në kohën në të cilën jetoi.
  • Erazmoja dëshiron, para së gjithash, të spastrojë mendimin religjioz nga savurra e tërësishme dhe nga aparati i madh, i cili gjatë shekujve u zmadhua pranë shkencës së thjeshtë të Krishtit. Andaj ai i kthehet kuptimit më të natyrshëm të krishterimit, duke mohuar me pasion të gjitha magjitë e kishës së mëkateve e të tjera. Me këtë rast, ideal bëhet thjeshtësia e Krishtit e cila është në harmoni me botën mendore të Ciceronit, të Senekes dhe të Platonit; paganët më fisnikë janë identikë me Krishtin dhe këta janë bij të perëndisë. Me kujdes, por sistematikisht Erazmoja në këtë mënyrë dedivinizoi Krishtin ose, çka në realitet nuk është qenësisht e ndryshme, me arsyen e vet kritike e hyjnizon çdo madhështi dhe njëmendësi njerëzore.
  • Duke vepruar në kohën plot me kundërthënie dhe konflikte si dhe me paprekshmërinë e autoriteteve të caktuara, kohë në të cilën çdo kritikë që përmbante në vete të vërtetën mbi rendin ekzistues kryente rol revolucionar dhe kryengritës, Erazmo Roterdami synonte që tërë vrazhdësia dhe barbarizmi i kohës të zëvendësohen me humanitet dhe paqe të përhershme. Me ketë rast ai u përpoq të eliminonte veten nga konfliktet politike dhe fetare që përhapeshin në të gjitha anët. Mirëpo, megjithëkëtë veprat e tij u vunë në indeks të librave të ndaluar, ngase tezat e tij mbi pavarësinë e shpirtit, synimet e tij të thella humaniste dhe kulturore, pohimet e tij mbi lirinë e vullnetit dhe vetëpërcaktimin e njerëzve nuk kenaqën lëvizjet fetare intolerante dhe poseduesit e pushtetit. I çmuar në tërë Evropën kulturore të kohës së vet, i papajtueshëm me autoritetet e rreme, njerëzit sterilë në pozita dhe me falsifikuesit e synimeve të sinqerta për arsimim, por në mënyrë humaniste tolerant ndaj të gjitha dobësive dhe vështirësive njerëzore, figura e Erazmos është përpolot me ironi dhe sarkazma të hidhura, por njëkohësisht edhe me optimizëm jetësor gazmor.
  • Kryeveprat e Erazmo Roterdamit sidomos e famshmja «Lavdërim marrisë» janë dëshmi e kulturës së lartë të përgjithshme njerëzore të një shpirti subtil dhe të qetë, i cili gjatë gjithë jetës ishte kundër çdo fantazimi dhe gënjeshtre të mbuluar me togën e «së vërtetës» shkencore, fetare ose politike.
  • Lidhur ngushtë me kriticizmin e jetës në manastire, ishte mospëlqimi i Erasmusit për logjikën e shpërndarë të doktrinës skolastike. Ndërsa vlerësimi i tij për marrëzinë e priftërinjve ishte ironik, tani krejt seriozisht ai do të çmonte një lloj tjetër marrëzie të cilën ai e identifikonte me thjeshtësinë e besimit. Besimi i vërtetë që ai ndiente se ishte një çështje zemre dhe jo koke; një pikëpamje kjo e cila u bë bazë për Reformatorët dhe që u shpreh përsëri me forcë të madhe nga Paskali, i cili shkroi: "zemra ka arsyet e veta të cilat arsyeja nuk i njeh".
  • Erasmusi ishte një përfaqësues i madh i shpirtit të Rilindjes. Me optimizmin e tij të zakonshëm, ai vazhdoi të besonte se vetëm arsimi do të mund të mposhte budallallëkun dhe injorancën.[3]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 291
  2. ^ Erasmus, Desiderius -1536, Arkivuar 29 maj 2016 tek Wayback Machine Website WorldCat.org
  3. ^ http://www.syri3.com/index.php?id_kat=17&shkrimi=803