Diskutim:Gjorm

Page contents not supported in other languages.
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kjo faqe këtu është vetëm për diskutim mbi artikullin Gjorm. Wikipedia nxit diskutimin mes vullnetarëve të saj dhe nuk do të censurojë komente bazuar në pikëpamjet ideologjike ose politike. Wikipedia nuk do t’i ndryshojë komentet. Ato ose do të publikohen, ose do të fshihen nëse nuk u binden rregullave kryesore.
Fillo një temë të re diskutimi.
Ju lutemi nënshkruani me: – ~~~~

Të gjitha komentet u nënshtrohen këtyre rregullave:

  • Përmbajuni temës!
  • Nuk lejohen: sharje, fyerje, fjalor i papërshtatshëm, gjuhë që përmban urrejtje, sulme personale, thirrje për dhunë apo çdo qëndrim tjetër jo i rregullt.

Me falni per nderhyrjen ne kete artikull,nuk e di autorin e ketij shkrimi un jam nga fshati gjorem dhe sapo e lexova kete artikull kuptova se artikullshkruesi nuk ka lidhje dhe as qe e njeh fare historin e fshatit gjorem historia e fshatit gjorem eshte krejt ndryshe dhe e nderuar ku ze vend ne piedestalin e tere historise se shqiperise,djemt dhe vajzat e fshatit gjorem jane krenar per historine dhe te kaluaren e lavdishme te fshatit te tyre. qe te marresh inisiativ dhe te shkruash per historine e fshatit tend eshte nje obligim dhe nje pergjegjesi e madhe ku ne radhe te pare duhet te njohesh historin e fshatit tend te shfletosh neper arkiva dhe te shkruash vetem te verteten,historia e fshatit gjorem eshte shum e pasur dhe me vlera kulturore dhe kombetare per tere kombin shqipetar ne fshatin gjorem me iniciativen e djemeve te fshatit ne 04.12.1942 u krijua ceta plake e vlores ku komandant i saj u zgjodh biri i fshatit Neki Ymeri nje fakt dhe shum te tjer si ky qe vlen per tu permendur per historin e fshatit tone. I nderuar artikullshkrues nuk kam asgje personale me ty po jam kundra mendimit tuaj kur e radhitni fshatin gjorem si fshati i dyte pas lazaratit per kultivimin e ashashit ne fshatin tone fshataret kultivojn bimesite te ndryshme. ftoj gjith dashamiresit e fshatit Gjorem dhe ata qe e njohin paksa historin e ketij fshati te behen pjese dhe te japin mendimet e tyre rreth publikimit te historise se fshatit gjorem. faleminderit per mirkuptimin.Jeno Sinaj.


.................. ju lutem futni foto te koheve te fundit te fshatit gjorm!!!dhe bejeni profilin sa me te mire!!!! nuk kem


Dhe une jam nga fshati Gjorm si paterioti im qe beri kritiken me lart! Fshati Gjorm ka nje histori te vecant ne lumin e Vlores dhe krahinen e laberis. Gjormi ka ber diferencen ne te gjitha kohet si fshati zgjuaresis dhe trimeris ,e dalluar dhe ne lojrat sportive kulturore ne regjimin socialist. Ceshtja e bimes narkotike nuk ka lidhje fare me imazhin dhe historin e Gjormit , tani jemi ne kohen e kapitalizmit dhe gjethja e ashashit esht me e kerkuara dhe e paguara ne treg dhe nuk me ngelet qejfi dhe sikur Gjormi te jet ne vend te pare ne republik! K Sinaj


Ka interes qe kete faqe ta pasurojme me ndonje te dhene te rendesishme, esenciale ne historine dhe kulturen e fshatit Gjorm,e jo me empirizma e gjera te degjuara andej-ketej e qe nuk ngrene ndonje peshe ne historine e tij.Ne defterin kadastral te vitit 1431 per Shqiperine Jugore H.Inalcik (Suret-i defter-i fq.71) thuhet:"fshatra qe nuk u paraqiten para komisionit te rregjistrimit dhe nuk pranuan tu nenshtroheshin perfaqesuesve te pushtetit Osman"Te tilla ishin:Ne vilajetin e Kanines :Shamir,Vranishte,Vreshnja,Lepenica,Gjonem.Keto fshatra perbenin nahijen Pelash ne rrjedhen e siperme te lumit Shushuica.Me tej"Per fshatrat Gjonem,(Gjorem) Agure e Hoxhat thuhet:"Me qe njoftuan se keto tri pjewse (hise)ishin kryengritese iu dhane si bedele 9 shtepi nga fshati Evlahi Katune",po aty fq 1o1,cka do te thote se ishin kryengrites,nuk e pranuan nenshtrimin,karakteristike dalluese e njerezve te ketij fshasti,etj,etj.Ne se kemi te dhena historike duhet ti hedhim e pastaj ti mbledhim per te mundur te bejme dicka me te madhe.Me shume respekt per te gjithe ata qe do te shkuajne.....I.B

Pershendetje të nderuar zotrinj

Shoh se po thoni vetëm ankesa pë atë që e ka shkrajtur, ndoshta edhe un mund ta kisha shkruajtur ashtu gabim sepse nuk jam prej fshatit dhe as rrethit ku eshte ky fshat. Siç e dini Wikipedia eshte e lire te redaktohet nga te gjithe perdotuesit, prandaj jepni fakte argumentoni ato me burimet/referencat perkatese dhe bejeni artikullin e fshatit tuaj ashtu si eshte ne te vertete.--Liridon 7 Shtator 2010 09:38 (CEST)


Pershendetje lexuesve,

une kam lindur ne Gjorm te Vlores ne shtepine e gjysherve te mi dhe jam shume e lidhur pas kujtimeve dhe pas origjines time, edhe pse tani jetoj jashte shtetit. Ne Muzeun Historik te qytetit te Vlores gjendet Historiku i vjeter i fshatit Gjorm dhe ne vitet e demokracise, nje komision i ngritur nga pleqesia e fshatit kreu studime dhe kerkime per 3 vjet duke u munduar te hartoj historine dhe origjinen e fshatit, e cila eshte nder me te rendesishmet ne zonen e lumit te Vlores. Sa per gjethet e ashashit, sic e dime te gjithe, jane pasoje e varferise dhe tranzicionit te gjate ekonomik qe goditi jo vetem fshatrat por edhe qytetet anembane vendit. Uroj, qe te gjithe sebashku te mendojme dhe te zgjedhim te ardhmen e shendoshe te vendit dhe jo aspektet partiake politike qe nuk po na cojne gjekundi.

Meditim për vendlindjen time – Gjormin[Redakto nëpërmjet kodit]

Meditim për vendlindjen time – Gjormin

 Nga  KASTRIOT KAPAJ

Vendlindja ime Gjormi është një fshat mes malesh, me fusha pjellore e kullota të bollshme dhe lumin Shushicë poshtë gjunjëve të tij. Aty ndiehem i mrekulluar dhe shpirti gjenë rehati. Nëpër gërxhet, pyjet, livadhet, ajri i pastër ndërthuret me aromën e manushaqes, trëndelinës dhe të tjera lule shumëngjyrëshe; fëshfërima e gjetheve nxitur nga flladi i veriut përzihet me cicërimën e thëllëzës, çak-çuket e qukapikut, këngën e bilbilit dhe gjinkallës; ndihem i rehatuar nën hijet e rrepeve, lisave, panjave, në vapën e beharit dhe kënaqësia nuk ka të sosur kur shuan etjen në burimet e ftohta të Vrizit, Matahit, Kusizës, Kacos, Askogjinit etj. Sa herë mendja ime çan mjegullnajën e kohës së pari për vendlindjen nis e mediton dhe një maraz përvëlues më pushton. Si vet mjedisi janë edhe njerzit dhe historia e tyre. Aty ka jetuar dhe vazhdon të jetoj një popull guximtar, trim, puntor dhe me moral të lartë. Historia ka treguar se është një popull dinjitoz që në kohëra e ka ushqyer tokën me mund e djersë, por edhe me gjak, dhèmbje, brengë, me një të kaluar të lavdishme që cilitdo i ngjall kërshëri dhe emocion.

Çdo brez gjormiotësh ka gurin e vet të skalitur në murin e vendlindjes. Si në memorial më dalin para syve burrat e mënçur dhe djemtë trima të fshatit tim. Ata skalitën luftëtarin që i përket altarit të kombit tonë dhe në të gjitha kohërat ka qènë në ballë të krahinës. Portreti i tyre do të mbetet i skalitur në sytë e pasardhësve si panoramë pavdeksie, për punën dhe luftën që bënë. Ata do të nderohen në çdo kohë, sepse njerzit e mirë janë për të gjitha kohërat. Ndërsa atyre ju shtrua kërkesa e luftës, brezit tonë ju shtruan kërkesat e paqes. Cilido kujton punën e madhe të gjormiotëve në bujqësi, blegtori e kudo dhe paralelisht me ato edhe aktivitetet kulturore e sportive, që shtuan tjetër gurë të skalitur në murin e vendlindjes. Është geni gjormiot që ka përcjell aftësinë e të qènit të parët kudo.

Është kulturë të respektosh dhe propogandosh kontributin atdhetar, social apo kulturor të brezave, t’i pastrosh herë pas here nga pluhuri i harresës. Të mohosh çdo njerin prej tyre, do të thotë të heqësh gur nga muri, ta dobësosh atë.

Gjormi është vendlindja ime, krenaria për të gjithë gjormiotët. Nuk e konceptoj asnjëherë veten time pa Gjormin, një fshat i sistemuar në një mjedis piktoresk që e bën kalimtarin të ndjehet i mrekulluar.. Atë e gjenë në Lumin e Vlorës në rrugën automobilistike 32 km larg Vlorës. Aty unë linda dhe u rrita, treten eshtrat e të parëve dhe vazhdojnë të jetojnë të afërmit e mi.

I dashur lexues! I kam lexuar problemet qe ngrihen per te kaluaren e fshatit tone. I falenderoj te gjithe per interesin qe tregojne.Te jen te duruar dhe te kulturar, siç eshte edhe vet e kaluara e fshati tone. Se afermi do te jepet nje panorame me e plote pa tendenca politike, por vetem vertetesi, duke anashkaluar te keqen per te perzgjedhur me te miren per fshatitn tone. Dua te theksoj se e verteta e Gjormit nuk ndodhet ne asnje arkiv rrethi te pasuruar me porosi ne vitet -'70-80. E verteta eshte vetem ne arkivin e shtetit ne tirane, ku ruhen dikumentat orgjinal nga institucionet e kohes kur kane ndodhur ngjarjet, te kyçur prej vitesh dhe te hapura ne vitet e demokraciase.

panoramë historike - Gjormi[Redakto nëpërmjet kodit]

Historia e Gjormit si pjesë e historisë së Lumit të Vlorës (Sipas librit ”Për Gjormin flet historia”, pronovuar në Vlorë më 17 shkurt 2002)

Cilido që shkon si vizitor në Lumin e Vlorës të parën gjë që shikon janë malet në dukje hijerëndë, që qëndrojnë si tutorë mbi fshatrat e dy krahinave, e Mesaplikut në hyrje dhe e Kurveleshit më në thellësi. Vrazhdësia e prezantimit i le vendin çlirimit shpirtëror që ndjen nëse i shkel me këmbë fushat pjellore në tërësi të vaditëshme, kodrat dhe malet veshur me pyje dhe kullota të mrekullueshme. Gjormi është i pari fshat, portë hyrje për dy krahinat, sistemuar në anën perëndimore të rrjedhës së lumit, rreth 250 m mbi nivelin e detit. Territori i tij kufizohet me fshatrat: në perëndim dhe veriperëndim ndodhet Gumenica, në lindje dhe verilindje Velça, në jug Lepenica dhe në perëndim Dukati e Tragjasi.

Në pamjen e parë Gjormi tërheq syrin e vizitorit me shtëpitë e grupuara pranë e pranë njera tjetrës. Shumica e shtëpive me mur guri kanë qènë me dy kate, të suvatuara si jashtë edhe brenda dhe të lyera me gëlqere të bardhë, të mbuluara me rrasa guri që nxirreshin nga toka me shumë mundim. Guri i skalitur zbukuronte qoshet e shtëpisë, por edhe harkun e portës së oborrit. Fshati ka qènë gjithëmonë i pastër, veç të tjerave edhe sepse puna ishte larg ku mbaheshin mjetet e punës dhe kafshët, si dhe blegtoria. Pak familje, kryesisht ato në periferi të fshatit, mbanin bagëti pranë familjes.

Rrjedha e fshatit Gjorm është e njëjtë me fshtrat e zonës. Lidhur me orgjinën mungesa e shënimeve e zbeh kujtesën në mjegullnajën e shekujve. Përcjelljet gojore në formën e legjendës e kanë bërë kureshtarin të dëgjoj dhe të regjistroj në kujtesë. Nga hulumtimet vihet re se banorët e sotëm kanë emra muslyman ndërsa emri i fshatit dhe shumë emra vendesh në territorin e tij janë katolik apo ortodoks. Pikërisht emri i fshatit Gjorm në herëshmëri ka qënë Gjonimiei, Gjonem trashëguar nga fisi Gjon, i ardhur rreth vitit 500 nga viset veriore të Shqipërisë. Gjon, është emër katolik, biblik, i kudo gjendur në Shqipëri. Si këta, edhe banorët ortodoks ardhur më vonë nga zonat juglindore, konvertuan me detyrim në muslyman emrat e tyre dhe ritet fetare, ndërsa ruajtën të pa ndryshuara emrat e vendeve.

Nisur nga kushtet e terenit Gjormi ka qènë i lakmuar për të jetuar, që të bënë të besosh se është ndër vendbanimet më të herëshme në Lumin e Vlorës. Sipas historisë së popullit shqiptar ndoshta kanë banuar edhe 6000 vjet para krishtit, gjë që e vërtetojnë edhe varret karakteristike të gjetur grumbuj-grumbuj, stolirat, veglat e punës, enët etj. Ata jetuan në ndërtesa të thjeshta, u morën me blegtori, por edhe mbollën pemë dhe punuan pak tokë për nevojat e veta. Është pikërisht koha kur u larguan romanët dhe vendi ynë u bë shesh beteje i invazioneve sllave në veri, ku pati lëvizje të popullsisë nga veriu drejt jugut të Shqipërisë, mes të cilëve edhe fisi Gjon. Nga gërmimet arkeologjike është vërtetuar se janë të asaj peiudhe disa vepra kulti, disa kështjella dhe urat me harqe guri mbi përrenjë dhe lumenj si Ura e Frengut në Gjorm, në Brataj etj.

Nga historia dimë se në Vlorë dhe viset e sajë rreth vitit 1100 u dyndën me dhunë fiset normane, ndërsa në vitin 1200 vendin e tyre u zunë venecianët. Gojdhënat thonë se ka pasur lëvizje të popullsisë. Ndërsa një bërthamë e fisit Gjon nuk u largua dhe ka meritën e ruajtjes së emrit të fshatit. Në vitet 1330-1350 fshati ynë ka qënë më i madhi në zonë me mbi 700 shtëpi. Në ato vite kur vendi ishte në varësi të kishës së Konstandinopojës (Stamboll), feudalët vendosën taksa shumë të rënda. Ngaqë krahina e kundërshtoi pagesën e taksave, në vitin 1336 Andromaku i tretë ish guvernator i Beratit dhe Vlorës, dërgoi ekspedita bizantine për të nështruar popullin. Fshati hyrje në krahinë, që do të bastisej i pari, ishte Gjormi. U kryen vrasje të burrave, djegie shtëpish, therje të bagëtive dhe u morën si skllevër gratë dhe fëmijët. Shumica e popullsisë mërgoi në Himarë dhe në Greqi. Me tërheqjen e osmanëve bizantin erdhën sllavët të drejtuar nga serbi Stefan Dushan. Ky ushtroi dhunë më të ashpër. Pas vdekjes së serbit zona jonë u mor nën zotrimin e Balshajve më 1372.

Ishte viti 1385 kur drejt Shqipërisë erdhën përsëri osmanët. Forcat shqiptare nën drejtimin e kaninjotit Gjergj Araniti thyen disa herë forcat turke të drejtuara nga Ali bej Evrenozi. Më 17 qershor 1417 ushtria turke pushtoi Vlorën e Kaninën. Këta janë të parët që ndërtuan dokumentacionin shqiptar që ruhet sot në arkiva. Në vitin 1431 janë regjistruar në vilajetin e Kaninës 50 hane të fshatit tonë dhe çdo pasuri që kishin në zotrim. Labëria nisi kryengritjet ngaqë nuk i pranoi taksat.

Ardhja e Skënderbeu më 1443 i mblodhi prijësit shqiptar në Kuvendin e Lezhës në mars 1444, ku u lidh besa për mbrojtjen e vendit. Sulmi turk u përqëndrua në luftë me ushtrinë e Skënderbeut ndërsa zonat e tjera deri në vdekjen e tij ishin më të qeta. Më 1481 erdhi biri i Skënderbeut, Gjon Kastriotit, të cilin Himara dhe Lumi i Vlorës e cilësuan prijës të vetin. Nën drejtimin e Gjonit luftëtarët e dy krahinave shpartalluan garnizonet turke në jug. Ishte koha kur 50 fshatrat e dy zonave kishin mvartësi administrative nga Himara:

...që në Gumenicë e lart, Himarë quhet çdo fshat...

U ndërtua kala si e Ceries në Smokthinë që ishte kyç i mbrojtjes së Labërisë dhe Kurveleshit, si në sulmet nëpërmjet Lumit të Vlorës, por edhe nga zona e Dukatit nëpërmjet qafës së Shëngjergjit në Tërbaç. Ishte korriku i vitit 1492 kur Sulltan Bajaziti II kreu operacionin në Labëri nga toka dhe nga deti me mbi 50-60 mijë forca, duke gjymtuar, vrarë dhe djegur. Populli zuri dy majat e maleve dhe i theu forcat turke me gurë apo duke lëvizur nga vendi shkembenj. Maja në veri (Quramënga) u dorëzua se njerzit mbetën pa ujë, ndërsa maja e dytë kishte burimet nga rezervat e dëborës së Çikës. Kështu vazhdoi deri më 1566 kur Sulltani pranoi që Himara të vetqeveriset. Për islamizimin e popullit u përdorën masa shtrënguese si rrëzikimi i pasurisë, çuarja e djemve ushtar në Turqi, taksa të rënda për të krishterët etj. Shumica e popull-sisë së Lumit të Vlorës iku në Himarë, Greqi dhe deri në Kalabri ( Itali), ndërsa erdhën banorë të rinj.

Në fshatin tonë vendasit e mbetur, të pakët në numër, u islamizuan të parët dhe pas tyre dy fiset ( Ungjeshaj, Xhakaj) të ardhura në shekullin e XVI. Nga regjistrimi i vitit 1585 ishte rritur popullsia muslymane dhe vazhdoi islamizimi pak nga pak për të përfunduar rreth vitit 1700. U ngritën çifliqet e para dhe të ardhurat nga taksat shkonin për shtetin turk.

Në shekullin e XVII administrata otomane u konsolidua dhe diktoi sistemimin përfundimtar të fshatrave shqiptarë. Fshati im, Gjormi, u sistemua në pesë mëhallat e sotme në vitet 1680-1700. Banorët autokton, trashëgimtarët e vetëm të fisit Gjon, lëvizën nga Vrisi për aty ku janë sot, me emrin Mëhalla Dregjon. Po ashtu zbritën nga mali dy fiset që formuan Mëhallat Ungjeshaj dhe Xhakaj. Fiset që emërtuan Mëhallat Këshej dhe Elezaj, kanë ardhur pas vitit 1700 nga fshatrat e Bregut të Detit (Dhërmiu). Shtëpitë e çdo mëhalle u urdhërua të ndërtohen në toka jo prodhuese, në grupe sipas fisnisë. Është pikërisht kjo periudhë, kur u përcaktuan kufinjët në tërësi të çdo fshati dhe mëhalle, që ruhen deri sot.

Kur në vitet 1735-1740 u bë regjistrimi i popullsisë të gjithë banorët e Lumit të Vlorës i përkisnin fesë muslymane. Që të gjithë ishin punëtor në bujqësi dhe mbarështrues të blegtorisë së imët. Është koha kur brezat u shtuan dhe për pagesën e taksave u diktua ndarjet brenda mëhallës sipas vëllezërive në mbiemrat që ruhen edhe sot. Të tjera fise që erdhën më vonë u sistemuan në mëhallat e sipërpërmendura duke gëzuar të drejta të barabarta me vendasit. Në çdo mëhallë zbatoheshin rregullat zakonore të të qenit së bashku në gëzime e hidhërime, si dhe ndalohej lidhja martesore pavarësisht nga mungesa e afrimitetit në gjak. E veçanta ka qènë mos përsëritja e emrave. Nëse ndërtojmë pemët e 5 mëhallave vihet re që secila ka emrat e vet.

Përjashtohet rasti kur nuk ka trashëgimtarë djalë dhe vajza martuar në mëhallë tjetër u vendos fëmijëve të vet emrat e fisnisë së babait. Me mirëkuptim zgjidhën hallet, ndërsa të bashkuar përcollën të njëjtat tradita, rite, doke. Ndjenja kombëtare u shtua kur më 1798 në zonën e Himarës mori shtrirje Vilajeti i Janinës dhe vendosi pushtetin e vet Ali Pashë Tepelena.

Është fillimi i shek 19 kur shtetet e Ballkanit fituan pavarsinë nga Turqia. Në vitin 1830 edhe shqipë-tarët nisën përpjekjet e para për pavarsi. E ndodhur në krizë shoqërore dhe politike perandoria turke ndërtoi më 1839 reformat për të dal nga kriza, të quajtura “Reforma të Tanzimatit”. Më 1847 populli u bashkuan në kryengritje të përgjithëshme që tronditi nga themelet administratën turke në Shqipëri. Kështu vazhdoi deri 1880 ku u shtruan edhe kërkesat për arsimimin. Me Lidhjen shqiptare të Prizrenit më 1878 u shumfishuan përpjekjet për pavarsinë e Shqipërisë. Në ndihmë të sajë më 1908 u krijua në Vlorë klubi “Labëria” ku Gjormi përfaqësohej nga Jakup Kajaj. Përfaqësues të Gjormit në shpalljen e Pavarsisë më 1912 ishin Jakup Kajaj, Sinan Memushi, Selam Hasani dhe Rrap Laba.

Pas shpalljes së Pavarsisë dhe dorëzimit të qeverisë turke, grekët pushtuan Himarën dhe nisën ofensivën në Jug. Nga veriu sulmoi edhe ushtria serbe. U zhvilluan luftime të përgjakëshme në vitet 1913-1914, ku Gjormiotët e kishin frontin në Janinë mbasandaj në zonën e Delvinës. Për shpëtimin e Shqipërisë në dhjetor 1914 ushtria italiane pushtoi Vlorën, ndërsa mbështetën me ushtri edhe austro-hungarezët e francezët. Kur lufta mbaroi më 1918 ushtria italiane nuk u largua. Populli i Vlorës u organizua për largimin e sajë nga erdhi lufta e vitit 1920. Lufta nisi me shkatërrimin e postkomandës italiane në Gjorm, por edhe në Llogora ku Gjormit dhe Lepenicës ju ishte caktuar fronti i luftës. Pas këtyre, deri në largimin e italianëve, pozicionet e luftimit ishin në kodrat rreth Vlorës.

Erdhi lufta e dytë botërore ( 1939-1944) kur në skenë dolën forcat politike dhe ngjarjet ecën në një rrjedhë të pa përjetuar më parë. Ndryshe nga herët e tjera kur populli luftonte dhe pas lufte kthehej në punët e veta, këtë herë paralelisht me zjarrin e luftës ndaj armikut, nisi një tjetër stuhi, ëndërra për pushtetin e pas çlirimit. Stuhitë çojnë në det gjemba dhe lule bashkë dhe gjormiotët atë fat patën.

Se si ka qènë rrjedha e historisë së Gjormit, kryesisht pë kontributin në luftë, le t’i referohemi gojtarisë së popullit nëpërmjet këngëve të thurura prej tij.

Historia e Gjormit në vargjet e popullit

E vërteta është se fshatrat e lumit të Vlorës, të bashkuar në të gjitha kohërat, kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Aty ka pasur dhe ka njerz shumë të drejtë, me ndjenjë atdhedashurie të spikatur që kanë kërkuar gjithmonë drejtësi, duke mos lejuar askënd që t’ju cënoj sadopak pragun. Ja pse aty është rehatuar miku, por e ka parë si padrejtësi prezencën e armikut, i cili kurrë nuk ka gjetur derman.

Ca për vet pozicionin e tij gjeografik, si fshati i parë në hyrje të krahinës, jo pak herë përplasja e parë me armikun është bërë në Gjorm. Të moshuarit na tregonin se aqë sa emra vendesh ka teritori i Gjormit, aqë ka edhe ngjarje, që duket në pllakat përkujtimore dhe lapidarët e mbjell njeri pas tjetrit, për të cilën kalimtarët janë shprehur: -“ Ky fshat duhet të ketë popull trim, që e ka pranuar luftën në vatrën e vet”. Sido që ta ndezim imagjinatën, asnjëherë nuk mund ta përfytyrojmë madhështinë e së shkuarës:

Në zemër të labërisë sofëra në mbudh e shtruar,
shkruar historia jote më gjak trimash të tërbuar..

Nga përcjelljet gojore dhe përjetimet e të moshuarve mëson se sa herë i thërriste zëri atdheut gjormiotët grumbulloheshin në kuvendet e burrave. Të mos harrojmë se kuvendet fshatçe kanë qènë tregues i mënçurisë, bujarisë, mikpritjes, ku është shpalosur trimëria, guximi, heroizmi, toleranca. Nuk flitej vetëm për caktimin e forcave që do të përplaseshin me armikun, por edhe për punët e prapavijës. Ndaheshin detyrat për gratë, fëmijët edhe pleqët që do të bënin furnizimin e frontit me ushqim e armatim, por edhe ku do të sistemoheshin familjet, punët e blegtorisë dhe të bujqësisë. Kur binte çanga, apo briri, gjormiotët linin kërrabën dhe parmendën, merrnin trastën me bukë, pushkën, fyshekët e pakët dhe niseshin për atje ku i thërriste zëri i atdheut. Këtë herë për aktivizimin e gjormiotëve në luftë do të qëmtojmë këngët e thurura nga populli. Le ta nisim me kryengritjen e vitit 1847:

dërgon Gjoleka njoftim,
lumi i Vlorës të më vijnë
Ç’u shkulën që në Radhimë,
Gjormi e të tjerë arrijnë…

Në gusht të atij viti nisën luftimet në Greshicë të Mallakastrës, ku forcat popullore e nisën drejt Beratit ushtrinë turke të shpartalluar. Turqve ju erdhi në ndihmë ushtria me rreth 15000 vetësh, dhe u nisën drejt Lumit të Vlorës. Komisioni i mbrojtjes e pa si më të përshtatshme që fuqitë turke të priteshin me luftë në Gjorm dhe shtabi u vendos përtej Gjormit, tek rrapi i Ckollonahisë. Haxhi Sinani nga Gjormi, i ndodhur ushtar me turqit, u shkëput kur kaluan Vjosën dhe erdhi në familje. Ai informoi për numrin e madh të ushtrisë turke. Atëhere prita u spostua midis Bolenës dhe Kallaratit, ku vendi ishte më i ngushtë. Për luftën heroike të gjormiotëve, ku u vranë 12 prej tyre, populli thuri vargjet:

Nga Vlora kur erdh mezapi
Gjormi kryengritjen hapi

Dhe më poshtë:

...në Bolenë  e në përrua
ulurin turku si grua
e bë Gjormi palo hua...

(Vendi në Bolenë ku luftoi çeta e Gjormit sot thërritet "Përroi i Gjormit").

Heroizmi gjormiot u pa edhe në vitin 1913, në Janinë, ku u vranë 6 vet, por edhe në Delvinë, ku Hysen Beqo nxori në krah nga thonjët e grekëve një vajzë të vrarë. Populli për atë ndodhi thuri këngën:

Gjormi lufton nga Tatzati
Katër ditë luftën e mbajti
Ky grek gjak-pirës ç'pati
Që na plasi nga inati
Hysen Beqo qafë gjati
Sulmon i nxierr nga shtrati
I griu porsi kasapi
Nxorri të vrarën nga fshati.

Më i freskët është kontributi gjormiot në luftë me italianët më 1920. Luftuan burra dhe gra me armë dhe mjete rrethanore si gurë, shkopinj, sopata etj. Ja vargjet e thurura për Hasan Aris Katranin:

Si u di e ra sabah, kur u bë lufta në Gjorm
Hasani si ezhdërha, ky me gurë e ata me bombë
S'ka bërë vaki në dynja, u përpoq guri me bombë
Plasi bomba  në heva, u kthye vrau të zonë 

Ndërsa tjetra:

Që në Gjorm e Llogara, në Kaninë e në Bestrovë
Një mjegull e zezë ra, ç’u skuq toka me bojë
Siç tregojnë për ata, për çetën e fshatit Gjorm
Sulmojnë si ezhdërha, kapin top e mitroloz...

Për dy të vrarët dhe 12 të plagosur ( 8 janë plagosur në një ditë) rapsodi shprehet:

...çeta e Gjormit hane, hane,
bëre trimëri të madhe,
Sulmove s' peshoje fare
Kodrat me gjak i lave
Tek u hodhën përmbi ta
U plagosën shtatë e tetë
Seç u bënë lakëra
Gjithë trima të vërtetë.
         .
         .
         .
Luftë me ditë e me netë
Dhëmbë për dhëmbë me italian
Dy trima mben të vrarë
Begë Lazja me Hasan.

Nuk mungoi edhe kontributi i grave:

Gratë e Gjormit trimëresha
Nja tridhjetë a dyzet veta
Kur shkonin porsi shigjeta
Në front i çonin vetë
Ushqim , bomba e fishekë
Bukë, mish edhe ndërresa
Ashtu siç u kish lezet

Dhe në ballë të luftëtarëve gjormiot printe komandanti:

...Në Gjorm Selam Hasani (Premtaj),
brin italianët amani…..        

Pas luftës së vitit 1920 erdhi epopeja e luftës së dytë botërore:

...Dhe në epopen e madhe,
bijët e tu çika stërralli.
U dogj e u përvëlua,
Gjormi në çdo kohë i pari...

Në mars 1942 në Gjorm u ngrit njësiti i parë luftarak dhe më 4 dhjetor 1942 formuan të parën çetë në Vlorë dhe jugun e Shqipërisë “Çeta Plake e Vlorës”, me komandant birin e Gjormit Neki Ymer Hoxha, me pseudonimin “Vangjo”. Ndër 40 luftëtar të rrjeshtur në inagurim, 35 vet ishin nga Gjormi:

...Ajo lindi si shkëndia, një bërthamë e vogël-ë,
në krye të fshatit Gjorm, tek burimi i Vrizit-ë..

Dhe çeta nisi nga aksionet kundër okupatorit:

Në të gjithë Lumin e Vlorës,
anembanë Labërinë,
në njëzet e katër aksione 
lufton çeta me Nekin

Aktiviteti i gjormiotëve përmblidhet në atë të “Çetës Plakë” që populli e përjetësoi në vargjet:

Oh ! Sa dimër i tërbuar ,
Ky sivjet ,
Jashtë akull e furtunë,
Bën kiamet,
Varet Vangjua nga mali,
Me gjithë çetë,
Copë e çikë rrënjëdali,
Po thërret,
Thërret populli të ngrihen
të luftojnë
Vendin nga armiqtë e huaj
ta çlirojnë
Niset për në Mal të Bardhë
të bëjë pritë
Ka mbledh bujq dhe çoban
gjithë të rinjtë
Sa atje kalon kolona,
me ushtarë
E pret Vangjua me bomba
i vë zjarr
Nga Tërbaçi  po vjen  poshtë
një kolonë
Mbushur me milic plot
shkon në Vlorë
E pret Vangjua  tek ura,
me gjithë çetë
Sulm për mbi ta o burra,
u thërret
Milicët u dorëzuan,
menjëherë
Kolonën e përvëluan
e hodhën në erë
Po gjëmon  e bije shi,
vetëtimë
Niset Vangjua me çetë,
shkon Radhimë
Shkon Radhimë të shpartallojë
një ushtri
Dhe depot t'i përvëloj,
me benzinë
Depove seç u vu zjarrin,
dhe s'i la
Hidhen bomba edhe gjyle,
në hava
Ndizen mitroloz e bomba
m'u në Gjorm
Është Vangjua me çetë,
që lëfton

Përmendet “prita në Urën e Gjormit” ( 4 dhjetor 1942) e realizuar nga çeta “PLAKE” dhe populli i Gjormit si dhe “Epopea e Gjormit”( 1 janar 1943), edhe kjo e realizuar nga çeta, populli i Gjormit, por edhe me mbështetjen e krahinës. Janë dy ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Ngaqë pas aksioneve fashistët ndërmerrnin masa represive, krahina shprehej:“Gjormi na vuri flakën” dhe kundërshtonin që pritat të bëheshin në territoret e tyre. Në Gjorm fashistët dogjën 5 shtëpi dhe burgosën 28 burra, ndërsa thuhej shprehja:”Sikur shkrumb e hi të bëhemi, por armikun do ta shfarosim me të gjitha mënyrat”.

Ishin mbi 20 aksione të Çetës Plakë, në Vlorë dhe në Mallakastër që tronditën nga rrënjët qeverinë e Romës dhe e detyruar deklaroi se “Vlora mban rekordin e turbullirave..”(dhjetor 1942). Është koha kur në Gjorm i gjithë populli shpërtheu në një enthusiazëm të pa imagjinueshëm. Luftëtarët gjormiot shikoheshin me admirim nga populli i krahinës dhe gjetkë, që i pagëzuan me epitetin” Djemt e Gjormit”.

Të frymëzuar prej tyre djemt e krahinës u ngritën në luftë në vitet 1943-44, ndërkohë që për “Djemtë e Gjormit” ngjarjet morën tjetër rrjedhë. Kush ishte faji?

Sadiku ka bërë fjalë
Për Dushan e Miladin
Të ikin serbët sa më parë
Se luftojmë vet për Shqipërinë

(Sadik Premte - pseudonimi Xhepi - ish antar themelues i Partisë komuniste shqiptare më 8 nëntor 1941)

Ndërsa përgjigja erdhi menjëherë:

Krimineli me revole
tha është marrë vendim
Xhepistat do të pushkatohen
se nuk e pranojnë Serbinë.

Vendimi i partisë u zbatua shpejt ( 28 gusht 1943), ndërsa nuk besohej që mbrapa të mbeti përralla:

Ky ishte Vangjua që luftoj,
për Shqipërinë
Ky ishte Vangjua që s'kurseu
për lirinë
Ky qe Vangjua që vrau,
ajo klikë  
edhe populli e qau
po me frikë!

Dhe pas komandantit shokët e tij luftëtar u vranë një nga një:

Pyet fshati për “Malësorin”
Komandant Lulo Shuaipi 
Trimi që mbaj mitrolozin
Klementin në tokë e shtriti

(Koloneli italian Franko Klementi ishte komandant i operacionit në “Epopenë e Gjormit”)

Priste Emini Selamin 
Që të kthehej nga beteja
Gjormi mburrej me luanin
Në ballë luftonte “Rrufeja”
Pse s’duket Xhafer Dalani
Që kishte mjalt tek buza
Trim i rrallë e sorkadh mali
Ndaj shokët i flisnin “Shpuza”
Guerilasi i sporvuar
Vlorën trime flakë e ndezi
Kudo ku vritej spiuni
E kishte vrarë “Xharxhanezi”

(pseudonimi i Qani Shenaj)

Në Vajzë Meço Karefili
Me benzinë ç’u përvëlua
Në  Izvor Zagoll Rakipi
U vra dhe s’u dorëzua
Xhafer Bendo rrënjëdali
Vajton motra të vëllan
Korba t’u prish bukuria
Balluket e verdha palë

Populli ka treguar deri vonë rastet kur ushtria italiane shkrehnin armët nga gëzimi kur mësonin se ishin vrarë djem të Gjormit. Këta ishin bërë tmerr për ta. Për dramën që u loz me djemtë e vrarë por edhe shtëpit e djegura gojtaria popullore shpërtheu:

Rënkon Murrizi e Kanali
Për gjithë atë djalëri
U vranë ajo farë djali
Kush i ka njohur i di
Për mbi batalon i pari
Komandant more Neki

Dhe më poshtë:

Prishën gjënë e muar mall
Dogjën Gjormin sofra-mbudhë
O Gjorm se t’u vu zjarri	
Gurë e dru t’u bënë hi
Më s’ka për të mbirë bari
Mbetën familjet në shi.....

Udhëkryqi i krijuar i mblodhi gjormiotët në kuvend nga vendosën që në luftë për lirin e atdheut të bashkohen më fortë me njeri tjetrin, t’i qëndrojnë besnik traditës dhe jo më politikës. Të ndodhur mes dy zjarreve, atë të armikut, por edhe të vëllezërve shqiptar, gjormiotët u tërhoqën në vetmbrojtje. Ndërsa dolën të tjerë djem të rinj që vazhduan luftën deri në çlirim, duke kryer të tjera akte heroike:

Gjergj Elez Alin e njohin
Ai është gjallë dhe sot
Fol o Xhevit Nuredini
Me shtatë pulmba trupi jot.

(vdekur rreth vitit 2000)

Ka edhe shumë të tjerë
Neve kurrë s’do t’i harrojmë
Si sot dhe brezat që vijnë   
Shëmbulli do të edukoj.

Këngët që filmuan zjarrin e luftës ishin më shumë nga çfarë përshkruam. Mbas çlirimit ( 1944 ) ato mbetën në bisedat kokë më kokë mes atyre që i përjetuan.

(Rezyme)

Nëse historia për Vlorën në luftën dytë botërore duhet të shkruhet drejtë, ajo duhet të nis me Gjormin, çerdhja fillestare e organizimit të asaj lufte, nyje nevralgjike në historinë e Shqipërisë. Aty, drejtuesit e luftës që pas çlirimit u bënë udhëheqës të shtetit, bënë organizimin e parë të luftës për Qarkun e Vlorës dhe jugun në tërësi. Në mbështetje të tyre i gjithë populli i Gjormit mori përsipër sakrificën sublime dhe nisi i pari luftën kundër okupatorit. Ja pse i pari në krahinë në gusht të vitit 1942 Gjormit ju dogjën nga okupatori 5 shtëpitë bazë e luftës, u plaçkit, u shprëngulën totalisht familjet, të gjitha moshat, pleq, fëmij të vegjël në palcën e tre dimrave në periudhën 1940-1944, apo u dëmtuan bagë-titë kur ishte edhe fushata e pjelljeve; mbi 60 burrat gjormiot u rrjeshtuan për pushkatim nga fashistët italian dhe nazistët gjerman, u vranë prej tyre 11 vet dhe u burgosën 38 burra, ndërsa u internuan në kampet naziste dy vet. Në të njëjtën kohë gjormiotët provuan edhe pabesinë e shokëve, me 9 të vrarë, 25 shtëpi të djegura, pasurinë të marrë, por asnjëherë nuk u bashkuan me krimin dhe okupatorin.

Foshnjat e atëhershme, sot të moshuar, që kanë parë me syt e vet dramën që u loz, jua mësuan fëmijëve historinë e vërtetë qysh në bëlbëzimet e para. Ata bënë që emrat e Neki Ymerit, Lulo Shuaipit, Qani Shenaj, Xhafer Dalanit, Bako Tafilit, Selam Eminit, Xhafer Bendos, Begë Hasanit, Veip Kapaj, Feti Premtaj, Arap Shenaj, Kapo Azemit, Esat Veraj dhe të shumë të tjerëve, nën termin “Djemtë e Gjormit”, më shumë të lartësohen. Lavdia apo vepra e tyre u kthye ne legjendë dhe legjendat nuk shuhen kurrë. Koha vërtetoi se nuk kishin gabuar kur të drejtuar nga Sadik Premte folën të parët mendimin ndryshe.

Mosha ime ka regjistruar në kujtesë tregimet për të vrarët dhe autorët e vrasjeve, djegieve dhe marrjes së pasurisë, ka përjetuar edhe shtëpitë gërmadha, si dhe rindërtimin e tyre. Janë ngjarje që pushtonin mëndjen tonë dhe dukej sikur shikonim një film shumë të bukur, që nuk u loz kurrë. Kjo ishte e vërteta që njihej nga fëmijët e familjeve të lënduara, ngaqë të moshuarit duhet të argumentonin tek fëmijët e vet veçimin apo trajtimin ndryshe në shoqëri. Por nuk i kishin njohuritë e duhura fëmijët e familjeve jo të lënduara. Këta njihnin epitetin shumë të përdorur, përbuzës për kohën, “ballist i Gjormit” , ku bëmat e përfolura nuk ishin asgjë të përbashkët me aktivitetin e gjormiotëve. Ishin mënyrat që u përdorën për të baltosur elitën gjormiote që bëri histori dhe bashkë me ata u ngulmua për t’ i tharë rrënjët e historisë së Gjormit.

Ishin vitet '70 kur me porosi të qendrës dokumentat orgjinal të luftës u tërhoqën nga rrethet dhe u mbyllën në AQSH në Tiranë, për të parë rreze drite kur erdhi demokracia. Në vitin 1995, ndërsa po kërkoja në AQSH material arkivor për Gjormin, punonjësja e arkivit m’u shpreh: “.... materialet në muzeumet e rretheve janë bërë me grupe pune me porosi nga qendra e partisë në vitet -70-80. Kur në ato vite sistemuam dokumentat orgjinal ardhur nga rrethet, ne lexonim përmbajtjen e tyre ndryshe nga kujtimet apo librat historik që po shkruheshin nga udhëheqësit e kohës, ndërsa.... duhet të heshtnim”.

Në stendat muzeale u zbeh skulptura e luftëtarit gjormiot në ballë të luftës së dytë botërore. Të njëjtin fat do të kishin edhe të tjerë ish luftëtarë në vijën e parë, kur në vitet 1945-83 dolën kundërshtarë të vijës së partisë. Emrat e tyre u hoqën nga stendat muzeale, fotot kolektive u retushuan dhe shkrimet u ribotuan. Kështu ka qènë e vërteta për të cilën nuk duhet të kërkojmë pse-të, nëse duhet të ecim para.

E shkuara përcolli vlera patriotike, historike, trimërore, etnografike, arkeologjike dhe mbi të gjitha vlera të rralla morale të bashkfshtarëve të mi. Pika më e dobët e tyre ka qènë besnikria: besnik të familjes, besnik të shokut, besnik të atdheut. Në çdo kohë lejtmotivi i tyre ka qënë bashkimi me devizën e përcjell në breza: unitet, vëllazërim dhe larg hakmarrjes. Gjormiotët ranë preh e prapaskenave, ndërsa nuk i kanë borxhe askujt. Në këtë drejtim brezat gjormiot janë ballëlartë kudo ku ndodhen dhe lavdia e gjormiotëve do të ndjehet ndër breza. E vërteta qëndron zgjuar në vargjet e popullit:

Lumi Vlorës fshat më fshat,
me gjak ka mbrujt historinë,
për Gjormin jam kryelart
nata s’ja nxin dot lavdin…….

Ndërsa në kohë lufte dolën trimat, guximtarët të parët në çdo aksion, në kohë paqe gjormiotët, me burra dhe gra, të gjitha moshat ishin punëtor të mirë dhe të rinjët e të rejat fitues të dhjetra e dhjetra kupave, flamujve e medaljeve në aktivitetet kulturore e sportive. Ngaqë banorët e fshatit tonë në tërësi ishin të privuar për të lëvizur, ndryshe nga fshatrat e tjerë, Gjormi u 3-4 fishua, duke qënë sot fshati më i madh në krahinë.

Shoqëria është në evolucion të pandërprerë dhe jeta e secilit prej nesh është një grimcë në lumin e madh të jetës. Lum ata që japin kontribut për ta çuar shoqërinë në rrugën e progresit. Edhe ata që të detyruar shkaktuan trauma, të lënë në harresë të shkuarën. Energjitë e tyre të fjetura brenda vetes le të bulëzojnë që jeta e tyre të mos mbyllet në errësirë. Ju mbetet brezave të qëmtojnë për të ndriçuar më shumë të kaluarën e fshatit tonë. Kur të jetë ezau-ruar e shkuara sfida paraqet e ardhmia, me shumicën e fshatit të larguar në mërgim apo brenda vendit.

Në tërësi Lumi i Vlorës dhe veçanërisht Gjormi shumë pak e ka njohur mërgimin. Përjashtohet koha nën sundimin otoman, kur djemtë shkonin ushtar për shumë vite në shërbim të perandorisë. Nga tregimet e të moshuarve kemi dëgjuar të flitej për ceremonitë e mëdha që zhvilloheshin kur djemt përcilleshin me lot dhe këngë me pjesmarrjen e të gjithë fshatit. Këngët flasin për vendet që hamëndësonin se do të shko-nin, që në të vërtetë nuk i dinin:

Qasi shokë se do këndojmë
Sonte pa nesër do shkojmë
Kushedi ku do qëndrojmë
Në Janinë a në Meçovë

Në të tjera këngë mallin për vendlindjen djemtë e shpalosnin në vallet labe:

Shokë do na marrë malli
Për të bërë lart nga mali
Nga Plocica dhe nga Qarri
Nga Qika dhe nga Fargani
Lugu Gjërë edhe Kanali
Shkall'e Dhive buzë mali
Askogjin e hije xhani
Amandre verim behari

Edhe në fëmininë time djemtë përcilleshin për ushtar brenda vendit me ceremoni familjare dhe po ashtu priteshin. Gjormiotët e kanë dashur shumë njeri tjetrin dhe vendlindjen në tërësi. Kudo që të ndodheshin qoftë ushtar, në shkollë, në punë jashtë fshatit apo rastësisht takoheshin përzëmërsisht. Nuk duhet të mendohet kurrë se një ditë do të zbehet trashëgimia edhe pse ideologjia ka kohë që vepron. Për cilindo guri rëndon në vendin e vet! Mbi gjithëshka për gjormiotë parësor duhet të jetë Gjormi.

Ju lutem bashkëfshatarëve të mi të zhvishen nga politika dhe të shkruajnë. Banorë të fshatrave të zonës sonë kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë, ndërkohë që ne kemi më shumë aktivitet dhe sakrificë si në kohë lufte edhe në kohë paqe. Secili shkruan për veten e tij. Ne duhet të shkruajmë me mburrje për veprën e të parëve tanë dhe tonën.

                                                                             Kastriot Kapaj