Diskutim:Ibrahim Ibishi

Page contents not supported in other languages.
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kjo faqe këtu është vetëm për diskutim mbi artikullin Ibrahim Ibishi. Wikipedia nxit diskutimin mes vullnetarëve të saj dhe nuk do të censurojë komente bazuar në pikëpamjet ideologjike ose politike. Wikipedia nuk do t’i ndryshojë komentet. Ato ose do të publikohen, ose do të fshihen nëse nuk u binden rregullave kryesore.
Fillo një temë të re diskutimi.
Ju lutemi nënshkruani me: – ~~~~

Të gjitha komentet u nënshtrohen këtyre rregullave:

  • Përmbajuni temës!
  • Nuk lejohen: sharje, fyerje, fjalor i papërshtatshëm, gjuhë që përmban urrejtje, sulme personale, thirrje për dhunë apo çdo qëndrim tjetër jo i rregullt.

PËRKUJTOJMË POETIN;PROZATORIN DHE KRITIKUN LETRAR IBRAHIM IBISHI


Shkruan: Shaban Cakolli

Dy vjet më parë.në nëntorin e vitit 2010,u shua një emër në yjet e artit shqiptar,por mendja e tij e ndritur la emër të madh e të pashlyar në krijimtarinë tonë letrare.

Ibrahim Ibishi ishte poet që rrëmbeu përjetshëm stinën e tij të jetës. Ishte në majat e shpërthimeve krijuese, në moshën e tij më të mirë. Me afërsinë njerëzore e shpirtërore, krijuese, me butësinë e njeriut të mirë të kësaj toke, me ndjeshmërinë e përhershme dhe ndërrimet e papritura të gjendjes shpirtërore, njësoj si vet stina e lindjes dhe jetës së tij – vjeshta. Sa shumë kishte shkruar për vjeshtën, sa shumë ishte identifikuar e mishruar me këtë stinë. Mes kësaj edhe kishte lindur. Lajtmotiv i muzës së tij ishte bërë vjeshta. Edhe shumëçka kishte për të shkruar për vjeshtën, të dashurën, jetën. Sapo kishte filluar për ta shpalosur këtë stinë që rrëmben aq furishëm. I dashuruari çmendurisht në vjeshtën, po udhëtonte që moti drejt saj, për ta nxënë përjetshëm si stinë të prehjes së tij.

Ibrahim Ibishi(1953-2010) Ibrahim Ibishi (1953-2010) Eh vëlla Ibro, sa vështirë qenka për ta thënë këtë lamtumirë, po u deshka meodomos!!! Ah sa kisha dashur të jem larg diku ku nuk ndiej dhimbjen!Do të doja të isha diku larg mediave së paku edhe një kohë mos të dija për këtë kumt.U ndjeva si i mpirë, thellë brenda vetës shpresova se është vetëm një ëndërr e keqe, se kur kjo ëndërr të më zgjoi dhe pastaj do të kthehet gjithçka si më parë. Nuk po mundem të pranoj se një e keqe të ka ndodhur, po ajo çka më mundon ti sonte më nuk je me ne. Qenka e vështirë të pranohet e vërteta e hidhur, po nuk po u varka asgjë nga ne,po e kuptoj se më nuk do të jesh në mesin tonë, se nuk do të na shkruash fjalë të ëmla sikur na shkruaje më parë, megjithatë ato shkrime që na i ke lënë do ti ruajmë më të ëmbëla se saharoza. Një ditë do të vij nga mërgimi, do të kaloj para portës tënde, por si të pranoi se nuk do shoh hijen tënde dhe nuk do të dëgjoi zërin tëndë.Do të na mungoi fjala jote e ëmbël, dashuria dhe ngrohtësia mbi të gjitha prania jote. Ishe shumë i dashur dhe i buzëqeshur,po ja buzëqeshja nuk zgjati, të mori kohën kur na u dashte më së shumëti. Vdekja është proces i pa ndalshëm,por ka kohë që protestoi kundër saj. Kam fituar një bindje se këto kohët e fundit vdekjet po i ngatërrojnë rendet,po sulmojnë në mosha të njoma, në njerëz që na duhen më së tepërmi.

Kur na e mori të madhin Azem Shkrelin na e dridhi tokën nën këmbë,me pamundësi të pranoja këtë kumt, protestova me vargje kështu:

NDARJE QË DHEMB Në këtë kohë të pa kohë për ne plot shtërngatë duket edhe vdekjet punojnë me inatë

Vijnë kohë e pa kohë kërcejnë,ngatërrojnë rendet sulmojnë atdhetarët dhe njerëzit e penës.!!!

Po për ju vëlla Ibro, si të nisë protestën?Personalitetin tënd e stolisnin virtyte të larta, modestia, çiltëria, afërsia me njerëz, guximi për të u bërë ballë sfidave të kohës që nuk ishin pak,përgaditja me njohuri dhe aftësi të gjëra nga fusha e arsimit, kulturës, traditës dhe historisë kombëtare. Ishe shpirtkërkues si në shkrimin e poezisë, si dhe në edukimin e brezave të ri. Ti pishtar i arsimit edukove shumë e shumë gjenerata, kreve misionin tënd duke sjellur shumë dritë e dituri, u shpalle shpesh mësuesi më i ndritshëm i Kosovës, e nesër do të ndjejnë mungesën tënde shkolla dhe nxënësit, fëmijët dhe familjarët tu, po do të ruajnë krenarinë që ty të kishin fisnikun, bujarin dhe të sinqertin që shkëlqeve në çdo mes të pranisë suaj.

Shaban Cakolli

Ligjërojnë Bilbilat

Ligjërojnë bilbilat,ngrohë një rreze diell Do vargje t´poetit,pë “Varrin në qiell.”

Ligjërojnë bilbilat,unë fort u përula vargjet e poetit”Shiu për këpurdha” Ligjërojnë bilbilat,mbi pallat t´Rinisë vargjet e poetit”Kshtjella e vetmisë”

Ligjërojnë bilbilat,tunden fusha e male vargjet e poetit”Trandofil në varre” Ligjërojnë bilbilat,në freskinë e verës për një”Kaqurrele që vrapon pas erës” Ligjërojnë bilbilat,malli se ç´na ngriu vargjet e poetit”Për një Baladë Shiu” Ligjërojnë bilbilat,me za të kushtrimit vargjet e poetit”Magjia e Shkrimit”

Pena e poetit,k´to vargje ka çpikë e patëm mësues,poet dhe kritik Ibrahim Ibishin,ma të mirin mik Vargu përcjell vargun,nji poemë e gjatë nvendlindje t´poetit n´fshatin Kremenatë zbresin këto vargje,nga vendi që e rriti nguliten në faqe t´revistës Nositi Ishpalosë kujdesshëm kjo Dardana nanë krijuesit e shquar ,atje në Gjilan vargu përcjell vargun,sikur riga shiut

n´Árs Klubin letrar të Beqir Musliut

prej atje nuk ndalet,ndritet fort si pishë e ligjërojnë nxënësit n´shkolla t´Hajvalisë në klube e shkolla,në Lidhje shkrimtarësh buron n´trojet tona,ku jetojnë shqiptarët

Ligjërojnë bilbilat,fluturojnë për re Ibrahim Ibishi ma nuk është me ne Jeta është si hije,që shpejt përendon je yll letërsie,ty vepra t´jeton.

Ibrahim Ibishi është i lindur në Kremenatë të Gallapit, më 16 dhjetor 1953. Me profesion ishte mësimdhënës i Gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe mësues klasor. Përpos profesionit të mësimdhënësit ai kishte afinitet për krijimtari letrare në zhanre të ndryshme letrare. Ai ishte poet, tregimtar, romansier dhe kritik letrar.

Ibrahim Ibishi deri në fund të jetës së tij, ka botuar këto vepra letrare: vëllimin poetik “ Varr në qiell “, botuar në vitin 1995, librin me tregime “ Shiu për kërpudha “, i botuar në vitin 1995, nga RL “ Jeta e re “, në Prishtinë, librin tjetër, po ashtu me tregime, “ Korbat mbi muranë “, e botoi në edicion të SHB “ Rilindja “, në vitin 1996, në Prishtinë, romanin “ Shtjella e vetmisë “, e botoi SHB “ Rilindja “, në vitin 2000, i cili roman për periudhën kohore, tetor 1999 – tetor 2000, nga SHSH të Kosovës u shpall libri më i mirë i botuar në prozë, romanin “ Trëndafil në varrezë “, e botoi në vitin 2000 në edicion të SHB “ Rozafa “, në Prishtinë, në vitin 2002, në edicion të SHB “ Faik Konica “, në Prishtinë, botoi vëllimin poetik “ Kaçurrelja që vrapon pas erës “ dhe, në vitin 2004, ky autor botoi romanin “ Njerëzit e vjeshtës … “, finansuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës, e botuar nga SHB “ Rozafa “, në Prishtinë.

Në vitin 2008 botoi librin me poezi “ Baladë shiu “, finansuar nga Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës dhe librin me ese dhe shkrime diskursive “ Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit”, finansuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Këta dy libra dolën nën edicionin e SHB “ Rozafa “ e Prishtinës. Ndërsa në process të botimit është edhe libri me vjersha e tregime për fëmijë “ Hajni topi dhe peshqit “, në edicion të SHB “ Faik Konica e Prishtinës.

Ibishi ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon edhe sot me shumë revista, gazeta e mediume të shikuara, si: “ Bota e re “, “ Zëri i rinisë “ ( më vonë “ Zëri “ ), “ Rilindja “ ( më vonë “ Bujku “, “ Pionieri “, “ fjala “, “ Jeta e re “, “ GEP – i “, “ Kosovarja “, “ Shkëndija “,“ Bota sot “, “ Koha ditore “, “ Ylliria Post “, “ Lajm “, “ RTK “,“ “ Nositi “, Dardanë “, Jehona “ e Bujanocit, “ Kalendari letrar “, “ Verbi “ e ndonjë tjetër.

Ibrahim Ibishi


Zgjodhi dh përgatiti: Shaban Cakolli

Ibrahim Ibishi është i lindur në Kremenatë të Gallapit, më 16 dhjetor 1953. Me profesion është mësimdhënës i Gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe mësues klasor. Përpos profesionit të mësimdhënësit ai kishte afinitet për krijimtari letrare në zhanre të ndryshme letrare. Ai ishte poet, tregimtar, romansier dhe kritik letrar.

Ibrahim Ibishi deri më sot ka botuar këto vepra letrare: vëllimin poetik “Varr në qiell“, botuar në vitin 1995, librin me tregime “Shiu për kërpudha“, i botuar në vitin 1995, nga RL “Jeta e re“, në Prishtinë, librin tjetër, po ashtu me tregime, “Korbat mbi muranë“, e botoi në edicion të SHB “Rilindja“, në vitin 1996, në Prishtinë, romanin “Shtjella e vetmisë“, e botoi SHB “Rilindja“, në vitin 2000, i cili roman për periudhën kohore, tetor 1999 – tetor 2000, nga SHSH të Kosovës u shpall libri më i mirë i botuar në prozë, romanin “Trëndafil në varrezë“, e botoi në vitin 2000 në edicion të SHB “Rozafa“, në Prishtinë, në vitin 2002, në edicion të SHB “Faik Konica“, në Prishtinë, botoi vëllimin poetik “Kaçurrelja që vrapon pas erës“ dhe, në vitin 2004, ky autor botoi romanin “Njerëzit e vjeshtës …“, finansuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës, e botuar nga SHB“ Rozafa“, në Prishtinë.

Në vitin 2008 botoi librin me poezi “Baladë shiu“, finansuar nga Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës dhe librin me ese dhe shkrime diskursive “ Magjia e shkrimit dhe përjetimi i leximit”, finansuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Këta dy libra dolën nën edicionin e SHB “Rozafa“ e Prishtinës. Ndërsa në process të botimit është edhe libri me vjersha e tregime për fëmijë “ Hajni topi dhe peshqit “, në edicion të SHB “ Faik Konica e Prishtinës.

Ibishi ka bashkëpunuar me shumë revista, gazeta e mediume të shikuara, si: “Bota e re“, “Zëri i rinisë“ ( më vonë “Zëri“ ), “Rilindja“ ( më vonë “Bujku“, “Pionieri“, “Fjala“, “Jeta e re“, “GEP – i“, “Kosovarja“, “Shkëndija“,“Bota sot“, “Koha ditore“, “Ylliria Post“, “Lajm“, “RTK“, “Nositi“, Dardanë, Jehona e Bujanocit, Kalendari letrar, Verbi e ndonjë tjetër.

Ibrahim Ibishi ishte po aq i suksesshëm edhe në profesionin e mësimdhënësit. Këtë e ilustron më së miri mirënjohja që iu dha nga Ministria e Arsimit të Kosovës, me rastin e 7 Marsit të vitit shkollor 2007 / 2008 , ku ai radhitet ndër mësimdhënësit më të mirë të Kosovës.

Ishte njëri ndër bashkëthemeluesit e Klubit Letrar “Nositi“ të Dardanës (ish Kamenicë).Tani mbushet njevit kur vdiq papritmas ne vendine punes, kur askush nuk e priste vdekjen e tij.


Ibrahim Ibishi:

MAGJIA E SHKRIMIT

Unë fillova të lexoj përrallat e ilustruara vetëm në klasën e pestë të fillores ( të tilla ishin rrethanat e kohës sime ). Dhe, merreni me mend çfarë dëshire të marrë do t’i shkaktonte një fëmije katundari, të veçuar në një kodër bjeshke të pafund, ta zëmë “ E përhitura “, “ Llamba e Aladinit “, apo “ Borëbardha “ ?! Dhe, deshi s’deshi, ai fëmijë do të lakmonte fatin, në dukje të paarritshëm të këtyre personazheve, që më në fund do të arrijnë të mrekullueshmen e artë. Cili fëmijë ëndërrimtar nuk do të lakmonte të ishte princ ?! Cili fëmijë i çmendur nuk do ta dëshironte llambën magjike, me të cilën do të bënte të pamunduren ?!

Ndërsa unë isha një fëmijë i ndieshëm, i vetmuar, edhe pse shoqërohesha me të gjithë, që për çdo mbrëmje përcillja horizontin e praruar dhe mendoja se pas asaj vijës së pafund të imagjinuar të horizontit, kishte një botë tjetërfare nga kjo imja. I shihja me mendje fëmijët e lumtur se si luanin dhe shoqëroheshin, shihja qytetërime të lashta e rrokaqiej fantastikë, vëreja qiellin plot re, ku drangonjt e kuçedrat e bënin tymnajë hapsirën kaltëroshe…po çfarë nuk shihja në atë qiell të pafaj ?!

Dhe aty fillonte vetmia e madhe, një vetmi e përsosur, e cila e krijon atë njeriun tjetërfare. Dhe, me çdo kusht kërkoja një mundësi fantastike të shpërtheja këto mure gjigande që më ndanin nga lumturia.

Me kohën fillova të lexoj edhe gjëra më serioze dhe, nuk e di se si dëshirova të jem një udhërrëfyes i personazheve. Lakmova të bëhem shkrimtar. Dhe, tashti kur thonë se jam shkrimtar, më është kthyer ajo dhembja e fillimit. Përsëri jam i vetmuar. Jam shkrimtar e s’jam shkrimtar.!?

Këtë shkrim, mbi të qenit dhe të mosqenit shkrimtar, po e filloj me thënien e Ernest Heminguejit: Përgaditja më e mirë për një shkrimtar, është një fëmijëri fatkeqe. Kjo në njëfarë mase qëndron, por nuk është tashti për tashti pikëmbështetja ime për këtë që dua ta them, sepse sipas meje, ka me miliona njerëz me fëmijëri më shumë se fatkeqe, e që nuk janë bërë shkrimtarë, ka me miliona njerëz të varfër, por qe, vetëm ndonjëri prej tyre është shkrimtar. Ka plot njerëz të gjymtuar fizikisht, por që vetëm ndonjë prej tyre është bërë shkrimtar…

Nuk qenka, pra, fëmijëria fatkeqe i vetmi shkak i të skaliturit të njeriut në shkrimtar. Fëmijëria fatkeqe mund të jetë një pikë favori e një talenti me karakter të veçantë që kënaq veten e tij duke shkruar një gjeografi e histori shpirtërore që është pak a shumë realiteti jetësor i tij.

E çka e shtyn, pra, një njeri të shkruajë ?!

Të gjitha përgjijet e kësaj pyetjeje, deri më sot, vetëm janë mendime të hamendura, ose disa shkrimtarë kanë “ provuar të zbulojnë përvojat e tyre “ në lidhje me shkrimin, por vetëm kaq.

E pse shkruajmë, pra, pasi nuk e dimë pse shkruajmë ?!

Jam i vetëdijshëm se asgjë nuk duhet të përgjithësohet sa i përket ndjenjës së të shkruarit. Është e mundshme që të gjithë shkrimtarët e mirëfilltë të kenë të njëjtat ndjenja, qëllime e nxitje të brendshme, për kohën e të shkruarit, por ja që nuk e thonë troç.

E pse shkruajmë, pra, kur nuk e dimë pse shkruajmë ?!

Mbase nuk e dimë se po bëjmë diçka të bukur, sepse shkrimtari gjatë kohës së të shkruarit përjeton një kohë dhe hapësirë krejt ndryshe nga ajo e vërteta! Ndoshta krijuesi yshtet, apo pëson magji, nga një situatë a përvojë e jashtëzakonshme, e cila “ me të aguar “ zhbëhet si një ëndërr e bukur. Dhe çka është me rëndësi të posaçme e që brengos tmerrshëm, kur shkruajmë diçka të bukur, tepër të bukur, ndalemi dhe e pyesim veten, apo bëjmë sikur e pyesim: E si kam mundur unë ta shkruaj këtë?! Është e pamundur, themi kur me kërshëri të posaçme e lexojmë disa herë dhe, edhe pas kësaj dyshojmë se kemi ditur të shkruajmë aq bukur.

E ku është, pra, krijuesi gjatë kësaj kohe, kur ka shkruar diçka kaq të rëndësishme dhe të paimagjinueshme?! Për gjithçka mund të dyshojë përveç për atë se gjatë kësaj kohe transi ka qenë fikall vetëm në dhomë të punës, apo në dhomën e ndonjë hoteli me dritare që shikojnë nga deti.

Unë mendoj se shkrimtari i mirëfilltë është një qenie njerëzore me shenjë të veçantë dalluese, dhuruar nga vet zoti, në kohë të caktuar të jetës. Dhe çka të thuhet tjetër për këtë? Është diçka e ngjashme me atë të shpalljes së profetëve. Prandaj, siç nuk kanë mundur të bëhen të gjithë profetë, nuk do të munden të bëhen të gjithë as shkrimtarë. Përndryshe, ky do të ishte absurdi. Kjo do të ishte stërkeqje. Të gjithë ata, pra, që pretendojnë të bëhen shkrimtarë, duke u shtyrë me bërryla, nuk janë të tillë e më së paku shkrimtarët ideologjikë dhe ata që shkruajnë me porosi.

Të jesh shkrimtar i mirë do të thotë të jesh pak i çmendur, ashtu siç ishin profetët dhe apostujt, siç janë fallxhorët, magjistarët, parashikuesit e së ardhmes dhe zogjtë. Dhe

përjetë do të jesh një qenie e përçudshme ndërmjet njeriut dhe zotit: as në tokë, as në qiell. Gjithmonë do ta kërkosh me çdo kusht njeriun e ëndërres, do ta kërkosh dashurinë dhe lirinë magjike. Vazhdimisht do të rropatesh deri në çmenduri të jesh vetvetja dhe, kurrë nuk do t’ia dalësh, megjithëse do ta përdorësh edhe verën për ta çjerrë maskën e mashtrimit të vetvetes. Prandaj, gjithnjë do të jesh i vetmuar, nga se ti jeton në një tjetër botë, me të tjerë njerëz dhe të tjera perëndi.

E më në fund të shtrohet pyetja: A mos është e tmerrshme të jesh shkrimtar?!

Të kujtojmë gjykimin e babait të Enrik Vila Matasit, kur i thotë këtij: Të bëhesh Malro nuk është një karrierë, nuk studiohet në universitet! Dhe, këtë unë e lexoj kështu: Letërsia artistike nuk krijohet me rutinë. Atë duhet ta gëdhend mjeshtri me imagjinatë të përkryer, gati me një afinitet hyjnor.

Po të më pyetnin mua pse shkruaj, do ta ndieja veten të zënë ngusht, nga se nuk do të dija, vërtetë, të përcaktoja psehin e këtij veprimi sublim. Edhe nëse do të vendosja të përgjigjesha, do të provoja të kam parasysh ato nëntë pikat e Primo Levit, ato nëntë motovime, që sipas meje janë të mjaftueshme, dhe mbase nuk ka të tjera, kur një krijues “detyrohet“ të shkruajë atë që do ta shkruajë.

Prej tyre do të veçoja motivimin, ku thotë: Ndiej ngacmim dhe nevojë. Pastaj, Të kënaq dhe të kënaqem, të çlirohem nga ankthi,dhe të bëhem i famshëm dhe i pasur njëkohësisht.

Ky do të ishte, mbase, vetëm një orientim sekondar, por ç’ndodh kur ia fillon të shkruash?! Asnjë prej këtyre motivimeve nuk të hyn në punë, nga se tashti ti je një qenie tjetër, mund ta quash hyjnore, jashtëtokësore apo djallëzore. Në ty futet një tjetër shpirt, duke të shporr jasht çdo gjë që vetëm pak më parë të ka takuar.

Kam lexuar dhe dëgjuar mendimet e shkrimtarëve të ndryshëm në lidhje me atë pse ata shkruajnë. Dhe, të them të drejtën, shumë prej atyre mendimeve më tepër ngjajnë në deklarime false të fryra me retorikë e filosofi sesa në ato motivimet e vërteta. Kam përshtypjen se disa nga ato janë fjalë idioteske.

Ja, edhe pse- hi i fundit.

E pse unë nuk u bëra shkrimtar i lexuar?! Nuk e di. E kur unë nuk e di, të tjerët nuk do të kenë si ta dinë. Megjithatë, nuk u zhgënjeva, prandaj do të krijoj dhe krejt për ta kënaqur vetveten dhe me këtë armë të fuqishme në dorë do ta mund vetminë shpirtërore, ta

mund vdekjen, që në shqip do të thotë ta mbaj veten gjallë dhe në qendër të vëmendjes, pasi më mungon një botë e shtensionuar, një parajsë e vogël.

Prapseprap, dyshoj se këto janë arsyet e vetme pse bëj një punë kaq të çmendur.

Ndoshta nuk ka ardhë koha ime ?! Kushedi.

Një lexues, ndër të rrallët, më tha mbase me shpoti: Librat tu do të lexohen me ëndje pas së paku dyqind vjetësh!

Aferim! – i thashë. Edhe kjo është mirë. Pas aq vjetësh, dëshmitarët e gjallë do të vdesin. Do të mbesin vetëm librat ( veprat ), nëse nuk i djeg ndonjë luftë e mundshme kundër krijuesve dhe intelektualëve.


IBRAHIM IBISHI;


DUA TË JESH HËNË POETI

Dua

Të jesh hënë poeti

Zjarr dhe qetësi

Në të njëjtën kohë

Dhe dramë e këngë

Të jesh kur ke vetmi

Dua

Të jesh zog perëndie

Që fluturon qiellit tim

Dhe gjëmë e këngë të jesh

Një ditë kur t’ikin ëndrrat

Të kthehesh të tregosh

Se je hënë poeti

Me kurorë xhevahiri - mbretëreshë

Dua

Zog i këtij qielli të jesh

Me plot shpresë në cicërrimë

Fashë drite e zvërdheme

Të shkëlqesh

Tek lëshohesh mbi dritaren time

Në mesnatë

Hënë dhe zjarr poeti

Të shkëlqesh e të jesh


ROMANCË PËR TY DHE MËNGJESIN ME SHI

Nga veranda e Agoras

Përjetoj përpëlitjen e shiut

Mbi gjethurinë e blinit

Dhe flokun tënd

Të ngatërruar me copat e gjumit

E shoh të gështenjtë të përgjumur

( Nëse do të jesh i lumtur thonë

Sajo një përrallë për të dashuren

Që ende fle e patrazuar

Në shtrat princeshe

Dhe vrojto detin e mërzitur

Nga puthjet e pikëlave të imta

E kaçurrelat e saj

Merri në gishtërinjt që të dridhen

Dridhen

Dridhen )

Prej këndej mundohem të të gjej

Në një bredhëritje të përhanshme

Dhomave të pallatit përballë

E nuk të gjej nuk të gjej

E nuk të shoh nuk të shoh nuk të shoh

E patjetër diku je ti

E unë dëshiroj të të shoh të të shoh

Kaçurrelat t’i përkëdhel nëpër shi

Nëpër shi nëpër shi


PRIT NJË HERË SA T’DEL VASHA

Hënë o hënë hënë hirushe

Në mesnatë prit e prit

Vonë kur ëndrra psherëtinë

Prit sa t’del vasha n’dritare

Sa t’del djali me violinë

Rri mbi kopshtin e përgjumur

Plot aromë jorgovani

L’sho fenerin në çardak

Puqi buzët engjëllore

Shfryje afshin mbi zambak


E dikur në fund të ëndrrës

Fshihe syrin në buzë mali

Hije e verdhë sa t’zgjatë nata

N’zemër t’djalit lulja e jetës

Trëndafil me gjemba ari


DIMËR SHIGJETARËSH

Nga mansarda që nuk e kam

Thith cigaren

Pastaj me tymin nëpër pullaze hidhem

Si galat kur krrokasin n’acar

E poshtë nipi në dhomën e prindërve

Kërkon diçka që emrin ende nuk ia di

Qan nga i’here

Me gjuhën time që s’e mbaj në mend

Sikur më thotë: gjysh unë e ti u lindëm sivjet

Pak ditë para vitit të ri

Në dhjetorin e ardhshëm

Do të mbushim një shekull të zbrazët

Ndërsa unë përkëdhel mjekrën

Dhe me tymin e cigares udhëtoj

Hidhem nëpër ëndrra si bandill i vetmuar

Herë qaj si Erjoni

Herë si galat krrokat mbi pullaze

Në këtë dimër shigjetarësh

Një shekull nis e nuk mbaron kurrë


KUR TI FLE

Fle fle fle

Fle fle fle

Ti tashti fle

Fle fle fle

Dhe një nënqeshje në cep buze

Të miklon ëndërrën e pafund

E tashti ti fle

Fle e fle e fle

Unë engjëlli mbrojtës jam

I flokut të shkujdesur

Që ëndërron

E tashti ti fle


ËNDËRR NË BREG LUMI

Ti je romancë e lehtë

Që rrëshqet mbi valët e bardha

Në ditë vere me shi blerosh

Në këngën e dehur

Ti je akord i dhembshëm

Që tingëllon me jehonë

Ti je kaçurrel mbi çerpik

Ti je flutur në shi

Ti je aromë portokalli

Ti je vesë mbi trëndafil

Ti je puhizë në krahë bilbili

Ti je violinë jevgu në ekstazë

Ti je shkumë e bardhë mbi valë deti

Ti je çdo gjë që është e bukur

Si ta zëmë

Diell i fërguar në vaj mandarine

Pas bjeshkës së fundit

Në horizont

Dhe shushurimë vale në mesditë

Ti je pulëbardhë përralle

Dhe sirenë flokëverdhë

Me trup peshku

Ti je çdo gjë që magjepsë

Ti je lamtumirë e ndjeshme

Që lëngon

Ti je ëndrra ime

Në breg lumi tek pushon


KËNGË PËR SHEMIN

Sot vendlindjen e pashë

Vëllaun tim me dhe tek e mbulon

E çka mund të bëja

Unë kundër vdekjes

E çka mund tu thosha nipërve

Për babanë e tyre

Me gjithë atë barrë dergje

Në bebëzat prej qelqi

U thashë: Do ta këput xhaxhai

Një copë qielli dhe do të vrapoj

Anembanë fushave me luledhembje

Deri në amshimin e dehur

Tapë do të bëhem me kupën e helmit

Akoma më i vetmuar do të kthehem

Tek ju

E ju, u thashë, do ta kërkoni shpëtimtarin

Në rrebesh shiu e breshëri do të hasni

Nëpër ortekët e fundit në skaj bote

Do ta kërkoni

Dhe do ta gjeni një ditë

Rrugës nëpër ëndrra somnabulësh

Kur të tjerët baba do t’u thërrasin


PËRTEJ MASKE

Ata që na i futën thikat

Na i dhuruan edhe maskat

Dhe ne ta zëmë frymën tonë i vumë

Kur na i dërguan këto lodra ferri

Të fshihemi bukur na mësuan

E kur të dalim nga terri

Qyqe të bëhemi përgjithmonë

Kur e vë maskën në fytyrë

Ti e do një tjetër emër

Një tjetër gjini lakmon

Dhe një liri që të tjerëve u mungon


KTHIMI

Dhe ti erdhe një natë

Kur ëndërrën më kulloti

Njëbrirëshi i përrallës

Dhe më the se zogjtë fluturojnë

Vetëm në vjeshtë e pranverë

E unë ikjes desh i besova

Kur u nise të shtegtoje me djallin

Nëpër arat me luledielli

Dhe ti erdhe një natë

Kur shi i dashurisë po sitej

Mbi çerpikë

Ti erdhe një natë

Bredhjen time të lodhur të më kujtoje

Nëpër ëndrra të egra

Të më ktheje në shtëpi

Një ditë apo një natë

Ti erdhe

Dhe ta dish s’ka aspak rëndësi

Cila ditë apo natë rrinte zgjuar

Në fushën e verdhë të kalendarit

Dhe unë nuk të prita në dritare

Andej nga shtegtojnë zogjtë e mallëngjimit

Të prita aty prej nga je nisur

Mu në ëndrrën e përjetshme


DHE PËRSËRI IKJA

Çdo gjë që ikë

Nuk është erë shiu

As moshë e dergjur thinjash

Mund të mos jetë viktima

Me vrasësin në vrap pas saj

Ajo që ikë

Me shpirtin maje qime floku

Si erë a si përftim pikëllimi

Shumë leht ti mund të jesh

Ajo që ikë

Dhe dikush që lëngon

Në shtratin e dergjes – për ty

Mund të jem unë ai që të përcjell

Tek ikë me trenin e fundit

Se nuk mund të jesh pranverë

Që shkon e kthehet

Pastaj perdja bie si në teatër

Dhe ikja bëhet pastaj ikje gjigante

Përgjithmonë