Donika Kastrioti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti, njerit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika, pra ishte një dukeshe ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshe. Në gjuhën e sotme protokollare Andronika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë.

Për Androniken e Kaninës, Androniken e Skënderbeut

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Andronika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergji ishte martuar dy herë.[1] Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre: "...Ç'dasmë që bë

Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja

buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të

gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie..."

Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej

Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në

Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur,

pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis

tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: "...Dhëndëri si

dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna

vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë..."

18 vjet jetoi ne Skënderbeun Donika, duke shkëlqyer si

një bashkëshorte e këshilltare e urtë dhe virtuoze e

të shoqit. I qëndroi besnike atij deri në grimën e

fundit të jetës së saj. Ata patën një djalë, Gjonin.

Ai ishte 12 vjeç, kur i vdiq i ati-Skënderbeu. Lindi

aty nga viti 1456, sipas përqasjeve të historianëve,

(P. Petta, F.Babinger...) Vëllai i Donikës,

Kostandini, ishte përgjegjës i gardës së Skënderbeut.

Atë e dërgoi i ati atje, për të ruajtur jetën e

kryetrimit, të motrës dhe nipit të vogël, Gjonit.

Donika e edukoi të birin me virtytet e larta të së

atit dhe të derës së saj fisnike, Gjergjit të Kaninës

së Vlorës, të cilin e thërrisnin edhe "Skënderbeu i

dytë i Arbërisë". Ajo, Donika e edukoi edhe nipin e

saj, Gjergjin e dytë, me krenarinë e të qenit

shqiptar.

Kur vdiq Skënderbeu, Donika lajmëroi mbretin e

Napolit, Ferrante, për gjëmën që i ra Arbërisë. Ky

(Ferrante) i shkroi : "Skënderbeun e kemi pasur si një

baba të dytë pas Alfonsit". Dhe dërgoi menjëherë në

Krujë njerëzit e tij, për të marrë familjen e

Skënderbeut në Napoli. Donika me Gjonin shkuan atje

dhe Ferrante i vendosi në feudin e Galantinas, duke ua

falur atë si pronë. Mbreti i Napolit e kishte ndihmuar

Skënderbeun me ndihmë në ushtarë, armatime, të holla,

sepse edhe Skënderbeu e kishte ndihmuar atë, për të

mposhtur kundërshtarët e tij në Itali. Disa feude ia

kishte falur Skënderbeut që në gjallje të tij. Donika

dhe i biri Gjoni, shoqëroheshin nga një shpurë me gra e

vajza. Edhe Venediku u kishte siguruar atyre si

vendqëndrim ishujt Lezina e Kucola, por këta shkuan në

Napoli. "Do t'ju pres si nënën dhe djalin tim" -i pati

shkruar Ferrante Donikës. Në Napoli, Donika kaloi

pjesën më të madhe të jetës së saj.

Mbretëresha e Napolit, Xhoana e tretë, motra e

Alfonsit, e mori Donikën shoqëruese të saj të parë. Të

tillë e mbajti dhe mbretëresha tjetër, e shoqja e

Ferrantes, falë zemërgjerësisë së saj njerëzore e

mirënjohëse, për veprat e lavdishme të luanit

shqiptar, të shoqit të Donikës. Atje, Donika, me

shkëlqimin e saj si mbretëreshë arbërore, e rriti

dritën, autoritetin dhe prestigjin e prejardhjes së

saj mbretërore.

Qëkur ishte në Krujë, Republika e San Marco (Venedik)

e kishte shpallur Skënderbeun si dhe gruan e tij

Donikën, "Qytetarë Nderi të Venedikut" dhe Gjonin,

megjithëse i vogël, e shpallën "Bujar të Venedikut"

(1462); Zot të Krujës (1468-1474); Kont të

Salentos(Itali), 1478; Zot të Galianos në Napoli, kont

të Galantinës, 1495; komandant të gardës në Venedik,

etj.

Një motër e Donikës, Katerina, pas vdekjes së burrit

të saj të dytë, u martua me epirotin e famshëm, Mërkur

Bue, nga dera e dëgjuar e Shpatajve të Çamërisë. Ai u

bë gjeneral e kont në shumë shtete të Evropës.

...Donika kryente detyrën e zonjës së parë të oborrit

mbretëror të Napolit; i shoqëronte dy mbretëreshat e

takime e vizita të ndryshme. Ajo mbante lidhje me

motrat dhe vëllezërit e saj. Kur e motra, Angjelina e

martuar me princin ballkanas, Stefan Brankoviqin, ra

nga gjendja ekonomike, Donika e ndihmoi atë. Po kështu

edhe motrat e tjera në Arbëri e Itali. Ekzistojnë

shumë dokumente financiare në arkivat italiane për

këto ndihma. Ajo ndërhyri pranë Këshillit të Venedikut,

për të ndihmuar vëllain e saj, Kostandinin, i cili i

shërbente papatit të Romës dhe mbeti një figurë e

ndritur e asaj kohe, sepse shmangu një përplasje të

mundshme midis Italisë dhe Francës. Për shërbime të

tilla të mëdha, Konstandini kur vdiq, u varros në

Kishën e 12 Apostujve, në Romë.

...Siç u tha, Gjoni qëndroi në feudet e tij në Napoli,

për më se dy dekada. Më pas ato feude i kaluan sërish

Napolit. Gjoni mbajti titullin "Dukë i Shën Pietrit".

Së bashku me të birin Ferdinantin, nuk u përzien në

jetën e oborrit, por u aktivizuan në botën e

fisnikërisë së lartë provinciale. Ai mbeti ushtar

besnik i mbretit Ferrante. Më pas, për pak kohë mori

anën e spanjollëve...(Petta), duke rekrutuar stratiotë

shqiptarë.në vitet 1480-1481, Gjoni 25 vjeç, iu

përgjigj thirrjes së atdhetarëve të tij në Arbëri dhe

u vendos në krye të kryengritjeve gjatë bregdetit

shqiptar e në Himarë. Erdhi me një forcë arbëreshe nga

Italia, e së bashku me luftëtarët e shumtë të

bregdetit theu forcat turke nga Durrësi në Himarë. Aty

u kap rob edhe komandanti turk Sulejman Pashë Eunuku,

të cilin Gjoni e mori me vete dhe ia çoi si dhuratë

mbretit Ferrante në Napoli. Në këto inkursione

historike bashkë me të ishte edhe Konstantin Muzaka.

Turqit në bregdet patën mbi 1000 të vrarë. Më se 10

vjet principata e Himarës mbeti e lirë, duke njohur si

kryezot birin e Skënderbeut-Gjonin. Për të gjitha këto

veprime heroike Gjoni pati edhe bekimin e nënës së tij

fisnike-Donikës.

Më vonë Donikës, mbreti Frederik i dha edhe një feud

tjetër në Galiano. Gjoni ndërtoi atje për françeskanët

një manastir e një kishë. Gjoni vdiq aty nga viti

1505, në moshën 50 vjeçare. Nga fëmijët e tij i

rrojtën vetëm Ferdinandi dhe Maria.

Rreth vdekjes së Donikës. Në librin e tij, Franc

Babinger, thotë se "Andronika (Donika), në verën e

vitit 1500 gjendej shëndoshë e mirë në Napoli, duke

qenë zonja dashamirëse në pallatin e mbretëreshës. Ajo

vizitonte Venedikun ku ishte "Qytetare Nderi", së

bashku me shpurën e saj. Po atë vit (1500) Donika bëri

varroshin e të nipit të Skënderbeut-Kostandin

Kastriotit. Mbi të skaliti stemën dhe flamurin e të

shoqit-shqiponjën e zezë me dy krerë, me yllin

gjashtëcepësh sipër."

Një ambasador anglez i kohës shkruan se më 23 qershor

1503 ai vizitoi të dy mbretëreshat e Napolit, Xhoanën

dhe të shoqen e Ferrantes. Ai thotë se "...aty ishte

edhe një dukeshë...prej anëve pranë Greqisë". Kush

tjetër të ishte kjo dukeshë, veç Donikës së

Skënderbeut, siç vërtetohet nga shumë historianë?!

Në një libër tjetër shkruhet se ajo (Donika) vdiq më

1506. ajo u varros në Napoli në Kishën e Shën Trinisë.

Një gravurë e shekullit të 16-të, me portretin e saj,

gjendet edhe sot në muzeun e Napolit. Pra, Donika ka

vdekur rreth vitit 1506, sipas disa burimeve. Del që

ka vdekur në moshën 78 vjeçe, 38 vjet pas të shoqit.

Pas vitit 1506 nuk pati më lajmërim për të.

Ajo vdiq duke pasur me vete shkëlqimin e epokës

Skënderbejane, të dragoit shqiptar, i cili mbrojti

Europën nga zjarri turk. Ajo do të mbetet në kujtesën

e njerëzimit si një grua-mbretëreshë e rrallë,

bashkëshorte modele dhe atdhetare fisnike.

  1. ^ Anamali, Skënder (2002), Historia e popullit shqiptar në katër vëllime (in Albanian) I, Botimet Toena, pp. 255–257,