Dropulli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Krahina e Dropull-it në Gjirokastër

Dropulli është krahinë e rrethit te Gjirokastres e banuar nga minoritare me kombesi greke. Fshatrat e banuara nga minoriteti grek ndodhen kryesisht në të djathtë të rrugës nacionale që të çon drejt jugut në Kakavijë, pika kufitare me ­Greqinë. Kjo rrugë, 31 kilometra e gjatë, kalon pranë fshatit Lazarat, në të cilën ndodhet teqeja e Baba Zenelit, një teqe e mirënjohur, e cila ka të gjitha gjasat të jetë ndërtuar në shekullin e XVIII.

Duke udhëtuar drejt jugut, në të djathtë shihni fshatrat Derviçan, Goranxi Sofratikë e.t.j. të vendosur në faqe të malit si dhe Gjirokastra. Derviçani është një kilometër larg nga rruga kombëtare. Një kishë e shekullit të XVIII e restauruar kohët e fundit, kisha e Shën Anës është kisha kryesore e fshatit. E përdorur si magazinë në kohën e komunizmit, ajo është e vendosur mbi fshatin e sotëm në një pllajë të ngritur, e cila ishte vendndodhja e fshatit në shekullin XV. Kisha Burimi Jetëdhënës, jo larg nga ajo e Shën Anës, është ndërtuar në të njëjtën periudhë. Një vend tjetër me interes i trashëgimisë arkitekturore është shtëpia e shekullit të XVII e Zahar Sterjos, ndërtuar krejtësisht nga gurë me një teknikë të veçantë, të karakterizuar nga shtresa të vëna njëra mbi tjetrën, pa përdorur llaç. Ky stil ka lidhje me banesat e fortifikuara të Gjirokastrës.

Dy kilometra më në jug është fshati Goranxi. Kisha kryesore është Shën Mëria e Ravenjës, ndërtim që daton rreth vitit 1600. Ia vlen të vizitohet edhe gryka e Goranxisë, në veri të fshatit, e cila i pret malet si me thikë. Një kishë e vogël e periudhës së vonë bizantine me afreske ngrihet mbi një bregore në hyrje te grykës. Më tej, në anën veriore, është një nga pikat arkeologjike më të shquara prehistorike të rajonit. Disa strehë guri të prera në anë të grykës janë përdorur për të prodhuar objekte prej stralli në periudhat e Paleolitit të Vonë dhe Mezolitit (rreth 25000-7000 vjet p.e.s.). Janë zbuluar shumë mijëra cifla të vogla të këtij stralli dhe guroret nga ai merrej janë të dukshme në shtresat e strallit të prera në “murin” verior të grykës. Mes këtyre rrënojave të kësaj industrie të lashtë masive, mund të shihen një numër banesash guri të periudhës helenistike dhe romake.

Një tjetër fshat pranë rrugës kombëtare është Sofratika. Fshati pjesërisht është ngritur mbi nekropolin e qytetit romak Adrianopol. Qyteti u ndërtua nga perandori Adrian në shekullin II e.j., ndofta me synimin që të bashkonte bashkësitë e shpërndara të luginës, të cilat kishin mbetur pa një qendër që nga shkatërrimi i Antigonesë 400 vjet më parë. Mendohet se Adrianopoli u banua deri në shekullin VI e.j. Për të shkuar në qendrën e qytetit dhe në të vetmen pjesë të ekspozuar të rrënojave të tij, dilni nga rruga kryesore për në Sofratikë, duke marrë menjëherë një rrugë paralele me rrugën kryesore. Pas 2-300 metrash majtas ka një tunel të vogël nën rrugën kombëtare që ju çon në lindje drejt ultësirës së lumit Drino. Që nga kthesa për në fshat e gjithë rruga mund të bëhet edhe në këmbë për 10 minuta. Rrënojat e qytetit të lashtë mund të gjenden nga një varg lisash të vetmuar. Bie në sy menjëherë një teatër roman me skenën, vendin për spektatorët dhe orkestrën, të gjitha të ruajtura mjaft mirë. Pranë janë gërmime shtëpish dhe ndërtesash të tjera.

Duke vazhduar drejt jugut arrihet në fshatin Jergucat, pranë kryqëzimit me rrugën që të çon për në Sarandë. Pak para bërrylit të rrugës shfaqet kisha e lartë e Shën Kozmait. Në anën lindore të rrugës kombëtare para kthesës për në Sarandë janë rrënojat e një varri të madh monumental, në stil “maqedonas” i shekullit të 3-të p.e.s., që u zbulua kohët e fundit gjatë ndërtimit të rrugës. Dhoma kryesore e varrit , si edhe shkallarja në hyrje, shpëtuan nga shkatërrimi. Dyert, të gdhendura nga një rrasë e vetme gur, mbijetuan vetëm në copa të fragmentuara. I gjithë varri duhej të ketë qenë mbuluar nga një pirg dheu. Për të shkuar në fshatin Zervat, që ka një kishë të shekullit X kushtuar Shën Mërisë, duhet të vazhdoni për disa kilometra të tjera në rrugën kryesore.

Një manastir i shekullit të XVI i gjendur në fshatin Dhuvjan, përsëri përgjatë rrugës për në Kakavijë, është vend tërheqës për vizitorët. Pranë kufirit, në Peshkëpinë e Poshtme, ndodhet kisha e Panajasë, një qendër e peshkopit të Drinopullit e shekullit X. Rrethuar nga një mur i lartë qiparisash, ajo është një nga kishat më të vjetra dhe më interesante të zonës. Më në jug para se të vish në Kakavijë, ka një rruge anësore që të çon në fshatin Sotirë, qendër banimi e minoritetit grek, pothuaj pika më largët jugore e territorit shqiptar nga ku malet e kufirit shihen përmes drurëve të lashtë të lisit dhe rrapit. Një manastir i shekullit të XIII ndodhet mu në mes të fshatit[1].

Burimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Dropulli". Arkivuar nga origjinali më 7 tetor 2010. Marrë më 6 nëntor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)