Enver Hoxha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Padlock.svg
Redaktimi i nga përdoruesit e paregjistruar apo përdoruesit e rinj është çaktivizuar.
Përdoruesit e tillë mund të diskutojnë. Për ndryshime bëni kërkesë për lirim, hyni ose hapni një llogari.
Enver Hoxha
Enver Hoxha
Sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë
8 nëntor 1941 – 11 prill 1985
Pasardhësi: Ramiz Alia
Kryeministër i Shqipërisë
1 janar 1946 – 20 korrik 1954
Paraardhësi: Ibrahim Bej Biçaku
Pasardhësi: Mehmet Shehu
Ministër i Mbrojtjës
1944 – 24 shtator 1953
Pasardhësi: Beqir Balluku
Ministër i Punëve të Jashtme
22 mars 1946 – 23 korrik 1953
Paraardhësi: Omer Nishani
Pasardhësi: Behar Shtylla
Të dhënat personale
Lindi më: 16 tetor 1908
Lindi në: Gjirokastër, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane
Vdiq më: 11 prill 1985
Vdiq në: Tiranë, Shqipëri
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: Politikan
Partia politike: Partia e Punës e Shqipërisë
Fëmijë Ilir Hoxha
Sokol Hoxha
Pranvera Kolaneci
Feja Ateist

Enver Hoxha (16 tetor 1908 - 11 prill 1985) ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si Sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

Periudha 40 vjeçare e sundimit të tij, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi i Shtetit (policia sekrete). Gjithashtu, diktatura komuniste, u karakterizua nga metodat staliniste të asgjësimit të bashkëpunëtorëve të tij, që kërcënonin pushtetin e tij personal.

Regjimi i Hoxhës, pas viteve 1970 u karakterizua nga ndjekje strikete e ideologjisë anti-revizioniste Marksizëm-Leniniste. Pas ndarjes me Maoistët, gjatë viteve 1976–1978, disa parti Maoiste u deklaruan Hoxhaiste. Në ditët e sotme Konferenca ndërkombëtare e partive dhe organizatave marksiste-leniniste (Hoxhaiste) një fraksion me pak ndjekës, është grupimi më i njohur i këtyre partive.

Rinia

Hoxha në fëmijëri

Lindi më 16 Tetor 1908 në lagjen "Palorto", Gjirokastër. Por për ditëlindjen e tij ekziston një çertifikatë lindje e përdorur nga vet Hoxha për tu regjistruar në fakultetin e Montpelejesë e cila shumë qartë tregon që ditëlindja e tij është 3 tetor 1908. Enveri ishte djali i dytë i Halil Hoxhës, një tregëtar rrobash, që udhëtonte shpesh nëpër Europë dhe SHBA dhe Gjylihanit. Ai kishte një vëlla më të madh të quajtur Beqir i cili vdiq në moshë të re nga tuberkulozi, dhe tre motra Fahrien, Haxhon dhe Sanijen. Hoxhajt ishin muslimanë dhe i kishin shërbyer Perandorisë Osmane brez pas brezi. Ata kishin ardhur nga Dropulli para 3 shekujsh. Enveri u edukua dhe u ndikua ne formimin e karakterit nga xhaxhai i tij të cilin e thërriste baba Ceni, ndërsa babait Halilit i cili kishte emigruar para lindjes së tij në SHBA, i thërriste xhaxha. Pas vdekjes së djalit të madh Beqirit nga TBC1921, i ati ka thënë -Më vdiq i miri më mbeti rezili, edhe shprehja tjetër e tij akoma më e fortë dhe e rëndë të cilën i ati e thoshtë publikisht -Enverin kush e njeh çoç u duket, por kush e ka çirret e nduket.[1]

Çertifikatë lindje e Enver Hoxhës
Çertifikata e regjistrimit në fakultetin e drejtesisë së Brukselit

Edukimi

Mësimet e para i mori në Gjirokastër 1917-1924 në shkollën Drita ku dallohet për vullnetin e tij por kishte vështirsi sepse i merrej goja. Liceun e nisi në vendlindje më 1924 por më pas e vijoi në Liceun e Korçës më 1927-1930 ku u ndihmua ekonomikisht nga xhaxhai i tij Hysen Hoxha. Vitet e qëndrimit në Korçë luajtën rol të rëndësishëm për formimin dhe edukimin komunist të Enver Hoxhës.

Largimi nga Shqipëria për studime në Francë

Në tetor 1930 Enver Hoxhës iu dha një bursë nga qeveria e Zogut për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë. Por pikërisht kjo bursë ka lindur shumë dyshime sepse ai nuk qe student me rezultate të larta, ai kishte vështirësi të mëdha në lëndët e shkencave të sakta dhe provimet i merrte me nota të dobëta kaluese. Këtë dyshim e shton edhe rekomandimi i një institucioni si ai Ministrisë së Bredshme për t'ia dekretuar me urdhër personal të prefektit. Të gjitha këto fakte lindin dyshimin që Enver Hoxha të ketë qenë agjent sekret i mbretit Zogu për të zbuluar shqiptarët anti-zogist në emigrim.[Cito burimet] Në mars të vitit 1934 i ndërpritet bursa nga Ministria e Arsimit sepse nuk kishte kaluar asnjë provim. Mbas kësaj ai shkon në Paris ku qëndron deri nga fundi i vitit 1935 i ndihmuar financiarisht nga kunati i tij Bahri Omari. Me ndihmën e Llazar Fundos, profesor në Universitetin e Sorbonës ndjek leksionet në Fakultetin e Drejtësisë të këtij universiteti, por përsëri nuk mundi të kalojë provimet dhe nuk mundi të vazhdojë më tej. Gjatë kohës që ndodhej në Paris Hoxha mori pjesë në takimet e Grupit Komunist të Shqiptarëve që drejtohej nga Llazar Fundo (vrarë me urdhër të Enver Hoxhës nga forcat partizane në Tropojë në vitin 1944). Ai shkroi një artikull të shkurtër në gazetën e Partisë Komuniste të Francës "L'Humanité". Më pas arrin të sigurojë punë në Bruksel, si nëpunësi i vetëm i konsullatës shqiptare në Belgjikë. Nuk është e qartë se si ai arriti të sigurojë këtë punë. Edhe ky tjetër fakt forcon dyshimet përsa i përket statusit së tij si agjent, sepse ai nuk kishte as përgatitijen e duhur, as shkollën e as eksperiencë pune si atashe për tu emëruar si nënpunës në konsullatë. Emërimet per çdo nënpunes firmoseshin nga vete mbreti Zog pasi studiohej kadidatura nga zyra sekrete e Ministrisë së Jashtme. Ndaj Enver Hoxha ka qenë vërtet agjent sekret i rekomanduar nga zyra sekrete e Ministrisë së Brendshme tek ajo e Jashtme për tu punësuar si nënpunës në konsullatën në Bruksel.[2] Pas disa muajsh, në fillim të verës 1936, pushohet nga qeveria shqiptare për pikëpamjet e tij revolucionare dhe sepse zyrën e konsullatës e kishte mbushur me literaturë marksiste.

Zhdukja e çdo dokumenti të viteve 1927-1936

Pas ardhjes në pushtet të Hoxhës, çdo dokument që i përket jetës së tij gjatë viteve 1927-1936 nuk ekziston në asnjë arkiv shqiptare, as dokumenti i emërimit nga mbreti Zog si nënpunes në konsullatë.[3]

Enver Hoxha në Montpelije më 1933

Kthimi në Shqipëri

Në korrik të vitit 1936 Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri. Betimi që bëri më 29 korrik 1936 mbi varrin e Bajo Topulli në Gjirokastër se ai dhe gjithë të rinjtë do të luftonin "për një Shqipëri më të mirë", "për mbarëvajtjen e atdheut", "për bashkimin e vërtetë të kombit", ishte një program lufte për të.

Puna si mësues në Korçë

Pasi mbetet muaj të tërë pa punë, në prill të vitit 1937 mundi të sigurojë një vend si mësues me orë në Liceun e Korçës. Prej faktit që ai nuk kishte një diplomë kualifikuese ai jepte vetëm disa orë mësim, këtë e vërteton edhe Abaz Ermenji ish-kolegu i tij në Liceun e Korçës. Shumë shpejt Enver Hoxha rivendos lidhjet me grupin komunist të Korçës të drejtuar nga Koço Tashko dhe bëhet simpatizant i kësaj lëvizje komuniste, gjë të cilën e thotë me gojën e tij në Kongresin e Beratit, -Shokët kujtojnë që unë kam qënë eksponent i komunistëve të Korçës,por unë kam qënë thjesht një simpatizant i tyre.[4]

Si mësues në Korçë

Aktiviteti i tij komunist para e gjatë luftës

1936 u njoh me Ali Kelmendin. Në pragun e pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939 Enver Hoxha mori pjesë në demonstratat antifashiste të popullit të Korçës. Më 12 dhjetor 1939 pushohet nga puna për mungesë diplome. Pas kësaj ai shkon në Tiranë ku jeton tek e motra, i ndihmuar nga kunati i tij Bahri Omari, i cili i gjeti një punë si cigare shitës në dyqanin "Flora". Ai mori pjesë në degën e grupit komunist të Korçës që vepronte në Tiranë. Pas demonstratës së 28 tetorit 1941 Hoxha u hodh në ilegalitet.

Krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare

8 nëntor 1941, pas dy vjetësh pune të palodhur e të pandërprerë, përfaqsuesit e të tre grupeve komuniste, të Korçës, të Shkodrës dhe të të rinjve themeluan Partinë Komuniste Shqiptare.[5][6][7][8]

Prezenca e Hoxhës në mbledhjen e themelimit të Partisë

Prezenca e Hoxhës në këtë mbledhje ishte thjesht si figurë, këtë e vërteton Todi Lubonja[9], Bedri Spahiu dhe Liri Belishova. Ai u ftua nga Koço Tashko për të ballancuar disi numrin e besimtarëve orthodhoksë të cilët ishin 4, ndaj duhej edhe një musliman e për këtë arsye Tashko mori me vete Hoxhën. Në këtë mbledhje themeluese merrnin pjesë edhe 2 eksponentë komunistë jugosllavë Miladin Popoviç, dhe Dushan Mungosha të cilët ishin inisiatorët e kësaj mbledhjeje.[10] Popoviçi hyri në miqësi menjëherë me Hoxhën sepse të dy flisnin frëngjisht.

Zgjedhja e Hoxhës si drejtues i komunistëve

Mbledhja themeluese nga (8-14 nëntor 1941) e zgjodhi Enver Hoxhën anëtar të Komitetit Qendror të Përkohshëm dhe, ndonëse nuk u caktua asnjë sekretar i KQ, ai u ngarkua me drejtimin e punëve të KQ të Përkohshëm. Më 23 nëntor 1941 Enver Hoxha merr pjesë dhe drejton në emër të KQ të PKSH, mbledhjen për themelimin e Organizatës së Rinsë Komuniste Shqiptare.

Hoxha në ilegalitet

I njohur në Parti e në radhët e simpatizantëve me pseudonimet "Tarasi", "Shpati", "Valbona", "Hasani", "Saliu", "Malo" etj., duke u paraqitur herë si punëtor e herë si tregtar e intelektual, ai gjatë gjithë vitit 1942, në ilegalitetit zhvillon një veprimtari të dendur anti-fashiste në Tiranë. Në krye të KQ të Partisë, Enver Hoxha përpunoi dhe udhëhoqi zbatimin e vijës ushtarake të PKSH për organizimin dhe zgjerimin e kryengritjes së armatosur në të gjitha anët e vendit dhe për krijimin, në luftë e sipër, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

Në vitin 1943 Enver Hoxha, nën ndikimin e përfaqësuesit të Partisë Komuniste Jugosllave Svetozar Vukmanoviç-Tempo, dënoi Marrëveshjen e Mukjes midis Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar, ku ndër të tjera theksohej bashkimi i trojeve të banuara nga shqiptarët mbi bazën e parimit të vetvendosjes së popujve. Si Komisar Politik i Shtabit të Pergjithshëm të Ushtrisë Natcionalçlirimtare (korrik 1943) e më pas Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (maj 1944), Enver Hoxha punoi për krijimin dhe rritjen e UNÇSH.

Me propozim të KQ të PKSH më 24 maj 1944 filloi punimet Kongresi i Parë Antifashist Nacionalçlirimtar i popullit shqiptar, Kongresi i Përmetit, i cili themeloi shtetin shqiptar të demokracisë popullore. Komiteti Antifashist, që doli nga ky Kongres ishte, faktikisht, qeveria e Shqipërisë. Sekretari i Përgjithshëm i PKSH, Enver Hoxha, u emërua President i këtij Komiteti. Mbledhja e Dytë e KANÇ-it (tetor 1944), që u mbajt në Berat, vendosi shndërrimin e Komitetit Antifashist në Qeveri Demokratike Provizore të Shqipërisë. Enver Hoxha u emërua Kryeministër. Më 28 nëntor 1944, pas 5 vjetësh lufte e përpjekjesh titanike, Qeveria e parë demokratike popullore në Shqipëri, me kryeministër Enver Hoxhën, hyn në Tiranën e lirë.

Hoxha marshon në Tiranë pas çlirimit të saj

Vendosja e sistemit stalinist

Qeveria e përkohshme e Shqipërisë, e drejtuar nga Enver Hoxha, filloi menjëherë të marrë kontrollin e plotë të ekonomisë. Në dhjetor të vitit 1944, menjëherë pas ardhjes në pushtet, regjimi i Hoxhës miratoi ligje të reja që siguronin rregulla shtetërore të rrepta për të gjitha kompanitë industriale dhe tregtare private, si dhe marrëdhëniet e jashtme dhe të brendshme tregëtare. Një "taksë për fitimet nga lufta" dhe ligje që lejonin konfiskimin e pasurisë që i përkiste atyre që u quajtën "armik i popullit" dobësuan klasën e mesme ende të vogël të vendit. Në fillim të vitit 1945, qeveria e Hoxhës konfiskoi pasuritë italiane dhe gjermane, anulloi të gjitha koncesionet e huaja ekonomike, shtetëzoi të gjitha shërbimet publike dhe mjetet e transportit, dhe krijoi një rrjet të sponsorizuar nga qeveria të kooperativave të konsumit. Pa marrë parasysh nevojat e Shqipërisë dhe përparësitë e konkurrencës, Hoxha ndoqi diktatin stalinist dhe nxiti zhvillimin e industrisë së rëndë dhe jo bujqësinë dhe industrinë e lehtë.

Regjimi i Hoxhës u përpoq të bënte për vehte fshatarësinë duke zvogëluar fuqinë e pronarëve të mëdhenj të tokës dhe duke dhënë koncesione për fshatarët. Në janar të vitit 1945, qeveria e Hoxhës anuloi borxhet e pazgjidhura bujqësore, shkurtoi pagesat për përdorimin e tokës me 75 për qind, shtetëzoi burimet ujore, dhe ofroi një mundësi për fshatarët për të blerë ujë për ujitje nga shteti me tarifa nominale. Ligji i Reformës Agrare në gusht 1945 shkatërroi atë që kishte mbetur nga fuqia ekonomike e pronarëve të mëdhenj të tokave të Shqipërisë qendrore dhe jugore, duke zëvendësuar pasuritë e tyre me rreth 70.000 ferma të vogla. Gjithashtu qeveria e Enver Hoxhës shtetëzoi të gjitha pyjet dhe tokat për kullotë dhe shpronësoi pa kompesim tokat që i përkisnin individëve, të cilët kishin burime të të ardhurave jo nga fermat. Ligji i toka lejoi pronarët të mbajnë deri në dyzet hektarë nëse ata fitonin të ardhurat e tyre ekskluzivisht nga bujqësia dhe punonin tokën me makineri. Institucionet fetare dhe fermerët që nuk kishin makineri u kufizuan në njëzet hektarë. Fshatarëve pa tokë dhe njerëzit që kishin pasur më pak se pesë hektarë të tokë morën deri në pesë hektarë për familje dhe hectarë shtesë për bijtë e martuar të cilët ishin anëtarë të familjes.

Në prill të vitit 1946, gjykatat ushtarake filluan të dënojnë me burg fshatarët grumbullonin grurë. Qeveria e Enver Hoxhës shtetëzoi edhe mjetet bujqësore dhe kafshët e punës, ndaloi shitjen dhe transferimin e tokës, dhe fshatarët duhet të mernin lejen e qeverisë për të therrur kafshë. Në qershor autoritetet urdhëruan fshatarët për të ofruar kuota relativisht të larta të grurit në qendrat shtetërore të prokurimit në çmime të ulëta, të përcaktuara zyrtarisht. Duke përdorur propagandën dhe dhunën, qeveria u përpoq të bindë fshatarët për t'u bashkuar në ferma kolektive që quheshin kooperativa bujqësore. Pavarësisht nga fakti se anëtarët e kooperativave paguanin taksa të ulëta dhe kishin kuota më të vogla prodhimi, fushata arriti të bindë vetëm 2.428 familje fshatare të bashkohen në kooperativa deri në vitin 1948. Qeveria pranoi se fushata kishte dështuar. Prodhimet e varfëra, spastrimet, shtrëngimet karakterizuan sektorin e bujqësisë për tre vitet e ardhshme, dhe mungesa e drithërave u bë një problem kronik.

Deri në vitin 1947, qeveria kishte vendosur shumë nga korniza institucionale e nevojshme për një sistem ekonomik stalinist, shtetëzimin e industrisë dhe marrjen nën kontroll të tregtisë së jashtme dhe tregtisë së brendshme. Një reformë monetare i dha një tjetër goditje klasës së mesme. Në prill të vitit 1947, Komisioni i Planifikimit Ekonomik hartoi planin e parë ekonomik të vendit, një plan nëntë-mujor me objektiva të përcaktuara të prodhimit për minierat, fabrikat, dhe sektorët e bujqësisë shprehura në drejtim të prodhimit fizik sesa parasë. Në ndërmarrjet shqiptare filloi futja e sistemit sovjetik të kontabilitetit, dhe fanatikët dhe instruktorët e partisë indoktrinonin popullsinë me parimet ekonomike të marksizëm-leninizmit.

Marrëdheniet me Jugosllavët

Marrëdhëniet e Hoxhës me anglo-amerikanët

Hoxha, dhe me rrath të kuq oficeri amerikan

Rreshtimi në krahun e Aleatëve ishte një fakt, por edhe marrëdhëniet e mira të Hoxhës me anglo-amerikanët është një fakt i pamohueshëm megjithë çensurimet që u kryen. Anglo-amerikanët me agjentët sekret e oficerët e ndërlidhjes amerikane e kanë ndihmuar LANÇ dhe Hoxhën për hipjen në pushtet. Agjenti britanik David Smiley pjesë e organizatës SOE e krijuar enkas nga kabineti qeveritar i Winston Churchill për të luftuar në prapavijat armike e për të ndihmuar partizanët e vendeve të pushtuara të Evropës Lindore, është parashutuar në veri të Greqisë e më pas ka hyrë në Shqipëri klandestinisht në prill 1943.[11] Kolonel David Smiley e ka faktuar misionin e tij si agjent i SOE në Shqipëri nëpermjet fotografive me partizanë shqiptarë, në kundershtim me kundërshtim me rregullat zyrtare.[12] Në qershor 1943 kolonel Smiley së bashku me kolegun Billy McLean janë takuar me Hoxhën.[13] Pasi kanë vendosur marrëdhënet reciproke, kanë filluar edhe ndihmat britanike për forcat partizane të cilat parashutoheshin, ato konsistonin në njerëz, armatime, ushqime, veshmabthje etj, në këtë menyrë u vendos Misioni Ushtarak Britanik.[14] Por pas çlirimit, Hoxha u rreshtua në kampin Stalinist kundër anglo-amerikanëve, në prishjen e marrëdhënieve midis Hoxhës dhe britanikve ndikoi edhe incidenti i Korfuzit, ku disa anije britanike hasën në mina nënujore ndërsa lundronin në ujrat shqiptare duke shpërthyer, edhe duke humbur jetën shumë marinarë.[15][16] Shumë foto ku paraqiteshin oficerët aleatë anglo-amerikanë në shoqëri të udhëheqjes së LANÇ u retushuan. Por në ditën e çlirimit të Tiranës shihet një foto e disa nga udhëheqsëve të PKSH edhe një oficer i quajtur Tom Stefan i ndërlidhjes amerikane.[17][18] Pasi Shqipëria përfundoi në duart e Hoxhës, misioni i Smiley ndryshoi karakter, ai nëpërmjet forcave anti-komuniste që vepronin në Shqipëri ka tentuar disa herë gjatë viteve 1949-1950 për të realizuar kryengritje ndaj pushtetit të Hoxhës me qëllim rrezimin e tij.[11]

Enver Hoxha dhe idhulli i tij diktatori i Bashkimit Sovjetik Stalini

Aktivitetet politike

Kundërshtarët politikë dhe krimet e komunizmit

Posa mori pushtetin, Enver Hoxha u përqendrua në një politikë të edukimit të popullatës por duke mos lejuar asnjë veprim sado qoftë të vogël opozitar. Qëndrimi i Hoxhës për opozitë ishte i prerë gjë që shpie në eliminimin e më shumë se 600 [19] udhëheqësve politikë.

Qeveria e tij gjatë sundimit 40 vjeçar burgosi, ekzekutoi ose shpërnguli mijëra drejtuess, njerëz të thjeshtë, drejtues lokalë për çështje jo madhore, klerikë dhe predikues të thjeshtë fetarë myslimanë dhe të krishterë, fshatarë të cilët kundërshtuan kolektivizimin dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.[20]

Ka ekzistuar një paradoks në trajtimin armik i popullit e partisë edhe është abuzuar e janë kryer krime e tortura monstruoze ndaj atyre që konsideroheshin të tillë. Shumë patriotë e fshatarë të thjeshtë që ju bashkuan luftës ANÇ, pas përfundimit të saj u arrestuan e u dënuan me akuza fiktive e të krijuara në tavolinë. Shumë bashkëluftëtarë e miq të Hoxhës si Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Koçi Xoxe janë ekzekutuar si armiq të popullit. Edhe krahu i djathtë i Hoxhës Mehmet Shehu i cili u akuzua si agjent i shumfishtë e kompllotist që donte të eleminonte Hoxhën në bashkpunim me CIA-n amerikane u vetvra në rrethana të dyshimta më 1981, dyshohet të jetë ekzekutuar nga Sigurimi i Shtetit.

Prishja e Mardhenive me Bashkimin Sovjetik

Mardhëniet e Hoxhes me Kinën Komuniste

Politika fetare

Gjatë luftës

Baba Faja, Enver Hoxha,Myslum Peza, Ramadan Citaku

Politika fetare e ndjekur nga Enver Hoxha dhe nga komunistët që ishin ateistë, kishte dy krah medaljeje. Përgjatë luftës ncional-çlirimtare 1939-1944 në të cilën luftuan e dhanë jetën mijra të rinj e të reja, në mes tyre kanë ishin si partizan shumë klerik të lartë të të gjitha komuniteteve fetare musliman-sunit, bektashi, ortodoks e katolik. Por komuniteti që e përkrahu më shumë luftën ishte ai bektashi, ndër figurat më të shquara ishte Baba Faja e Baba Fejzo. Komunisteve edhe Hoxhës ju interesonte që të kishin përkrahjen e gjithë popullit për LANÇ e të mos ishin të përçarë edhe nga feja. Pas çlirimit politika e Hoxhës ishte ndërhyrëse në çështjet e brendëshme të fesë. Për këtë fakt në vitin 1945 ai ju kërkoi të katra komuniteteve fetare që të krijonin Statutet e reja përkatëse. Të parët që u angazhuan ishin bektashinjtë e muslimanët të cilët e krijuan më 1945.[21][22] Ndërsa dy komunitetet kristiane nuk dëshironin të hartonin një të tille.

Baba Fejzo,Shefqet Peçi, Hysni Kapo

Njohja e personit juridik të komuniteteve fetare

Në dekret-ligjin e vitit 1949 i aprovuar më 1950 mbi njohjen e personalitetit juridik të të drejtës civile për të gjitha komunitetet që njihen nga ligji përfshiheshin ndër të tjera:[23]

1.Liria e ndërgjegjes dhe besimit për çdo shtetas shqiptarë.

2.Komunitetet fetare janë të ndara nga shteti.

3.Ndalohet përdorimi i fesë për qëllime politike.

Gjithashtu garantohej e sigurohej ndihma ekonomike në rast nevoje nga Shteti por komunitetet nuk duhet të merrnin financime nga jashtë shtetit. Menjëherë pas ketij dekret-ligji për tu ligjëruar e për tu njohur nga Shteti, komunitetet fetare hartuan Statutet e reja. Të parët edhe kësaj here ishin muslimanët[24] e bektashit[25] pas tyre ishte rradha e ortodoksve. Lindi problemi me katolikët të cilët nuk e kishin hartuar kurrë një të tillë sepse kembngulnin që Bibla është Statuti i tyre dhe që ata varen direkt nga Vatikani e jo nga shteti shqiptar. Këtë problem me katolikët e kishte hasur edhe Mbreti Zog sepse edhe gjatë qeverisjes së tij e gjithashtu gjatë mbretërimit të tij, katolikët nuk pranonin kurrësesi të hartonin Statut. Pas shumë diskutimeve midis dy palëve qeveritare dhe klerikale katolike duke e parë veten para ligjërimit dhe ilegalitetit këta të fundit pranuan të hartonin një Statut vetëm më 1951.[26] Brenda komuniteteve kishte lindur fryma e re e Partisë e sidomos në komunitetin bektashian ishin krijuar dy grupe mendimesh, i të rinjve të cilët ishin simpatizant të Partisë dhe kërkonin një revolucion edhe në fe, ku baballarët të mund të martoheshin, gjë kjo e pa imagjinueshme nga të vjetrit. Këto debate çuan edhe në një vrasje në komunitetin bektashi midis dy grupeve.[27]

Viti 1963 pranë vitit 1967

Pas viteve '50 filloi edhe kontrolli e çensura ndaj komuniteteve fetare, meshat apo liturgjit nuk mund të thuheshin pa marrë aprovimin e organeve të qeverisë. Situata u bë delikate kur në vitin 1963 nëpërmjet një ligji mbi ndryshimin e personalitetit juridik të 1949 qeveria filloi morsën e saj ndaj komuniteteve fetare. Tani njohja e komunitetit mund të revokohet nqs ky i fundit ka shkelur ligjet, rendin publik apo zakonet e mira.[28]

Viti 1967 pezullimi i të gjitha komuniteteve fetare

Me urdhër të Enver Hoxhës doli ligji për ndalimin e fesë në Shqipëri. Ky është viti më i egër dhe në historinë e popullit tonë, me anë të këtij dekreti famëkeq u shkelën të gjitha të drejtat elementare të njeriut ajo e ndergjegjes dhe e besimit fetar. Shumë klerik u përndoqën, u arrestuan, u debuan me akuza si spiun i armiqve të popullit shqiptar, komuniteteti qe u godit më shumë ishte ai katolik, por edhe ai protestant i cili nuk u njoh kurrë nga Shteti, për shkak të rrënjve anglo-saksone të protestantve si komunitet konsideroheshin si agjent të britanikve. Shumë xhami, teqe, e kisha u shkatrruan, disa të tjera i kthyen në qëndra kulturore.[29]

Ateismi i vitit 1976

Por ditët e zeza nuk kishin përfunduar ende. Ishte viti 1976 kur Shqipëria ndryshon Kushtetutën e saj duke e shpallur veten jo më laike si çdo Shtet tjetër por ATEISTE. Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që e shpalli ateizmin e saj në Kushtetutë. Nisi një propagandë ateiste kudo në filmat që prodhonte kinostudioja Shqipria e Re e kudo, me anë të një ligji ndaloheshin përdorimet e emrave fetarë për fëmijët e sapolindur, lista e emrave të lejuar ishtë e caktuar në një listë pranë gjëndjeve civile.[30]

Enver Hoxha me pushime në Vlorë

Vitet e fundit të jetës

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.

Lajmërimi në gazetën ZP

Ceremonia e mortore

Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku ju bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.[31][32][33]

Monumenti i Enver Hoxhës në Tiranë dhe vlerësimi i emrit të tij

Menjëherë pas vdekjes së Sekretarit të Parë të PPSH Enver Hoxha, lideri pasardhës i tij Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike propozon që në qëndër të Tiranës dhe të vendlindjes në Gjirokastër të ngrihet nga një shtatore në nder të tij, Universitetit të Tiranës i vihet emri Enver Hoxha, portit kryesor të Durrësit, e shumë uzina e hidrocentrale morën emrin e tij.[34] Gjithashtu u krijua Java e Enverit e cila festohej gjithmonë me rastin e ditëlindjes së tij duke punuar me rendimente më të larta për të tejkaluar planin. Monumenti i Hoxhës u përurua në vitin 1988 dhe ishte 8 metra e lartë. Më 20 shkurt 1991 ai u rrëzua nga protestuesit, rrëzimi i tij simbolizonte edhe rënien e komunizmit[35].

Nderime

  • Al2thp.gif Hero i Popullit- Për meritat në udhëheqjen e LANÇ
  • Al2thp.gif Hero i Popullit - Për luftën e tij në mbrojtjen e socializmit.
  • Hero i socializmit.gif- Hero i Punës Socialiste.
  • Medalja clirimit.gif - Medalja e Çlirimit.

Nderime të huaja

  • BulgarianWarTimeMeritRibbon.jpg - Urdhri i Trimërisë së Klasit të I-rë i (Bullgari) 9 shtator 1944.
  • Order of the National Hero BAR.png - Urdhri i Heroit Kombëtar (Jugosllavi) 1946.
  • Order of Lenin Ribbon Bar.svg - Urdhri i Leninit.
  • Order suvorov1 rib.png - Urdhri i Suvorov i Klasit të Parë. (Bashkimi Sovietik).

Veprat

Shiko edhe

Kuriozitet

Në filmin Hollivudian të vitit 2006 Inside man me regji të Spike Lee, një fjalim shumë i njohur i Enver Hoxhës mbajtur në Gjirokastër, është pjesë e këtij filmi thriller. Fjalimi i Hoxhës, me shumë zgjuarsi përdoret nga banditet për ti ndërlikuar punën identifikuese forcave të policisë. Gjatë momentit të kryerjes së arratisjes nga banka që kishin vjedhur, banditët kishin vënë regjistrimin e Hoxhës, për ti lënë ti kuptojë policisë që ata ishin ende brenda në bankë.[36][37].

Referencat

  1. ^ 01 Enver Hoxha - Story of a Dictator divx - YouTube
  2. ^ http://ngarkovideo.com/media/document/214.pdf
  3. ^ http://www.youtube.com/watch?v=ev2hBRRCj7s Dokumentar realizuar nga Top-Channel
  4. ^ http://www.youtube.com/watch?v=KKGyKxgQtRo&feature=channel_video_title Dokumentari Opinion - Fakte te reja mbi Enver Hoxhen
  5. ^ Tribuna
  6. ^ Historia ndryshe
  7. ^ “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut | Panorama ONLINE
  8. ^ http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/04-kriegszeit-1939-1944/21-26-0-eh.jpg
  9. ^ Nën peshën e dhunës nga Todi Lubonja
  10. ^ Miladin Popovic
  11. ^ a b BBC - Today
  12. ^ http://news.bbc.co.uk/2/shared/spl/hi/pop_ups/08/programmes_an_agent_in_albania/html/3.stm Foto pasqyruese të misionit të Smiley në prapavijat armike
  13. ^ Soe - Albania
  14. ^ http://thelevantandthebalkanswwii.devhub.com/blog/567115-soe-albania/ SOE-ALBANIA
  15. ^ Axis History Forum • View topic - Corfu Incident 1946
  16. ^ albmodww2
  17. ^ dossier
  18. ^ Misioni amerikan në Shqipëri nga Peter Lucas
  19. ^ Diktatori i muajit - (Anglisht)
  20. ^ Enver Hoxha diktator shqiptar - (Anglisht)
  21. ^ http://licodu.cois.it/616/view Statuti Komunitetit Bektashi 1945
  22. ^ http://licodu.cois.it/428/view Statuti Komunitetit Musliman 1945
  23. ^ http://licodu.cois.it/618/view Ligji mbi Komunitetet fetare
  24. ^ http://licodu.cois.it/576/view STATUTI I KOMUNITETIT MYSLIMAN SHQIPTAR 1950
  25. ^ http://licodu.cois.it/594/view STATUTI I KOMUNITETIT BEKTASHIAN SHQIPTAR 1950
  26. ^ http://licodu.cois.it/422/view Statuti i Komunitetit Katolik 1951
  27. ^ Morozzo Della Rocca Roberto - Nazione e religione in Albania
  28. ^ http://licodu.cois.it/586/view Mbi disa ndryshime në dekretin nr.743 datë 26.11.1949 “Mbi komunitetet fetare”
  29. ^ http://licodu.cois.it/587/view MBI CFUQIZIMIN E DISA DEKRETEVE
  30. ^ http://licodu.cois.it/423/view Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste e Shqipërisë 1976
  31. ^ http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/06-trauer/25.jpg Varri i dëmtuar
  32. ^ http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/06-trauer/26-enver-tomb.jpg Varri i rindërtuar
  33. ^ http://www.youtube.com/watch?v=0-nRdOLuaKQ&feature=channel_video_title Dokumentar i ceremonisë funebre së Enver Hoxha
  34. ^ Zbardhet mbledhja e Byrosë që zgjodhi pasardhësin e Enverit - Forumi Shqiptar
  35. ^ Dielli | The Sun - Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
  36. ^ http://www.universytv.it/cinema/inside.php Reçension i filmit (italisht)
  37. ^ http://www.youtube.com/watch?v=76Ahr7GhvNE

Shih edhe

Lidhje të jashtme