Fakulteti Filozofik i UP

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Shenja dalluese e Universitetit të Prishtinës
Shenja dalluese

Fakulteti Filozofik pranë Universitetit të Prishtinës është ndër institucionet më të vjetra të arsimit të lartë dhe njëkohësisht është fakulteti i parë që u themelua në Kosovë.


Fakulteti Filozofik u konstituua më 30 tetor të vitit 1960 dhe fillimisht kishte këto katedra : e Matematikës, e Fizikës, e Biologjisë, e Kimisë, e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe e Gjuhës dhe e Letërsisë Serbokroate. Më 1961 hapën edhe katedrat e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe e Gjuhës dhe e Letërsisë Ruse. Më vonë u hap katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Frënge dhe ajo e Orientalistikës. Në vitin e parë të studimeve (1960/61) u regjistruan 97 studentë të rregullt dhe 141 studentë me korrespondencë.

Më 1962 u hapen edhe tri katedra : e Historisë, e Gjeografisë dhe e Pedagogjisë. Ndërkaq, në vitin shkollor 1963/64 në këtë institucion diplomuan 26 studentët e parë.

Më 20 shtator 1971 Fakulteti Filozofik u nda në Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.

Në vitin shkollor 1972/73 në Fakultetin Filozofik u hap edhe Katedra e Filozofisë - Sociologjisë.

Në vitin 1989 Fakulteti Filozofik u nda në Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Filologjisë. Fakulteti edhe në periudhën vijuese, krahas vështirësive të shumta, zhvillohej vazhdimisht

Në vitin 2001 u hapën edhe Departamenti i Shkencave Sociale me Drejtimet: Shkenca Politike dhe Administratë Publike, Psikologji dhe Sociologji, si dhe Dega e Etnologjisë.

Deri 2005-06 vetëm në Fakultetin Filozofik, kanë diplomuar gjithsej 5487 studentë me mësim në gjuhën shqipe.

Në vitin 2001 Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin "Bachelor". Planet e studimeve u bashkëkohësuan dhe të ripërtërira u miratuan në Senatin e UP-ës në shtator të vitit 2004. Në shtatorin e vitit 2004 u aprovuan edhe planet mësimore për studime në nivelin e "Masterit" për këto departamente : Psikologji, Histori, Pedagogji, Shkenca politike, dhe Etnologji.

Në vitin shkollor 2005-06 në Fakultetin e Filozofik ishin 2134 studentë në studimet themelore, 111 studentë në studimet "master", ndërsa në procesin mësimor ishin të angazhuar 47 mësimdhënës dhe asistentë në marrëdhënie të rregullt pune dhe 74 mësimdhënës dhe asistentë me punë plotësuese.