Familja e Dukagjinëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko


Burimet historike, ndonëse japin të dhëna fragmentare, tregojnë se gjatë mesjetës Dukagjinët kanë qenë një familje fisnike e rëndësishme, prandaj emrin familjar të tyre e trashëguan ndër shekuj rajone të gjera fushore e malore të Shqipërisë së Epërme, si edhe e drejta dokesore shqiptare e këtyre viseve. Për ta kanë qarkulluar edhe gojëdhëna mesjetare, të cilat, pavarësisht nga sfondi fantazist i tyre dhe kronologjia e gabuar që kanë, dëshmojnë se Dukagjinët kanë qenë një familje e vjetër fisnike, e cila ka ndikuar në jetën politike shqiptare, madje edhe më tej.

Në një kronikë raguzane është dhënë një gojëdhënë, sipas së cilës në shek. VII Dukagjinët kishin shkaktuar kryengritje në Bosnjë dhe dy herë kishin ndërhyrë në Raguzë. Një gojëdhënë e dytë gjendet në Përkujtesën e Gjon Muzakës. Sipas saj Dukagjinët rridhnin nga një njeri me prejardhje trojane i vendosur në Francë, që quhej Dukagjin. Ky ishte nisur me kryqtarë të tjerë nga Franca për të çliruar Jeruzalemin, por, me të arritur në Shqipëri, Dukagjini pushtoi Zadrimën, krahinat rreth saj dhe u bë sundimtar i tyre. Gojëdhëna vijon me vrasjen e Dukagjinit prej vasalëve të vet dhe tregon se si djali i tij i mitur u fsheh për të rimarrë më pas zotërimet atërore.

Mbiemri Dukagjin përbëhet nga dy emra vetjakë: Dukë dhe Gjin. Këta emra gjatë mesjetës kanë qenë shumë të përhapur te shqiptarët si emra vetjakë e familjarë, gjithandej ku ata banonin. Ka studiues që mbiemrin Dukagjin e lidhin me titullin e lartë fisnik dukë dhe me emrin vetjak Gjin. Sipas tyre mbiemri Dukagjin lidhet me një personazh historik, me “dukën arbër Gjin Tanushin” (dux Ginius Tanuschius Albanensis), i cili në një dokument të vitit 1281 përmendet si kundërshtar dhe i burgosur politik i pushtetit anzhuin në Shqipëri. Vetëm pas një shekulli shfaqet për herë të parë emri familjar Dukagjini. Këtë mbiemër (llagap) e kanë mbajtur gjatë shek. XV një varg njerëzish të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Dukagjinët kanë pasur edhe një mbiemër të dytë, Perlati, që është përdorur vetëm një herë, në një dokument të vitit 1402.

Nëpërmjet shqyrtimit të burimeve historike njihen dy degë fillestare të pemës gjenealogjike të Dukagjinëve, të cilave ende nuk u dihet prindi i përbashkët.

Emri familjar Dukagjini del për herë të parë në një dokument raguzan të vitit 1377 për një njeri me disa mbiemra “Nikollë Stefan Tuderoviç Dukagjini” (Nicolaus Stephani Tuderovich Ducaghin). Ky mund të jetë paraardhësi i njërës degë fillestare të Dukagjinëve. Përfaqësuesi i sigurt i njërës degë është Gjergji, që përmendet në vitin 1403 si proniar i dy fshatrave pranë Lezhës (Balldre dhe Kakarriq) dhe si komandant i një trupe prej 40 kalorësish dhe njëqind këmbësorësh. Gjergji ka vdekur para vitit 1409 dhe, sipas Gjon Muzakës, ka pasur tre djem (Gjergjin, Tanushin dhe Nikollën). Dokumentet e kohës japin vetëm njërin prej tyre, Nikollën. Emri i Nikollës del në vitin 1409. Ai në fillim të viteve 30 u ngrit në luftë kundër serbëve dhe osmanëve dhe i dëboi ata nga Deja. Më pas mori pjesë në kryengritjen çlirimtare të vitit 1443 dhe në Kuvendin e Lezhës, ku u bë personazh politik i rëndësishëm i vendit. Nikollë Dukagjini ka vdekur gjatë viteve 1452-1454. Djemtë e tij, Draga dhe Gjergji, nuk arritën të kishin veprimtari politike, sepse në vitin 1462 u vranë. Si pasardhës i vetëm i tyre mbeti djali i mitur i Gjergjit, Nikolla, i cili hyri në shërbim të Venedikut.

Emrat e paraardhësve të degës tjetër të Dukagjinëve janë shkruar në një dokument raguzan të vitit 1387. Në të është treguar se vëllezërit Lekë e Pal Dukagjini ishin zotër të Lezhës dhe se ata u siguronin raguzanëve kalimin nëpër trevat e tyre shqiptare.

Pal Dukagjini ka vdekur para vitit 1393 dhe la pesë djem: Tanushin e Vogël, Progonin, Palin, Andrean dhe Gjonin. Pali përmendet vetëm në një dokument të vitit 1402, ku dëshmohet se gjatë kthimit nga Venediku, ai është vrarë në Dalmaci. Kurse emrat e Progonit dhe të Tanushit të Vogël janë shënuar për herë të parë në të njëjtin dokument (1393). Progoni ka vdekur në vitin 1394, kurse Tanushi i Vogël para vitit 1433. Ky ka qenë së bashku me Gojçin Gjurashin dhe Kojë Zaharinë për të mbrojtur tokat shqiptare nga pushtimi serb i Despotatit të Rashës. Andrea del në vitin 1406, kur Venediku i riktheu një dajlan në Shkodër, që e kishte marrë me ankand. Po me koncesion të Venedikut ai kishte edhe prona tokësore në rrethinat e Shkodrës. Në fillim të vitit 1416 Andrea përmendet si i vdekur, kurse vëllai i tij, Gjoni, ishte prift dhe kishte prona tokësore në rrethinat e Shkodrës. Emri i Gjonit përmendet për herë të fundit më 1446. Koncesionet e Venedikut për pronat zakonisht trashëgoheshin. Prandaj Andrea duhet të ketë pasur djalë sipërmarrësin Budomir, i cili në vitet 20 të shek. XV ishte qiramarrës i dajlaneve të Shkodrës dhe, krahas tregtimit të peshkut, merrej edhe me tregtinë e metaleve që prodhoheshin në Kosovë dhe që përdoreshin gjerë në jetën e përditshme. Kështu, me argjendin e Kosovës, krahas monedhave dhe zbukurimeve, bëheshin edhe objekte të tryezës së ngrënies, si lugë, kupa, poçe, tasa etj. Një pasardhës i tyre, Budomiri, mori pjesë në luftën për mbrojtjen e Shkodrës më 1478. Pas rënies së qytetit gruaja dhe tre fëmijët e tij u strehuan në Venedik.

Të dhënat burimore të drejtpërdrejta për degët gjenealogjike të Dukagjinëve, mund të plotësohen edhe me të dhëna të tërthorta. Gjatë viteve 30 të shek. XV shfaqet Vukë Dukagjini si figurë e rëndësishme e qytetit të Shkodrës, të cilit iu bënë dhurata nga administrata shtetërore e Raguzës në vitin 1433. Veç këtij, dalin edhe banorë të tjerë të qytetit të Shkodrës me mbiemrin Dukagjini, që janë dërguar herë pas here në Venedik si përfaqësues e mbrojtës të interesave të bashkësisë shkodrane pranë autoriteteve shtetërore veneciane. Njëri përmendet në vitin 1431 vetëm me emrin familjar Dukagjini, një tjetër, Teodor Dukagjini, në vitin 1458 është dërguar në Venedik etj. Ngarkimi i Dukagjinëve me misione të tilla të rëndësishme nga bashkëqytetarët tregon se ata respektoheshin shumë prej tyre dhe se ishin të arsimuar dhe njohës të mirë të gjuhëve të huaja. Dy Dukagjinët e parë (që mund të jenë i njëjti njeri, Vuku), duhet të jenë djem të Budomirit. Për Teodorin nuk dihen lidhjet familjare ; ai mund t`i përkiste edhe degës së mësipërme ose një dege tjetër, sepse mund të ishte nip i Tanushit të Madh. Teodori është vrarë në luftë për mbrojtjen e Shkodrës gjatë vitit 1478.

Dega gjenealogjike e Lekë Dukagjinit ka lënë shumë gjurmë në jetën politike të Shqipërisë gjatë shek. XV. Vetë Leka ka të njëjtin vend në burimet historike sa edhe vëllai i vogël i tij, Pali. Të dy këta përmenden bashkë si zotër të Lezhës (1387) dhe si të vdekur (1393). Leka la pas dy djem dhe një vajzë: Progonin, Tanushin e Madh dhe Boksën, e cila u martua me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë.

Progoni dhe Tanushi i Madh, në emër të tyre dhe të dy djemve të xhaxhait të vdekur, Palit (djem të të cilit ishin Tanushi i Vogël dhe Progoni), i dorëzuan Lezhën Venedikut në vitin 1393. Progoni u martua me vajzën e Karl Topisë, Gojsllavën, dhe u vu në shërbim të Venedikut si kështjellar i Shasit, ku mbeti i vrarë para vitit 1402. Tanushi i Madh u vendos familjarisht në Shkodër, u emërua vojvodë i rrethinave të saj dhe më pas pati mosmarrëveshje me autoritetet veneciane të qytetit. Për këtë shkak dhe me akuza të trilluara për bashkëpunim me osmanët, edhe pse ishte një personalitet që gëzonte autoritet në Shqipëri, Tanushi i Madh u burgos, u torturua, u dërgua si i dënuar në Venedik dhe, për mungesë provash fajësie, iu rikthyen pasuritë e konfiskuara. Megjithatë, më 1438, ai u internua në Padovë dhe pas këtij viti nuk ka të dhëna për jetën e tij.

Tanushi i Madh ka pasur në vitin 1435 katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza: Palin, Lekën, Kalen dhe një vajzë të vogël 14-vjeçare, emrin e së cilës nuk e përmend. Dy djemtë e tij, edhe pse ishin fëmijë të ligjshëm, janë cilësuar nga Gjon Muzaka si Dukagjinë “jo të vërtetë” për shkak të kundërshtive që lindën në gjirin e Dukagjinëve. Më i vogli i djemve, Leka, nuk del si figurë politike e rëndësishme. Ai ka lindur në vitin 1420 dhe për herë të fundit përmendet në vitin 1451 si kundërshtar i Venedikut. Nuk dihet nëse ka lënë pasardhës. Vëllai i tij, Pali (1411-1458), për të cilin Gjon Muzaka rrëfen se është edukuar pranë Gjon Kastriotit, ka qenë aktiv në jetën politike. Ai ka marrë pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe që në fillim është bashkuar me Skënderbeun. Pali ka pasur katër djem: Lekën, Nikollën, Progonin dhe Gjergjin. Emri i Gjergjit del vetëm në Përkujtesën e Gjon Muzakës. Progoni përmendet në vitin 1471 si i vdekur. Leka u bë personazh i rëndësishëm i jetës politike të Shqipërisë. Në vitin 1456 ai i dëboi qeveritarët venecianë nga Deja e nga Shasi, u bë bashkëpunëtor i Skënderbeut dhe vijoi luftën kundër osmanëve edhe në vitet 70. Pas pushtimit të Shkodrës nga osmanët (1479), Leka dhe vëllai i tij, Nikolla, mërguan në Itali dhe u rikthyen në vitin 1481 për të çliruar zotërimet e Dukagjinëve nga pushtuesit osmanë. Leka ka pasur ndikim të madh te banorët e Shqipërisë së Epërme. E drejta dokesore shqiptare lidhet me emrin e tij. Një pasardhës i vëllezërve Dukagjini, që jetonte në Itali, Progoni, në vitin 1501 është kthyer në atdhe për të udhëhequr kryengritjen antiosmane që shpërtheu në Shqipërinë e Epërme. Më pas ai bëri marrëveshje me osmanët dhe mori prej tyre titullin e pashait, si edhe qeverisjen e një pjese të zotërimeve të Dukagjinëve.

Krahas Dukagjinëve të mësipërm, të cilëve drejtpërdrejt ose tërthorazi u njihen degët gjenealogjike, në dokumentet e shek. XV dalin edhe njerëz të tjerë me mbiemrin Dukagjini. Në Durrës jetonte Rask Dukagjini, për të cilin dokumente të vitit 1408 dhe 1410 tregojnë se ishte rrogëtar i Venedikut dhe me një trupë kalorësish të vet ruante dhe mbronte Durrësin. Në Raguzë ka banuar Stipan Dukagjini, i cili në vitin 1408 ka lënë testamentin e vet. Stipani duhet të ketë qenë pronar kopshtiesh në Raguzë, sepse në vitin 1406 përmendet një pronar i tillë vetëm me mbiemrin Dukagjini, që mbante shërbyese në shtëpi. Në letra të papës përmenden gjatë vitit 1492 Luka dhe Stefan Dukagjini, kurse në vitin 1499 del një tjetër Dukagjin si pronar i një anijeje që transportonte drithë nga Pirgu në Kotorr.

Vetëm një herë fjala Dukagjin është gjetur si emër vetjak në një dokument të vitit 1446 për një banor të fshatit Mogulsi, Dukagjin Mogulsi. Gjatë shekujve që pasuan emri familjar Dukagjini vijoi të përdorej te shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare. Disa anëtarë të familjes së madhe fisnike Dukagjini u islamizuan dhe në shek. XV ata arritën të zinin poste shumë të larta në administratën osmane. Gjatë shek. XVI në tërë Perandorinë Osmane shkëlqyen edhe dy poetë, Jahja Beu dhe Ali Beu, që i shkruan veprat e tyre osmanisht. Në këto vepra ata kanë shënuar edhe emrin familjar të tyre, Dukagjini, që dëshmon edhe përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare.

Dukagjinët kanë pasur si stemë të tyre një shqiponjë të bardhë njëkrenore. Ata kanë gëzuar vend parësor në radhët e fisnikërisë vendase dhe janë respektuar nga elita drejtuese shqiptare gjatë shekujve të mesjetës. Këtë e dëshmojnë lidhjet martesore, edhe pse njihen pak prej tyre.

Djali i Lekë Dukagjinit, Progoni, ishte martuar me vajzën e Karl Topisë, Gojsllavën, ndërsa vajza e Lekës, Boksa, ishte martuar me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë. Në Përkujtesën e Gjon Muzakës përmenden disa lidhje martesore të Dukagjinëve me Muzakajt dhe me Arianitët. Gjon Muzaka ka shkruar se kishte për grua Marie Dukagjinin, por nuk ka treguar atësinë e saj. Motra e tij, që ishte martuar tek Arianitët, Suina, e ka martuar vajzën e saj, Jelën, me “Lekë Dukagjinin, të quajtur Kolë Dukagjini”, pa treguar atësinë e këtij. Po sipas Gjon Muzakës, tri vajza të Gjergj Arianitit, Kiarina, Elena dhe Dhespina, ishin martuar përkatësisht me Nikollë Dukagjinin, Gjergj Dukagjinin dhe Tanush Dukagjinin. Një motër e tij ishte martuar me Pal Dukagjinin.

Trojet e Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Epërme. Ato kanë ndryshuar duke u zgjeruar ose duke u ngushtuar, në varësi të jetës së trazuar politike të shek. XIV-XV. Dukagjinët kanë qenë një familje e madhe fisnike. Në krye të tyre kanë qëndruar një ose dy persona, të cilët janë zëvendësuar nga pinjollë të tjerë më energjikë. Trojet e tyre Dukagjinët i kanë administruar herë si zotër të pavarur dhe herë si vasalë të sundimtarëve më të fuqishëm.

Për sa kohë që në shtetin e Balshajve janë përfshirë trojet e Dukagjinëve, këta nuk përmenden në dokumentet e kohës. Pas betejës së Savrës të vitit 1385, që çoi në rrudhjen e shtetit të Balshajve, Dukagjinët dalin si zotër të pavarur në Lezhë dhe zhduket anonimiteti i tyre. Në vitin 1387 ata kanë ftuar tregtarët raguzanë të kalonin nëpër trojet e tyre. Kjo dëshmon se nën pushtetin e Dukagjinëve ishin krahinat përgjatë rrugës së rëndësishme Lezhë-Prizren, si edhe të dy këto qytete. Praninë e pushtetit të tyre në Prizren e dëshmon, sipas rrëfimit të Marin Barlecit, përmendorja e ngritur në këtë qytet në përkujtim të Nikollë Dukagjinit. Në veri të trojeve të Dukagjinëve kanë qenë trojet e dhëndrit të tyre, Kojë Zaharisë. Kështu Dukagjinët kanë zotëruar për një periudhë kohe, ndonëse me ndërprerje, rrugën që kalonte nga Deja, përpjetë rrjedhjes së Drinit për në Rrafshin e Dukagjinit e më tutje. Ata duhet të kenë zotëruar edhe Pejën.

Vërshimi i ushtrive osmane në Shqipërinë e Epërme dhe pushtimi përkohësisht prej tyre në vitin 1393 i Krujës, i Ulqinit, i Shkodrës dhe i Dejës, ndonëse Dukagjinët arritën ta mbronin Lezhën dhe dolën kështu si forcë antiosmane, i dobësoi pozitat e tyre si zotër të pavarur. Prandaj Lezhën ata ia dorëzuan Venedikut në vitin 1393 dhe bashkë me të Dukagjinët humbën kontrollin e rrugës Lezhë - Prizren, por jo ndikimin e tyre në këtë rajon.

Rruga e mësipërme dhe krahinat përgjatë saj, me miratimin e pushtuesve osmanë, kaluan në duart e Dhimitër Jonimës, i cili i kishte ndihmuar ata për pushtimin e Shkodrës. Jonimët ishin një familje e vjetër fisnike. Një pinjoll i saj përmendet për herë të parë në fillim të shek. XIII si vasal i princit Dhimitër të Arbrit dhe një Jonimë i dytë shfaqet në fund të atij shekulli si sebast që, bashkë me disa fisnikë të tjerë shqiptarë, kishte nënshkruar një marrëveshje (1274) me mbretin e Sicilisë, Karlin I Anzhu. Pas një shekulli, në vitin 1394, burimet historike na japin fisnikun e fuqishëm me emrin Dhimitër Jonima. Ky kishte dy kështjella, emrat e të cilave nuk njihen, portin dhe qendrën doganore të Shufadasë në grykëderdhjen e Matit dhe një forcë ushtarake prej dyqind kalorësish e katërqind e më shumë këmbësorësh. Në veri zotërimet e Dhimitrit ishin në kufi me trojet e Kojë Zaharisë. Duke njohur ndikimin që kishin Dukagjinët në këtë rajon, Dhimitër Jonima krijoi marrëdhënie të mira me ta dhe u bë shprehës edhe i kërkesave të tyre pranë kancelarive të huaja, sidomos ndaj Venedikut. Gjithashtu ai kishte marrëdhënie të mira edhe me fqinjin e tij të fuqishëm, Gjon Kastriotin. Për herë të fundit, Dh. Jonima përmendet si zot i Shufadasë më 1409, vit kur ai duhet të ketë vdekur. Paskëtaj Shufadaja dhe krahinat përgjatë rrugës Lezhë-Prizren janë përfshirë tërësisht në shtetin e Gjon Kastriotit. Ky e ruajti bashkëpunimin me ata anëtarë të familjes Jonima që mbetën në zonën e Lezhës, sepse shumica e tyre jetonin në rajonin e Shkodrës. Dhimitër Jonima është përmendur edhe pas vdekjes. Një pjesë e zotërimeve të tij janë regjistruar në kadastrat osmane të mëvonshme me emrin vilajeti i Dhimitër Jonimës.

Një vit pas vdekjes së Dhimitër Jonimës, më 1410, janë bërë përpjekje të pasuksesshme që Lezha të kalonte në duart e Tanush Dukagjinit. Pas kësaj veprimtaria politike dhe ekonomike e Dukagjinëve është përqendruar kryesisht në rajonin e Shkodrës, ku gjendeshin edhe familje të tjera fisnike, si Spanët, Jonimët, Zahariajt etj.

Në veprimtarinë politike të Zahariajve ka pasur një peshë të veçantë Boksa Dukagjini, gruaja e Kojë Zaharisë. Për herë të parë emri i familjes fisnike Zaharia del në vitet 1318-1320 te peshkopi i Shasit. Pas peshkopit, burimet historike na njohin në fund të shek. XIV me Kojë Zaharinë. Veprimtaria politike e Kojës është e ngjashme me atë të Dhimitër Jonimës dhe të dy këta kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Koja përmendet në vitin 1396 si zot i kështjellës së Shasit, dhe, më pas, si zot i Dejës e i ngushticave të rrugës përgjatë Drinit. Zotërimet e Kojë Zaharisë kufizoheshin në lindje me viset e pushtuara nga osmanët. Koja ka qenë vasal i tyre dhe kundërshtar i despotëve serbë të Rashës. Koja ka pasur një djalë, Lekën.

Në këto treva shqiptare janë ndërthurur interesat e Zahariajve me ato të Dukagjinëve, që kufizoheshin me njëri-tjetrin. Ndërmjet këtyre dy familjeve fisnike, që jo rastësisht kanë qenë në krushqi, përgjithësisht ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë. Pas vdekjes së Lekë Zaharisë në vitin 1444, meqenëse djali i tij, Koja, ishte i mitur, gjyshja e këtij, Boksa, doli në krye të familjes. Ajo kërkoi mbështetjen e Venedikut, duke i dorëzuar Republikës së Shën Markut Dejën, Shasin etj. Zotërimet që mbetën nga trashëgimia e Lekë Zaharisë kaluan në duart e Dukagjinëve. Këta morën në zotërim rrugën tregtare dhe krahinat përgjatë luginës së lumit Drin, si edhe një pjesë të konsiderueshme të Rrafshit të Dukagjinit. Përkohësisht këto krahina ishin pushtuar nga Despotati i Rashës dhe, pas shembjes së tij më 1439, u rimorën nga Zahariajt e Dukagjinët.

Në veri të Dukagjinëve dhe të Zahariajve shtriheshin trojet shqiptare të Spanëve, që kanë qenë familje fisnike shumë e madhe. Emri familjar i tyre shfaqet për herë të parë në vitin 1322 te një shkodran. Në radhët e Spanëve kishte pronarë tokash, tregtarë, klerikë etj. Mbiemrin e tyre e mbanin edhe një varg familjesh të thjeshta. Si veçori e përbashkët e familjeve Spani, krahas mbiemrit, ishte se thuajse që të gjitha ato banonin në krahinat pranë Rrugës së Gentës. Spanët kanë jetuar në qytetet dhe në krahinat e Shkodrës, Drishtit, Pultit, Pejës, Trepçës etj. Një trevë në veri të lumit Drin del në dokumentet e fundit të shek. XV me emrin e përfaqësuesit më në zë të kësaj familjeje, Pjetër Spanit (nahija e Pjetër Spanit), i cili ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës.

Krahas Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Jonimëve, Zahariajve e Spanëve, në Shqipërinë e Epërme ka pasur edhe një numër familjesh të tjera me peshë në jetën politike shqiptare, veçanërisht gjatë shek. XV. Këto familje kanë qenë Gjurashët (Cërnojeviçët), Dushmanët e Drishtit, Hotët, Shestanët etj.

Të gjitha këto familje shqiptare kanë dalë në skenën politike në një periudhë shumë të trazuar, të shkaktuar prej ndërhyrjeve e pushtimeve të shteteve të huaja. Gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XV, për jetën politike të Shqipërisë së Epërme kanë qenë si më rrënimtare dy shtete: Perandoria Osmane dhe Despotati i Rashës, që ishte shtet vasal i të parit, madje një nga gratë e sulltan Muratit II ka qenë edhe vajza e despotit serb. Pas vdekjes së Balshës III (1421), sundimtarët serbë, deri më 1439 kur u shkatërrua Despotati i Rashës, i zhvendosën kufijtë dhe dolën në bregdetin shqiptar, nga Kotorri deri në Tivar, si edhe në rrethinat e Shkodrës, ku pushtuan Drishtin. Përballë fuqisë ushtarake të papërballueshme osmane një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan në fillim të rrëmbenin armët, kurse kundër pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë, Gjurashët në radhë të parë (zotërimet e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën), Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët etj.