Feim Ibrahimi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Feim Ibrahimi
Lindi më: 20 tetor 1935
Lindi në: Gjirokastër
Vdiq më: 2 gusht 1997
Vdiq në: Torino, Itali
Kombësia: shqiptar
Profesioni: kompozitor


Feim Ibrahimi (Gjirokastër, 20 tetor 1935Torino, 2 gusht 1997) ka qenë ndër kompozitorët më të njohur të Shqipërisë. Praktikisht autodidakt në fillimet e veta, ai ishte i pari kompozitor shqiptar me peshë që studioi në mënyrë ekskluzive brenda vendit, duke u regjistruar në vitin 1962 në Konservatorin e sapokrijuar të Tiranës, ku studioi nën drejtimin e Tish Daisë deri në 1966. Pas kësaj ai dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni, në Konservator (1966–73), e më pas mbajti postin e Nëndrejtorit të Institutit të Lartë të Arteve, organizmi mëmë i Konservatorit (1973–1977). Posti i tij më i lartë ishte ai i Sekretarit për Muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1977–1991); më vonë ishte edhe Drejtor i Pergjithshëm i Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë (1991–92). Nga viti 1992 deri sa u largua nga jeta, ishte profesor i teorisë dhe kompozicionit në Konservatorin e Tiranës.

Si sekretar për muzikën, gjatë periudhës së izolimit kulturor të Shqipërisë, Ibrahimi e tregoi veten si një administrator të zotin, duke pasur ndikim pozitiv në jetën muzikore të Shqipërisë. Edhe pse, i detyruar nga posti, të mbronte realizmin socialist, gjatë periudhës së izolimit kulturor të Shqipërisë nga pjesa tjetër e kulturës botërore, për shkak të skematizmit të detyruar nga politikat kulturore të shtetit totalitar, gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë shtetit ai u përpoq, aq sa mundej, të ndiqte zhvillimet e muzikës ndërkombëtare, duke eksperimentuar në mënyrë të fshehtë me atonalitetin (p.sh. tek Sonata për Violonçel e 1975-s, ripunuar në 1990), duke shprehur interes për Xenakis-in që në 1981, dhe duke ftuar në Shqipëri një figurë të tillë të avant-garde-s si Stabler-i. Gjatë të gjithë karrierës së tij, ai u përpoq të çonte muzikën shqiptare në skenën muzikore europiane. Nga viti 1978 e deri në vitin 1991, punoi pa reshtur për pranimin e muzikës shqiptare në UNESCO dhe në 1991 ai u bë presidenti i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës, duke arritur më në fund, ta bënte atë, anëtar të Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO. Për të rritur zhvillimin e kompozicionit shqiptar,në vitin 1992, Ibrahimi themeloi festivalin Mbrëmje të Muzikës së Re Shqiptare. Në 1994 themeloi shoqatën artistike Pentaton (sot Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”), me synim organizimin e veprimtarive kulturore, si edhe ngritjen e një konservatori privat për fëmijë të talentuar. Disa nga veprat e tij janë botuar në Angli prej Emerson Edition.

Për meritat artistike, në 1989, shteti shqiptar i akordoi titullin Artist i Popullit, titulli më i lartë artistik i Shqipërisë. Ndërsa në 2000, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin Nderi i Tiranës, për kontributin e tij në kulturën shqiptare dhe veçanërisht për kulturën e kryeqytetit. Në 2001, Bashkia e Durrësit (qyteti ku kish kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij), i dha titullin Qytetar Nderi. Në 2008, Bashkia e Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes, i akordoi titullin Qytetar Nderi, për meritat e kësaj figure të shquar në fushën e artit dhe të muzikës.

Ibrahimi ka fituar shumë nga çmimet kombëtare dhe ato të Koncerteve të Majit (aktiviteti kryesor muzikor i përvitshëm që prej 1967-s). Ka fituar dy herë Çmimin e Republikës – çmimi më i rëndësishëm për veprimtarinë krijuese. Në 1990, në Aalto Theaterfoyer, në Essen (Gjermani), u organizua një koncert-portret, që përmbante edhe një leksion mbi muzikën e tij. Në 1994, me ftesën nga Brahms-Gesellschaft, Ibrahimi ishte composer-in-residence në Brahmshaus të Baden-Baden-it (Gjermani) dhe menjëherë pas kësaj studioi muzikë elektro-akustike në Mozarteum në Salzburg (Austri). Në 1995, vepra e tij De Profundis – kompozuar gjatë qëndrimit të tij në Salzburg – u përzgjodh për festivalin e muzikës elektro-akustike në Bourges, Francë.

Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale. Dialogo për violonçel dhe piano, si dhe romanca E la tua veste è bianca (sipas një poeme të S. Quasimodo-s) për soprano, violonçel dhe piano, (të dyja të kompozuara në qershor të 1997-s), janë veprat e fundit të kompozitorit, i cili u largua nga jeta në 2 gusht 1997, në Torino, Itali.

Krijimtaria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Diskografi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Këngë, Albanian Piano Music, Vol. 1, Kirsten Johnson, piano, Guild GMCD 7257; përfshin Toccata for Piano të Ibrahimit.
  • Rapsodi, Albanian Piano Music, Vol. 2, Kirsten Johnson, piano, Guild GMCD 7300; përfshin Vals dhe Valle për piano të Ibrahimit.

Muzikë filmash[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Pylli i lirisë
  • Shembja e idhujve
  • Balada e Kurbinit