Formimi i Shtetit Shqiptar nën drejtimin e Skenderbeut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Kryengritja fitimtare e nëntorit të vitit 1443 dhe Kuvendi i fisnikëve shqiptarë i mbajtur në mars të vitit 1444 në Lezhë, sollën ndryshime rrënjësore në organizimin administrativ, politik e ushtarak të viseve të çliruara shqiptare. Kuvendi i Lezhës realizoi të parin bashkim të gjerë politik e ushtarak të vendit në formën e një aleance ndërmjet përfaqësuesve kryesorë të aristokracisë shqiptare. Organi më i lartë qendror i këtij bashkimi u bë Kuvendi i fisnikëve. Organe të përhershme të Besëlidhjes ishin kryetari i saj, ushtria dhe arka e përbashkët, në krye të të cilave u caktua një njeri i vetëm, Skënderbeu.

Vendimet e Kuvendit i dhanë mbështetje ligjore e morale pozitës së veçantë të Skënderbeut, si kryetar i Besëlidhjes, në marrëdhëniet me fisnikët e tjerë shqiptarë. Këtë pozitë ai e shfrytëzoi për të bashkuar sa më organikisht viset e lira shqiptare, nëpërmjet forcimit të pareshtur të autoritetit të pushtetit të tij. Si kryetar i Besëlidhjes ai ushtronte të drejtën për t'i thirrur ose jo në Kuvend anëtarët e saj.

Për nevojat e mbrojtjes e të vijimit të luftës, anëtarët e Besëlidhjes pranuan krijimin e organeve qendrore, të përqendruara në një dorë të vetme, në atë të Skënderbeut. Vendimet e Kuvendit i ngarkonin ata me detyrime politike, ushtarake e ekonomike. Kështu, në luftë kundër Venedikut gjatë viteve 1447-1448 morën pjesë edhe personalitete drejtuese, të cilëve nuk u ishin cenuar drejtpërdrejt interesat nga pushtimi venecian, si Gjergj Arianiti. Në këtë luftë dhe në bisedimet për nënshkrimin e traktatit të paqes, Skënderbeu ishte figura qendrore e palës shqiptare, edhe pse nën pushtetin e Venedikut nuk ishin përfshirë zotërime të Kastriotëve, siç kishte ndodhur me ato të disa fisnikëve të tjerë.

Në kuadrin e Besëlidhjes, fisnikët i ruanin të gjitha të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e veta. Kjo bënte që në qëndrimin e tyre të shfaqeshin edhe dukuri të tilla, si mospërmbushja e detyrimeve të caktuara në Kuvend, mospjesëmarrje në luftë, lëkundje ndaj vështirësive e presioneve të pushtuesve osmanë, mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, mbajtja e ushtrive jashtë kuadrit të Besëlidhjes etj.

Me kalimin e viteve u bë gjithnjë e më e domosdoshme të kapërceheshin sa më parë dobësitë e brendshme, të cilat pengonin zhvillimin me sukses të luftës. Detyra e mbrojtjes së viseve të lira shqiptare kërkonte që mobilizimi i banorëve në to dhe ruajtja e kështjellave të mos mbeteshin në duart e zotërve të veçantë. Përshpejtimin e procesit të bashkimit politik të shqiptarëve e favorizonte shumë autoriteti i madh gjithnjë në rritje që Skënderbeu kishte te bashkëkombësit e vet, tek i cili këta shihnin drejtuesin e aftë dhe komandantin e talentuar, që vazhdimisht po u sillte fitore.

Lufta e suksesshme nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi pozitivisht për integrimin në një shtet të përbashkët të fisnikëve shqiptarë, të cilët i kishin fituar dhe i mbanin zotërimet e tyre në sajë të fitoreve që po korrte ushtria e Besëlidhjes. Duke ruajtur përgjithësisht të drejtat ekonomike feudale, zotërimet e tyre e humbën gradualisht autonominë politike dhe u njësuan me ato të Kastriotëve. Duke kujtuar këto ndryshime, Gjon Muzaka shkruante se shkrirja dhe aneksimi i zotërimeve të fisnikëve shqiptarë nga Skënderbeu ndodhte ngaqë ky "kishte në dorë ushtrinë, dhe ata kishin gjithnjë turkun mbi krye". Ata ishin të varur nga Skënderbeu, sepse nuk ishin të fuqishëm dhe pa përkrahjen e tij nuk mund të përballonin dot furinë osmane. Integrimi në një shtet të përbashkët nuk i dëmtonte rëndë interesat e tyre ekonomike. Duke përmbushur detyrimet ndaj pushtetit qendror të Skënderbeut, fisnikët ruanin të drejtën e administrimit të pronave të veta po nëpërmjet aparatit të tyre të mëparshëm administrativ dhe ekonomik, i cili tani konsideroj si pjesë e aparatit shtetëror të përbashkët, të drejtuar nga Skënderbeu. Fisnikët shqiptarë kaluan kështu në vartësinë e zakonshme feudale ndaj kryezotit të tyre, Skënderbeut.

Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të qëndrueshëm të zotërve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht, të të gjithë vendit. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike, dukuri të zakonshme këto në shoqërinë feudale. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas M. Barlecit, jetonte në Pollog (me këtë ai emërtonte rajonin që shtrihej nga qyteti i Shkupit në lindje deri në krahinën e Dervenit në perëndim, ndoshta edhe rajonin në rrjedhjen e poshtme të lumit Treskë). Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve më të fuqishme të kohës: Mara me Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin), Jella me Stres Balshën, Angjelina me Vladan Arianitin, vëlla i Gjergj Arianitit, Vlajka me Gjon Muzakën. Veç këtyre, Heroi shqiptar, i cili qysh në vitin 1443 e kishte cilësuar veten si trashëgimtar të Balshajve, bëri lidhje martesore të tjera. Vetë u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, kurse të motrën, Mamicën e martoi me Muzak Topinë. Zotërimet e Arianitëve e të Topiajve kishin një rëndësi të veçantë strategjike për mbrojtjen e vendit, sepse nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnacia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqendrën e tyre, Krujën. Lidhjet martesore të shumta lehtësuan veprimtarinë politike të Skënderbeut për integrimin sa më të plotë të viseve shqiptare nën pushtetin qendror të tij. Edhe në radhët e këtyre familjeve kishte individë të pakënaqur nga forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut. Kështu, p.sh., në vitin 1455 Muzak Topia ankohej për mosmarrëveshjet që kishte me kunatin e vet, Skënderbeun.

Shprehje e qëndrimeve divergjente ndaj procesit të forcimit të pushtetit qendror të Skënderbeut ishin edhe përpjekjet e ndonjë përfaqësuesi të familjeve aristokrate shqiptare për të pasur lidhje vetjake me vende të tjera, si me Napolin, Venedikun etj. Këto qëndrime shfaqeshin sidomos kur tek ata dobësohej besimi se shqiptarët mund të përballonin vetëm luftën me ushtrinë osmane. Kështu, p.sh., pas rënies së Sopotnicës (1448) dhe Rrethimit të Parë të Krujës (1450), disa nga anëtarët e Besëlidhjes së Lezhës kërkuan individualisht mbështetjen e përkrahjen e vendeve të tjera, duke nënshkruar me ta një numër traktatesh. Krahas traktatit të 26 marsit 1451, që dy ambasadorë të Skënderbeu e nënshkruan në emër të tij dhe të "familjarëve të tij e të baronëve të Shqipërisë" me mbretin Alfonsi V të Napolit, traktate të ngjashme lidhën pas disa muajsh me mbretin e Napolit ambasadori i Gjergj Arianitit (7 qershor 1451), përfaqësuesit e Muzak Topisë, Gjon Muzakës etj. Për të neutralizuar prirjet decentralizuese që po rishfaqeshin në radhët e fisnikëve shqiptarë pas fushatave ushtarake osmane të viteve 1448 dhe 1450 dhe për të ruajtur bashkimin politik të vendit, Skënderbeu forcoi lidhjet familjare me personalitetin politik më të rëndësishëm shqiptar pas tij, Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij, Donikën.

Krahas lidhjeve vetjake me shtetet perëndimore, pati edhe raste që ndonjë nga fisnikët shqiptarë hyri në marrëveshje me osmanët, siç vepruan Muzakajt më 1451 dhe Dukagjinët më 1452 e më pas. Zotërimet e Muzakajve, si kufitare në jug me viset e pushtuara, ishin vazhdimisht të konfrontuara me osmanët, kurse ato të Dukagjinëve kontrollonin rrugët tregtare që sillnin të ardhura të mëdha nga qarkullimi i mallrave ndërmjet rajoneve bregdetare dhe fushave verilindore (të Rrafshit të Dukagjinit e të Fushë-Dardanisë), që ishin vazhdimisht nën kërcënimin e sulmeve osmane, derisa më 1455 filloi ripushtimi i rajoneve verilindore e veriore të viseve të lira shqiptare.

Lëkundjet në gjirin e aristokracisë shqiptare u thelluan edhe më tej pas disfatës së vitit 1455 në betejën e Beratit. Duke e gjykuar si të pashpresë vazhdimin e mëtejshëm të luftës kundër osmanëve, Moisi Arianiti (Golemi), Gjergj Stres Balsha (djalë i motrës së Skënderbeut) dhe Hamza Kastrioti (djali i vëllait të tij) kaluan në bashkëpunim të hapur me osmanët.

Shpartallimi prej Skënderbeut i lëkundjeve dhe tendencave separatiste, që arritën deri në bashkëpunim të hapur me pushtuesit osmanë, u bë faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tij mbi të gjitha viset e lira dhe krijimin e një shteti të vetëm shqiptar. Në këtë proces u përfshinë edhe rajonet periferike jugore e veriore të vendit, ku shtriheshin zotërimet e Arianitëve dhe të Dukagjinëve. Integrimi i tyre në shtetin e Skënderbeut u bë më vonë se në viset e tjera dhe në fillim të viteve 60 mund të quhej i kryer.

Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut mbi zotërimet e Arianitëve eci më lehtë se mbi ato të Dukagjinëve. Në këtë proces ndikonin lidhjet martesore të familjes së Skënderbeut me Arianitët dhe sidomos fakti që zotërimet e këtyre ishin kufitare dhe qenë vazhdimisht nën kërcënimin e pushtimit osman. Pushteti qendror shtetëror u forcua aq shumë mbi Arianitët saqë, pas vdekjes së Gjergj Arianitit, më 1461, djemtë e tij ishin të detyruar të përmbushnin urdhrat e Skënderbeut. Djali i madh i Gj. Arianitit, Thomai, në emër të tij dhe të dy vëllezërve më të vegjël, në qershor të vitit 1461, u pranua në audiencë nga duka i Venedikut me letërekomandimin e Skënderbeut. Ndaj një vartësie të tillë të plotë, e ëma e tyre, që ishte edhe vjehrra e Skënderbeut, në fund të vitit 1463 do t`u shprehte pakënaqësinë e saj shteteve të tjera.

Më e vështirë qe rruga e përfshirjes së zotërimeve të Dukagjinëve në shtetin e Skënderbeut. Deri më 1455, kur sulltan Mehmeti II filloi veprimet intensive për pushtimin e Fushë-Dardanisë e të Rrafshit të Dukagjinit, zotërimet e Dukagjinëve nuk i kishin ndier dhe aq pasojat shkatërrimtare të sulmeve osmane, sepse ende kufizoheshin me vise të papushtuara dhe lidheshin me to me rrugë tregtare që sillnin të ardhura të rëndësishme doganore. Prandaj Dukagjinët, veçanërisht gjatë viteve 1450-1455, ndoqën një politikë deri diku të veçuar nga ajo e Besëlidhjes, duke u afruar edhe me osmanët për shkak të interesave ekonomike e tregtare. Skënderbeu përdori mjete të ndryshme që t'i largonte ata nga osmanët, duke kërkuar edhe ndërmjetësinë e shteteve të huaja, si të Papatit etj. Në vitin 1452 ai nënshkroi një akt bashkëpunimi me Pal e Nikollë Dukagjinin.

Me pushtimin prej turqve të Fushë-Dardanisë dhe të një pjese të Rrafshit të Dukagjinit gjatë viteve 1455-1462 edhe zotërimet e Dukagjinëve u dëmtuan rëndë dhe iu ekspozuan tërësisht të njëjtit rrezik. Në këto kushte Dukagjinët i ndërprenë lidhjet me osmanët dhe në fund të viteve 50 ata dalin të lidhur plotësisht me pushtetin qendror të Skënderbeut. I pakënaqur nga kjo vartësi, Lekë Dukagjini do të ankohej më 1463 se "nuk donte të ishte nën Skënderbeun". Por një proces i tillë ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e luftës kundër rrezikut të përbashkët, pushtimit osman. Në dokumentet e viteve 60 gjithnjë e më shumë flitet për “shtetin e Skënderbeut”.

U arrit kështu të përfshiheshin në një shtet të vetëm të gjitha viset e lira shqiptare. Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumenjve Devoll e Seman dhe përfshinin në veri kështjellat e Jeliçës (Pazarit të Ri) e të Zveçanit (Mitrovicës) bashkë me rajonet e tyre. Në perëndim shtriheshin nga brigjet e detit Adriatik dhe përfshinin në verilindje Rrafshin e Dukagjinit e Drenicën dhe në lindje rajonin e Dervenit në perëndim të Shkupit dhe atë të Mokrës në jugperëndim po të këtij qyteti.

Integrimi politik dhe organizativ i viseve të lira shqiptare në një shtet të përbashkët u pasqyrua edhe në raportet publike midis fisnikëve shqiptarë, si dhe me vendet e tjera. Ndërprerja e veprimtarisë së pavarur politike të fisnikëve shqiptarë ka gjetur shprehjen e vet edhe në dokumentet e kohës, ku emrat e tyre, me kalimin e viteve, dalin gjithnjë e më rrallë dhe, që nga fillimi i viteve 60, thuajse nuk do të përmenden më. Në dokumentet e kohës Skënderbeu del si e vetmja figurë drejtuese e jetës politike të vendit. Nga "zot" i Krujës, që përmendet në vitet 40, ai do të cilësohet më pas "zot i Arbërisë" dhe më 1464, me rastin e ardhjes së papa Piut II në Ballkan, ai do ta kurorëzonte mbret Skënderbeun. Përfshirja e të gjitha viseve të lira shqiptare në një shtet të vetëm u pasqyrua edhe në marrëdhëniet e tij me oborrin osman. Prandaj në vitin 1463 sulltan Mehmeti II nënshkroi traktat paqeje vetëm me Skënderbeun dhe ai ishte i detyrueshëm edhe për fisnikët e tjerë shqiptarë, siç dëshmojnë p.sh. mirë dokumentet e kohës që kanë shënuar pakënaqësinë e trashëgimtarëve të Gj. Arianitit për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej tij.

Rreziku i përhershëm osman mbi jetën e shqiptarëve ndikoi që, në procesin e formimit të një shteti të vetëm shqiptar në të gjitha viset e lira, të vepronin kryesisht faktorët e mirëkuptimit.

Bashkimi dhe përfaqësimi i familjeve të mëdha aristokrate shqiptare në një shtet të përbashkët u shpreh edhe në lidhjet martesore ndërmjet tyre, veçanërisht me Kastriotët, në simbolet shtetërore që lidheshin me të, si dhe në individualitetin kombëtar të tij dhe në traditën historike vendase.

Organizimi shtetëror[redakto | redakto tekstin burimor]

Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare, që u krijuan me vendimet e Kuvendit të Lezhës, qysh në fillim u ndërthurën me aparatin shtetëror administrativ, ushtarak dhe ekonomik të Kastriotëve dhe me kalimin e viteve u njësuan natyrshëm me të, sepse në krye të tyre ishte i njëjti personazh historik, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare u shfaqën me tiparet e një pushteti qendror, ndikimi i të cilit erdhi duke u forcuar gjithnjë e më tepër mbi të gjitha viset e lira shqiptare, aq sa edhe aparati administrativ dhe ekonomik i fisnikëve të tjerë shqiptarë u bënë pjesë e tij. Viset e lira shqiptare u përfshinë kështu në një administratë të vetme shtetërore, që kishte tiparet e një monarkie feudale.

Organet qendrore drejtuese, vendimmarrëse, këshillimore dhe ushtarake të shtetit shqiptar ishin: Kryetari i Shtetit, Kuvendi i Fisnikëve, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës.

Kryetari i Shtetit drejtonte të gjitha organet e mësipërme dhe qëndronte në krye të piramidës shtetërore. Për pushtetin e tij do të flitet më poshtë.

Kuvendi i Fisnikëve shqiptarë ishte institucioni më i lartë vendimmarrës i shtetit shqiptar. Si organ pushteti ai mblidhej herë pas here për çështje shumë të rëndësishme dhe që kishin të bënin kryesisht me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftë përkrah apo kundër vendeve të tjera dhe me nënshkrimin me to të traktateve të paqes. Kuvendi i Fisnikëve qëndroi si institucion deri në fund të jetës së Skënderbeut dhe nëpërmjet tij ruhej bashkimi i shqiptarëve.

Këshilli i Lartë ishte organ i përhershëm këshillimor pranë kryetarit të shtetit, që shprehte interesat e fisnikëve shqiptarë. Anëtarët e tij ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut, si Pal Engjëlli, Kont Urani, Tanush Topia, Moisi Golemi (Arianiti) etj. Këshilli i Lartë shqyrtonte çështje të rëndësishme të jetës së brendshme të shtetit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij me vendet e tjera.

Këshilli i Luftës kishte një veprimtari të kufizuar dhe mblidhej kryesisht gjatë aksioneve luftarake për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Skënderbeun. Në të bënin pjesë komandantët e reparteve ushtarake.

Krahas organeve të mësipërme, që formonin pjesën vendimmarrëse dhe drejtuese të aparatit shtetëror, vepronin edhe organe të tjera shtetërore, që merreshin më çështje organizative, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të politikës së jashtme. Aparati shtetëror ishte shtrirë në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat, si kudo në mesjetë, ishin tradicionale si ndarje krahinore e kishtare.

Emërtesat e funksionarëve e të nëpunësve të administratës shtetërore përgjithësisht ishin trashëguar prej terminologjisë së administratave shtetërore lindore (bizantine e sllave) dhe perëndimore (anzhuine e veneciane), që kishin vepruar më parë në Shqipëri. Po kështu ndodhte edhe me hierarkinë kishtare dhe aparatin administrativ të saj në Shqipëri, ku ushtronin veprimtarinë e tyre kisha katolike dhe ajo ortodokse bizantine e sllave.

Në shtetin e bashkuar shqiptar fisnikët i ruajtën deri në një farë mase të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e tyre dhe kryenin detyrën e logothetëve të dikurshëm të administratës shtetërore bizantine, duke vepruar si mëkëmbës të kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ata kishin nën varësinë e tyre aparatin administrativ e ushtark të krahinave që ishin përfshirë nën juridiksionin e tyre. Aparati administrativ i një krahine zakonisht kishte në krye një vojvodë. Nën varësinë e tij ishin: qefalitë, që ishin komandantët e garnizoneve të kështjellave, psarët, që ishin nëpunës të administratës, si dhe proniarët e krerët, të cilët si feudalë të vegjël, kishin për detyrë të vilnin taksat për vete e për pushtetin qendror dhe të shkonin në luftë.

Pranë kryetarit të shtetit, Skënderbeut, ishte edhe një aparat ekonomiko-financiar për administrimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit, që drejtohej nga protovestiari dhe ndihmësi i tij, ruajtësi i thesarit (thesaureri).

Për marrëdhëniet me vendet e tjera Skënderbeu kishte një aparat të veçantë të përbërë nga kancelarët dhe nga ambasadorët apo të ngarkuarit (oratorët). Kancelarët përpilonin në gjuhë të huaj shkresa të ndryshme, si traktate që do të nënshkruanin me vende të tjera, akte përfaqësimi për personat e ngarkuar me misione të ndryshme, diploma dhe akte publike etj. Shkresat e dala nga administrata e shtetit shqiptar, disa prej të cilave janë ruajtur në arkivat evropiane deri në ditët tona, dëshmojnë për kulturën e lartë humaniste të Skënderbeut dhe të oborrtarëve të tij. Ambasadorët dhe oratorët e tij Skënderbeu i pajiste me autorizime të veçanta dhe kështu ata kishin të drejtë ta përfaqësonin atë dhe të përfundonin e të nënshkruanin në emër të tij, si kryetar shteti, traktate të rëndësishme me mbretërit e kryetarët e shteteve të huaja. Ambasadorët dhe oratorët e Skënderbeut ishin klerikë e laikë të kulturuar, që njihnin me themel gjuhët e huaja, si latinishten, italishten, turqishten, greqishten etj.

Kryetari i Shtetit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku feudal. Titulli zyrtar i tij ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae). Në vitin 1464 Skënderbeu do të kurorëzohej mbret prej papa Piut II, një e drejtë ekskluzive kjo e kreut të kishës. Ceremonia për marrjen e skeptrit mbretëror nga Skënderbeu ishte parashikuar të organizohej me rastin e ardhjes në Shqipëri të vetë papa Piut II në krye të ushtrive evropiane, si kryekomandant i së cilës do të ishte Skënderbeu.

Të drejtat e një monarku si kryetar shteti Skënderbeu i ushtronte në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, si në marrëdhëniet me nënshtetasit e vet, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Ai ishte në krye të të gjitha strukturave të aparatit shtetëror, të cilat zbatonin urdhrat e tij. Ashtu si monarkët e tjerë të kohës së tij, Skënderbeu shpallte dekrete, si akte normative, për shpërndarjen e pronave tokësore e të pasurive të tjera personave që dalloheshin në veprimtarinë ushtarake dhe civile, për shpronësimin e atyre që dëmtonin interesat shtetërorë etj. Skënderbeu nxirrte urdhra për sistemin tatimor, regjimin e doganave dhe detyrime të tjera që, sipas së drejtës feudale, kishin nënshtetasit e tij.

Po ashtu si organet e mësipërme shtetërore vendimore, këshillimore, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera, edhe aparati gjyqësor ishte nën varësinë e kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ai ushtronte të drejtën e dënimit me burgim, me konfiskim pasurie, me gjoba etj., si dhe të faljes së nënshtetasve të vet për fajet dhe shkeljet e ligjeve.

Si një monark pushteti i Skënderbeut ishte i trashëgueshëm. Kur ai largohej nga atdheu dhe shkonte me misione të rëndësishme në vendet e tjera, meqenëse djalin e kishte të mitur, të drejtat e tij si kryetar shteti i ushtronte e shoqja, Donika. Ajo ndihmohej në kryerjen e detyrave shtetërore prej këshilltarëve të oborrit. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut dhe emigrimit në Itali të pasardhësve të tij, atyre iu ruajt e drejta e trashëgimisë për shumë kohë në Shqipëri. Kur djali i Skënderbeut, Gjoni, dhe më pas i nipi, Gjergji, arritën moshën madhore, u mirëpritën nga bashkëkombësit e tyre, si trashëgimtarë të ligjshëm, kur u rikthyen në Shqipëri dhe nisën luftën për rimëkëmbjen e shtetit të Skënderbeut. Gruaja dhe pasardhës të tij u trajtuan si familje mbretërore në oborret italiane dhe në atë spanjoll pas emigrimit nga Shqipëria.

E drejta dhe simbolet shtetërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Shteti shqiptar mbështetej mbi të drejtën feudale, që ishte një e drejtë privilegji, laike e kishtare, e një shoqërie të shtresëzuar e të diferencuar nga ana ekonomike, politike e kulturore. E drejta në Shqipëri ishte një trashëgimi historike që kishte individualitetin e vet kombëtar. Korpusi i legjislacionit të saj nuk ka ardhur i plotë deri në ditët tona. Janë ruajtur fragmente nga statutet e qyteteve shqiptare dhe kohët e fundit është zbuluar i plotë Statuti i Shkodrës. I shkruar gjatë shek. XV, ky statut na njeh me normat që rregullonin jetën e brendshme të qyteteve dhe më gjerë me organizimin e shoqërisë shqiptare gjatë epokës së Skënderbeut.

E drejta që vepronte në Shqipëri gjatë periudhës së Skënderbeut ishte e zhvilluar dhe përfshinte një varg normash në fusha të ndryshme të jetës së asaj shoqërie. Sipas tyre prona, veçanërisht ajo mbi tokën, trashëgohej në vijën mashkullore dhe, në mungesë të djemve, në vijën femërore. Kur vajza martohej, asaj i jepej si prikë një pjesë e pasurisë atërore, në para ose si prona, të cilat noterizoheshin në emër të saj. Krahas kësaj trashëgimie ligjore, njihej edhe trashëgimia me testament. Në fushën e pronësisë mbi tokën, nëpërmjet akteve normative e kontratave përcaktoheshin llojshmëria dhe sasia e detyrimeve në të holla, në prodhime në natyrë dhe në punë angari që kishin fshatarët pa tokë ndaj pronarëve, pronarët ndaj zotërve të tyre si dhe ndaj shtetit etj. Po kështu, me punëtorët dhe specialistët e mjeshtërive të ndryshme, të ndërtimit, të armëve etj., bëheshin kontrata sipërmarrjeje, ku përcaktoheshin afatet kohore të shërbimeve dhe pagesat e tyre.

Normat e së drejtës në kohën e Skënderbeut parashikonin edhe masa shtrënguese ndaj veprave penale kundër jetës, shëndetit, pasurisë dhe interesave të individëve të veçantë, të bashkësive shoqërore dhe të institucioneve shtetërore. Masat ndëshkimore ndaj veprave penale ishin të larmishme e të shkallëzuara. Personat që drejtpërdrejt ose tërthorazi dëmtonin pronën e të tjerëve, që nuk përmbushnin detyrimet ndaj zotërve të tyre dhe që braktisnin pronat e këtyre, detyroheshin të zhdëmtonin, ndryshe ndëshkoheshin edhe më rëndë.

Në kushtet e jetës së trazuar politike dhe ushtarake të Shqipërisë gjatë shek. XV parashikoheshin dënime të rënda, si shpronësime, burgime dhe dënime me vdekje ndaj personave që braktisnin luftën apo që kalonin në anën e kundërshtarëve të zotërve të tyre. Mbartësit e qëndrimeve të tilla Skënderbeu, i cili si Kryetar shteti ishte njëherazi edhe gjykatësi më i lartë i vendit, i ndëshkoi rëndë edhe kur ato u shfaqën në gjirin e familjarëve të tij. Kështu, p.sh., një nipin e vet, që u bashkua me osmanët, e burgosi, kurse një të dytë e ekzekutoi. Krahas masave ndëshkimore, njihej edhe falja e dënimit. Kur Moisi Golemi (Arianiti) u kthye i penduar pranë Skënderbeut, ky i riktheu pronat që i kishte konfiskuar Moisiut, kur u bashkua me osmanët.

Shtresëzime të legjislacionit mesjetar gjenden edhe në të drejtën dokesore shqiptare, që është një trashëgimi shumë e lashtë, ku janë ndërthurur tradita e vetorganizimit shoqëror lokal, në shkallë fshati e më gjerë, me legjislacionin shtetëror të kohës, i cili mbarte norma të trashëguara edhe nga e drejta romake dhe ajo bizantine. Prandaj e drejta dokesore njihet me emërtimin osman kanun, që do të thotë ligj. Edhe në vendet e tjera ballkanike, siç e dëshmon kodi i Stefan Dushanit, e drejta dokesore e popujve të tyre ka qenë në themel të Korpusit legjislativ shtetëror të shkruar, që sanksiononte marrëdhëniet juridike ekonomike e politike të nënshtetasve me shtetin dhe kryetarin e tij.

Disa norma të së drejtës dokesore kanë evoluar gjatë shekujve në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare. E drejta dokesore gjithnjë ka qëndruar si bosht për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve. Ajo qëndronte e vepronte në moralin dhe në jetën e shqiptarëve mbi dallimet shoqërore, mbi besimet e ndryshme fetare që ata kishin, kurse elementin jo shqiptar e drejta dokesore e përjashtonte nga një barazi e tillë. Në të nuk mungonin edhe elementë lokalë dallues, por ishin dytësorë në krahasim me normat e përbashkëta kombëtare të së drejtës dokesore. Kësaj i nënshtrohej kushdo në Shqipëri, madje edhe e drejta kishtare (kanonike), që njihej mirë për konservatorizmin e saj dhe për masat e ashpra ndëshkimore, të cilat i kërkonte të merreshin ndaj personave që shmangeshin nga normat kishtare. Nuk mungojnë dokumentet mesjetare dhe të periudhave më të vonshme që përmendin raste të shumta, kur klerikët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare, të ndodhur përballë çështjeve të tilla, zgjidhja e të cilave nuk përputhej me normat e të dy të drejtave (dokesore dhe kishtare), gjithnjë kanë respektuar e vepruar sipas së drejtës dokesore, duke shkelur atë kishtare.

Në rajone të gjera të Shqipërisë, që gjatë shek. XV kanë qenë pjesë e viseve të lira shqiptare, e drejta dokesore jo rastësisht ka arritur të njihet deri në ditët tona me emërtimet "kanuni i Skënderbeut", "kanuni i Lekë Dukagjinit" etj. Kjo dëshmon se e drejta dokesore, si një trashëgimi historike, ka qenë natyrshëm në themel të veprimtarisë shoqërore dhe të legjislacionit shtetëror të shqiptarëve gjatë shek. XV. Prandaj, edhe për këtë arsye, veprimtaria politike dhe legjislative e Skënderbeut gjeti mbështetje të gjerë shoqërore, përpos faktit që pushtimi osman u rrezikonte interesat ekonomikë e pronësorë, fetarë e kulturorë, politikë etj., të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare.

Vend të veçantë në të drejtën dokesore shqiptare kishte institucioni i besës. Besa ishte kult kombëtar aq sa ka zënë vend edhe në korrespondencën e fisnikëve shqiptarë me shtetet e huaja dhe fjala shqipe “besë” e këtij institucioni është huazuar edhe nga gjuhët e popujve fqinjë. Në një letër të vitit 1420 drejtuar Republikës së Raguzës, në vend të emrave Zot e Krisht që përdoreshin si formulë përbetimi, Gjon Kastrioti ka vënë fjalën besë: “Besa ime, e zotit Gjon, dhe e bijve të mi për çdo tregtar ... i kam dhënë besën kujtdo që vjen në tokën time në Shufada se, në rast se i bëhet ndonjë dëm ose ndonjë e keqe, ... do të paguaj unë, zoti Gjon, ose bijtë e mi”. I biri i tij, Skënderbeu, ka shkruar në vitin 1460 : “Të mbajmë besën, për mbrojtjen e së cilës kemi përballuar rreziqe të mëdha, edhe pse gjithnjë kam qenë përpara një vdekjeje të sigurt”.

Organizimi shtetëror i shoqërisë shqiptarë gjatë epokës së Skënderbeut dhe shekujve të mëparshëm të mesjetës ka qenë ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar. Pjesë e këtij korpusi legjislativ kanë qenë edhe statutet e qyteteve shqiptare, të cilat, sipas burimeve historike të kohës, kanë qenë të shkruara. Këto dëshmojnë më së miri se veprimtaria shoqërore e shtetërore në Shqipëri zhvillohej mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar.

Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut, kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Prandaj, ai mbajti si emër të dytë vetjak përgjegjësen e emrit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, që te osmanët ishte Iskander (Skënder në gjuhën shqipe). Siç e dëshmon edhe M. Barleci, emërtimet gjeografike Maqedoni dhe Epir janë përdorur në mesjetë si sinonime të emërtimit etnogjeografik Arbëri. Për më tej, krahas evokimit të lavdisë së Pirros dhe të epirotëve të lashtë (sinonim i emrit “arbër” gjatë mesjetës), Skënderbeu përdori edhe simbolet shtetërore të Pirros së Epirit (shqiponjën dhe përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhie), të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (shenja e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Simbolet dhe evokimet e mësipërme dëshmojnë për formimin e tij kulturor humanist dhe tregojnë se ai mbështetej në traditën vendase për t'i dhënë një frymë sa më kombëtare shtetit të tij dhe luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Shtetin e tij Skënderbeu e emërtoi me emrin etnogjeografik kombëtar mesjetar Arbëria (Albania) edhe pse në të u përfshi një pjesë e viseve shqiptare. Titulli zyrtar i Skënderbeut ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae), të cilin e gjejmë të shënuar në vulën e në shkresat zyrtare të tij, si dhe në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit shqiptar. Shkresat zyrtare të Skënderbeut, që njihen deri tani dhe që kanë dyllin me gjurmën e vulosjes së tyre, tregojnë se kryetari i shtetit shqiptar ka pasur dy vula zyrtare, që kishin madhësi e simbole të ndryshme.

Vula e madhe zyrtare e Skënderbeut ishte në formë rrethore me diametër 41 mm dhe perimetër afro 125 mm. Në qendër ajo kishte shqiponjën dykrenore dhe yllin me gjashtë cepa, të vendosur ndërmjet krerëve të saj. Anash vula kishte rrethin me shkronja të mëdha GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Në krye të rrethit të vulës ishte shenja e diellit me tetë rreze, që ndante fillimin dhe mbarimin e emërtimit GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Shenja e diellit me tetë rreze ka qenë simbol shtetëror i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Nën krerët e shqiponjës dhe mbi krahët e saj kishte inicialet D AL të fjalëve Dominus Albaniae. Këto iniciale të fjalëve Dominus Albaniae, që përbënin titullin zyrtar të Skënderbeut, tregonin pozitën juridike të tij (Dominus) si kryetar shteti, si dhe emrin e shtetit (Albania), ku ai ushtronte pushtetin e tij.

Vula e vogël e Skënderbeut ishte skalitur në gurin e çmuar të unazës personale të tij. Ajo kishte formë tetëkëndëshe me përmasa maksimale 9 mm gjatësi dhe 7 mm gjerësi. Simbolet e saj ishin marrë nga mitologjia e lashtë pellazgjike. Në gurin e vulës së vogël ishin skalitur dy figura të mitologjisë pellazgjike: mbretëresha Leda dhe Zeusi i Dodonës i shndërruar në mjellmë.

Si simbole më përfaqësuese për shtetin shqiptar Skënderbeu përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa, simbole këto që ishin mjaft të njohura në mjedisin shqiptar. Këto simbole ishin edhe në stemën dhe në flamurin shtetëror. Në një katolog venecian stemash është vizatuar në mes të viteve 60 të shek. XV stema e Kastriotëve, kur djali i Skënderbeut, Gjoni, mori titullin “fisnik venecian”. Gjithashtu stema ruhet e gdhendur në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstandinit, që gjyshja e tij, Donika, ia ngriti në Napoli të Italisë në vitin 1500. Shqiponja e zezë dykrenore, siç e ka treguar M. Barleci, ka qenë e vendosur edhe në qendër të flamurit të Skënderbeut që fushën e kishte të kuqe.

Shqiponja dykrenore ishte simbol i njohur shtetëror i Perandorisë Bizantine dhe i familjes së Muzakajve, që kishin krushqi me Kastriotët. Edhe Arianitët dhe Gjurashët kishin shqiponjën dykrenore si simbol të tyre. Kurse ylli me gjashtë dhe shtatë cepa ishte përdorur si simbol nga Muzakajt dhe nga Balshajt. Ylli me gjashtë cepa duhe të ketë qenë vendosur edhe ndërmjet krerëve të shqiponjës në flamurin e Skënderbeut, si një element dallues kundrejt flamurit të Perandorisë Bizantine.

Vula me shqiponjë, si simbol shtetëror i Skënderbeut, del se është përdorur për herë të parë në letra që janë shkruar gjatë mesit të viteve 50 dhe ndoshta jo rastësisht. Në të njëjtën kohë me vulën duhet të jetë përdorur edhe flamuri me fushë të kuqe dhe shqiponjën dykrenore në mes, që e ka patur Perandoria Bizantine. Nëpërmjet këtyre simboleve synohej që të shprehej uniteti i viseve të lira shqiptare dhe të tregohej se pas pushtimit të Konstandinopojës prej turqve më 1453, shqiptarët ishin forca kryesore antiosmane që luftonte në ish zotërimet e Perandorisë Bizantine. Këto simbole të reja pushteti të përdorura nga Skënderbeu pasqyrojnë procesin e krijimit të një shteti të vetëm në tokat e lira shqiptare.

Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar u bë Kruja. Ndonëse në hapësirat e këtij shteti kishte qytete të tjera më të mëdha e më të rëndësishme si qendra ekonomike, si Prizreni e Ohri, për shkak të pozicionit të vet gjeografik shumë të favorshëm Kruja u bë kryeqendra administrative e viseve të lira shqiptare. Nëpërmjet rrugëve të shumta tokësore e detare që kryqëzoheshin pranë saj, Kruja, si qendër administrative, kishte komunikimin më optimal me të gjitha viset shqiptare dhe me shtetet e huaja.

Ushtria shqiptare dhe arti i saj ushtarak[redakto | redakto tekstin burimor]

Përballimi me sukses i luftës kundër pushtuesve osmanë kërkonte në radhë të parë krijimin e një ushtrie të aftë dhe me cilësi të lartë luftarake.

Si njohës i mirë i ushtrisë osmane, i organizimit dhe i armatimit të saj, Skënderbeu, që në fillim, vuri në qendër të vëmendjes organizimin dhe fuqizimin e forcave ushtarake të vendit, që të ishin në gjendje të përballonin një kundërshtar aq të fuqishëm. Në Kuvendin e Lezhës të marsit 1444 u vendos që, me kontributin e pjesëmarrësve të tij, të krijohej një ushtri e përbashkët. Bërthamën kryesore të saj e formuan luftëtarët që i mobilizonte vetë Skënderbeu, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Në fillim forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare kishin karakter federal, sepse fisnikët shqiptarë, jashtë ushtrisë së përbashkët që ishte nën komandën e Skënderbeut, mbanin një numër jo të vogël forcash ushtarake. Këto trupa, gjatë procesit të formimit të shtetit të bashkuar shqiptar, u shkrinë me forcat e ushtrisë së përbashkët.

Masa e luftëtarëve vinte kryesisht nga radhët e fshatarësisë. Ajo mbante një qëndrim të papajtueshëm ndaj pushtetit osman dhe ishte në gatishmëri të tillë të përhershme luftarake aq sa, siç shprehej Barleci, "burrat me njërën dorë lëronin arat dhe me tjetrën mbanin shpatën". Fshatarësia u bë burim i pashtershëm forcash njerëzore për formimin e një ushtrie të madhe popullore, të fuqishme, me shpirt të lartë vetëmohimi, të panjohur në kushtet e luftërave të zakonshme feudale.

Ushtria shqiptare përbëhej nga trupat e përhershme dhe nga luftëtarë që mobilizoheshin vetëm gjatë kohës së luftës. Trupat e përhershme ishin ndarë në dy njësi kryesore. Njëra përbëhej prej 2 mijë deri 3 mijë kalorës të armatosur lehtë, të cilët stërviteshin prej Skënderbeut dhe shërbenin si gardë personale e tij. Pjesa tjetër ruante fortesat dhe kështjellat e vendit, si dhe brezin kufitar lindor. Trupat në viset kufitare lindore i komandonte Moisi Arianiti (Golemi) dhe, sipas M. Barlecit, përbëheshin nga 2 mijë kalorës dhe 1 mijë këmbësorë. Masën kryesore të ushtrisë shqiptare e formonin luftëtarët që mobilizoheshin gjatë kohës së luftës sipas parimit "burrë për shtëpi". Kur rreziku ishte tepër i madh, mobilizoheshin të gjithë banorët që mund të luftonin. Kur bëhej mobilizimi i përgjithshëm, forcat ushtarake shqiptare arrinin nga 20 mijë deri në 30 mijë luftëtarë, duke formuar një ushtri të madhe për kohën.

Komanda e ushtrisë ishte në dorën e Skënderbeut, që ishte komandant i përgjithshëm. Për t'u konsultuar gjatë veprimeve ushtarake pranë tij qëndronte Këshilli i Luftës, i përbërë nga komandantët më të shquar, të cilët zakonisht dilnin nga radhët e fisnikëve. Kishte edhe komandantë që dilnin nga radhët e njerëzve të thjeshtë, të cilët drejtonin formacionet e ndryshme luftarake, sidomos kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm.

Pjesëmarrja e gjerë e shqiptarëve në ushtrinë e Skënderbeut la gjurmët e veta në taktikën dhe armatimin e saj. Në kushtet e vendit tonë mori përhapje të gjerë lufta guerile, formë tradicionale kjo e luftës së fshatarësisë në epoka e vende të ndryshme. Ushtria shqiptare përbëhej nga kalorësia, që përgjithësisht ishte e pakoracuar, prandaj lëvizte me shpejtësi, dhe nga këmbësoria. Luftëtarët e saj përgjithësish kishin armatim të lehtë dhe nuk mbanin armatime të rënda si ato që përdoreshin në ushtrinë feudale të kohës. Skënderbeu e mbështeti strategjinë dhe taktikën ushtarake në trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të tij, në traditën luftarake të shqiptarëve, në njohjen prej tij të organizimit e të artit ushtarak të armikut etj.

Ushtria shqiptare kishte si detyrë parësore moslejimin e trupave osmane që të futeshin në thellësi të viseve të lira për të grabitur e shkatërruar vendin. Këtij qëllimi i shërbente sistemi mbrojtës i brezit kufitar, të cilit iu kushtua kujdes i veçantë. Pasi trupat osmane pushtuan Stefigradin, shqiptarët, pa vonesë, ngritën në viset lindore një bazë tjetër ushtarake e të fortifikuar, kështjellën e Modrishës. Zakonisht ushtritë armike sulmoheshin e shpartalloheshin në zonat kufitare. Kur ushtritë osmane ishin shumë të mëdha dhe nuk mund të shkatërroheshin në brezin kufitar, Skënderbeu ndërmerrte masa energjike për të përballuar zhvillimin e luftimeve në thellësi të vendit. Popullsia e paaftë për luftë largohej prej zonave që mund të shkeleshin prej ushtrive armike dhe strehohej përkohësisht nëpër vende malore e të sigurta, duke marrë me vete bagëtinë, rezervat ushqimore e sende të ndryshme. Materialet e prodhimet, që nuk mund të transportoheshin, asgjësoheshin me qëllim që trupave pushtuese t'u hiqej mundësia e përdorimit të tyre. Ndërkohë kështjellat përforcoheshin, duke i furnizuar me luftëtarë, armatime e rezerva ushqimore. Kur trupat osmane arrinin të futeshin në thellësi të vendit, luftëtarët e brezit kufitar tërhiqeshin të organizuar dhe bashkoheshin me pjesën tjetër të forcave shqiptare. Gjatë tërheqjes ata sulmonin pareshtur trupat osmane, ngadalësonin marshimin e tyre, duke u shkaktuar dëme të mëdha.

Kur arrinin të depërtonin në thellësi të vendit, synimi kryesor i trupave osmane ishte pushtimi i Krujës, që ishte kryeqendra administrative dhe ushtarake për viset e lira shqiptare. Në këto raste Skënderbeu i organizonte veprimet luftarake në mënyrë të tillë, që pesha kryesore e luftimeve të binte jo mbi mbrojtësit e kështjellës, por mbi luftëtarët që vepronin jashtë saj. Me shumicën e ushtrisë ai qëndronte jashtë kështjellës dhe organizonte me to, ditën dhe natën, sulme të pandërprera e të befasishme, që u shkaktonin dëme të rënda forcave pushtuese. Vëmendje të veçantë i kushtonte Skënderbeu edhe prerjes së rrugëve të furnizimit të armikut. Sulmoheshin karvanet që vinin nga lindja për të furnizuar ushtrinë osmane me ushqime e sende të tjera të nevojshme, si dhe ato që vinin nga drejtime të tjera. Këtë detyrë e kryenin sidomos çetat e armatosura.

Skënderbeu i kushtoi kujdes edhe organizimit të zbulimit. Zbuluesit shqiptarë gjendeshin kudo, në krahinat fqinjë, në zonën ku marshonte, qëndronte e vepronte ushtria armike dhe në qendër të Perandorisë Osmane,. Nëpërmjet tyre siguroheshin të dhëna të karakterit strategjik, operativ e taktik që kishin të bënin me kohën e ardhjes së ushtrisë armike, me madhësinë e organizimin, si dhe me lëvizjen e veprimet luftarake të saj etj. Zbuluesit i paraprinin ushtrisë shqiptare, kur kjo futej në vise të pushtuara. Ata organizoheshin në grupe, lëviznin në largësi të caktuara ndërmjet tyre dhe kontrollonin mirë terrenin për të shmangur pritat e armikut, dërgonin shpejt në drejtim të Skënderbeut informacionin e grumbulluar.

Variantet taktike që përdorte Skënderbeu për të shpartalluar ushtrinë armike ishin të larmishme e mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes me sulmin, të mësymjes së ushtrisë së rregullt me goditjen e çetave, të ndeshjeve ballore me sulmet e befasishme, duke futur në përdorim si këmbësorinë ashtu edhe kalorësinë e armatosur lehtë. Në çdo luftim Skënderbeu përpiqej ta parashikonte ecurinë e tij, sulmonte e hapte beteja në kushte që i dukeshin më të përshtatshme. Ai gërshetoi dhe përdori gjerësisht manovrën e shpejtë të forcave të veta me sulmet e befasishme mbi ushtritë armike në çdo kohë, ditën dhe natën, duke i shoqëruar këto në mënyrë të përsosur me prita e kurthe të ndryshme.

Skënderbeu kishte aftësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ai ishte në të njëjtën kohë strateg dhe ushtar, hartonte e ndryshonte në përshtatje me situatat planin e luftës, udhëhiqte ushtrinë dhe njëkohësisht luftonte edhe vetë.