Gjallica
Gjallica është mali më i lartë në rrethin e Kukësit me lartësi prej 2489 m mbi nivelin e detit. Ai ngrihet në lindje të qytetit të Kukësit, mes Malit të Koritnikut dhe atij të Kolesjanit. Lumi Lumë ka gërryer një kanion të thellë mes Malit të Koritnikut dhe Gjallicës, duke formuar Grykën e Vanave, kur në jug, Gjallica ndahet nga Mali i Kolesjanit nga një përrua që ka formuar një kanion të thellë.
Mali Gjallica është i mbuluar kryesisht me pyje ahu dhe pishe, të cilat janë aktualisht shumë të dëmtuara nga një sërë faktorësh. Gjatë viteve të regjimit komunist, pyjet e Malit Gjallica u shfrytëzuan për lëndë drusore. Dëmin më të madh për pyjet që rriteshin në shpatin perëndimor të Gjallicës e shkaktoi Uzina e Bakrit në Rexhepaj, tymi i së cilës shkatërroi të gjithë bimësinë deri në lartësinë rreth 1000m mbi nivelin e detit. Vala e dytë e shkatërrimit të pyjeve të Gjallicës ishin vitet 1990 e në vazhdim, ku banorët e zonës prenë pa kriter këto pyje, dhe zjarret e shumta dogjën pjesën më të madhe të tyre vitet e fundit. Tashmë vetëm 1/3 e pyjeve të mëparshëm gjenden në shpatet e Gjallicës. Megjithatë, Gjallica ka ende një faunë të pasur ku përfshihet ujku, dhelpra, derri i egër, baldosa, kaprolli, dhia e egër, ariu etj.
| Ky artikull nga tema Gjeografia e Shqipërisë dhe është një faqe cung. Mund të ndihmoni Vikipediën duke e përmirësuar këtë faqe. |