Halim Xhelo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Halim Xhelo (Tërbaç, 1894 - Moskë, shkurt, 1937) qe arsimtar, kaçak, organizator i Luftës së Vlorës në 1920-n, pjesëmarrësnë Lëvizjen e qershorit dhe përkrahës i qeverisë së Nolit, drejtues i gazetës "Politika" dhe "Liria Kombëtare" në Paris, veprimtar i Kominternit.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Tërbaç të Vlorës, në derën e Skëndove. Kreu shkollën e mesme në Korfuz. Mori pjesë në çetën kryengritëse të Spiro Ballkamenit më 1911. Pas Shpalljes së Pavarësisë punoi si arsimtar në fshatrat e Vlorës. Në Matogjin hapi shkollën e parë shqipe, më shtator 1913. Zhvilloi propagandë dhe veprimtari të dendur për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, ku spikati me shkrimet atdhetare.[1] Më 1915-1916 kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë u caktua mësues së bashku me Jani Mingën e Thoma Papanon me drejtor Kolë Kamsin.[2]

Dha ndihmesën e vet në krijimin e shoqërive atdhetare më 1918-1919 dhe më pas qe pjesë aktive në Luftën e Vlorës me bashkëvendasit e vet terbeçtë[1].

Më 1924 merr pjesë në Lëvizjen e qershorit, për të ikur më pas në dhjetor. Më 1927 kreu studimet për shkencat politiko – shoqërore në Universitetin e Firences. Pjesëtar aktiv i Komiteti të Çlirimit Nacional në Francë. Në vitin 1928 u caktua redaktor politik i gazetës “Liria Kombëtare”, detyrë të cilën e mbajti deri në fund. Në mërgim jetoi dhe punoi në Itali, Francë, Zvicër, Belgjikë, Greqi, Austri, Gjermani. Ishte anëtar i Partisë Komuniste Zvicerane. Kishte lidhje të ngushta me seksionin Ballkanik të Komiternit, me Gj. Dimitrovin[1].

U ftua në një takim si pjesëtar i grupit të pesë shqiptarëve, të cilët shkuan nga FrancaBashkimin Sovjetik, ata ishin: Ali Kelmendi, Sejfulla Malëshova, Koço Tashko, Llazar Fundo dhe vetë Halimi. Takimi u shtri në dy mbledhje nën drejtimin e përgjegjësit të Sekretarit Ballkanik të Kominternit, Wilhelm Pieck, njëkohësisht sekretar i Partisë Komuniste të Gjermanisë. Halim Xhelo u sëmur gjatë mbledhjes, refuzoi të vizitohej, por sëmundja iu shpejtua. Vdiq në shkurt të 1937, në varrim morën pjesë pjesëtarët e mbledhjes, e motra, Sali Hidri dhe përfaqësues të partive komuniste. Varrimi iu bë në krematoriumin e Moskës, hiri i trupit të tij mbeti në një poçe porcelani[3].

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kushtime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Petro Marko ka botuar romanin “Halimi” (1969) dhe e ka ndër personazhet kryesorë e më të dashur tek romani etnologjik “Ultimatumi” (1972), Marko i kushtoi edhe këngën "“Halim Xhelo trim, o trim”. Musa Muho ka shkruar biografinë e letrarizuar “Dritë në mjegull”, ndërsa Akademia e Shkencave, botoi monografinë “Halim Xhelo militant dhe ideolog i shquar revolucionar: studim, material e dokumente”, përgatitur nga Prof. Viron Koka, historian dhe Sazan Xhelo, i biri i Halimit (Tiranë, 1975). Është përfshirë në të gjitha botimet akademike të derisotme, ku mund të veçojmë “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH), ASHRPSSH, Tiranë, 1985, f. 1187, si dhe FESH, vëll. 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 2950[1].

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c d Habazaj A., Publicistika letrare dhe atdhetare e Halim Xhelo Tërbaçit, Tirana Observer, 18 maj 2015.
  2. ^ "Kolë Kamsi, punëtor i palodhur në lëmin e arsimit e kulturës kombëtare". 55. 21 shkurt 2013. Marrë më 11 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)[lidhje e vdekur]
  3. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 130. ISBN 978-9828-106-38-4