Hamami i Haxhi Beut në Pejë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Hamami i Haxhi Beut[redakto | redakto tekstin burimor]

Hamami i Vjetër, Hamami i Madh, Kurshumli Hamami sikurse që është i njohur nga vendasit, pejanët , përkatësisht Hamami i Haxhi Beut sipas emërit të donatorit të objektit monumental, është një ndër ndërtimet shoqëroro – publike e qyteteve të territorit etnik shqiptar i ruajtur deri në ditët tona me mjaft elemente të gjendjes fillestare, origjinale, pra në një masë dhe formë e ruan autentitetin e kohës së ndërtimit. Hamami i Haxhi Beut është një realitet, ekzemplar dhe raritet i ditëve tona.[1]

Hamamet si ndërtime publike me karakter shoqëror zinin një vend mjaft me interes dhe rëndësi në ndërtimet arkitekturale të popullit shqiptar. Faktori kohë, kushtet atmosferike, faktori njeri, transformimet e pandërprera të qyteteve shqiptare kanë ndikuar që nga këto objekte monumentale deri në ditët tona të ngeli një numër i kufizuar i tyre. Hamamet si gjini e ndërtimeve shoqërore patën një përhapje të gjërë në qytetet shqiptare gjatë sundimit osman. Koha, transformimet e dukshme dhe tejet të mëdha në kontinuitet të qyteteve shqiptare bënë që nga hamamet të ruhet një numër i kufizuar i tyre. Hamamet, banjot publike të ruajtura deri më sot edhe pse të transformuara, me elemente të humbura nga gjendje fillestare prapëseprap zënë vend meritor në trashigiminë, thesarin e kulturës, përkatësisht në ekzemplarët e vlerave të trashigimisë etnokulturale, në vlerat e kulturës materiale shqiptare.

Në territorin etnik shqiptar,[2] hamame, të ruajtura kemi në Pejë, Prizren, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Shkup, Shkodër, Elbasan, Durrës, Tiranë, Krujë, Gjirokastër, Lezhë, Delvinë, Corovodë. Ndërkaq banjo të rrënuara, të zhdukura për të cilët kemi të dhëna, dëshmojnë rrënojat e tyre, hasim në Prishtinë, Gjakovë, Rogovë të Hasit, Kaçanik, Berat, Gjirokastër etj. Hamamet ekzistuese dhe të rrënuara u ndërtuan në periudhën kohore prej shek. XV deri në shek. XIX. Për një numër banjosh kemi shënime nga gjysma e dytë e shek. XVII, nga udhëpërshkruesi Evlia Çelebi.[3] Banjot për nga mënyra e shfrytzimit, vendit të ndërtimit, skemës kompozicionale, madhsisë dhe trajtave të tyre ndahen: në publike dhe private, përkatësisht shtëpiake.[4]

Hamami i Haxhi Beut në Pejë është vepër monumentale me karakter shoqëroro- publik i ndërtuar në periudhën kur qyteti ishte në sundimin e osmanlinjëve, përkatësisht kur Peja ishte në kuadër të Sanxhakut të Dukagjinasëve (1462-1485), pra në gjysmen e dytë të shekullit XV. Donator i këti objekti monumental ishte Haxhi Beu nga Peja.[5]

Duhet cekur se Haxhi Beut ishte një ndër banorët e parë vendas shqiptar i cili e përqafoi besimin Islam. Me interes është të theksohet se me ramjen e Pejës (1462) në sundimin e osmanlinjëve, disa anëtarë të Dinastisë së Dukagjinasëve përqafojnë besimin Islam.[6] Në këtë mënyrë Dukagjinasit ruajtën pozitat, pushtetin dhe territoret e veta e në lidhje më këtë tregon dhe flet fakti i formimit të Sanxhakut të Dukagjinasëve. Pra në këtë periudhë, në fillim të formimit të sangjakut në fjalë, një numër i aristokracisë shqiptare, përkatësisht pejane duke pranuar besimin Islam u inkuadruan në aparatin shtetëror të Perandorisë Osmane. Duke përqafuar fenë dhe kulturën islame këta shqiptarë më pas luajtën rol me rëndësi në çdo aspekt, duke qenë donator të shumë veprave monumentale si të kultit, poashtu edhe të atyre laike, të karakterit shoqëror e arsimor. Duhet theksuar se në Pejë prej 174 familjeve ekzistuese nga ata 33 kaluan në besimin Islam, ndërsa 141 ishin të krishter. Në periudhën në fjalë asnjë familje në rrethinën e Pejës nuk përqafuan fenë Islame.

Në kohën e Sanxhakut të Dukagjinasëve pos Bajrakli-Qarshi Xhamisë, medresës u realizua edhe Hamami i Haxhi Beut. Këtë ndërtim monumental të karakterit publik, Haxhi Beu më pas ia bashkoi vakëfit të tij që gjendej në Manastir.[6]

Hamami si ndërtim klasik i arkitekturës islamo-shqiptare u ndërtua në mahallën e Sinan Vojvodës. Kjo ishte periudhë kur Peja kishte vetëm 18 mahalla.[6] Hamami i Vjetër i Pejës u dha në përdorim me qira. Qiraja vjetore ishte 2000 akçe.[6]

Është me interes të theksojmë se kjo banjo publike një kohë të gjatë nuk ka patur unitet, përkatësisht në afërsi direkte të realizimit nuk është ndërtuar asnjë xhami dhe atë deri në vitin 1587. Ky vit është koha e ndërtimit të Xhamisë së Hamamit. Pra në këtë mënyrë ky hamam (në gjusmën e dytë të shek.XV ) nuk formoi kompleks me vepër kulti, xhami gjë që ishte karakteristike dhe tipike për periudhën osmane . Veç se, tash për tash mund të ngel supozimi, nëse xhamia ekzistuese e njohur si Xhamia e Hamamit nuk paraqet ndonjë rindërtim, adaptim mbi themele të një xhamie më të vjetër,të periudhës së ndërtimit të hamamit të Haxhi Beut.Nëse kjo e thënë, ky sypozim nuk ka bazë atëherë Hamami i Vjetër ngel si një ndërtim i veçuar. Poashtu për ekzistimin e ndonjë vepre sakrale, xhamie më të vjetër e që i pëgjigjet kohës së banjos tani për tani nuk kemi të dhëna apo dëshmi të burimeve të kulturës materiale. Duhet cekur se hulumtime arkeologjike ende nuk janë bërë. Me fjalë të tjera ky hamam, si ekzemplar i veçant nuk lidhet me kohën e ndërtimit të xhamisë, pra të Xhamisë së Hamamit, në afërsi direkte të objektit në fjalë e që ishte karakteristike për periudhën dhe realizimet e komplekseve të këtilla në territoret etnike shqiptare.Kjo formë dhe mënyrë e të konceptuarit,të realizimeve të komplekseve ku gërshetohen, përkatësisht në afërsi direkte aplikohen ndërtimet publike, si hamamet me objekte të kultit , xhamit ishte cilësore sidomos për sistemin urbanistik osmano e që u bartën dhe u aplikuan edhe në zhvillimin urbanistik të qyteteve shqiptare. Në bazë të kësaj ky kompleks i ndërtimit del jashtë rregullave dhe principeve urbanistike osmane, me fjalë të tjera paraqet një shmangëje të normave urbanistike të zhvillimit të mahallave, qyteteve të periudhës osmane në Pejë.

Me rastin e kompleksit, hamamit në Pejë duhet zënë n’ gojë edhe disa elemente në teknikën dhe strukturën e muratimit. Nga materiali i përdorur në konstruktimin e mureve, mbulesës me qemer, në pjesën e banjos së grave si dhe në pjesët e sipërfaqeve të rrafshta nemes të kubeve të ndërtimit është përdorur materiali, rrasa e gurëve. Këto rrasa në Kosovë paraqiten në mejdanet e gurëve në rrethin e Klinës dhe atë të Malishevës, në fshatin Gllarevë në veçanti dhe njëherit edhe njihen si rrasa të Gllarevës. Pos rrasave të cekura është shfrytzuar edhe guri gelqeror nga Ilixha e Pejës si dhe të lumit Bistricë të qytetit ku edhe u realizua Hamami i Haxhi Beut.Në këtë sistem , teknikë të muratimit të banjos, janë përdorur edhe tullat karakteristike për periudhën dhe ndërtimet e kohës. Tullat janë prodhuar dhe pjekur në punëtorit dhe furrat e Pejës.

Si material lidhës është përdorur llaç gëlqereje. Nga kjo shifet se, kryemjeshtëri, ndërtuesi i objektit, ishte njohës i mirë i materialit dhe terenit vendor. Me fjalë të tjera mund të konkludohet se kryemjeshtëri dhe ndihmësit e tij ishin shqiptar vendas , që kishin përvojë të gjatë në ndërtimtari, poashtu edhe njohës solid të sistemeve konstruktivo-arkitektonike, të aplikuara në këtë realizim monumental.

Hamami i Haxhi Beut[redakto | redakto tekstin burimor]

Hamami i Vjetër, Hamami i Haxhi Beut në Pejë ka skemë të plotë funksional dhe ishte aktiv deri në dekaden e pestë të shek. XX. Banjoja publike e Pejës është “çift “ hamam-asimetrik. Në dallim nga “tek“ hamamet të cilët janë shfrytzuar nga njerëz të një gjinie ose edhe të dy gjinive (femërore dhe mashkullore ) në ditët e ndryshme ose në kohë të ndryshme të ditës, para apo pas dreke, “çift” hamamet ishin në përdorim nga burrat dhe nga gratë në mënyrë të vazhdueshme gjatë tërë ditës.[6]

Hamami i Haxhi Beut në aspektin arkitekturalo-funksional përbënë një skemë të plotë funksionale, meqë posedon të gjitha ambientet e parapara për këso ndërtime të karakterit publiko-shoqëror.[6]

Ekzemplari i banjos së qytetit në fjalë, si vepër arkitekturale në sajë të funksioneve që kryen, përbehet nga këto ambiente: ambienti i hyrjes, zhveshjes, përkatësisht pëgatitorës për larje-shatërvani; ambienti ndërmjetës, izolues-kapallëku; ambienti kryesor i djerësitjes, masazhit dhe i larjes-hamamet, banjot; ambienti i depos së ujit-hazna me furrë-qylhane si dhe kanalet e nën dyshemesë për ngrohjen e mjediseve me gazët e furrës-hipokaustit. Këto janë pjesët, mjediset kryesore që e karakterizojnë dhe e përbëjnë skemën e plotë funksionale, të këtij hamami klasik si ndërtim publiko-shoqëror, në Pejë.

Shikuar si tërësi dhe atë në aspektin e përgjithëshëm ,Hamami i Haxhi Beut veçohet me tre volumene kryesore e këto janë: volumi që krijon ambienti i përgatitjes pë larje, ambienti kryesor si dhe ambienti i depos së ujit.

Ambienti i përgatitjes për larje-shatërvani[redakto | redakto tekstin burimor]

Mjedisi i pëgatitjes për larje-shatërvani për nga sipërfaqja, volumi i brendshëm është pjesa më e madhe në gjirin e hamamit. Duhet cekur se këtë ambient e kaploi zjarri në vitin 1981.(shih. foton. 1-2,ketu vjen fotoja). Çatia si dhe pjesët të tjera të drurit, tavani dekorativ pësuan në tërësi. Sot mjedisi, përkatësisht disa elemente karakteristike të shatërvanit kanë humbur pamjen fillestare(nga personat e “ panjohur” ) gjatë një transformimi me qëllim të ndryshimit të dedikimit të ambientit. Pra, pas ndërprejes së funksionit dhe të inervenimit “profesional” edhe ato pak elemente konstruktivo-arkitekturale e funksionale të ngelura në enterier (sofaja, kamaret ) jo vetëm që humbën nga origjinaliteti, por sot as që ekzistojnë, u shkatërruan në tërësi.

Në këtë ambient klientet pajisen me invertarin e duhur për larje si nalane, peshqir etj. Në qendër të mjedisit të cekur ishte shatërvani, i cili pos rolit të paraparë, shërbente si vend për larje të peshqirëve njëherit ka edhe efektin dekorativ. Sipas shatërvanit u pagëzua edhe ambienti në fjalë. Mjedisi pos që shërbente për zhveshje dhe veshje, lozhat-sofaja-ulëset shërbenin për të pushuar, pirë çaj, biseduar para dhe pas procesit të larjes. Sofaja si element i enterierit ishte vendosur perimetralisht për rreth mureve. Elementi i cekur qe realizuar nga guri dhe tulla të lidhura me llaq gëlqereje, pra kishin strukturë të njejtë me atë të mureve të objektit. Ulësja kishte një gjërësi prej 100 cm, kurse lartësia ishte diku 50-60 cm. Mbi ulëse ishin të vendosura pllaka mermeri të rregullta. Kështu qe e shtruar edhe dyshemeja e ambientit të shatërvanit. Mjerisht ulëset dhe dyshemeja nuk janë të ruajtura, Kështu është edhe fati i kamareve, nikave, të hapurave në ballin e lozhave që shërbenin për lënien e inventarit të banjos, veçanrishtë nalanave.

Komunikimi nga jashtë me këtë ambient është bërë me anë të portës, të mbuluar me arkitra. Porta gjendej, në anën e fasades jugore. Në të dy anët e portës ka nga një dritare. Dritaret të madhësis dhe të trajtave të njejta të mbuluara me arkitra paraqiten edhe në fasadën lindore. Si në çdo hamam edhe këtu për arsye funksionale, hapjet, dritaret paraqiten vetëm në mjedisin e zhveshjes, në pjesën përgatitore të fazes së pare të larjes.

Hamami i Haxhi Beut si banjo “çift” është objek asimetrik. Në anën perendimore të mjedisit të analizuar, ambientit të burrave, por fizikisht i ndar gjendet ambienti parapërgatitor, shatërvani i grave. Për dallim nga ky i burrave, mjedisi i grave ka patur një skemë kompozicionale paksa të ndryshuar dhe dallohej nga e meshkujve.Ambienti i grave ishte në kat. Kati ka patur një zgjidhje dhe skemë kompozicionale me dedikim edhe të banimit, ku jetonte kujdestari i hamamit. Edhe ambienti i shatërvanit të grave që ishte në përdhesë kishte elemente karakteristike të dedikuara për mjedise të këtilla për çka edhe bëmë fjalë gjatë analizës së ambientit të njëjtë, pra të burrave. Edhe këtu komunikimi nga jashtë është bërë me ndihmen e portës. Porta ishte vendosur në anën perendimore të fasadës së objektit, shatërvanit. Poashtu edhe ky ambient kishte dritare. Ndërtimi, trajtat arkitekturale të këtyre të hapurave janë identike me ato të analizuara të shatërvanit të burrave.

Ambienti ndërmjetës-izolues-kapalluku[redakto | redakto tekstin burimor]

Mjedisi ndërmjetës si pjesë përbërse e hamamit ka shërbye si ndërlidhës në mes të pjesës së zhveshjes me atë djerësitjes, masazhit dhe të banjove të veçanta. Portalet kanë humbur nga autenciteti i kohës së realizimit. Ato ishin të mbuluara me harqe të thyera (ketu vjen foto 3 ). Sot disa kanë arkitra. Mjedisi ndërmjetës kishte rolin,e izolimit te nxehtësis të ambientit kryesor, nga temperatura e pjesës së shatërvanit. Natyrisht, nga mjedisi i shatërvanit me pjesën kryesore të banjos komunikohet nëpërmjet portës, e cila përherë qëndron mbyllur me një derë të rend nga druri e që mbyllet nga një peshë e varur prapa saj. Dera në fjalë ishte vendosur në portalin në mes të ambientit të zhveshjes dhe atij izolues. Kjo mënyrë e sistemit të mbylljes së përhershëm të derës, mundësonte të ruhet nxehtësia e ambientit kryesor të djerësitjes, masazhit dhe të banjove.

Si pjesë përbërse e ambientit izolues është edhe nyja sanitare dhe e pastrimit intimo-higjenik. Nyja sanitare është vendosur në të majtë të hyrjes nga ana e shatërvanit. Ndërsa kthina e pastërimit intimo-higjenik zë vend në të djathtë të hyrjes nga ambienti i zhveshjes, ngjitur në mur për faqen e brendshme të murit lindor si dhe mureve që formojnë volumenin e mjedisit izolues ku gjendet edhe hyrja. Hyrja është hapje e mbuluar me hark të thyer. Në kthinë ende në gjendje fillestare ruhet një vaskë e kohës. Vaskat e kthinave në fjalë, përnga madhësia janë më të vogla se ato të ambienteve kryesore dhe të banjove.

Për dallim nga kthina e pastrimit intimo-higjenik të mjedisit të banjos së burrave, kjo e hamamit të grave zë vend në të majtë të hyrjes së ambientit të shatërvanit kurse nyja sanitare në të djathtë. Kthina në fjalë nuk lidhet për faqet e mureve që volumenojnë me ndërtimin e ambientit izolues. Në rastin konkret ambienti izolues me anë të një porte, pjerrtas të vendosur, komunikon me kthinën e pastrimit intimo-higjenik. Faqet e brendëshme të kthinës përbëhen nga pjesa e murit konstruktiv perendimor dhe jugor i hamamit që zë vend në anën veri-perendimore si dhe muri i mbuluar me hark të thyer e të verbër që njëherit ndanë edhe mjedisin kryesor në mënyrë gjatësore nga kthina në fjalë. Edhe këtu në këtë kthinë kemi një vaskë të kohës. Poashtu këtu verehen gjurmët, në tuba qeramike ku ishin të vendosura rubinetat, pipat të ujit të nxehtë poshtë dhe të ftohët lartë.

Në ambientin kryesor të grave, kundruall harkut të verbër të lartë cekur prezantohet edhe një hark, por me këtë rast jo i verbër. Harku është i qelur. Ndërsa në anët e kundërta të harqeve të përmendura kemi edhe dy harqe të verbëta, pra gjithësejt katër elemente konstruktivo-arkitekturale të këtilla të ndërtimit. Kryemjeshtëri i objektit, qe i detyruar të bëjë një zgjidhje të këtillë ndërtimi me qëllim të arritjes së një baze katrore. Kjo formë dhe mënyrë e zgjidhjes së këtij mjedisi mundësoi kalimin në sistem konstruktimi pandantiv të mbulesës në kube. Në sistem të njëjtë ndërtimi janë realizuar edhe mbuluar dy banjo të grave.

Ambienti izolues i hamamit në stinët e dimërit ka mundur të përdorët edhe për përgatitje për larje. Sipërfaqet e ambienteve ishin të shtruara me pllaka guri , mermeri të rregulltë. Pllakat e këtyre mjediseve më nuk ekzistojnë. Ambienti izolues me kthinën e pastrimit intimo-higjenik si dhe nyja sanitare e cila poashtu gjendet në mjedisin izolues ndriçohen nga okulusët, të hapurat të rrumbullakta e që janë të vendosura në mbulesat, qemerët e tyre.

Ambienti kryesor i djerësitjes, masazhit dhe hamamet[redakto | redakto tekstin burimor]

Nga mjedisi izolues kalohet në kthinën kryesore ku klientet përgatitën për fazën përfundimtare të larjes.Ky mjedis është mjaft voluminoz (ketu vjen foto 4dhe 5). Këtu kryhet procesi i djerësitjes masazhit dhe i larjes së klientëve. Nga reliktet e përdorura dhe të nevojshme për procesin e larjes nuk ka ngelur asgjë, pos një vasko të thyer .

Mjedisi i hamamit është i mbuluar me pesë kube. Kubeja kryesore, qendron mbi sistem të ndërtimit, në trompe. Ndërtimin në këtë sistem konstruktiv kryemjeshtëri i zgjidhi me vendosjen e katër banjove, në anët këndore të mureve të ambientit në fjalë. Në këtë mënyrë nga hapsirat voluminoze me bazë këndrejta, u fitua baza aktogonale, por me zbrastësira në mes të banjove. Kryemjeshtëri i objektit monumental me ndihmen e harqeve të thyera (katër) të vendosura mes banjove e bënë urëzimin e zbrastësirave dhe mundëson kalimin në tamburin oktogonal në kalotën sverike. Në këtë mënyrë dhe sistem ndërtimi u mbulua mjedisi i kthinës kryesore të hamamit të Haxhi Beut. Kjo njëherit është edhe kubeja kryesore dhe më e madhe e hamamit, e cila dominon me madhësin dhe trajtën e vet në këtë pjesë të objektit, në hamamin e burrave. Kjo formë dhe mënyrë e konstruktimit paraqet një realizim mjaft mjeshtrorr për kohën dhe vendin ku u aplikua. Njëherit duhet cekur se, zbrastësirat që u fituan mes banjove të mbuluara me qemere paraqiten si pjesë konstruktivo-arkitelturale të ndërtimit që në mas të madhe shtojnë efektin dhe vlerën e këtij ambienti.

Banjot e zëna n’ gojë poashtu mbulohen me kube. Meqë hapsirat në banjo janë të vogla, atëher kalimi në kube është bërë në mënyrë direkte, me imitimin e harqeve të verbëta. Pos nikave, të cilët janë të vendosura në mure vertikale në formë kamare, ku është vënë kandili me vaj për ndriçim gjatë natës, nuk kemi elemente të tjera. Në mjedisin e masazhit dhe të djerësitjes, në pjesët në mes të banjove na prezantohen nga një nike.Këso elemente , pra nike kemi edhe në çdo banjo. Inventari i masazhit, vaskat, koritat si elemente të këtij ambienti më nuk ekzistojnë. Inventari i sipër cekur është marrë nga objekti dhe tani pë tani nuk kemi dijeni për fatin dhe se ku gjenden ato.

Komunikimi mes kthinës kryesore dhe të banjove, bëhet me ndihmën e portave të mbuluara me harçe të thyera. Pos dyshemes së shtruar me pllaka guri-mermeri të rregulltë, në banjon e cila gjendet në të djathtë të hyrjes, në ambientin kryesor, në sipërfaqe të tjera të mjedisit këto pllaka nuk ekzistojnë, me kohë janë hequr dhe marrë nga monumenti.

Ambienti i njëjtë i hamamit, por ai i grave dallohet me një skemë tjetër nga ky i burrave. Në një skemë kompozicionale të këtillë duhet cekur se diktoi volumi më i vogël i mjedisit të hamamit të grave. Edhe në këtë mjedis ekzistojnë të gjitha kthinat e nevojshme, veçse pos kthinës së masazhit dhe të djerrësitjes, këtu janë vetëm dy banjo të vendosura njëra pranë tjetrës dhe atë në gjërsi të hamamit të grave. Për dallim nga i burrave ky mjedis mbulohet me tri kube të realizuara në sistem të pandantivit. Pandantivet janë elemente në formë trekëndëshi sferik të ndërtuara në hapësira këndëdrejta me qëllim të fitimit, kalimit në ndërtimin e kubes. Si ambienti i banjos së burrave poashtu edhe ky i grave, ndriçohen dhe ajrosen me ndihmën e të hapurave në formë të rrumbullakët, okulusëve. Dyshemea në mjedisin e hamamit të grave është mjaft e ruajtur, është e shtruar me gur-mermer si dhe mjediset të tjera të hamamit.

Në ambientin e hamamit të grave pjesërisht janë të ruajtura sofat. Sofat në këtë hamam janë të vetmet elemente që kanë ngelur deri diku të ruajtura dhe më rëndësi për konzervimin apo restaurimin e tyre. Sofa, ulëse kemi pjesërisht në mjedisin kryesor dhe në dy banjo të grave. Ato janë të vendosura përreth mureve vertikale dhe të relizuara në teknikë dhe strukturë të njëjtë të muratimit të mureve të objektit. Ulëset janë të shtruara me pllaka mermeri (vetëm dy pllaka mermeri janë të ruajtura) të rregulluara dhe paksa të punuara të profiluara. Ulëset kanë një lartësi prej 35 cm. Kurse gjërësi prej 45cm.

Në banjo të grave janë të ruajtura dy vaska guri ku laheshin klientet, ulur mbi stola.Uji nga vaska e gurit merrej me tasa ose çupka. Eshtë me interes të cekët se në ambientin e hamamit të grave nuk e kemi elementin e nikes, ku në mbremje është vënë kandili. Si duket dhe duhet të jetë konstatim dhe konkludim i saktë se hamami i grave nuk ishte në përdorim, në funksion në orët e vona, në mbremje.Mos përdorimi i hamamit të grave në orët e vona është e vertetë dhe e logjikshme për kohën dhe rrethanat kur u ndërtua dhe ishte aktiv ky hamam.

Në mjediset kryesore të hamamit, përkatësisht në banjon veriperendimore të burave si dhe të banjos verilindore të grave ndodhej një e hapur në formë të mbulesës me hark të thyer (tani këto të qelura në gjysmën e dytë të shekullit XX janë zmadhuar dhe luajnë rolin e portave komunikuese ). Të hapurat e cekura të kohës kanë luajtur rolin komunikues,në rast nevoje) me depon e ujit. Për dallim nga të tjerat këto dy banjo ishin më të ngrohta pasi këtu në mënyrë direkte depërtonte avulli i nxehtë i ujit të kazanit të depos.

Depoja e ujit (hazna ) me furrën (qylhanën )[redakto | redakto tekstin burimor]

Depoja e ujit me furrën përbejnë ambientin e fundit të hamamit të Haxhi Beut. Mjedisi në gjërësi është sa vetë hamami. Depoja e ujit si pjesë e hamamit mbulohet me qemer cilindrik. Mbi qemer jan tri hapje në formë të rrumbullakët. Mbi nivel të bazës së depos në një lartësi prej 100 cm. ndodhet filtëri i daljes së ujit të nxehtë nga kazani. Nga ky filtër uji qarkullon nëpër tuba qeramike. Në mesin e depos së ujit ishte (tani nuk ekziston) kazani i bakrit. Për diametrin dhe thellësin e kazanit nuk kemi shënime. Kazani qe i vendosur mbi konstruksionin e furrës e cila është e mbuluar me qemer. Ajëri i nxehtë i furrës së hamamit, ngrohë ambientet me përjashtim të atij të shatërvanit dhe atë duke kaluar nëpër boshllëqe të bëra nën dyshemen e mjediseve.

Konstruksioni i dyshemes së këtyre ambienteve mbështetet mbi kollona guri dhe tullash të lidhura me llaq gëlqereje. Përmasa e shtyllave është 50 x 50 cm. Boshllëqet midis kollonave janë 45 x 45 cm. Lartësia e hipokaustit është 120 cm. Furnizimi me ujë i Hamamit të Haxhi Beut, shatërvanit, depos së ujit si duket është bërë nga depozita e shpërndarjes së qytetit si dhe nga grumbullimi i ujit të shiut që mbidhej me ndihmën e olluqeve të objektit, në fasadë dhe me ndihmën e tubave të keramikës është përcjellur në depo të ujit.

Hamami i Vjetër, Hamami i Haxhi Beut ka një bazë katërkëndëshe këndëdrejtë. Si material i ndërtimit është përdorur guri-tulla të realizuara në teknikë “opus mixtum” struktura e muratimit të përzier gur e tulla të lidhura me lloq gëlqereje si dhe “opus incertum “ , strukturë e muratimit me vetëm gur të lidhura me lloq gëlqereje si mjet lidhës. Ky muratim ka një tendencë të një rënditjeje horizontale të rregullt. Muret këndore, portalet si dhe dritaret janë të realizura me gur të mëdhenjë dhe të latuar si dhe me tulla. Kubet, qemeret, dhe harqet e thyer dhe të verbër janë të punuara me tulla e në disa raste edhe me rrasa guri.

Hamami mbulohet dhe ndriçohet nga tetë kube (shih.foton 6, 7) të konstruktuara në sistem konstruktiv të trompeve dhe të pandantiveve si dhe me mbulesë të qemerit. Me konstruksion qemeri janë të mbuluara nyjet sanitare të pastrimit intimo-higjenik si dhe depoja e ujit. Sa i përketë ambienteve të zhveshjeve, shatërvanëve si duket ishin të mbuluara me çati sepse nuk kemi hasur në elemente që në një apo tjetër mënyrë do të dëshmonin se ishin të mbuluara me kube si pjesët të tjera të hamamit.

Kubet e hamamit nuk kanë madhësi të njëjtë, por të ndryshme dhe ato me dinamikën dhe kontrastet e tyre ndikojnë në thyerjen e monotonisë të objektit dhe kështu me lojën e dritë-hijës i japin këtij ndërtimi publik një pamje monumentale dhe estetike. Poashtu edhe polikromia e materialit ndërtimor, guri i bardhë i përhimët, tulla e kuqe dhe llaqi i gëlqeres me ngjyrën e saj japin një pamje pitoreske Kurshumli Hamamit në Pejë. Kubet dhe qemeret ishin të mbuluara me mbulesë plumbi ndërsa çatia e shatërvanit me qeramidhe. Ndryshe nga jashtësira, mbrendësira e objektit ishte e lyer me suva.

Sa i përketë dekoracioneve[7] pikturale, këtu në këtë objekt nuk na paraqiten. Nga dekoracionet na prezantohen elemente plastike gurore, por në masë tejet të vogë dhe të kufizuar. Dekoracione të sipër cekura kemi në vaskat e hamamit. Pos harqeve të thyera, të cilat veçohen me trajta të bukura të realizimit, tretman të posaqëm kanë patur edhe kurorat e kubeve. Profilimet si elemente të përpunimit në masë të vogël kanë ngelur në kurorën e kubes kryesore, por aty këtu edhe në ndonjë kube tjetër të objektit.

Trajtim të veçant ka patur shatërvani, fontana e objektit. Fontana si element figurativ, funksional kishte rol dekoracioni në ambientin ekzistues. Pos trajtës të saj, fontana ishte e dekoruar me plastikë të imët dhe të mesëm, me motive floreale e që ishte cilësore për vepra me dedikime të këtilla.[8] Edhe vaskat , koritat, elemente që bënin pjesë në kthinën kryesore të hamamit pos trajtave të tyre ishin pak të profiluara dhe të përpunura me plastikë të imët dhe të mesme. Këto elememte përbërse të pjesës së masazhit ishin të realizura me motive të luleve të stilizuara, rozetave dhe të figurinave me motive gjeometrike. Vaskat e hamamit ishin të madhësive të ndryshme. Në vaska si elemente të doemosdoshme të banjos, në anën ballore si dhe në pjesët anësore paraqiten profilimet dhe dekoracionet. Edhe pse plastika në fjalë është tejët e kufizuar dhe modeste, por edhe e kuptueshme për këto ndërtime në trevat shqiptare dhe më gjërë, ajo njëherit me prezencën e saj flet për ekzistimin e këtyre elementeve në reliktet dhe detajet arkitekturale të ekzemplarit monumental në qytetin e Pejës.[9]

Trajtat arkitekturale, përmasat harmonike, qartësia dhe pastërtia e linjave e bëjnë që Hamami i Haxhi Beut të zë një ndër vendet meritore në ndërtimet monumentale publike shqiptare të periudhës së mesjetës së vonë, periudhës osmane në Pejë e më gjërë në territoret etnike shqiptare.

Në fund duhet cekur se Hamami i Madh i Pejës si dhe shumë e shumë monumente të tjera shqiptare nuk i shpetoi barbarisë serbo-sllave, por ishte në shënjeshtër të shkatërrimit dhe u dogj (shatërvani) gjatë luftës shqiptaro-serbe në vitin l999.Rrënimet, plaçkitjet dhe djegiet e monumenteve , të kulturës materiale e shpirtërore si pjesë të kulturës shqiptare dhe më gjërë nga ana e serbëve nuk është e rastit, por paraqet një vijimësi të veprimeve qysh nga shekulli XIX dhe kështu në forma dhe mënyra të ndryshme vazhdoi deri në qershorin e vitit 1999.Shkatërrimi i monumenteve si dhe të hamamit në fjalë paraqitet si një realitet i hidhur, një katrahurë e përseritur që perjetoi trashigimia etnokulturale shqiptare nga barbarët serb më së dy shekuj. Shpresojmë se kjo është hera e fundit e zhdukjes së vlerave dhe gjurmëve të kulturës shqiptare dhe atë jo vetën në Kosovë, por dhe më gjërë.[10]

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Dr. Fejaz Drançolli
  1. ^ Me inisiativë të Lidhjes Qytetare të Kosovës, Këshillit Organizativ (Reshat Nurboja, Jahja Lluka, Nexhmedin Morina, Bekë Zeka, Muhamet Dresha, Mr. Ali Sylqa, Lumturie Myftari, Rashit Gorani, Muharrem Burri, Nexhmedin Hoxha, Mahir Muhagjeri, Ruzhdi Baloku, Gjelosh Alija, Haxhi Arifi, Mr. Ismet Drançolli ) si dhe në përkrahje të institucioneve dhe të strukturave, partive politike të Kosovës u vendos (në vitin 1997 ) të merren masa mbrojtëse në revitalizimin e Hamamit të Haxhi Beut në Pejë. Bartësi i punëve studiuese në lidhje me Projektin e Revitalizimit të Hamamit të Haxhi Beut u caktua Dr.sc. Fejaz Drançolli, historian i artit, zëvëndës Aziz Shala, inxh. dipl. ark. Ndërsa anëtarë të ekipit studiues: Agim Beqiri, inxh.dipl. ndërt. , Petrit Begolli, inxh.dipl. ark. , Elvane Islami, inxh.dipl.ark. , Xhevat Goga, inxh.dipl.elek. si dhe Afrim Hajrullahu , fotograf, piktor. Xhirimi teknik arkitektural i banjos u bë nga : Merita Purini, Lendita Radoniqi, Naim Emra e Fadil Dreshaj, apsolvent në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1997 u realizua faza e pare i projektit (projekti i ka pesë faza). Finansimi u bë nga ndihma vullnetare e qytetarëve të Pejës.
  2. ^ V. S h t y l l a , Banjot e Mesjetës së vonë në Shqipëri, Monumentet, 7-8, Tiranë, 1974, 119-132
  3. ^ V. S h t y l l a, Banjot … , 119
  4. ^ V. S h t y l l a , Banjot … , 119
  5. ^ S. R I z a j , Kosova gjatë shekujëve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë, 1982, 230-242
  6. ^ a b c d e f S. R I z a j , Kosova … , 230-242
  7. ^ F. D r a n ç o l l i , Disa ndërtime arkitektonike islame të shek. XV në Prishtinë, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët ( Simpozium ndërkombëtar ) KBIK, Prishtinë, 1995, 167-174
  8. ^ F. D r a n ç o ll I rtime … , 167-174 ; J. Drançolli, Fillet e ndikimit osman në viset e banuara me shqiptarë dhe në Bosnje e Hrcegovinë, Gjurmime albanologjike-Seria e Shkencave historike, IAP, Prishtinë, 1988, 83-100
  9. ^ J. D rançoli, Fillet e ndikimit … , 97-99
  10. ^ J. Drançolli, Fillet e ndikimit … ,97-99 ; F. Drançolli, Disa ndërtime … ,167-174

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]