Haxhi Zeka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Disambig.svg Ky artkiull merrret me patriotin shqiptar Haxhi Zeka. Për persona tjerë me të njëjtin emër shiko Haxhi Zeka (kthjellim)
Haxhi Zeka

Haxhi Zeka (Haxhi Zekë Byberi, 20 dhjetor 1832 - 21 shkurt 1902) është udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë. Ishte djali i Mehmet Abedinit (Byberi) nga Shoshani dhe Zelfije Docit nga Deçani.

Jetëshkrimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi më 20 dhjetor në fshatin ShoshanMalësisë së Gjakovës[1] prej nga u shpërngul me familjen në Pejë. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës. Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish pashës.

Së bashku me Sulejman Vokshi & Kadri Bjari Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893. Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër dhunës ekonomike e politike të sunduesve osmanë. Për veprimtarinë e tij atdhetare, më 1893 u thirr ne Stamboll ku u mbajt i arrestuar deri në vitin 1896.

Më 1896-1900 u vu në krye të luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Udhëhoqi qëndresën e armatosur popuIlore që shpërtheu në Kosovë në vitin 1897 dhe themeloi "Besëlidhjen shqiptare"(1897). Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës që themeloi Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj. Në prill-maj 1899 mori masat për thirrjen e një Kuvendi tjetër të përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare mbajtja e të cilit u pengua nga Porta e Lartë. Pa marrë parasysh kundërshtimet e Stambollit dhe pengesat e Fuqive të Mëdha e të qarqeve shoviniste fqinje, Haxhi Zeka i vazhdoi përpjekjet për forcimin e Lidhjes gjatë gjithë vint 1900 derisa ushtria osmane e shtypi atë.

21 shkurt 1902 Haxhi Zeka u vra në Pejë pabesisht nga Adem Zajmi, një agjent i vënë nga qarqet shoviniste serbe, që patën edhe përkrahjen e autoritete osmane.[2]

References[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Gjergj Fishta: The Highland Lute, S. 472–, I.B.Tauris 3 Mars 2006, ISBN 978-1-84511-118-2 (Lexuar më 29 Nëntor 2012)
  2. ^ Bep Jubani et al., Historia e popullit shqiptar: për shkollat e mesme (Libri Shkollor: Prishtinë, 2002) 182-185.