Historia e Shkodrës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Rruga Franc Ferdinand

Shkodra e lashtë (greqishtja e vjetër Σκόδρα, latinisht: Scodra) ishte një qytet antik në Iliri, në vendin ku bashkohet Driloni (tani Drinit) dhe Barbanës (Buna), në territorin e Shqipërisë së sotme, rreth 4 kilometra në jugperëndim të qendrës së qytetit të sotëm Shkodra.

Lashtësia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fushën poshtë Kalasë së mëvonshme të Rozafës. Qyteti u themelua nga ilirët në mesin e shekullit të 4 p.e.s. në kohën e Mbretërisë Ilire e sunduar nga dinastia e ardianëve (wd) kur ishte një nga vendbanimet e saj të rëndësishme. Pasi ra nën sundimin romak, mbijetoi si qytet ilir deri në shpopullimin e saj.[1] [2]

Zona përreth vendit ku ndodhet sot qyteti ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Objektet e gjetura gjenden në muzeumin e qytetit, në atë të Tiranës dhe në muzetë e Evropës.[3] Rrëzë kodrave të Tepes, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga Bronxi i hershëm (3000-2000 p.k). Në shekullin V-IV p.K. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Në mesin e shekullit të tretë p.k. përmendet si kryeqendra e Mbretërisë iliredinastisë së ardianëve. Mbretëresha Teuta dhe mbretërit Agron e Genti janë figurat më të përmendura të kësaj periudhe.[4][5]

Scodra ishte qyteti antik më i mirëmbrojtur (arx munitissima) dhe më i vështiri për t'u pushtuar (difficilis aditu) nga të tëra fortifikatat e fisit të labeatëvde. Ishte një pozicion i fortifikuar në mënyrë natyrale (munitum situ naturali oppidum), i rrethuar nga mure me pirgje mbi portat (portarumque turres).[6] Më 168 p.K. pretori romak Anicius ngadhënjeu mbi ilirët dhe pushtoi Shkodrën.[7] Pas rënies nën sundimin romak, u bë ndër kryevendet jugore të provincës së Dalmacisë. Me reformat e Perandorit Dioklecian, Shkodra u bë qendra e Prevalit (lat. Prevaelis).[6] Nga 395 AD, ishte pjesë e Dioqezës së Dakisë dhe me t'u ndarë në dyshë Perandoria Romake, prej atëherë kaloi me Perandorinë Romake të Lindjes.[8]

Mesjeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

De Administrando Imperio përshkruan se si Perandori Bizantin Herakliu (610-641) i dha serbëve një territor në këtë zonë gjatë gjysmës së parë të shekullit të 7të. Pjesa më jugore e pjesëve detare të Principatës Serbe, në Diokle, përfshinte edhe krahinën e Shkodrës. Pas vdekjes së Princit Časlav (r. 927-960), shteti u shpërbë, me Dioklenë që zotëronte pjesën më të madhe të tij. Car Samueli i Bullgarëve më 997 e pushtoi këtë krahinë bashkë me Thesalinë, Epirin dhe Maqedoninë. Në fillim të shek. XI, Jovan Vladimiri sundoi Dioklenë gjatë kohës kur Samueli dhe Perandorit Bizantin Basil lI. Më vonë u detyrua të pranonte të qëndronte nën vasalitetin bullgar. Prej kësaj kohe Shingjoni kremtohet nga ortodoksët shqiptarë.

Më 1030 Stefan Vojislav dëboi Theophilos Erotikos, strategun e mbramë, dhe mposhti bizantinët më 1042. Stefan Vojislav përzgjodhi Shkodrën si kryeqendër të vetën.[9] Ndërsyen kishën latine kundër grekes, dhe kësodore ipeshkvinjtë e qytetit u mvarën prej Argjipeshkvisë së re të Tivarit. Kur kryqtarët frëng e përshkuan më 1096, mbreti Bodin i mirëpriti. Perandorët e familjes së Komnenëve e përtërinë zotërimin bizantin në krahinë, por e borën me vdekjen e Manuelit më 1180.[6]

Pas përpjekjeve trashëgimore të shekullit të 12të, Shkodra u bë pjesë e provincës së Zetës të Nemanjiqve. I mbrami që u përpoq për ta përtëri sundimin bizantin në krahinë qe Despoti i Epirit Mhilli I më 1215. Ky ia shkëputi Shkodrën të birit të Nemanjës

Më 1330 Stefan Uroshi caktoi të birin Stefan Dushanin si guvernator të Zetës me selinë në Shkodër. Në të njëjtin vit Dushani dhe i ati patën përçarje, gjë që çoi në shkatërrimin e oborrit të Dushanit buzë Drinasës nga i ati në janar të 1331. Në prill bënë një armëpushim, por në gusht të 1331 Dushani shkoi nga Shkodra në Nerodime dhe e përmbysi të atin.

Shiko për më tepër: Arbëria Venedikase; Shkodra në Lidhjet Tregtare me Trevat e Tjera në Shekujt XIV - XV; Luftrat arbro-venedikase

Me rënien e Perandorisë Serbe, Shkodra u zotërua nga Balshajt. Pas humbjes së betejës të Savrës, Balsha II ia dorëzoi qytetin Shahinit (kephalia,[10] capitaneus turcorum)[6] deri kur prania osmane në këto vise u vënit dhe trysnia venedikase u shtua.[10] Në dhjetor të 1395 dërgoi doktorin në teologji, fra Nicolò de Samaxiis nga Shkodra, bashkë me dy shoqërues të cilët përpara Senatit të Venedikut kumtuan ofertën e Balshës për t'u dorëzuar zotërimet e tyre: Shkodrën, Drishtin, Danjën, Shasin dhe Shirqin; Venediku i mori në zotërim më 14 prill 1396 dhe proveditorët morën në dorëzim qytetin me 20 prill.[11] Përgjatë pranisë së venedikasve, por sipas gjasave edhe para ardhjes së Balshajve, zbatohej kodi ligjor i njohur si Statutet e Shkodrës.[12][13] Republika e Shën Markut përfaqësohej nga një capitaneus et comes. Më 1399 plasi një kryengritje e madhe kundra Venedikut që pati si përfundim fitimin e disa të drejtave, mbasi gjyqi i paqit, gjyqi civil dhe penal, administrata bashkiake ishin në dorë të Senatit dhe të gjyqtarëve vendas simbas zakoneve të vendit; në këtë këshillë merrshin pjesë pesë vetë nga vegjëlia dhe pesë nga paria. Sundimtari venedikas kishte përbri edhe një përkthyes. Të hyrat asokohe ishin të pakta: dogana, koncesionet e dajlanavet dhe taksat nga pronarët, ndërsa shpenzimet ishin ma të mëdha për të përballue forcimet, me mbajtë ushtrinë dhe pagesa "për një politikë afrimi kundrejt princave të vogjël të vendit". Në këtë kohë Shirqi ishte skela e Shkodrës prej kah eksportoheshin landë ndërtimi, lëkura, peshk i thatë, sidomos saraga, putarga dhe ngjala të kripura.[14] Serbët u përpoqën më kot ta shtinin në dorë qytetin. E rrethuan dy herë Shkodrën, njëherë në fund të 1421 nën Despotin Stefan Lazareviç dhe herën e dytë më 1422 nën Despotin e mbasandej nën komandantin Mazarak, derisa Niccolò Cappello, që qëndronte pranë Shirqit, i dëboi serbët në një sulm vendimtar në Danjë një natë dhjetori.

Më 1448 shkodranët mvartës të venedikasve luftojnë kundër Skënderbeut.[15]

Me rënien e mbretërive të krishtera të Serbisë, Bosnies dhe Arbërisë, turqit iu afruan kësaj krahine edhe njëherë. Më 1474 Bejlerbeu i Rumelisë, Sulejmani, rrethoi Shkodrën, por qyteti u mbrojt trimërisht nga Antonio Loredano dhe 2500 ushtarë, me ndihmën e anijeve venedikase në Bunë dhe në det, e me ndihmën e Cërnojeviqit zetas dhe malësorëve arbërorë. Rrethimi i dytë më 1478 , i radhitur prej priftit Marinus Barletius në latinishte, u drejtua personalisht nga Mehmet Ngadhënjyesi. Venedikasit mbrojtën heroikisht, por u detyruan të evakuoheshin pas marrëveshjes së paqes në Stamboll më 1479. Prej 1600 ushtarëve, vetëm 450 ndejtën. Popullata që u largua, nën prijësin e tyre Florio Jonimën, u vendosën në Venecie, Ravena dhe Treviso.[6]

Periudha Osmane[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me traktatin e Kostandinopojës Republika e Venedikut ia lëshoi qytetin Perandorisë Osmane. U bë qendër e sanxhakut më 1485, pjesë e Elajetit të Rumelisë.

Qyteti nis të lulëzojë përsëri me stabilitetin e garantuar nga Bushatllinjtë.[16] Tregtia lulëzoi përmes limanit lumor të Obotit dhe bashkëpunimin me Ulqinin në rrugë detare, duke u bërë kësodore qendra ekonomike e trevave veriore shqiptare. Më 1832 periudha e pashallëkut të këtij oxhaku mbaroi. Më 1835 u çua kryengritja vendore kundër Tanzimatit, e kryesuar nga Hamz agë Kazazi.

Lufta Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tubimi i 6-mujorshit të pavarësisë, i festuar nga shkodranët në Kalà, ku Át Vinçenc Prennushi mbajti fjalimin e tij.

Deri në muajin prill 1913 Shkodra ishte i vetmi bastion i mbetur i Perandorisë Osmane në Ballkanin Perëndimor. Pas armëpushimit të nënshkruar më 16 prill 1913 mes Perandorisë Osmane dhe Aleatëve Ballkanikë, Mali i Zi ra në ujdi që t'ia dorëzojë qytetin Fuqive të mëdha, më 7 maj 1913 guvernatori malazez u takua në Shëngjin me nënadmiralin britanik Burney. Në dukje ekzistonte vullneti i mirë për marrëveshje, por atë datë në mbrëmje pazari i qytetit kapet flakë[17] dhe dugaja të shumta u vodhën.[18] Më 14 maj trupat malazeze që ishin në qytet u evakuuan. Komisioni i admiralëve të flotës ndërkombëtare që përfaqësonin Fuqitë e Mëdha e mori në dorëzim Shkodrën më 14 maj 1913 në ora 2.30 pasdreke.[17] Më vonë Shkodra iu dorëzua fuqive tokësore ndërkombëtare, me përjashtim të Rusisë, të cilat u vunë nën komandën e kolonelit britanik, Filips. Këta ngritën një administratë me nëpunës shqiptarë. Në qytet e krahinë hapur dhe në mënyrë të nënrrogoztë bëhej propaganda nga njëra anë për ndikimin e Esat pashës, nga tjetra xhonturqit.[19]

Më 1914 elementet fetare të qytetit e krahinës shkojnë në Durrës për të njohur Princ Vidin.

Mbas fillimit të Luftës Botërore fuqitë ndërkombëtare u tërhoqën prej Shkodre dhe qytetin ia dorëzuan një komisioni prej 12 vetësh, të përbërë nga 6 katolikë dhe 6 myslimanë. Me largimin e Vidit shumica e madhe e patriotëve u grumbulluan dhe gjetën strehim në Shkodër. Komisioni qëndroi në krye të administratës deri më 15 korrik 1915, kur Mali i Zi hyri në Shkodër për të dytën herë. Komisioni ka administruar qytetin dhe rrethet. Ka qenë pa kryesi dhe ndër akte, nënshkrimi vihej: “Komisioni i Shkodrës”.[19]

Më 23 janar 1916 ushtria austro-hungareze hyri në Shkodër. Vjena solli në Shqipëri korpusin e XIX, të përbërë prej tre divizionesh. Administrimin u kontrollua nga Komisari Civil August Ritter von Kral nën kujdesin e të cilit u hapën Komisia Letrare Shqipe dhe drejtoritë e përgjithshme të financave, arsimit dhe drejtësisë në hapësirën territoriale gjer në vijën grykëderdhja e Vjosës-Skrapar-Prespë. Në mars të 1916 qytetit i bëri vizitë zyrtare Arkiduka Karl Salvator i Habsburgve.

Gjatë punimeve të Kongresit të Durrësit qytetin e përfaqësoi Riza Dani, Ndoc Çoba dhe Luigj Gurakuqi (edhe si mëkëmbës i Prenk Pashës). Propozimi i bërë nga Mustafa Kruja që qyteti të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë u shënua në procesverbalet e mbledhjeve.[20]

Shteti shqiptar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 11 mars 1920, sipas një marrëveshjeje mes qeverisë së Tiranës dhe komandës së trupave franceze, xhandarmëria shqiptare mori në dorëzim qytetin ku ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu dhe ministri i Drejtësisë, Hoxha Kadriu u pritën me ngazëllim nga popullsia.[21]

Në verën e 1920 qyteti qe i përfshirë në mënyrë të dyanshme në Luftën e Koplikut, me ndihmat e organizuara nga Musa Juka dhe pjesëmarrja e Sylço bej Bushatit nga krahu i shtetit shqiptar. Nga ana tjetër të radhitur me çetat malazeze dhe disa vullnetarë shqiptarë me në krye Luk Lukajn merrte pjesë Alush agë Lohja.[18]

Më 1921 ngjau kryengritja e Republikës së Mirditës u kryesua nga Marka Gjoni kundër qeverisë së Tiranës. Shkodra mori pjesë vullnetarisht për shuarjen e saj. Më 1926 shpërtheu Kryengritja e Dukagjinit, për të cilën Dom Gjon Gàzulli u var në qytet me 4 mars 1927.

Pushtimi italian dhe gjerman[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas urdhërit të luftës të Mbretit Zog I, me pushtimin italian të Shqipërisë, sektori mbrojtës Milot-Shkodër komandohej nga komandanti nënkolonel Mehmet Kyçyk Ullagaj. Në përpjekjet me pushtuesit në këtë sektor, ra dëshmor Tonç Toma.[22] Më 12 prill 1939 u hapën punimet e Asamblesë së mbledhur pak ditë pas pushtimit, ku Shkodrën e përfaqësuan Gjon Marka Gjoni, P. Anton Harapi, Dom Mikel Koliqi, Ndoc Pistulli, Ndrek Kaçulini, Nush Topalli, Kolë Bibë Mirakaj, Zef Boriçi, Mark Kakarriqi, Kolec Deda, Ymer Kopliku, Abdyl beg Gramshi, Shaqir Omari, Omer Rushdi, Daut Gjylbegu, Zenel Broja, Halit Rroji, Kolë Thaçi, Terenc Toçi, Sandër Saraçi, Taip Drishti dhe një shkodran si përfaqësues i Tiranës ishte Zef Kadarja. Ndër 42 delegatët që më 14 prill shkuan në Romë t'i jepnin Kurorën Mbretërore të Shqipërisë Mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III ishin: N. Pistulli, Y. Kopliku, Z. Boriçi, M. Kakarriqi, K. Mirakaj dhe Z. Kadarja.[23] Në aksionet e min. të Brendshëm Xhaferr Deva, sipas burimeve gjermane, kreu 35 arrestime, duke asgjësuar një pjesë të mirë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në qytet.[24]

Regjimi komunist[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tërheqja e trupave gjermane nga Shkodra përbën një debat të gjithmonshëm për arsye instrumentalizimi politik të historisë. Për historiani ushtarak Marenglen Kasmi,[25] historianin Kastriot Dervishi, sipas dëshmive të Át Zef Pllumit dhe mjaft burimeve tjera, gjermanët ikën nga Shkodra në datat 28-29 dhe partizanët hynë në Shkodër më 29 nëntor pa luftë[26] të prirë nga Gjovalin Luka.[27] Në fundin e vitit 1944 në Shkodër u formua Divizioni VI Sulmues i drejtuar nga Gjin Marku që do t'i bashkohej divizioni i Rrahman Perllakut për të shkuar në Kosovë.[28] Me zënien e qytetit nga partizanët, hynë edhe partizanë jugosllavë, të cilët nisën rrëmbimin e mallrave dhe zbrazjen e dyqaneve.[29]

Duke filluar nga nëntori 1944, në qytet u aplikua një represion i egër, i cili gradualisht e privoi atë nga primati moral, kulturor, ekonomik dhe demografik i tij në shtetin shqiptar, duke grabitur nga ky qytet, arkivat, bibliotekat, veprat e artit, transformuar apo asgjësuar institucionet e krijuara për shekuj. Qasja e regjimit të ri mëtoi t´ìa çrrënjoste qytetit prirjet politike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia tradicionale. U përndoqën personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i shndërruar sipas ideologjisë së re. U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij.

Balli Kombëtar me qarkomandant major Gjergj Vatën,[30] e kolonelin Luigj Mikelin (të vendosur më 1944) u thye keqas mbas 2 vjetëve luftë civile mes Ballit e Komunistëve.

Lëvizja antikomuniste në Liceun e Shkodrës e cila e ka zanafillën që nga periudha e Luftës, vazhdoi edhe më pas nga viti 1945 e deri në 1953 kur u arrestuan dhe pjesëtarët e grupit "Përpjekja shqiptare".[31]

Tërmeti i vitit 1979 rrënoi një pjesë të madhe të Shkodrës. Enver Hoxha dhe qeveria komuniste organizuar aksion për rindërtimin e qytetit dhe kur kjo u arrit pas disa muajsh, qyteti u shpall Hero i Punës Socialiste.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Oliver Gilkes: Albania: An archaeological guide. London; New York: I. B. Tauris. 2013, fq. 272
  2. ^ Neritan Ceka: The Illyrians to the Albanians. Tirana: Migjeni. 2013, fq. 171
  3. ^ Historia dhe të dhëna gjeografike
  4. ^ Polibi
  5. ^ Tit Livi
  6. ^ a b c d e Thalloczy, Lajos (2004) [1917]. Vëzhgime iliro-shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 114. ISBN 99927-56-34-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Lucius Florus, Historia e Romës, përktheu J. Davies, Londër 1672.
  8. ^ Rrota, Justin (2010) [1963]. Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër ase Rrethimi i Qytetit 1912-1913. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 21. ISBN 9789995678371. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ Fine 1991, p. 206
  10. ^ a b İnalcık, Halil (1995). From empire to republic: essays on Ottoman and Turkish social history. Isis Press. fq. 75. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ Gelchich, Giuseppe (2009) [1899]. Zeta dhe Dinastia e Balshajve. Përkthyer nga Laura Leka. Tiranë: 55. fq. 202–207. ISBN 9789994356539. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Anamali S., Prifti K., Historia e popullit shqiptar në katër vëllime. Botimet Toena, 2002, ISBN 99927-1-622-3 ff. 231-232
  13. ^ Nadin L., Statuti di Scutari: della prima meta del secolo XIV con le addizioni fino al 1469 / Statutet e Shkodrës: në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469. Tirana: Onufri, 2012.
  14. ^ Sheldija Gj., Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës dhe Dioqezat Sufragane Arkivuar 3 mars 2016 tek Wayback Machine, Shkodër, 1957-'58.
  15. ^ Schmitt, Oliver J. (2001). Das venezianische Albanien (1392–1479). München: R. Oldenbourg Verlag GmbH. fq. 490. ISBN 3-486-56569-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  16. ^ Toksöz, Meltem (2014). Kolluoglu, Biray (red.). Cities of the Mediterranean: From the Ottomans to the Present Day. I.B.Tauris. fq. 120–121. ISBN 978-1-84885-127-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  17. ^ a b Gurakuqi, Romeo (2000). "Vendosja e kontrollit ndërkombëtar në Shkodër, maj 1913-dhjetor 1913. (sipas dokumenteve të Public Record Office)". Phoenix. 3–6: 115–131. Arkivuar nga origjinali më 20 prill 2019. Marrë më 20 prill 2019. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  18. ^ a b Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. I. Shkodër: Idromeno. fq. 469–477. OCLC 41096394. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  19. ^ a b Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 124–126. ISBN 9789928140548. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  20. ^ Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë: Instituti i Historisë. fq. 289, 297. ISBN 9789995610043. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  21. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Tiranë: IDK. fq. 456. ISBN 99927-780-6-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  22. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 20, 22. ISBN 9789928440358. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  23. ^ Juka 2018, p. 29, 32.
  24. ^ Kasmi, Marenglen (4 shkurt 2016). "Masakra e 4 shkurtit '44 në dokumentet gjermane". Dita. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  25. ^ Kasmi M., Historiani Marenglen Kasmi: Çfarë zbulova në arkivat e “Bundesarchiv” në Berlin, intervistuar nga Roland Qafoku, Gazeta Shqiptare, 12 maj 2015.
  26. ^ Dervishi, Kastriot (30 nëntor 2017). "1944, partizanët hynë në Shkodër për të plaçkitur". politiko.al. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  27. ^ Luka A., Babai im, Gjovalini, komandanti që hyri i pari në Shkodrën e çliruar me 29 nëntor, intervistuar nga Musa Kurtulaj, tesheshi.com, 29 nëntor 2015.
  28. ^ Rama H. & Cami S., Rrahman Perllaku, Tiranë: Botime M&B, 2014. fq. 257. ISBN 978-9928-172-24-2
  29. ^ Marko, Petro (2000). Intervistë me vetveten. Tiranë: OMSCA. fq. 442–443. ISBN 99927-40-33-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  30. ^ Vatajt nga Temali
  31. ^ "Kujton Ahmet Bushati". Arkivuar nga origjinali më 19 dhjetor 2011. Marrë më 20 prill 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)