Historiku i Teatrit Kombëtar te Operas dhe Baletit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

I vendosur në qendër të sheshit “Skënderbej” në anën e djathtë të ndërtesës së cilës i ka ngelur ende emri Pallati i Kulturës, aty ku shumëkush kur kalon sheshit lexon: OPERA, aty është ai: Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është nderi i sheshit, tok me të Biblioteka Kombëtare dhe Muzeun Historik.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është podjumi i talentit dhe artistit shqiptar së pari, ku i hapet rrugë vrullit të ndjenjës dhe kapërthimit të melodisë, ku njeriu jeton sekondën, minutën dhe orët, jo me ritmin njerëzor po me atë të një përmase jashtëtokësore, të muzikës e të tingujve rrëmbyes që të rrokin jashtë përmasës së zakontë.

Ai është padiskutim, një nga kartvizitat më prezantues të vendit. Orkestra, kori, baleti, solistët të gjithë sëbashku, formojnë Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, këtë institucion madhështor, hijerëndë e paqeplotë; këtë institucion që thëthin forca e vullnete të pazakonta, Ai mbetet prona e Artistëve Eminentë që nuk i munguan skenës së tij, Shtëpia e Talentit, skena ku ndodh magjia sa herë skena hapet…

Arritja deri tek krijimi i Teatrit Operistik është një datë e shënuar e historisë dhe artit kombëtar, një ngjarje historike e elites së vendit, pasi tregoi se ish tashmë i kultivuar dhe i qytetëruar, me po të njëjtat shije e kahje si të popujve të qytetëruar, paçka se rrethana historike ndikuan që data e krijimit të këtij teatri, të shtyhet në kohë, por të mos mënojë. Në këtë udhë, nuk jemi as të parët e as të fundit, sepse këtu ka rëndësi primare akti e pastaj koha.

Krijimi dhe fillimi i punës është i rëndësishëm, por jo gjithçka. Ngritja dhe ecja në rrugën e nisur, është pjesa tjetër e gjithçkaje. Teatri Operistik filloi punën në godinën që sot mban emrin Teatri Kombëtar – aso kohe Teatri “Kosova”. Të dalë nga lufta gjysëm të shkatërruar dhe me relike ndërtesash fare të pakta nga e kaluara, sigurisht që në kohën e pritshme të ndryshimeve të mëdha të propaganduara nga pushteti dhe të një pune vetmohuese për rindërtim, nuk mund të gjendesh më mirë se kjo ndërtesë, që u bë shtëpia e madh e artit, pasi strehoi Teatrin Dramatik, Filarmoninë e Shtetit dhe pak më pas Teatrin Operistik, të gjitha struktura artistike në embrion, që ende nuk mund të quheshin sit ë formuara strukturisht nën emrin që mbanin.

Shfaqja e parë operistike nën çatinë e kësaj shtëpie bujare është opera “Rusalka” e kompozitorit A.S.Dargomizhskij dhe mban datën 28 Nëntor 1953, datë që simbolizon lindjen e Teatrit Operistik në Shqipëri.

Por, ky amalgam institucionesh, të përmbledhura nën këtë çati nuk mund të vazhdonte gjatë. Foshanjat e porsalindura kishin filluar të shndërroheshin në fëmijë që kërkonin të ecnin me këmbët e tyre. Prandaj, Teatri i Operas dhe i Baletit u shpërngul në godinën që sot mban emrin Akademia e Arteve, më 1958 dhe pak vite më vonë, ftoi në gjirin e saj, Konservatorin Shtetëror që u ngrit për të ushqyer institucionin mëmë.

Kjo godinë shumë shpejt fitoi lavdinë e merituar, duke pritur spektatorë të shumtë, që nga shfaqja në shfaqje e bënin të pamundur t'I përmblidhte të tërë. Në këtë godinë, u realizuan të parat vepra të plota operistike e të baletit të muzikës shqiptare si “Mrika”, “Halili dhe Hajria”, etj.

Zhvillimi i shpejtë i artit dhe i forcave artistike, në periudhën 1958 – 1965, kur u duk se “demokracitë” socialiste po zhvilloheshin në rrugë të mbarë edhe në art solli një frymë të mirë angazhimi, si për krijuesit ashtu edhe për interpretuesit. Ligjet e çensurimit dhe propaganda nuk dukeshin fort të rrepta kur flitej për art e kulturë.

E pra, prandaj nuk është e rastit dhe nuk quhej e jashtëzakontë që në mbrëmjet dhe shfaqjet e repertorit e aq më tepër të premierave në Teatrin e Operas, spektatori të shfaqjes nën një veshje elegante dhe sqimatare për kohën.

Ky zhvillim solli dhe premisat e krijimit të një qëndre të re e të madhe kulture (edhe kjo një influencë e vendeve lindore), e cila të përmblidhte në një ndërtesë disa institucione bashkë: Teatrin e Operas dhe Baletit, Bibliotekën Kombëtare dhe Qendrën e Kulturës më 1966. Sigurisht që për Teatrin e Operas kjo ishte një ngjarje e madhe, sepse i solli atij edhe petkun e tij normal, shtëpinë, e cila përmblodhi dhe përmbaledh edhe sot, pjesën më të madhe e më të mirë të forcave artistike të fushës së artit skenik muzikor e koreografik.

Në vitet e mëpasme, deri në rënien e shtetit monist, takojmë fatkeqësisht fenomene krej inversive nga ato që sollën themelimin dhe krijimin e Teatrit Operistik. Dhe kështu, nga një ekuilibër real i repertorit klasik me atë kombëtar, në favor të të parit por pa denigruar dhe madje duke stimuluar progresivisht atë vendas, u kalua për vite me rradhë në absurditet dhe agresivitet ndaj repertorit botëror; pra të një mbyllje të këtij repertori gati në shifrën zero, rast unikal edhe në gjithë botën lindore, me përjashtim të Kinës së revolucionit kulturor, prej nga u frymëzua.

Pati edhe vite krejt të ndryshme, si vitete: 1971-1973, kur përpjekjet e artistëve dhe të drejtuesve, shkonin në kahje të kundërt me atë që inspironte sistemi. Të gjitha përpjekje sollën që në këtë kohë të bëheshin sprova për të sjellë përpara publikut vepra larg skematizmit rutinor, rivënie dhe trajtime të repertorit botëror me sens bashkohor dhe përgjithësisht dëshirën për përqasjen e Teatrit tonë me rrjedhat europiane të artit skenik, përpjekje që nga sistemi u konsideruan si dekadente dhe tepër të rrezikshme ideologjikisht dhe sollën ndëshkime të rënda për drejtuesit e atëhershëm, artistët dhe familjet që ata mbanin mbi supe. Ndëshkimet e herëpashershme të artistëve përmes dëbimeve, riedukimit dhe në disa raste burgosja me mbi dhjetëvjeçarë, janë një kapitull që dëshmon egërsinë e pakufi ndaj individit por edhe desidencën që shfaqej përmes rrezikut të vetëflijimit.

Në vitet 1991-2007, pas rënies së sistemit të atrofizuar, monist, tendenca drejt ristabilizimit të raportit klasik – kombëtar ishte në rend të ditës. Krahas kësaj, u bënë dhe u aprovuan një sërë ligjesh dhe rregulloresh të cilat po mundoheshin të futnin Teatrin në rrugë të re dhe jo të parrezikshme për momentin të një tranzicioni të domosdoshëm për t“u përballuar. Artistëve, të ndodhur në kushtet e një ndryshimi drastik financiar dhe social, s'i ngelej tjetër veçse mbijetesa ose largimi. Pas eksodeve të viteve 90-91, në teatër ndihej një mungesë e theksuar artistësh, jetë artistike e varfër dhe vakum shpirtëror, pasojë e kaosit total që po kalonte vendi. Por ringritja e shtetit shqiptar, vullneti i artitëve dhe dëshira e tyre për të mbijetuar dhanë frute. Pak nga pak, u arrit që të rikuperohej një pjesë e mirë e repertorit të huaj. Për herë të parë, operat u kënduan në gjuhën origjinale. Hapja dhe kërkesa për marrëdhënie jashtë vendit, shkoi në invers të kahjes së viteve të diktaturës. Artistë të ndryshëm që ndër vite u formuan pranë këtij teatri, krijuan një emër të nderuar në skena të ndryshme; më të shquarit madje kanë karrierë tashmë të shkëlqyer edhe në teatrot më të njohura të botës.

Ndërkohë përmes kundërshtisë dhe ngritjes së një ndërgjegjeje sociale të rilindur në kushtet e jetës demokratike të vendit, lindën marrëdhëniet sindikaliste brenda institucionit, për mbrojtjen e të drejtave individuale, përmirësimin e kushteve të punës, etj, të cilat kulmuan me protesta e veçanta të artistëve për të mos lejuar deformimimet që prezantoheshin nga grupime interesash të dyshimta. Stabilizimi i jetës artistike me kohë, rritja e cilësisë së shfaqjeve, ringjallja e veprave të autorëve shqiptarë që konsiderohen tashmë si pjesë e trashëgimnisë kombëtare, bashkëprodhimet ndërkombëtare dhe një rritje e paimagjinueshme e interesit publik për shfaqjet e operas dhe të baletit, hapja e skenës ndaj bashkëpunimeve krijuese të reja dhe sidomos ndaj të rinjve që aspirojnë të jenë „një zë“ në skenën shqiptare unikale për mbarë kombin, të paktën deri më sot, janë ato çka ofron njohja dhe ndjekja e jetës artistike të tij.

Një kalendar i shpallur gjithë vjetor, titujt interesantë, larmia e shfaqjeve e koncerteve, dhe kënaqësia që përfitohet nga ndjekja e tyre kanë bërë që të jenë prezentë ndjekës të apasionuar të aktivitetit duke siguruar thuajse në mënyrë permanente një poltronë në platenë e Shtëpisë Shqipare të operas dhe Baletit.

Ndërkohë, me Urdhër të Këshillit të Minsitrave Nr 104, datë 04.7.2007, është vendosur ribashkimi i Teatrit të Operas me Asamblin KombQtar të Këngëve dhe Valleve, nën një drejtim dhe organikë të vetme. Ky bashkim i dy insitucioneve në një të vetëm, do të sjellë një harmonizim të gjithë aktiviteteve të dy trupave, asaj dhe të Operas dhe Baletit dhe trupës së Asamblit Popullor.

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]