Hivzi Islami

|
| Emri: |
Hivzi |
| Mbiemri: |
Islami |
| Lindi më: |
1946 |
| Vendlindja: |
Bujanoc |
| Profesioni: |
demograf |
Hivzi Islami, demograf, profesor e akademik, lindi në Letovicë të Bujanocit më 1946. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Preshevë (1965), ndërsa diplomoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, Dega e Gjeografisë (1970). Gjatë studimeve ishte bursist i Universitetit dhe drejtonte revistën shkencore të studentëve Dituria. Studimet pasuniversitare i kreu në FSHMN të Universitetit të Zagrebit, ku magjistroi (1973), ndërkaq doktoroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës (1977). Që nga viti 1974 ligjërues, docent dhe profesor i demografisë në Universitetin e Prishtinës; mban mësim edhe në studimet posdiplomike, ku udhëheq magjistrantë dhe doktorantë. Ka qenë shef i Seksionit të Gjeografisë dhe prodekan i FSHMN-së. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt. Sot është sekretar i përgjithshëm i kësaj Akademie. Mori pjesë në shumë tubime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj, me kumtesa dhe diskutime. Në vitin shkollor 1981/82 qëndroi në Universitetin e Toulouse-it (Francë) për perfeksionim profesional dhe shkencor. Në vitin 2001 sërish qëndroi në këtë Universitet, në cilësi të profesorit të ftuar (professeur invité), dhe me atë rast mbajti një cikël ligjëratash për çështjen e Kosovës.Opusi i tij profesional dhe shkencor është mjaft i gjerë. Botoi disa libra dhe më se 100 studime e artikuj në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit nga fusha e demografisë. Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar ishte aktiv në lëvizjen politike e kombëtare. Në periudhën 1990-1995 drejtoi një parti politike. Ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998) dhe anëtar i Delegacionit kosovar në Konferencën e Londrës (1992), i Delegacionit kosovar në Konferencën e Gjenevës lidhur me negociatat për arsimin shqip (1992-1994) dhe anëtar i disa delegacioneve të tjera të Kosovës.
[redakto] Bibliografia
- Popullsia e Kosovës ( Studim demografik), dy botime, Enti i Teksteve dhe i mjeteve Mësimore i KSA të kosovës, Prishtinë 1980 dhe 1981;
- Fshati i Kosovës ( Kontribut për studimin sociologjiko-deografik të evulucionit rural të Kosovës ), “ Rilindja “ Prishtinë 1985;
- Kosova dhe shqiptarët (Çështje demografike), “Pena”:, Pristinë 1990;
- Demographic reality in Kosova ( për të huaj), Kosova Information Center, prishtinë 1993; botuar edhe në Zurich më 1995 me titull Die demographische Realitat in Kosova;
- Gjeografia e Kosovës ( bashkautor), Enti i Teksteve dhe i mjeteve Mësimore i KSA të Kosovës, Prishtinë 1994;
- Rrjedha demografike shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1994;
- Dimesioni demografik i çështjes së Kosovës , Enti i Teksteve dhe i mjeteve Mësimore i KSA të Kosovës, Prishtinë 1997;
- Evulucioni dhe transicioni demografik, Dukagjini, Pejë, 1999;
- Spastrimet etnike, Dukagjini, Pejë, 2003.
[redakto] Studime dhe artikuj
[redakto] Lidhje të jashtme