Ibn Tejmije

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Tekijjuddin ebul Abbas Ahmed ibn Abdul Halim ibn Abdus-Selam ibn Tejmije el-Harani el-Hanbeli i njohur si Ibën Tejmije, lindi më 22 janar të vitit 1263 (10 Rebiul-evvel të viti 661 Hixhrij)Haran, Iraku verior, ishte dijetar mysliman.

Biografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Tekijjuddin ebul Abbas Ahmed ibn Abdul Halim ibn Abdus-Selam ibn Tejmije el-Harani el-Hanbeli lindi ditën e hënë, më 22 janar të vitit 1263 (10 Rebiul-evvel të viti 661 Hixhrij) në Haran, Iraku verior, në një familje të njohur të dijetarëve. Gjyshi i tij, el-Berkat Mexhduddin ibn Tejmije, ishte mësues me reputacion i shkollës hanbelite dhe libri i tij “Munteka el-ekber(sq.: Një zgjedhje e thënieve profetike) edhe sot e kësaj ditë konsiderohet libër me vlerë. Njëlloj, arritjet shkencore të babait të ibn Tejmijes, Shihabuddin ibn Abdulhalim ibn Tejmije, ishin mjaft të përhapura.

Këto ishin kohët kur hordhitë tatare nën udhëheqjen e Hulakut (Xhengis Kan) po shtrinin sulmin e tyre barbar në mbarë botën islame, veçanërisht në regjionin e Mesopotamisë. Ibn Tejmije ishte shtatë vjeçar kur tatarët nisën sulmin e tyre ne Haran. Si pasojë, popullata iku nga Harani për të gjetur strehë diku tjetër. Familja e ibn Tejmijes lëvizi në Damask në vitin 667 H/1268, i cili atëbotë sundohej nga memalikët e Egjiptit. Këtu babai i tij ligjëronte ne xhaminë Umejd dhe ishte ftuar të jepte/mësonte hadithin në xhami si dhe në “Darul-hadith Asakirije” në Damask. Këto ligjërata ndiqeshin nga një numër i madh i studentëve si dhe i dijetarëve. Damasku ishte qendra e studimeve islame të asaj kohe, dhe Ahmed ibn Tejmije ndoqi hapat e babait të tij i cili ishte dijetar i madh i studimeve islame, duke studiuar me dijetarët e mëdhenj të kohës, në mesin e tyre edhe një grua dijetare, Zejneb bint Mekki, e cila ia mësoi hadithin.

Shkollimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Që nga fëmijëria e tij, ibn Tejmije ishte një nxënës shumë i zellshëm. Ai u njoh mjaft mirë me shkencat jofetare dhe fetare të asaj kohe. Ai i kushtoi vëmendje të veçantë letërsisë arabe dhe zotëroi mjaft mirë gramatikën dhe leksikografinë. Ai u bë ekspert në gramatikën e njohur të gjuhës arabe, saqë në librin më voluminoz të Sibevejhit, e cila konsiderohet vepra më kapitale në gramatikë dhe në sintaksë, nxori gabime prej saj. Ai kishte njohuri për gjithë prozën dhe poezinë e asaj kohe. Për më tepër ai mësoi për historinë para-islamike të Arabisë dhe atë pas-islamike. Dhe në fund mësoi matematikën dhe kaligrafinë.

Sa i përket shkencave islamike, ibn Tejmije studioi edhe Kur’anin, Hadithin dhe Sheriatin. Ai mësoi fikhun hanbelij nga babai i tij dhe u bë përfaqësues i dalluar i shkollës hanbelite të ligjit. Tregohet se ka fituar dije nga hadithi në Siri nga ibn Abduddejan. Një tjetër nga mësuesit e tij ishte edhe Shemsuddin AbduRrahman el-Makdisi (vdiq 682H). Kështu, ibn Tejmije fitoi dije të gjerë në gjashtë koleksionet e njohura të hadithit (Kutubus-sitteh) dhe në “Musnedin” e Imam Ahmedit.

Ibn Tejmije kishte një dashuri të madhe për tefsirin, dhe ai kishte lexuar më se 100 komentime të Kur anit.

I kompletoi studimet e tij në moshën 19 vjeçare dhe u bë profesor në shkencat islame. I pajisur mirë me studime nga Kur ani, Hadithi, Fikhu, teologjia, gramatika arabe, etj., ai filloi të jepte fetva në çështje ligjore fetare pa ndjekur asnjërën nga shkollat tradicionale - Hanefite, Hanbelite, Shafiite apo Malikije. Ai e mbronte traditën e shëndoshë profetike me argumente, të cilat edhe pse ishin nga Kur’ani dhe sunneti, ishin të panjohura për njerëzit e kohës së tij. Liria e polemikave të tij i krijoi atij shumë armiq nga radhët e dijetarëve të shkollave tradicionale, të cilët pa kurrfarë baze e akuzonin atë për të gjitha llojet e besimeve heretike. Në mesin e tyre ishte edhe udhëtari i famshëm mesjetar mysliman, ibn Batutah, i cili e vizitoi Damaskun derisa ibn Tejmije ishte ne burg. Kjo nuk e ndaloi fare ibn Batutan që në librin e tij të “dëshmojë” se “ishte dëshmitar kur ibn Tejmije kishte thënë se All-llahu çdo natë zbret në qiellin me të ulet sikurse zbritja ime”, “dhe ai bëri një hap poshtë vendit ku qëndronte”. Nga leximi i kësaj akideje, kuptojmë se ibn Tejmije i ka pranuar Cilësitë e All-llahut azze ue xhel-le pa pyetur fare si janë ato (bi-ila kejfe).

Kur ibn Tejmije e humbi babanë e tij më 682H, në moshën 22 vjeçare, ai shkoi në Assakurijja. Ai filloi të jepte mësime për tefsirin në xhaminë Umejd, dhe me 695 filloi të japë mësim në fikhun Hanbejijj në Damask. Shpejt u bë i dalluar në mesin e dijetarëve në Siri dhe jashtëzakonisht popullor me masat e gjera popullore.

Kërcënimi mongol[redakto | redakto tekstin burimor]

Në ndërkohë Iraku, Irani dhe Horasani, vazhduan të binin nën pushtetin e vrazhdë të tatarëve. Memalikët, që sundonin Egjiptin, Sirinë dhe Hixhazin (gadishullin arabik), tentuan disa herë të marrin nën kontroll Irakun por nuk ia dolën dot. Kur u mësua se tatarët po planifikonin të pushtojnë Damaskun, Sulltani memalik, el-Maalik an-Naser ibn Kalavun, u largua nga Egjipti me një ushtri të fortë për të parë përparimin e tatarëve. Të dy ushtritë u takuan në një luftë të përgjakshme me 699/1299, por Sulltani u mund dhe u kthye në Egjipt. Tani Damasku ishte i hapur para tatarëve të udhëhequr nga Gazzani, i njohur me llagapin Mahmuud, stërnipi i Xhingis Kanit. Si pasojë e kësaj e tërë paria, përfshirë dijetarët islamë, gjyqtarët, nëpunësit dhe tregtarët, u larguan nga Damasku ku po mbretëronte një anarki dhe një kaos i paparë në vigjilje të pushtimit tatar. Në këtë moment kritik, ibn Tejmije dhe paria e mbetur vendosën të krijojnë një delegacion për të vizituar Gazzanin dhe për ta bindur për paqe në qytet. Si pasojë, delegacioni i udhëhequr nga ibn Tejmije, e takoi Gazzanin në Nabak (afër Damaskut) dhe ai u pajtua të ofrojë amnisti të përgjithshme për njerëzit e Damaskut. Lajmet për përparimin tatar drejt Sirisë vërshuan prapë Damaskun më 702/1303. Vonesa e arritjes së Sulltan Kalavunit nga Egjipti shkaktoi panik në mesin e njerëzve, shumë nga të cilët filluan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre për vende me të sigurta. Kur Ibn Tejmije e pa këtë, ai filloi t’u jepte kurajë njerëzve për të mbrojtur veten e tyre dhe qytetin e tyre, duke ndaluar kështu eksodin. Ai po ashtu shkoi personalisht te Sulltani për të kërkuar nga ai që të përshpejtojë udhëtimin e tij në Damask. Në fund armatat myslimane të Egjiptit dhe Sirisë u takuan në një luftë të përgjakshme në Thakab, në muajin Ramazan 702/1303, dhe i mundën dhe i shpërndanë ushtritë tatare.

Xhihadi kundër heretikëve[redakto | redakto tekstin burimor]

Lufta e ibn Tejmijes nuk ishte e kufizuar vetëm kundër sufive dhe njerëzve të cilët pasonin bidate heretike. Përpos kësaj ai luftoi edhe kundër tatarëve të cilët po e sulmonin botën islame dhe arritën deri në Damask. Njerëzit e Sirisë e dërguan atë në Egjipt që të nxitë Sulltanin memluk, sulltanin e Egjiptit dhe Sirisë për të udhëhequr trupat e tij drejt Sirisë dhe kështu ta shpëtojë atë nga tatarët pushtues. Kur ai e pa se sulltani po hezitonte të bënte atë që po i kërkohej, ai iu kërcënua Sulltanit duke i thënë:”Nëse ti ia kthen shpinën Sirisë, atëherë ne do të zgjedhim një sulltan të ri i cili do ta mbrojë Sirinë gjatë luftës dhe të kënaqet me pushtetin e tij në kohë paqeje”. Ai ishte prezent në luftën e Thakkabit afër Damaskut kundër tatarëve, luftë e cila po ndodhte gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, dhe i dha fetva ushtrisë mos të agjëronte, që kjo t’u ndihmonte në luftë kundër armikut, ashtu si i Dërguari, sal All-llahu alejhi ue sel-lem, kur bëri gjatë çlirimit të Mekkes nga paganët. Myslimanët fituan luftën kundër tatarëve dhe i përzunë ata nga Damasku dhe nga mbarë Siria. Guximi i ibn Tejmijes erdhi ne shprehje kur ai së bashku me një delegacion të dijetarëve shkoi te Gazzani, udhëheqësi i tatarëve, për t’i thënë që të ndalojë sulmin e tij ndaj myslimanëve. Asnjëri nga anëtarët e delegacionit nuk guxoi t’i thotë një fjalë të vetme Kanit mongol, përveç ibn Tejmijes i cili i tha:”Juve pandehni se jeni myslimanë, se keni me vete muezinë, gjykatës, imamë dhe shejhë. Përkundër kësaj ju keni mësyrë vendit tonë. Për çfarë arsye? Përderisa babai dhe gjyshi juaj, Hulako, ishin mosbesimtarë, nuk i sulmuan tokat islame, por përkundër kësaj premtuan se nuk do të sulmojnë dhe e mbajtën premtimin e tyre. Ndërsa ti ke premtuar dhe ke shkelur premtimin tënd.”

Pasi kërcënimi tatar u eliminua, ibn Tejmije prapë iu përkushtua misionit të tij: ngritjes intelektuale dhe mësimit. Në të njëjtën kohë, ai vazhdoi të bënte xhihad kundër sekteve tradhtare si atyre Batinite, Ismailite, Hakimite dhe Nusajrite (Dobi: Dijetarët e selefit për këto fraksione kanë thënë:”Pamja e tyre është refuzim i Islamit, kurse brendia e tyre është mosbesim i kulluar), të cilat jetonin në rajonet kodrinore të Sirisë dhe të cilët i ftonin Kryqtarët dhe tatarët që të pushtonin tokat islame, i ndihmuan këto ushtri kundër myslimanëve dhe plaçkitën popullatën e pambrojtur myslimane. Ibn Tejmije personalisht kishte udhëhequr ekspeditat kundër tyre.

Rrethanat fetare të myslimanëve[redakto | redakto tekstin burimor]

Përpos rreziqeve të jashtme të përmendura sipër, Islami konfrontohej në këtë kohë edhe me shumë rreziqe të brendshme. Ata ishin Baatinitët (sekt ekstreme Shi’it që konfrontonte qeverinë myslimane të kohës) dhe pasuesit e tyre, Asasinët (Hashashinjtë). Besimi i tyre ishte një përzierje e dogmave magjike dhe koncepteve Platonike e cila shumë lehtë mund të mbillte farat e grindjeve dhe polemikave intelektuale dhe të përhapte çrregullime dhe apostazi (braktisje e fesë) në mesin e njerëzve të thjeshtë. Atëherë, kishte myslimanë të cilët, nën ndikimin e besimeve pagane dhe fqinjëve jomyslimanë me të cilët kishin marrëdhënie te lira, filluan që t’i lartësojnë shenjtit e tyre (personalitetet e larta sufiste, Veliju-llah), ashtu siç bënin çifutët dhe të krishterët. Për më tepër, disa rende sufiste kishin adoptuar doktrina të veçanta neo-platonike dhe hinduse, të cilat u përzien aq shumë me besimet e vërteta islame, saqë ishte shumë e vështirë të dallohej njëra nga tjetra.

Në vigjilje të Kryqëzatave, disa të krishterë morën guximin për të censuruar Islamin dhe për të kritikuar të Dërguarin (sal All-llahu alejhi ue sel-lem) në shkrimet dhe në fjalimet e tyre. Në qarqet intelektuale myslimane kishte një ngecje dhe ngurtësi në debatet fetare të tyre dhe në qasjen e tyre ndaj ri-interpretimit të Sheriatit. Vazhdimisht kishte përplasje polemizuese ndërmjet Esharinjëve dhe Hanbelitëve. Në fund, disa nga filozofët, të influencuar nga Platoni dhe Aristoteli, filluan t’i përhapnin idetë dhe konceptet e tyre agnostike (jofetare) që ishin në kundërshtim të plotë me Islamin.

Këto ishin rrethanat e kohës së ibn Tejmijes dhe me të cilat ai duhej të përballej. Ibn Tejmije, së bashku me nxënësit dhe pasuesit e tij, krijoi një shoqëri për të braktisur kultet politeiste, kultet jo-islame, ndikimet jo-islame, besimet dhe praktikat heretike aq shumë të përhapura në masat myslimane. Si rezultat i aktiviteteve reformues entuziaste dhe të zellshme të tij dhe dënimit dhe braktisjes së herezisë (tradhtisë fetare), ai shkaktoi pakënaqësinë e pjesëve të caktuara të popullatës. Përkundër kësaj, popullariteti i tij në mesin e masave të gjera të popullatës myslimane po rritej vazhdimisht.

I tërë ky xhihad i ibn Tejmijes me heretikët, nuk i ndihmoi atij me dijetarët… Autoritetet e burgosën atë disa herë derisa edhe vdiq në burg për shkak të guximit të tij dhe mendimeve të lira e përparimtare për çështje të caktuara legale dhe sociale të cilat tërbonin kundërshtarët e tij - pasuesit e shkollave ortodokse të ligjit.

Megjithatë, kur ibn Tejmije e kishte rastin për t’i dënuar kundërshtarët e tij nga radhët e dijetarëve, të cilët i shkaktuan atij të gjitha llojet e torturave dhe e burgosën disa herë, ai tregoi zemërgjerësinë më të madhe dhe ua fali atyre, kur Sulltani Naasir Kalavun i dha atij rastin për të bërë këtë. Ibn Tejmije i tha Sulltanit:”Nëse i vret, kurrë nuk do të gjesh dijetarë si ata”. Sulltani i tha:”Por ata të kanë lënduar disa herë dhe kanë dashur të të vrasin?” Ndërsa ibn Tejmije i tha:” … Kushdo që më ka lënduar mua, është i falur, ndërsa kushdo që ka lënduar parimet e All-llahut dhe të Dërguarit të tij, All-llahu do ta dënojë…”

Historianët myslimanë si Dhehebiu, ibn Kethiri, ibn Imad el-Hanbalijj dhe shumë të tjerë, kanë lavdëruar ibn Tejmijen dhe e kanë konsideruar atë si një nga dijetarët më të mëdhenj myslimanë të të gjitha kohërave.

Ai i luftoi risitë heretike në fe, të cilat ishin shumë të përhapura gjithandej botës islame në kohën e tij, posaçërisht disa vepra dhe besime të disa rendeve sufiste si adhurimi i shenjtëve, vizita e varrezave të shenjtëve si dhe hedhja e vetes të tyre në zjarr. Sulmi i tij ndaj sufistëve i shkaktoi atij shumë telashe me autoritetet, udhëheqësit e te cilave ishin nën ndikimin e udhëheqësve të caktuar sufistë.

Si rezultat i popullaritetit të ibn Tejmijes, disa dijetarë fetarë me ndikim shfaqën xhelozinë e tyre ndaj tij, bile edhe e ngacmonin, sepse ai kishte kurajën të sfidonte gjykatësit në shumë çështje ligjore. Në këtë mënyrë, ata kërkonin mënyra se si ta diskreditonin atë në sytë e Qeverisë dhe të popullatës. Ibn Tejmije i refuzoi mësimet e parashtruara në “el-Futuhat el-Mekkijjeh” (“Shpalljet mekase”) dhe në “Fusus ul-Hakiim” (Mozaiku i urtësisë) të shejh Muhjiddin ibn el-Arabijj (vd.638H/1240) - sufistit më të respektuar dhe mësuesit të tesavvufit - si inkompatibile (të papajtueshme) me mësimet e Kur’anit dhe Sunnetit, duke marrë kështu mallkimin e sufijve dhe armiqësinë e Qeverisë. Si pasojë, ai u thirr në Egjipt me 705H/1305. Kur ibn Tejmije pati arritur në Egjipt, ai u thirr të prezantojë në një takim të dijetarëve, juristëve dhe shefave të shtetit. Gjatë takimit, shumë akuza vërshuan ndaj tij lidhur me konceptet e tij lidhur me natyrën dhe Cilësitë e All-llahut azze ue xhel-le. Atij nuk iu lejua të mbrojë veten e tij dhe menjëherë u burgos për 16 muaj. Gjatë qëndrimit në burg, ai tërhoqi vëmendjen e pasuesve të tij nga kënaqësitë dhe argëtimet në favor të devotshmërisë, disciplinës dhe vetëpërmbajtjes. Shumë nga të burgosurit u bënë pasuesit e tij më të devotshëm pas lirimit.

Pasi që ibn Tejmije u lirua nga burgu më 707/1307, ai vendosi të qëndrojë në Egjipt për një kohë. Shpejt ai filloi të ligjëronte në xhami të ndryshme dhe në institute edukative para masave të zgjedhura të dijetarëve dhe juristëve. Sidoqoftë, pikëpamjet e tij edhe këtu nuk u pritën mirë, prandaj shumë ankesa iu bënë sulltanit kundër tij. Dijetarët fetarë, të cilëve iu referoheshin të gjitha ankesat, nuk mund të gjenin kurrfarë gabimi të ibn Tejmije. Sidoqoftë, pasi që administrata po lodhej vazhdimisht me akuzat e ngritura ndaj tij, ai u burgos prapë, mirëpo shpejt u lirua më urdhër unanim të dijetarëve fetarë. Më vonë ibn Tejmije u internua në Aleksandri, ku, përkundër rrethanave të krijuara, fitoi një pozitë të respektuar në qarqet akademike dhe letrare. Së shpejti ibn Tejmije u kthye prapë ne Egjipt.

Kthimi në Damask[redakto | redakto tekstin burimor]

Në Kajro ibn Tejmije ishte shumë energjik në aktivitet mësimdhënëse dhe reformuese për 3 vite. Njëkohësisht ai ishte edhe këshilltar i sulltanit dhe ishte përfshirë në shumë reforma të rëndësishme në Egjipt dhe Siri. Shumë dekrete mbretërore ishin shkruar nën këshillimin e tij më 712H/1312. Ai e vizitoi Kudsin (Jerusalemin ) në po të njëjtin vit, pastaj shkoi në Haxh dhe u kthye në Damask më 713H/1313. Prej tani, ai ia kushtoi vëmendjen e tij problemeve juridike megjithëse ende vazhdonte mësimdhënien. Nxënës i tij kryesor ishte ibn Kajjim el-Xhevzij (vdiq 751H/1350), i cili ishte përgjegjës kryesor për përhapjen e mësimeve të ibn Tejmijes.

Problematika e tri shkurorëzimeve[redakto | redakto tekstin burimor]

Ibn Tejmije, sikurse paraardhësit e tij, ishte Hanbelijj dhe mendimet legale të tij ishin në pajtim me këtë shkollë, edhe pse jo me çdo kusht. Ai shpesh e refuzonte këndvështrimin hanbelit, mirëpo edhe ne shumë çështje shfaqte mospajtimin e tij me të 4 shkollat juridike. Një shembull i tillë i mospajtimit ishte në lidhje me shkurorëzimin e një gruaje me 3 divorce ne të njëjtën kohë.

Problemi ishte nëse divorci i proklamuar tri herë në të njëjtën kohë ishte i ligjshëm apo jo. Kjo çështje ngriti këto problematika:

- A ishte i mundur apo jo një divorc i tillë
- nëse tri fjalitë e divorcit do të numëroheshin si një ndarje (divorc) ose të merren si një ndarje e pakthyeshme.
- nëse një grua e divorcuar në këtë mënyrë, do të mund t’i kthehej burrit të saj pas kelales (d.m.th pasi ajo të jetë martuar me një burrë tjetër dhe të jetë divorcuar më pas.)

Të gjithë juristët dhe tradicionalistët e mëhershëm, si dhe një numër i madh i sahabëve të të Dërguarit, sal All-llahu alejhi ue sel-lem, ishin të mendimit se një ndarje e tillë, edhe pse ishte e neveritshme jashtë rregullit dhe mëkatare, mund të shikohet si një divorc i aluduar me efekt legal. Duke qenë kundër kësaj, ibn Tejmije kishte mendimin se tri fjalitë e divorcit të thëna në një kohë, mund të kuptohen vetëm si një fjali e divorcit. Pikëpamja e ibn Tejmijes ishte në kundërshtim me pikëpamjen zyrtare dhe natyrisht kjo e solli atë në një konflikt me dijetarët dhe me qeverinë. Si pasojë, teologët tentuan ta parandalonin për të mos lejuar të jepte mendime lidhur me çështjet legale të tilla. Në fakt, një dekret mbretëror qe nënshkruar në Kajro më 718H, që i ndalonte ibn Tejmijen nga dhënia e mendimeve ligjore në raste të tilla. Në fillim ibn Tejmije e respektoi dekretin, por më vonë filloi prapë të jepte mendime për çështje të tilla ligjore, sepse vendosi se nuk ishte e drejtë për të të heshtte vetëm nga frika e qeverisë. Si rezultat, ai u prangos sërish më 720H dhe u vendos në një kështjellë, për t’u liruar prapë pas pesë muajsh me urdhër direkt nga Kajroja.

Vitet e fundit[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndërmjet viteve 721 dh 726 Hixhrij, ibn Tejmije iu përkushtua mësimdhënies në Medresen Hanbelijje dhe në medresen e tij, Medrese Kassasiin, dhe rishikimit të disa nga punimet e tij të mëhershme. Më 726 Hixhrij kundërshtarët e tij prapë i bënë konspiracion për ta vënë nën pranga. Në burg ibn Tejmije iu përkushtua komentimit të Kur’anit dhe shkrimit të traktateve dhe monografive për çështje të ndryshme.

Ibn Tejmije vdiq në burg, në Damask, në natën mes të dielës dhe të hënës, më 20 Dhul-kade të vitit 728 hixhrij/26-27 shtator 1328, në moshën 67 vjeçare, dhe u varros në varrezat Sufijja në Damask.

Banorët e Damaskut, të cilët e kujtuan atë me një nder të veçantë, i dhuruan ibn Tejmijes një funeral madhështo, ku merrnin pjesë 200.000 burra dhe 15.000 gra. Ai u varros në varrezën Sufij mu pranë nënës së tij në Damask.

Karakteri dhe arritjet[redakto | redakto tekstin burimor]

Ibn Tejmije zuri një vend të ndershëm në mesin e dijetarëve të kohës së tij dhe atë në bazë të memories së tij të mrekullueshme, intelektit brilant, dijes enciklopedike dhe kurajës së fortë. Përshkruhet si një orator i madh, trim dhe i patrembur, i vendosur, i disiplinuar, shumë i devotshëm, fisnik dhe falës, gjithnjë mjaft i vendosur.

Përpjekjet reformuese dhe aktivitetet letrare të ibn Tejmijes mbulojnë një fushë të madhe, të cilat mund të përmblidhen si në vijim:

  1. Rilindja e fesë dhe kapja për Teuhid (Njësinë e All-llahut)
  2. Zhdukja e besimeve politeiste dhe pasuesve të tyre
  3. Kritika ndaj filozofisë, ndaj logjikës dhe dialekteve silogjistike, më qëllim që të tregojë superioritetin e Kur’anit dhe sunnetit.
  4. Eliminimi i besimeve joislame nëpërmjet përgënjeshtrimit të Krishterimit dhe Hebraizmit.
  5. Rifreskimi i mendimit islam dhe i shkencave islame.

Numri i plotë i punimeve të ibn Tejmijes është 621, edhe pse një numër i madh i tyre ka humbur. Disa nga shkrimet e ibn Tejmijes janë përmbledhur më poshtë.

  1. El-Xhevab us-sahih limen beddele Diin el Mesih (Përgjigje e kriticizmit të islamit të bërë nga të krishterët)
  2. Reddual el-mentikijjiin (Përgënjeshtrimi i filozofëve)
  3. Kitab es-sijasieh esh-sherijjeh (Ka të bëjë me teorinë politike dhe qeverinë në Islam)
  4. Minhaxhus-sunneh en-Nebevijeh (Përgënjeshtrim i besimeve Shi’ite shkruar si përgjigje ndaj “Minhexh el-Karameh” të autorit el-Mutahir el-Hilii)
  5. Zijaretul-kubur (Kritika ndaj shenjtërimit, ndërmjetësimit dhe besëtytnive)
  6. Mexhmuatir-Resail el-Kubra (Ky libër përmban shkrime me tema të ndryshme)
  7. Mexhmuatul-Fetaua (Ky libër përmban përmbledhje të mendimeve për çështje të ndryshme)
  8. Mexhmuatur-Resail vel-Mesail (Përmban artikuj dhe mendime ligjore për çështje të ndryshme).
  9. Mexhmuatu shejul islam ibn Tejmije (Përmban diskutime për jurisprudencën islame dhe mendime ligjore të parashtruara nga ibn Tejmije).

Të tjerët mbi Ibën Tejmijen[redakto | redakto tekstin burimor]

Meulana Ebu el-Hasen Ali Nedeui për ibn Tejmijen thotë:

“Ibn Tejmije e komentoi Kur’anin dhe sunnetin, e vendosi superioritetin e Islamit ndaj herezisë, koncepteve filozofike dhe besimeve të tjera dhe kontribuoi ne një rilindje madhështore të fesë pas një studimi dhe shqyrtimi të thellë i cili ishte i domosdoshëm për të ndriçuar shtigjet fetare dhe intelektuale të kohës. Duke dashur të mbizotërojë mbi kundërshtarët e tij, ai dominoi mbi metodologjinë e përdorur prej tyre për të sulmuar Islamin. Në të vërtetë, mësimi i tij, dituria e tij dhe arritjet intelektuale i mundësuan atij që të mbajë kundërshtarët e tij gojëmbyllur.”