Ikonat

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ikona e Lindjes së Krishtit

Ikonat janë piktura në të cilat janë pikturuar portretet e njerëzve të shenjtë (Krishtit, Virgjëreshës Mëri apo shenjtorëve) dhe ngjarjeve që lidhen me ta.

Stili i tyre i pikturimit karakterizohet nga një teknikë mjaft e stilizuar, duke përcjellë fuqishëm mesazhet e vërteta hyjnore nëpërmjet këtij arti, “Çdo gjë që fjala transmeton nëpërmjet të folurit, piktura e tregon heshtazi me imazhin” - thotë Shën Vasili i Madh.

Ikona është një lloj gjuhe e përbashkët që shpreh mësimin e krishterë ortodoks dhe jetën adhuruese (për çdo moshë, komb, racë, gjini, si për të shkolluarit ashtu edhe për të pashkolluarit).

Në besimin e krishterë ortodoks ikonat nuk janë piktura njerëzore për zbukurim apo një ndihmë vizuale për soditje, frymëzim dhe lutje, patjetër që edhe ndihmojnë. Ato dëshmojnë për realitetin e pranisë së Perëndisë me ne: të pranisë së Mbretërisë së Perëndisë tek ne dhe të pranisë sonë te Mbretëria e Perëndisë në Kishë.[1]

Ikonat janë “simbole të besimit”, sepse kontribuojnë në kuptimin e saktë të realitetit që duan të shfaqin; kontribuojnë në shfaqjen e personit të Krishtit, i cili si Biri i Perëndisë u bë me të vërtetë njeri dhe si njeri Ai është me të vërtetë “ikona e Perëndisë së padukshme” (Kolosianët 1:15 etj).

Nuk mundemi dot të paraqesim Perëndinë, por mundemi për aq sa na zbuloi Perëndia. E dukshmja dhe e padukshmja, materia dhe shpirtërorja bashkohen në ikonë në një unitet të pandarë. Pra, qëllimi i ikonave dhe i simboleve të tjera të Kishës është pikërisht dëshmia e veprave të shpëtimit, që solli bërja njeri e Krishtit.

Nderimi i ikonave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nderimi i ikonave nga të krishterët ortodoksë nuk i jepet pikturës, por asaj që është pikturuar, pra personave të shenjtë që paraqet. Dhe nderimi që i jepet imazhit të paraqitur në ikonë i shkon origjinalit d.m.th. personit që është shfaqur në ikonë. Kur rritet besimi, gjallërohet devotshmëria, shpresëtaria dhe dëshira e shenjtë e të krishterëve për imitim të jetës së krishterë të këtyre modeleve. Sepse duke nderuar ikonën, nderojmë personin origjinal. Personi i pikturuar është prezent në ikonë, sipas hirit, dhe ikona ndihmon në realitetin e treguar me anë të simbolikës. Prandaj edhe besimtarët mund të takojnë në mënyrë të ndjeshëm e të prekshëm personat e paraqitur në ikonë.

Ne adhurojmë Perëndinë dhe Zotin Jisu Krisht. Nuk adhurojmë shenjtorët, por i nderojmë ata si adhuruesit e vërtetë të Perëndisë. Nuk adhurojmë njerëzit, por admirojmë ata që jetuan dhe adhuruan saktë Perëndinë.

Personat e shenjtë të paraqitur në ikona ushtrojnë fuqinë e tyre mirëbërëse nëpërmjet ikonave për të mirën e atyre që luten dhe mundësojnë bekime shpirtërore, duke qenë edhe kanale të fuqishme të Hirit Hyjnor. Shumë ikona janë bërë të famshme për mrekullitë e tyre.

Ikonat luajnë rol të rëndësishëm në adhurimin drejtuar Perëndisë dhe Zotit tonë Jisu Krisht si gjatë adhurimit të përbashkët ashtu edhe në atë personal.

Duke qenë se ikonat konsiderohen të shenjta, edhe nderimi i tyre shfaqet me shenja të dukshme si: lutje përpara tyre, përkulje përpara tyre, puthja e tyre, temjanisja e tyre, ndezja e qirinjve dhe kandilave përpara tyre, zbukurimi i tyre me gurë të çmuar dhe lule, kryejmë procesione të tyre, në disa raste u drejtojmë edhe himne etj.

Ikonat mund të paraqiten në dru, letër, mozaik, në mur dhe materiale të tjera.

Krishti i Gjithëpushtetshëm (Pantokrator), Katedralja Ortodokse, Tiranë, 2012

Ikonat në tempullin e krishterë - në kishë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Besimtari kur hyn brenda në kishë (tempullin e krishterë) ndjen se ndodhet në qiell.

Brenda tempullit besimtarin e presin Shpëtimtari dhe Çlirimtari, pra Zoti Jisu Krisht, e Tërëshenjta Mëri, shenjtorët, profetët, engjëjt dhe kryeengjëjt. Domethënë e gjithë Kisha triumfale e qiejve. Ikonat e çojnë besimtarin në një botë të përmbibotshme dhe të përmbidheshme. Ato përfaqësojnë pikërisht qiellin, të andejshmen dhe “të lartën e lavdëruar dhe të pakuptueshme”.

Ky element i përmbibotshëm nuk është ikje nga bota, por është një mbërritje në një vend të favorshëm, të shenjtë, të mbushur prej pranisë së Perëndisë, që na përcjell një vizion të së bukurës shpirtërore, nga ky vend mund të vështrojmë më mirë dhe në mënyrë më të plotë realitetin e botës së tashme tokësore.

Ikonastasi[2][Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ikonostasi në Kishën Ortodokse, tregon unitetin tonë me Krishtin, nënën e tij dhe tërë engjëjt e shenjtorët. Ai tregon unitetin tonë me Perëndinë.

Tryeza e Shenjtë, e cila simbolizon Tryezën e Banketit të Mbretërisë së Perëndisë, është vendosur mbrapa Derës së Bukur, midis ikonave të Hyjlindëses Mëri me Krishtin si fëmijë dhe Krishtit të lavdëruar, duke treguar se gjithçka që na ndodh ne në Kishë, ndodh në histori ndërmjet “dy ardhjeve” të Krishtit: ndërmjet ardhjes së Tij si Shpëtimtar lindur nga Shën Mëria dhe ardhjes së Tij në fund të kohës si Mbret dhe Gjykatës.

Ikonat në Derën e Bukur[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ikonastasi i Kishës Ortodokse "Lindja e Krishtit", Shkodër

Ikonat në Derën e Bukur (derën qendrore të ikonostasit), dëshmojnë për praninë e sihariqit të Krishtit, lajmit të mirë, ungjillit të shpëtimit.

Në to paraqiten katër ungjillorët që shkruan ungjijtë dhe shpesh, gjithashtu, një ikonë e Ungjillëzimit, shpalljes së parë së ungjillit në botë (Ungjilli, ungjillorët dhe Ungjillëzimi vijnë nga fjala evangjélion, që do të thotë lajm i mirë, sihariq).

Ikonat mbi Derën e Bukur[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbi Derën e Bukur, kemi ikonën e Darkës Mistike të Krishtit me nxënësit e tij, ikona e misterit qendror të besimit të krishterë e të unitetit të Kishës në botë. Ajo është dëshmia vizuale që, gjithashtu, edhe ne jemi,pjesëmarrës në “Dasmën e Qengjit” (Zbulesa 19:9) dhe që, gjithashtu, jemi bekuar nga Krishti “të hani e të pini në tryezën time në mbretërinë time” (Lluka 22:30), bekuar “për të ngrënë bukë në Mbretërinë e Perëndisë” (Lluka 14:15).

Ikonat mbi dhe rrotull Derës së Bukur[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbi dhe rrotull Derës së Bukur, janë ikonat e shenjtorëve. Në dyert anësore, zakonisht janë ikona engjëjsh ose dhjakonësh, shërbëtorë të Perëndisë. Në krah të ikonës së Krishtit, zakonisht është ikona e Shën Joan Pagëzorit dhe në krah të ikonës së Hyjlindëses Mëri, është ikona e shenjtit ose festës së kishës.

Në varësi të madhësisë së ikonostasit, mund të jenë edhe radhë ikonash të apostujve, festave kryesore të Kishës, të profetëve dhe shenjtorëve të bekuar nga Perëndia. Mbi të gjitha këto, sipër ikonostasit qëndron kryqi i Krishtit.

Ikonat përveç Ikonostasit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ikona e Ngjaljes së Krishtit - afresk shek.XI - Kostandinopoje (Stamboll)

Përveç ikonostasit, Kisha Ortodokse ka shpesh ikona ose afreske në muret dhe në tavan.

Rregulli i planit të ikonave na paraqet ikonën e Krishtit të Gjithëpushtetshëm (“Pantokrátor”) në qendër të ndërtesës (në kubenë në mes të kishës) duke treguar se Ai ka pushtetin mbi të gjitha: i vështron, u jep jetë dhe pavdekësi besimtarëve; dhe ikonën “Më e gjera se qiejt” (Platitéra) e Hyjlindëses Mëri me Krishtin në absidën e hierores (përballë me ne kur hyjmë në kishë - lart mbi ajovimë). Kjo e fundit është quajtur “imazhi i Kishës”, meqenëse Shën Mëria vetë është tipi origjinal i tërë bashkësisë së besimtarëve, në të cilën Krishti duhet të banojë.

Gjithashtu, është tradicionale të vendosen në hierore (ajovimë) ikonat e shenjtëve që shkruan liturgjitë dhe himnet e Kishës. Mbrapa Tryezës së Shenjtë, zakonisht është imazhi i Krishtit në lavdi - i fronëzuar ose shndritur në Malin Tabor, ose i ngjallur dhe disa herë, duke dhënë Kungatën.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje me Arti në Kishën Ortodokse të Shqipërisë

  • Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks (Orthodox Faith) Vëllimi II "Adhurimi", Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 1997.
  • Ιωάννης Φουντούλης, Λειτουργική Α' - Εισαγωγή στη Θεία Λατρεία, Εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1997.
  • Πρωτοπρεσβύτερος Γεώργιος Μεντιδάκη, Τύπος και Συμβολισμός στην Ορθόδοξη Λατρεία, τομος Ά, Ηράκλειο, 1997.
  • Besimi Orthodhoks, Kosherja Ortodokse, Selanik, 1997.
  • Orthodoxalbania.org
  1. ^ Hopko, Thomas (2011). Besimi Orthodhoks, Vëllimi II, Adhurimi. Tirana: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 21. ISBN 83-906958-3-9.
  2. ^ Hopko, Thomas (2011). Besimi Orthodhoks, Vëllimi II, Adhurimi. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 21. ISBN 83-906958-3-9.