Ismail Qemali

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Ismail Qemali
Ismail Qemali
Kryeministër i Shqipërisë
29 nëntor 1912 – 22 janar 1914
Paraardhësi: Shpallja e Pavarësisë
Pasardhësi: Fejzi Bej Alizoti
Ministër i Jashtëm i Shqipërisë
4 dhjetor 1912 – qershor 1913
Paraardhësi: Shpallja e Pavarësisë
Pasardhësi: Myfit Libohova
Të dhënat personale
Lindi më: 16 janar 1844
Lindi në: Flag of Turkey.svg Vlorë, Vilajeti i Janinës Perandoria Osmane
Vdiq më: 24 janar 1919
Vdiq në: Flag of Italy.svg Peruxhia (Itali)
Kombësia: Shqiptar
Profesioni: nëpunës, deputet, diplomat



Ismail Qemal Bej Vlora (1844 - 1919) ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, deputet në Mexhlisin Osman, themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë.

Fëmijëria[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi Ismail Hakki bej Vlora16 janar 1844Vlorë në një nga familjet e mëdhaShqipërisë së Jugut. Ishte i biri i Mahmud Bej Vlorës dhe Hedije hanëm Libohovës. Pas shtypjes së Kryengritjes popullore kundër reformave të Tanzimatit (epopeja e Hekalit, Gjolekës - 1847), Mahmud bej Vlora, si një ndër udhëheqësit kryesorë të kësaj kryengritje, u arrestua ndërsa familja e tij u internua në Konjë të Anadollit, ndërsa gratë në Selanik - kur Ismail beu ishte katër vjeç. Në këtë qytet, - siç do shkruante vetë Ismail Qemali në «Kujtimet», - familja e tij gjeti mbështetjen e madhe të konsullit francez Edouard Grasset, i cili kishte pasur miqësi me Mahmud beun dhe njihte personalisht familjen e Vlorajve, që nga koha kur kishte qenë konsull në Janinë. Gjatë qëndrimit në Selanik Ismail Qemali ndoqi shkollën fillore. Më 1852, kur u liruan, Mahmud beu, «fisnik dhe idealist» ─ siç e quan Eqrem bej Vlora, e regjistroi të birin në gjimnazin «Zosimea» pranë të ungjit Mustafa pashë Vlorës, në Janinë më 1855, një ndër shkollat e mesme më të përparuara në Perandorisë Osmane, e cila shquhej edhe si qendër e përhapjes së iluminizmit përparimtar evropian. Mustafa pasha ish në atë kohë "Myslimme Kalemi" Mydiri, pranë të kushuririt, Ismail pashë Tepelenës që ish bërë ndërkohë Valí.

Edhe i ati, Mahmut beu nuk qëndroj dot në Vlorë. Për të përballuar shpenzimet (Ylefet) e vullnetarëve që mblodhi (ngjarja e Grivës 1854) me urdhër të qeverisë, që nuk e pagoj, u detyrua të shes pasurinë e fundit që i kish mbetur (çifligjet Goricë, Babicë, Novoselë, Bestrovë, Selenicë, Subënj, Picar edhe shkoi në Stamboll për të siguruar kthimin e të hollave që kish për të marrë. Vajti më pas në Athinë. Atje gjeti mbrojtjen e mbretit dhe qëndroi gati dy vjet. Vdiq në Stamboll më 1866. Në «Zosimea» Ismail Qemali ishte pari nxënës mysliman në atë kohë. Në këtë gjimnaz ai studioi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht dhe u dallua për aftësitë e tij të veçanta në matematikë. Sipas regjistrave të «Zosimeas», Ismail Qemali i dha provimet e vitit të fundit më 15 korrik 1859, dhe u kthye në Vlorë. Gjatë qëndrimit në Janinë, me mesues privat, mësoi arabishten dhe persishten.

Ismail Qemali në moshë të re

Karriera n'administratën shtetërore[redakto | redakto tekstin burimor]

Ismail beu mbaroi mësimet në Zosimea edhe shkoi me të ungjin, Mustafa pashën në Rusçuk (Bullgari), ku Mustafa Pasha ish emëruar Mytesarrif. Në vitin 1862 ishte zv/drejtor i çështjeve politike në Vilajetin e Janinës. Mustafa Pasha ia paraqiti në at'kohë (1867) komisarit të lartë për reformat në Bullgari, Mid'hat Pashës. Kur u bë Mid'hat Pasha Sadrazam, e mori me vehte në Stamboll Ismail beun, si sekretar privat. Mori pjesë në komisionin shtetëror për hartimin e kushtetutës turke, e cila u shpall më 1876. Më 1868 ishte kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë.

Kur ra Mid'hat Pasha dhe u burgos në Taif, kjo ngjarje la një përshtypje shumë dëmprurëse në karrierën e tij. Pas heqjes së kushtetutës nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mid'hat Pashes me 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor i tij në internim në Kutahja, ku u mbajt deri ne vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin 1899, u emërua përsëri disa herë. Megjithatë, sepse ish shumë i çmuar nga qarqet qeveritare, u emërua pas pak kohe Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll). Këtu qëndroi mjaft kohë e tregoi zotësi e shpirt përparimtar. U bë Mytesarrif i klasit I në Manisë, Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamonu, dhe në Bejrut. Kudo që shkoi fitoi mirëdashjen e të krishterve dhe të pjesës përparimtare të popullit. Por në Stamboll (në qarqet e Pallatit) rëndonte mbi të mosbesimi edhe dyshimi, që rridhnin sigurisht nga kujtimi i marrëdhënieve të tija të ngushta me Mid'hat Pashën. Mbasi u pushua nga Valillëku i Bejrutit u emërua "Shuraj - devlet Azasi" në degën e Tanzimatit. Në Stamboll qeveria dhe pallati vëzhgonin çdo sjellje të tij. Ishte vazhdimisht nën vërejtjen e policisë së fshehtë. Më së fundi vëndosën ta dërgojnë Valí në Tarabullus, Libi. I paraqiti Abdyl Hamitit një promemorje ku, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të brendshme e të jashtme të Perandorisë, korrupsionin, arbitraritetin e keqadministrimin që zotëronte në aparatin shtetëror qëndror e lokal dhe mungesën e të drejtave njerëzore e politike për gjithë shtetasit, parashtronte programin e tij të reformave. Ai propozonte që të zbatoheshin me ngut reforma radikale, të cilat duhet të ishin të pergjithshme, t'u siguronin shtetasve të drejta në qeverisjen e vendit, lirinë e mendimit e të veprimit. Në promemorje kërkohej që të rivendosej e të vihej menjëherë në jetë kushtetuta e vitit 1876, së cilës duhej t'i bëheshin ndryshime e përmirësime që t'u përshtateshin gjendjes së Perandorisë Osmane në fundin e shek. XIX dhe lëvizjeve kombetare te popujve; këto ndryshime e përmirësime do të miratoheshin nga asambleja kushtetuese, që do të thirrej posaçërisht për këtë qëllim. Ismail Qemali mendonte që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Evropes. Mehmed Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorjen, Ismail Qemali i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane. Miratimi i një kushtëtute të tillë do t'u hapte rrugën reformave decetralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorise.

Arratisja nga Perandoria[redakto | redakto tekstin burimor]

Disa ditë pas takimit që pati me sulltanin, me 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, në Misir, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, ne Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qendroi për një kohë me të gjatë. Në Athinë pati takime edhe me personalitete politike e shtetërore të kohës. Përveç të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë, Gjergji I, që tregoi interes të veçantë për të duke qenë se respektin që gëzonte e kishte në Greqi e kishte nga i ati. Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të madhe në Turqi e në Europë, prandaj sulltani qysh ne ditët e para të largimit të tij bëri disa përçapje për ta tërhequr në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shteterore, te cilat ai nuk i pranoi. Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike në dobi të Levizjes Kombëtare Shqiptare. Krahas me këtë Ismail Qemali, si dhe mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në levizjen e Turqve te Rinj, ku u bashkua me perkrahësit e rrymës së decentralizimit që kërkonin zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë. Me to u prishën marrdhëniet më 1903, pas mbledhjes së mbajtur në Paris ku idetë e tij binin kundër "Osmanllillekut". Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës së tij, "Albania" (1897-1909). Më pas nxori këtu gazetën e vet "Le salut d'Albanie" (lexo: Shpëtimi-i Shqipërisë). Programin e vet politik per Levizjen Kombëtare Shqiptare Ismail Qemali për herë të parë e shfaqi publikisht në intervistën që i dha gazetës së njohur italiane "Tribuna", me 21 maj 1900, kur ende ndodhej ne Romë; ndersa me 15 tetor të po atij viti ai botoi në revistën "Albania" thirrjen "Vëllezërve shqiptarë!" drejtuar gjithë shqiptarëve, në të cilën paraqiti edhe njëherë pikëpamjet e veta për lëvizjen shqiptare. Në të dyja këto dokumente Ismail Qemali, duke folur per arratisjen e tij, thekson se u largua nga Turqia për t'u bashkuar me vëllezërit e tij shqiptarë dhe për t'u marrë vesh me ta për shpëtimin e atdheut, të Shqipërisë, e cila për shkak të rrokullimës së Perandorisë Osmane rrezikon të copëtohet nga vendet fqinje dhe të humbase bashkë me të. Ismail Qemali parashtroi si një kërkesë të ngutshme, të drejtë e të rëndësishme njohjen e kombësisë shqiptare, pranimin si një kurm e një komb të shqiptarëve që rrojnë tuberisht në Shkodër, në Kosovë, në Manastir e në Janinë, e tej e këtej në viset e tjera të Turqisë Evropiane. Ne sendertimin e ketyre kerkesave ai shihte rrugen e mundshme te konsolidimit te kombesise shqiptare, te afirmimit te shqiptareve si komb me vete dhe te njohjes se identitetit te tyre kombetar ne arenen nderkombetare.

"Ne duam vetëm bashkimin dhe unitetin e racës shqiptare, përparimin e saj intelektual dhe ekonomik me qëllim që të behemi mjaft të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na perpijë ne. E ardhmja e shqiptarëve, të cilët në gjak kanë mbetur gjithmonë europianë, sigurohet vetëm po të futeshin ne rrugen e qyteterimit evropian.

Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemalit. në përgjithësi përputhej me atë të ideologëve të tjerë të Rilindjes, por me disa veçori në lidhje me rrugët e mjetet për sigurimin e autonomisë. Në këtë etapë të veprimtarisë së tij ai mendonte të vazhdohej rruga reformiste për sigurimin e autonomisë nga lart. Aktiviteti diplomatik dhe tentimi për bashkëpunim me Turqit e Rinj nga ana e Ismail Qemalit u vërejt që me pjesëmarrjen e tij në Kongresin e tyre në Paris që u mbajt në shkurt të vitit 1902, ku së bashku me D. Himën, Jashar Erebarën etj, tentuan që forma e bashkëpunimit të jetë e sinqertë, duke i ruajtur parimet e veta, çka nënkuptonte që të mos cënohet integritetit dhe pavarësia e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në kërkesat e veta, që deri në Kongresin e Dytë të xhonturqve të vitit 1907 nuk u pritën mirë nga turqit e rinj.

Rikthimi si deputet, aktiviteti patriotik[redakto | redakto tekstin burimor]

Më 1908 me shpalljen e Kushtetutës (21 korrik) kthehet në Vlorë dhe zgjidhet deputet i Beratit, në Mexhlisin osman. Bëhet udhëheqës i “Hyrrjet ve ltilaf”, parti e (“Lirive dhe e Marrëveshjes”), anëtarët e së cilës ishin prej të gjithë kombësive që përbënin Perandorinë Otomane. Midis tyre të bashkuar vetëm kundra xhonturqve, përbëheshin prej elementësh heterogjenë dhe nuk ishin të organizuar si parti në popull.[1]

Mbledhja e Taksimit[redakto | redakto tekstin burimor]

Në janar të 1912 mblidhet me deputetët e tjerë shqiptar që bënin pjesë n'opozitë përkundrejt politikave të Turqve të Rinj për Osmanllillëkun e Vilajeteve Shqiptare. Duke vënë re se fjala e deputetëve shqiptarë për të drejtat kombëtare të cilat Turqit e Rinj u kishte valëvitur flamurin për t'ardhë në pushtet, Nexhib beu bashkë me Ismail Qemalin, Syrja beun, Hasan Prishtinën, Myfid bej Libohovën, Esad pashë Toptanin etj. takohen në fillim pranë Hotel "Pera Palace" dhe më pas me 12 janar në shtëpinë e Syrja beut në lagjen Taksim, që u pagëzua "Komploti i Taksimit".[2]

Së bashku me Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911, megjithëse nuk ishte i pranishëm. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t'u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ndërmori së bashku me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun.[3] Zhvillimet e Luftës së Parë Ballkanike, të shpallur në tetor 1912 nga shtetet ortodokse të "Aleancës ballkanike" që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare, përshpejtuan aktivitetin diplomatik të Ismail Qemalit. Kështu, më 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, arriti në Bukuresht të Rumanisë, për t´u takuar fillimisht me komunitetin shqiptar që vepronte atje. Në Bukuresht gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll. Kryeqyteti rumun ishte përfshirë nga euforia dhe të gjitha organizatat shqiptare që vepronin atje, qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë (shkëputjen e plotë të saj nga Turqia). U desht fare pak kohë, që Ismail Qemali dhe delegacioni i tij, ta kuptonin se Turqia ishte përfundimisht e humbur dhe se pavarësia e plotë nga Turqia ishte e vetmja zgjidhje. Për më tepër, komuniteti shqiptar i Bukureshtit, kishte filluar ta konsideronte këtë akt si të kryer tashmë. Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë (korë) muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.

Pas disa konsultimesh më 5 nëntor në Hotelin "Kontinental" të Bukureshtit, u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të komunitetit shqiptarë dhe të delegacionit në krye me Ismail Qemalin që kishte ardhur nga Stambolli.

Në kujtimet e pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, që jetuan deri vonë, thuhet se: mbledhja vendosi njëzëri për pavarësinë e Shqipërisë dhe ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin e tyre për këtë vendim.[4] Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij tregon se në momentin e largimit nga Bukureshti, Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku. Dy ditë më vonë (7 nëntor) delegacioni i plotësuar edhe me katër përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, u nis për në Vjenë. Ismail Qemali me delegacionin shqiptarë sapo kishte mbërritur në Vjenë, mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vijë në Budapest për t´u takuar me një mik të tijin. Më 8-9 nëntor në Budapest I.Qemali do të takohet me kontin Hadik ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë Kontin von Berthold - detyrën e përkthyesit e kreu një seminarist i ri, më vonë Atë David Pepa, i cili para se të jepte shpirt do t'i rrëfente Atë Zef Pllumit. Në këto takime pasi u vu në pah rreziku i coptimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria u shpreh e gatshme ta nxiste dhe ta mbështeste Pavarësinë e Shqipërisë. Konti Handik e siguroi Ismail Qemalin se qeveria e tyre kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.[4] Biseda e perifrazuar na vjen nga dëshmia e Atë Zef Pllumit:

- Flamurin po e çoj, por nuk kam shtizë...
- Shtizë do keni bajonetat austro-hungare.

Gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1912 ushtria turke në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet, ndërsa trupat ushtarake serbe, malazeze dhe greke që përbënin “aleancën ballkanike”, përmes operacioneve shfarosëse ndaj shqiptarëve, kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.[5] Me 13 nëntor nis një telegram nga Viena sa vijon:

"Me vaporrin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue. Ju porosis qi tyke i u mbështetun fatit të atdheut të punoni bashkë e si vllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme edhe të ruani qetësiën. I epni rrethevet lajmen e gzushme. Ju falem të gjitheve atënisht,
Ismail Qemali"[6]

Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët austro-hungarez delegacionit shqiptar ia premtuan një vapor për të zbarkuar në Durrës. Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, gazetës italiane “Piccolo”, i deklaroi, se: "Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t'i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje". Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, përfundimisht delegacioni shqiptar në krye me Ismail Qemalin, me vaporin austriak "Graf Wurmbrand von Brünn" nga Trieste niset drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës, ku e priti Dom Nikoll Kaçorri më 24 nëntor, ora 4[7]. Ndonëse ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të shmangnin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç'pritej. Për shkak të gjendjes së nderë që mbretëronte në qytet, po atë ditë Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t'i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë. Ato ditë, meqë forcat serbe përparonin shpejtë drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (më 25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (më 26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës më 27 nëntor, ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës[8]. Delegacioni në krye me Ismail Qemalin niset më 25 nga Durrësi, duke iu shmangur rrugës kryesore së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme niset për në Vlorë. Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, ”gjenerali i divizionit turk Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, si pararojë të pjesës tjetër të armatës së Vardarit, që po vinte prapa në rrëmujë (e shpartalluar), dha urdhër të arrestohej Ismail beu me të gjithë kolonën e tij; për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut. Një natë e kalon në Fier tek Omer Pasha[7]. Mirëpo gjatë natës komanda e trupave turke në Berat, nën trysnin e përfaqësuesve shqiptarë ndryshoi mendim”. Nga vendi i quajtur Mifol, delegacioni i Ismail Qemalit udhëton me dy karroca[9] dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912 arrijnë në Vlorë.

Shpallja e pavarsisë[redakto | redakto tekstin burimor]

28 nëntor 1913 Me rastin e 1-vjetorit të pavarsisë

Situata në Vlorë ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Populli vlonjat me këtë rast i bëri pritje madhështore delegatëve të ardhur nga disa krahina të Shqipërisë. Ismail Qemali për këto momente në kujtimet e tij do të shkruaj: ”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli me përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”[8]. Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë..., u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës (në selamllek - oda e burrave), kushëri i Ismail Qemalit. Meqenëse anijet luftarake greke i qenë afruar portit të Vlorës dhe me të drejt i druhej ndonjë sulmi të forcave greke, por edhe për shkak të përparimit të pandaluar të ushtrisë serbe në verilindje të vendit, pa arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën të nesërmen të mblidhnin Kuvendin Kombëtar, për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar[10] që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, ndër to Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla (një ditë më vonë). U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Në politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverisë kombëtare u tregua i prirur për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit. Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut. Mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Me politikën e tij ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare, ku gjeti përplasje edhe nga bejlerë brënda familjes së tij.

Realisht ushtria turke dhe institucionet e saj bashkëjetonin me qeverinë e Vlorës edhe pas 28 nëntorit 1912, ku dhe batalionet e Vardarit të mundura nga trupat serbo-bullgare ishin shtrehuar në fshatrat e Myzeqesë kishin shprehur gadishmërinë për mbrojtjen e territorit të shteti shqiptar në qoftë se do të cënohej. Ishte kjo ushtri që i dha “qeverisë së Vlorës”, një copë territor, Llogara-Mifol. Në morinë e pretendetëve për fronin e Shqipërisë renditeshin fisnikë të ndryshëm, e një ndër këto ishte Izet Pasha, një ushtarak me origjinë shqiptare i `lëvizur` nga Turqit e Rinj. Me prirjet e dëshpëruara që të shpëtonin territoret e Perandorisë në Ballkan, dërguan në mision majorin në karrierë Beqir Grebenenë me mbi 400 trupa në vaporët e linjës austriake Lloyd që shkonte deri në Trieste. Majori zbarkon m'anë të një varke në Vlorë me pak oficerë për t'iu parashtruar planin qeverisë së përkohshme[9]. Misioni i majorit xhonturk me origjinë shqiptare Beqir Grebeneja i cili kishte hyrë në kontakt edhe me Ismail Qemalin dështoi (pasi dhe u arrestua nga gjendarmëria e qeverisë së Vlorës me të zbarkuar në breg për të shprehur qëllimet[9]), pasi konsulli i Serbisë i paditi këta të fundit në fillim të janarit tek KNK-ja. Ky ishte dhe shkaku kryesor që Ismail Qemali u detyrua të japë dorëheqjen dhe më pas të largohej nga Shqipëria.[11] Pushtetin ia "dorëzoi" Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas kësaj u largua nga Shqipëria për në Nicë të Francës, për t`u kthyer disa muaj më pas e për t'u larguar sërish në Itali. Vdes në rrethana të dyshimta në Peruxhia të Italisë më 24 janar 1919[12].

Vitet e fundit të jetës[redakto | redakto tekstin burimor]

Vlorë, Varri Monumental i Ismail Qemalit, vepër e skultorit Odhise Paskali

Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t'i ipte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: «Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit».

Busti i Ismail Qemalit

Ceremoni e Varrimit dhe rivarrimit[redakto | redakto tekstin burimor]

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. «...Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme... as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit...”[13].

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme Jone të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.


Pasardhësit e Ismail Qemalit[redakto | redakto tekstin burimor]

Më 1864, siç shkruan edhe veë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95). Duke qenë se familja e vajzës, kryesisht e njerka, për shkak të ndryshimit të fesë, nuk ishte dakord që të martoheshin, Ismail Qemali, me njerëzit e tij të besuar, e rrëmbeu gruan e tij të ardhëshme dhe, po të njëjtën ditë, në prani të dëshmitarëve nënshkroi «kontratën e martesës» sipas të cilës, nga pikpamja islamike, hiqej çdo mundësi tjetër për një martesë të dytë. «Martesa ime,- shkruan Ismail Qemali,- me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi». Me Kleoniqi Surmelin pati lumturinë, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë[14]: gjashtë djem: Mahmud bej Vlora(1871-1920), Tahir bej Vlora (1875-1932), Et'hem bej Vlora (1885-1937), Xhevdet bej Vlora (1888-1910), Qazim bej Vlora (1893-1953), Qamil bej Vlora (1895-1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.[15]

Shiko dhe këtë[redakto | redakto tekstin burimor]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida 2000
  2. ^ Prishtina H. bej, Nji shkurtim kujtimesh mbi Kryengritjen Shqyptare të vjetit 1912, Shtypshkronja Franciskane, Shkodër 1921.
  3. ^ Zografi Dh., "Shpallja e Pavarësisë, si luajti diplomacia e brishtë shqiptare", revista "Ylli i Mëngjesit", 30 nëntor 1917
  4. ^ a b Ikonomi I., “Pavarësia, Udhëtimi i paharruar i I. Qemalit”, UET Press, Tiranë 2012
  5. ^ Historia e Popullit Shqiptar (II) Botimi Toena, Tiranë 2002, f.509.
  6. ^ Vokopola F., gazeta “Njeriu”, nëntor 1939.
  7. ^ a b Letër e Eqrem bej Vlorës dërguar Mustafa Kruja, Ku isha në vigjilje të pavarësisë
  8. ^ a b Historia e Popullit Shqiptar II (Botimi i tretë), Prishtinë 1979 (1.) fq.351. (2.) fq.510
  9. ^ a b c Eqrem bej Vlora: Kujtime 1885-1925, Botime IDK.
  10. ^ Muzeu i Historis Kombtare
  11. ^ Memorandum përmbi Shqypënië Ma. Hasan Bello, Student doktorature në Stamboll
  12. ^ Nga Irvi Hyka
  13. ^ Darling Vlora, «Shqipëria dhe Shqiptarët», Tiranë 2008
  14. ^ «The Memoirs of Ismail Kemal Bey», Edited by Sommerville Story, London 1920
  15. ^ Dy djemtë e Ismail Qemalit, për të cilët nuk u fol kurrë

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]