Jashar bej Shkupi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jashar bej Shkupi (Yaşar  Bej, 1860, Shkup - 1919, Stamboll ka qenë një veprimtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jashar Shkupi u lind, u rrit dhe u shkollua në Shkup. Ai ishte një veprimtar, politikan, patriot dhe ideolog i kohës, pjesëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878. Ai ishte një politikan dhe figurë publike e njohur. Një kohë ka qenë kryetar i Degës së Lidhjes së Prizrenit për Sanxhakun e Shkupit dhe prefekt i Shkupit nga muaji dhjetor në vitin 1880 deri në muajin prill të vitit 1881. Jashar beu dha kontribut të madh në finansimin e arsimit shqip dhe në çështjet politike-shoqërore në Shkup e Maqedoni. Me mjetet e veta materiale bëri renovimin e objekteve e monumenteve kulturoro-historike të Shkupit. Sipas të dhënave historike, mbishkrimit në Bezistan, në vitin 1892-1893, Jashar Beu, bashkë me Husein Beun dhe Osman Beun, bënë restaurimin e Bezistanit në Shkup. Jashar Beu ka vdekur në vitin 1919 në Stamboll në moshën 59 vjeçare.

Në vitin 2008, shteti dëshiroi që në shtëpinë e Jashar Beut të vendosej një muze “i lirisë”. Pas kundërshtimeve dhe përkrahjeve ideja për një kohë shkoi huq. Nga të dhënat historike thuhet se Jashar Beu, i cili përmendet edhe si kryetari i parë i Shkupit, ndërtoi shtëpinë e tij rreth vitit 1885, në vendin e shtëpisë së mëparshme familjare, e cila ishte shkatërruar nga zjarri. Më vonë shtëpia i përkiste nipërve dhe mbesave të tij deri në vitin 2003, kur ajo u shit për një emigrant që jetonte në Zvicër. Në vitin 2007, për t’ju shmangur ndërhyrjeve dhe transformimeve të objektit, objekti u vendos nën mbrojtje, si një objekt me rëndësi historike dhe kulturore. Por me ndërrimin e qeverive, shtëpia u shndërrua në muze, kurse në të janë paraqitur eksponate nga periudha e Lidhjes së Prizrenit në 1878 deri në konfliktin maqedono-shqiptar të vitit 2001. Artifaktet përfshijnë armë të vjetra, fotografi, monedha, dokumente, uniforma të ULAK-së dhe flamuj.

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 2019, Posta e Maqedonisë e lëshoi në qarkullin një pullë postare me pamjen e Jashar Bej Shkupit.[2]

Pos kësaj në kohët e sotme në Shkup, në lagjen Dyqanxhik, në Çair, gjendet një shkollë fillore me emrin e tij, e ndërtuar në vitin 1959,[3] nuk ka ndonjë shenjë tjetër për përkujtimin e jetës dhe veprës së tij.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "JASHAR BEJ SHKUPI - Zeri Islam.com". www.zeriislam.com. Marrë më 2024-03-23.
  2. ^ "Promovohet pulla postare dedikuar Jashar Bej Shkupit". А.Д. Пошта на Северна Македонија. 2019-04-15. Marrë më 2024-03-23.
  3. ^ "Jashar Bej Shkupi". Komuna e Çairit. 2018-11-15. Marrë më 2024-03-23.