KK Iliria

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Klubi i karatesë “Iliria” nga Prishtina u themelua në vitin 1994 nga një grup entuziastësh, të cilët karatenë e kishin mësuar në klubin “Minatori”, i cili në atë kohë faktikisht kishte pushuar së vepruari.

Anëtarët e klubit të sapoformuar filluan t’i mbanin ushtrimet në shkollën fillore “Iliria”, në të cilën i zhvillojnë aktivitetet e tyre edhe sot, pas plot 13 vjetësh.

Kryetrajner i klubit ishte zgjedhur Safet Ramadani, i cili kishte qenë edhe iniciator kryesor për themelimin e klubit.

Deri në vitin 1999 klubi kishte arritura mjaft suksese, mirëpo serinë e vërtetë të rezultateve kulmore ky klub e fillon pas përfundimit të luftës, nga korriku i vitit 1999: në vitin 2000 shpallet klubi më i suksesshëm sportiv kosovar, ndërsa në vitet vijuese 2001-2004, Federata e Karatesë e Kosovës katër herë radhazi e shpallë klubin më të suksesshëm të karatesë. Gjatë kësaj kohë, kryetrajneri Safet Ramadani, i cili ndërkohë ishte avancuar në refer kombëtar, që me sukses ndante drejtësinë edhe në garat prestigjioze ndërkombëtare, disa herë shpallet trajneri dhe referi më i suksesshëm kosovar.

Nga viti 2004 e këndej, klubi orientohet më shumë nga arena ndërkombëtare dhe nga bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Karatesë, kështu që nga ajo kohë në përfaqësuesen shqiptare rregullisht marrin pjesë edhe nga 8-9 garues të klubit “Iliria”. Megjithatë, kujdes i merituar edhe më tutje i kushtohet edhe arenës kombëtare, kështu që KK “Iliria” dy vitet e fundit sërisht është klubi më i madh dhe më i suksesshëm kosovar i karatesë.

Klubi bashkëpunon ngushtë edhe me shumë klube kosovare dhe të vendeve të rajonit. Nga klubet kosovare bashkëpunim të rregullt ka me KK “Seishinkan” të Prishtinës, me KK “Fudochi” të Orllanit etj., ndërsa në plan më të gjerë bashkëpunon me disa klube nga Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina etj.

Sot klubi numëron mbi 120 anëtarë, nga të cilët mbi 30 janë mjeshtër të karatesë me gradat prej 1 Dan deri në 4 Dan.

Kryetar i klubit është Muhamet Prapashtica, drejtor i klubit është Xhevdet Mulaku, shef i Shtabit teknik Safet Ramadani, mjeshtër i shkallës 5 Dan dhe refer ndërkombëtar i karatesë, kurse Shkollën e karatesë e drejton Mustafë Statovci 7 Dan.