Kadrush Sylejmani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kadrush Sylejmani
Emri Kadrush
Mbiemri Sylejmani
Lindur më 24 maj 1940
Lindur në Muçivërc, Dardanë
Vdiq më 4 gusht 2007
Vdiq në Prishtinë
Kombësia shqiptare
Shtetësia kosovare, jugosllave
Profesioni gazetar

Kadrush Sylejmani u lind më 24 maj 1940 në fshatin MuçivërcDardanës, ish-Kamenicës. Shkollën fillore e kreu në Roganë, Shkollën Normale dhe Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe letërsi angleze dhe amerikane në Prishtinë. Ishte mësues, pastaj gazetar dhe redaktor në të përditshmen "Rilindja", kryeredaktor i gazetës "Ramiz Sadiku" e shef i Shërbimit të informatave në Kombinatin Ndërtimor-Industrial "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, prej nga regjimi shovinist i Beogradit e largoi me dhunë nga puna në mars të vitit 1990, bashkë me më se 6.500 punëtorë shqiptarë të këtij Kombinati përkatësisht me më se 165.000 punëtorë të tjerë shqiptarë në Kosovë.

Nga 2 shtatori 1993 deri më 24 mars 1999, ishte arsimtar i gjuhës angleze në Shkollën fillore "Gjergj Fishta" në Prishtinë, ndërkaq nga 12 korriku 1999 deri më 15 shkurt 2002 punoi në Departamentin e Informatave të Misionit Civil të OKB-së në Kosovë si mbikëqyrës i radiove në shqip dhe një kohë edhe serbisht (Radio Monitor). Më vonë punoi si shef i Seksionit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës (15 shkurt 2002 deri më 21 tetor 2002), ligjërues i shkrimit bashkëkohor shqip për "International Organization for Migration" në Akademinë Mbrojtëse të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (21 tetor 2002 deri më 15 korrik 2003), ndërkaq nga 1 shtatori 2004 – arsimtar i gjuhës angleze në Gjimnazin "Sami Frashëri" në Prishtinë.

Kadrush Sylejmani me shkrime filloi të mirret që kur ishte nxënës i Shkollës Normale. Tregimet e para për fëmijë e të rritur i botoi në gazetën e përditshme "Rilindja", "Pionieri" e "Jeta e re" e bashkëpunoi edhe me të përkohshme të tjera shqipe në Kosovë e Maqedoni.

Kadrush Sylejmani botoi disa poezi, tregime për fëmijë e të rritur e proza poetike, kronika, pjesë të ditarit e përkthime nga anglishtja në shqipe, por edhe studime :

  • "Një pasqyrë e shkurtër e Alfabetit", 1968 ;
  • "Viset shqiptare në udhëpërshkrimet e Evlia Çelebisë", 1969 ;
  • "Amerikani që po zhduket", 1969 ;
  • "Heronjtë nuk vdesin kurrë", 1969 ;
  • "Në botën e heronjve të Shekspirit", 1970 ;
  • "Lypsi si fenomen shoqëror", 1971 ;
  • "Kuvendet dhe kongreset iliro-shqiptare nga lashtësia deri më sot", 1992 ;
Fejtonet
  • "Isha unë dëshmitar në Procesin e Nyrnbergut", 1968 ;
  • "Banori i parë i Shtëpisë së Bardhë", 1969 ;
  • "Fluturimet në gjithësi", 1970 ;
  • “Njeriu dhe klima”, 1971,
  • “Gjurmëve të lashtësisë : kush jemi dhe çka jemi ?”, 1971 ;
  • “Autenticiteti i lashtësisë”, 1972 ;
  • “Kur filloi civilizimi”, 1972 ;
  • “Metush Krasniqi - simbol i qëndresës shqiptare”, 1992 ;
  • “Krimet e civilëve serbë mbi shqiptarët civilë në Kosovë më 1999” ;
  • etj.

Në të përkohshmet shqipe botoi edhe udhëpërshkrime nga dhjetëra vende të botës, si :

  • "Gjurmëve të lashtësisë helene",
  • "Shënime nga toka e faraonëve", 1976,
  • "Anglia, vend i etshëm për rreze të diellit", 1963,
  • etj.
monografi, si
  • "Hasan Masurica - Leonardo Da Vinçi shqiptar", 1975,
  • "Lam Breznica - trim legjendar i Luftës së Ushit", 1993 * etj.

Nga një shtatori 1963 deri më 28 nëntor 1994, botoi me tri pseudonime më se një mijë informata, analiza e komente politike, ekonomike dhe ushtarake mbi gjendjen në Kosovë e Jugosllavi në gjuhën angleze në gazeta e revista në ShBA, Kanada, shtetet e Evropës Perëndimore, në Turqi, në shtetet arabe të Lindjes së Mesme dhe në vendet arabe në Afrikë, në Pakistan, Indonezi, etj. Kopjet e gazetave dhe revistave të tilla ruhen në shtëpinë e emigrantit politik Abdyl Kika nga Lupçi i Ultë të Besianës, Kosovë, me vendbanim në Valskrajburg të Gjermanisë, ndërkaq origjinalet e dorëshkrimeve ruhen në Arkivin shtetëror në Skrapar të Shqipërisë.

Në vitin 1993 botoi librin me aforizma politike dhe mendime të kohës "Shkreptimë zemërimi" librin monografik "Hasan Masurica - hoxhë e inovator", në vitin 1994 romanin historik "Udhëtimet e princ Lorikut të Dardanisë - për besëlidhjen e fiseve dhe viseve ilire", monografinë “Trima të Ushit dhe të Anamoravës” - rrëfime të Lam Breznicës e të bashkëluftëtarëve të tij”, librin “Zëri i shpresës”, kushtuar prof Dr. primarius Ali Sokolit, kurse më 1999, monografinë “Metush Krasniqi - simbol i qëndresës shqiptare.” Librin me titull “Polemikë me prof. dr. Ismet Dërmakun lidhur me librin “Gjon Serreçi dhe NDSh-ja” (Dokumente arkivore) e botoi në vitin 2.000, librin me titull: Prof. dr. Ismet Dërmaku dhe hafijet e tij 1946-2003” më 2003. Në vitin 1995 përgatiti në paus monografitë “Gjon Serreçi - Jeta dhe vdekja për atdhe” dhe ”Lotë Vaku - kaçaku i Anamoravës 1912-1947” si dhe librin “Enciklopedia e përgjithshme” prej 3700 faqesh të kompjuterit.

Kadrush Sylejmani ka disa dhjetëra mija faqe kronikë në dorëshkrim nga ngjarjet në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi nga 11 marsi 1981 deri në tetor 1991, si dhe ditarin në dorëshkrim prej 1.148 faqesh me titull "Ngjarjet në Kosovë - 11 mars 1981 deri më 28 maj 1982", dorëshkrime këto, që qeveria e Tiranës i ka mbyllur zyrtarisht në Arkivin Shtetëror në Skrapar në vitin 1991. Të shkruar dhe redaktuar ka ditarët në shqip : ”365 ditë që e tronditën Kosovën” për vitin 1998 dhe ditarin në gjuhën anglezeprej 1285 faqesh të kompjuterit me titull : ”The Events in and Around Kosova – Jun 13, 1999 to February 28, 2002” që gjenden në arkivin shtëpiak, 8022 portrete të njerëzve të shquar botëror, që e bënë të mundshëm zhvillimin e sotëm në botë, 1382 portrete iliro-shqiptare nga shek. V para erës së re deri në vitin 2000, etj.

Pas një sëmundje të gjatë, Kadrush Sylejmani ndërroi jetë më 4 gusht të vitit 2007 në Prishtinë. Në fund duhet theksuar se autori tetëdhjetë përqind të tetë veprave të botuara ua ka dhuruar bibliotekave të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, kurse ekzemplarët tjerë - miqve, shokëve e të njohurve të tij.