Kalaja e Skelës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Në vitin 1531 Sulltan Sulejmani ndërtoi Kalanë e Skelës e cila gjendej në afërsi të Skelës së sotme, dhe deri në vitet e fundit ishte 4 km larg periferisë së qytetit. Kronikani turk Evliha Çelebi shkruan se largësia midis dy kullave skajore ka qenë 90 m. Rrjedhimisht, sipërfaqja e kalasë ka qenë rreth 3.5 ha. Sipas peizazhit që përshkruan Çelebiu kur thotë se “ky qytet (Vlora) nuk ka asnjë kontakt me kalanë”, kuptojmë se kjo shkëputje nuk ndodhi në shekujt që pasuan ndërtimin e kalasë, por lindi që në fillim. Qenia e kalasë në një largësi të madhe nga qyteti tregon se Vlora, si qytet i hapur nuk lindi prej rritjes së popullsisë së kalasë dhe as kalaja nuk u ndërtua për mbrojtjen e Vlorës, strukturë kjo mjaft specifike që nuk e hasim në ndonjë qytet tjetër të vendit tonë. Për numrin e kateve dhe kupolën e saj, na vë në dijeni Çelebiu, i cili shkruan se kulla ishte 7- katëshe dhe mbulohej me kupolë plumbi, mbi të cilën lartësohej një shtizë e gjatë, me sa duket shtiza e flamurit, të cilën e shohim dhe në një nga gravurat. Prej të dhënave del se brenda kullës gjendeshin magazinat dhe banesa e komandantit të kalasë. Ruajtja në të e municioneve kërkonte mure të fuqishëm që të mos shpoheshin prej predhave. Së fundi, në të dëshmohet prania e topave në pjesën e sipërme të kullës. Mbrojtja e kalasë kryhej edhe prej kryekullës. Kronikani turk që e kishte parë këtë vepër arkitekturore më shumë se një shekull pas ndërtimit shkruan: “ata që s’kanë parë fortesën e Vlorës nuk kanë dijeni mbi mjeshtërinë e osmanëve”.