Kali i Nilit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Hippopotamus
Hippopotamus amphibius
Hippopotamus amphibius
Klasifikimi shkencor
Mbretëria: Animalia
Filumi: Chordata
Klasa: Mammalia
Mbirendi: Cetartiodactyla
Rendi: Artiodactyla
Familja: Hippopotamidae
Gjinia: Hippopotamus
Linnaeus, 1758
Speciet: H. amphibius
Emri binominal
Hippopotamus amphibius
Linnaeus, 1758[1]
Shtrirja e llojit
Shtrirja e llojit

Kali i Nilit, hippopotamus (Hippopotamus amphibius), nga greqishtja ἱπποπόταμος (hippopotamos, ιππος hippos që don të thotë "kali" dhe πόταμος potamus që don të thot "lum"), shpesh emërohet shkurt si "hippo" (barbarizëm nga anglishtja i përdorur edhe në shqip), është gjitar, i cili jeton në Afrikë dhe është një nga 2 llojet ekzistuese të familjes Hippopotamidae. Në këtë familje bën pjesë edhe hipopotami pigme (xhuxh) (Choeropsis liberiensi).

Siç shihet nga vetë emërtimi i kafshës, grekët e lashtë kanë menduar që hipopotami (Kali i Nilit) bën pjesë në familjen e njëjtë me kalin. Në anën tjetër, për një periudhë mjaft të gjatë, shkencëtarët kanë vazhduar ta klasifikojnë hipopotamin në grupin e njëjtë të kafshëve, në bazë të mostrave të dhëmbëve molarë. Megjithatë, në bazë të zbulimeve më të reja, të fituara në bazë të ekzaminimit të fosileve, është vërtetuar që hipopotami ka afërsi familjare me balenat dhe delfinët. Në të kaluarën e lashtë, këto kafshë kanë qenë banore mjaft të shpeshta të Amerikës Veriore dhe Evropës. Sot, hipopotami zakonisht jeton pranë lumenjve dhe liqeneve të Ugandës, Sudanit, Kenias, në veri të Kongos dhe Etiopisë, në perëndim të Gambias si dhe në jug të Afrikës, (p.sh. në Botsuanë, Zimbabve, Republikë të Afrikës së Jugut). Këto kafshë të shoqërueshme jetojnë në grupe të cilat zakonisht përbëhen nga 40 hipopotamë, kurse jetëgjatësia e tyre mund të jetë prej 40-50 vite. Hipopotami i gjinisë femërore e arrin pjekurinë seksuale në moshën 5-6 vjeçare dhe periudha e barrës zgjat tetë muaj. Hipopotami është i gjatë prej 3.5 gjer në 4.5 metra; nëse e masim gjer te supet, hipopotami është i gjatë 1.5 metra dhe peshon prej 1500 gjer në 3200 kg. Hipopotami i gjinisë mashkullore rritet gjatë gjithë jetës, kurse pjesëtaret e gjinisë femërore e arrijnë peshën maksimale në moshën 25 vjeçare. Lëkura e hipopotamit është e trashë 4 cm dhe kjo praktikisht do të thotë që 25% e peshës së përgjithshme (një tonë) të hipopotamit përbëhet nga lëkura. Edhe pse hipopotami është një kafshë gjigante dhe e rëndë, në tokë, ai mund të vrapojë më shpejtë se njeriu, duke arritur shpejtësinë prej 30 gjer në 50 km/h, por vetëm në shtigje të shkurtra (gjer në disa qindra metra). Trupi i rëndë dhe cilindrik i hipopotamit mbahet për këmbët e tij të fuqishme. Hipopotami ka kokë tepër të madhe dhe ka sy të vegjël. Hipopotami ka veshë të vegjël dhe sa herë që del nga uji, ai i shkund veshët e tij. Dhëmbët e syrit në nofullën e poshtme të hipopotamit janë shndërruar në dhëmbë të fuqishëm, të cilët mund të arrijnë gjatësinë prej 60 cm dhe mund të peshojnë gjer në 2.5 kg. Trupi i tij nuk është i mbuluar me qime, përveç në pjesët e bishtit dhe në feçkë. Sytë, veshët dhe vrimat e hundës së hipopotamit ndodhen në vetë maje të kafkës. Lëkura e hipopotamit thahet shpejt në diellin përcëllues të Afrikës dhe për këtë arsye, kjo kafshë e kalon tërë ditën duke u shtrirë në baltë dhe në ujë, të cilët i shërbejnë si rregullator të temperaturës si dhe për t'u freskuar dhe për t'u mbrojtur nga dielli tropikal. Hipopotami nuk ka gjëndrra të djersitjes sikurse që kanë gjitarët e tjerë. Në vend të tyre, kjo kafshë përmes poreve në lëkurë e lëshon (tajit) një lëng ngjitës me ngjyrë të kuqërremtë, i cili thahet dhe krijon shkumë nëpër trupin e hipopotamit dhe në këtë mënyrë e mbron lëkurën e tij nga djegiet e diellit. Ekzistojnë dy pigmente të ndryshme në këtë sekretim (pigmenti me ngjyrë të kuqe dhe portokalli) dhe këto pigmente kanë nivel të lartë të përbërjes acidore (pigmenti i kuq e pengon rritjen dhe zhvillimin e baktereve, të cilat shkaktojnë sëmundje dhe ka efekt antibiotik).[2]

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ ITIS on Hippopotamus amphibius. Integrated Taxonomic Information System. Vizituar në 29 korrik, 2007.
  2. ^ Revista "Foryou" Nr.58 f.9