Karl Popper

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Karl Popper
EmriKarl Popper
Lindja28 korrik 1902
VendlindjaVjena, Austro-Hungaria
Vdekja17 shtator 1994
VendvdekjaLondër, Mbretëria e Bashkuar
EraFilozofia e shekullit XX
Shkolla/traditaFilozofia analitike
Ide të famshmeShoqeria e Hapur
Paradoksi i Popperit
Ndikoi te

Sir Karl Raimund Popper (1902-1994) ishte një filozof dhe epistemolog austriak, i natyralizuar britanik[1], por me origjinë

hebraike. Konsiderohet si një ndër filozofët më të mëdhenjë të shkencës në shekullin e 20-të[2], vepra e të cilit ka influencuar filozofinë e shkencës dhe të politikës. Sir Karl Popper me veprën e tij është një mbrojtës i liberalizmit dhe kundërshtar i çdo forme totalitarizmi[3]. Është i njohur për kritikat e ngritura ndaj induksionit, dhe për propozimin e falsifikueshmërisë si kriter demarkacioni mes shkencës dhe jo shkencës.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Karl Popper lindi në Vjenë më 28 korrik 1902 në një familje me interesa intelektuale.

Studimet universitare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1922 regjistrohet në Universitetin e Vjenës, ku diplomohet në filozofi me disertacionin “Mbi problemin e metodës së psikologjisë së të menduarit”. Pas kesaj, vendos t’i përkushtohet kërkimit shkencor.

Gjatë studimeve universitare, kur interesimet e tij u përqëndruan në psikologjinë e të menduarit, ai kaloi nëpër duar arritjet më të reja e më të spikatura në lëmin e psikologjisë. Në të njëjtën kohë, falë aftësive përvetësuese të pazakonta, arriti një formim tepër solid në matematikë e në fizikë, çka, më 1929, i mundësoi liçencën për t’i dhënë këto lëndë në shkollën e mesme. Më pas, Popper e plotësoi bagazhin e vet me tërë spektrin e shkencave fondamentale natyrore. Njohja po aq e thelluar e shkencave shoqërore e renditi ndër specialistët më të shquar të harkut të kulturës njerëzore. Në qoftë se thuhet, jo pa arsye, se racën e dijetarëve universalë e zhduku diferencimi i madh i shkencave, mund të thuhet se Popper përbën një “përgenjeshtrim” të këtij pohimi. Prandaj edhe sprova e parë, libri "Dy problemet themelore të teorisë së njohjes" i përfunduar më 1934 dhe i botuar me mjaft shkurtime me titullin Logjika e kërkimit , ishte shenjë e sigurt se në arenën e mendimit filozofik po dilte nje autor serioz.

Jeta akademike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë viteve 1935-1936, dy periudha të gjata i kalon në Angli, ku paraqit tezat e tij ndër konferenca e debate në institucionet më prestigjioze, duke përfshirë universitetet e Oksfordit e Kembrixhit dhe Shkollën Ekonomike të Londrës. Njihet me personalitetet më me ndikim të kohës, Ayer-in, Moore-in, Berlinin, Hayek-un, Ryle-in, Robbinsin, Gombrich-in, Russell-in.

Më 1937 shkon në Zelandën e Re, ku punon profesor në Universitetin e Kristçërçit. Kryen një varg studimesh teorike, matematike, sidomos për aksiomatizimin e algjebrës së Bulit e teorinë e probabiliteteve.

Më 1938, bash në kohën kur Hitleri ndërmerrte Anschluss-in e Austrisë, fillon veprën madhore "Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj", që do të jetë beteja e tij kundër totalitarizmit me armët logjiko-epistemologjike, të cilat ai i përdorte kaq mjeshtërisht. Dy vëllimet të përfunduara më 1943, botohen në Angli dy vjet më vonë me interesimin e posaçëm te Gombrich-it dhe Hayek-ut.

Zhvendosja në Angli[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1946 Shkolla Ekonomike e Londrës e thirri dhe i besoi vendin e Profesorit të Logjikës e të Metodës shkencore. Këtë bën dhe Universiteti i Londrës tre vjet më vonë. Për 23 vjet, derisa doli në pension (1969), ushtroi një ndikim të paharrueshëm mbi breza të tërë studentësh.

Mendimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Filozofia e shkencës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Problemi i shkencës dhe jo-shkencës; falsifikueshmëria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vepërn e tij seminale The Logic of Scientific Discovery (Logjika e zbulimeve shkencore), Karl Popperi hedh poshtë induksionin, dhe propozon falsifikueshmërinë si një ndarje mes shkencës dhe jo-shkencës. Në mënyrë që një teori të jetë shkencore, ajo duhet të jetë e testueshme, dhe rezultatet e testimit duhet të mbështesin, pra konfirmojnë, teorinë, ose ta falsifikojnë atë; pra të tregojnë se testimi e nxjerr teorinë të gabuar në aspekte të caktuara të saj[4].

Një pohim ose një teori është e falsifikueshme nëse hipotetikisht është e mundur që një test apo një vëzhgim ta tregojnë atë të gabuar. Një pohim apo një teori që nuk mund të tregohet asnjëherë se është e gabuar është një teori jo e falsifikueshme, dhe kështu, një pseudoshkencë, ose jo-shkencë.

Që një hipotezë të konsiderohet shkencore, ajo duhet të jetë "e falsifikueshme", pra të mund të tregohet e gabuar. Teori, hipoteza dhe pohime që nuk mund të "falsifikohen" e si pasojë konsiderohen pseudoshkenca janë: psikoanaliza dhe ngrohja globale.

Shembull: të pohosh se nëse do të ishe X vite më i ri do të ishe më i lumtur, është një pohim jo i falsifikueshëm, pra që nuk mund të tregohet i gabuar, meqë nuk mund t'i nënshtrohet testimit, e si pasojë, çdo teori apo përfundim që bazohet mbi një të tillë supozim quhet jo-shkencor ose pseudoshkencor[4].

Demokracia dhe Sistemet totalitare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vepra “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” analizon kontributet e Platonit, Hegelit dhe Marksit në formësimin e shoqërive anti-racionale dhe tribale, “shoqëri të mbyllura”. Për Popperin, shoqëria e mbyllur është e dominuar nga një mungesë kriticizmi dhe nga ide të rrënjosura që nuk konsiderohen si norma shoqërore, por si 'tabu' të pakundërshtueshme; po ashtu, shoqëria e mbyllur është e dominuar nga kolektivizmi që e nënshtronte individin ndaj grupit. Gjithashtu, Sir Karl Popperi vuri në dukje se si pikëpamjet “historiciste” ishin në themel të shoqërive 'të mbyllura'[5].

Racionalizmi kritik[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në veprat e tij Karl Popper shpie edhe më tej ilustrimin e konceptit të racionalizmit kritik, i cili kundërshton racionalizmin autoritarist që mbahej nga shumë filozofë pararendës, të cilët i jepnin një peshë të madhe justifikimit. Karl Popperi shkon kundër idesë së justifikiacionizmit [6], duke argumentuar se çdo akt i tillë shpie një regres dhe përfundon një një çështje "feje", në kuptimin e një besimi që mbahet pa arsye dhe që është i pakritikueshëm. Popperi e ilustroi racionalitetin, jo si një metodologji për të formuluar dhe verifikuar propozime apo pohime, por si një kriticizëm konstant ndaj bindjeve aktuale.

Një e tillë filozofi, nuk lejon që filozofi Karl Popper të mund të vendoset diku në aksin e majtë/e djathtë. Filozofia e Popperit implikon se nuk ka asnjë metodë që të mund të prodhojë një përshkrim ekzakt të universit dhe ligjeve të tij. Po ashtu nuk ka asnjë metodë për të prodhuar ligje shoqërore perfekte (utopike), norma apo veprime qeveritare.

Sipas Popperit, individët anëtarë të një shoqërie, do të jenë gjithnjë në një situatë jo-perfekte dhe përmirësimi mund të vijë vetëm nga ndryshimi i ngadaltë, vullnetar dhe i pa sforcuar nga organizma autoritare socialiste apo kolektiviste. Individët anëtarë të një shoqërie, të cilët janë të vetmit që e dinë se çfarë është e mirë ose e keqe për ta, e përmirësojnë vetveten dhe raportin e tyre me të tjerët nëpërmjet vet-kriticizmit, i cili nuk duhet të kufizohet nga aparate represive apo ligje të tipit shoqëror socialist, edhe kur këto ligje apo norma imponohen në emër të së mirës së përgjithshme.

Vepra (të përkthyera në shqip)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • The Poverty of Historicism, 1936, 1957 si libër – ("Mjerimi i Historicizmit", Onufri, 2009)
  • The Open Society and Its Enemies, 1945 (2 vol), - ("Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj", Fan Noli, 2009, 2 vol.)

Të tjera vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Conjectures and Refutations: The Growth of Scientific Knowledge, 1963
  • Objective Knowledge: An Evolutionary Approach, 1972, Rev. ed., 1979
  • All life is Problem Solving, 1994,
  • The Myth of the Framework: In Defence of Science and Rationality, 1994

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Watkins, J. Obituary of Karl Popper, 1902–1994. Proceedings of the British Academy, 94, pp. 645–684
  2. ^ Shiko Stephen Thornton, "Karl Popper", tek The Stanford Encyclopedia of Philosophy (2009 Edition), Edward N. Zalta (ed.)
  3. ^ "Karl Popper: Political Philosophy [Internet Encyclopedia of Philosophy]". Iep.utm.edu. 2 gusht 2013. Marrë më 1 gusht 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b "Karl Popper (Stanford Encyclopedia of Philosophy/Spring 2013 Edition)". Plato.stanford.edu. Marrë më 12 gusht 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!) Gabim referencash: Invalid <ref> tag; name "plato.stanford" defined multiple times with different content
  5. ^ The Poverty of Historicism (Shqip: Mjerimi i historicizmit)
  6. ^ William W. Bartley: Rationality versus the Theory of Rationality, Mario Bunge: The Critical Approach to Science and Philosophy (The Free Press of Glencoe, 1964), sect. IX.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]