Kin Dushi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kin Dushi (Shirokë, 27 maj 1922 - 6 prill 1994) ka qenë veprimtar i Frontit Nacional-Çlirimtar, ndër gazetarët e parë të "Zërit të Popullit",[1] shkrimtar dhe disident shqiptar,[2] i burgosur si nga fashistët ashtu edhe nga komunistët.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në lokalitetin buzëliqenor të Shirokës, në Shkodër më 1922. I ngelur jetim kur ishte 10 vjeç, u rrit në një jetimore në Tiranë.[3] Ndoqi dhe përfundoi Normalen e Elbasanit.[4] U radhit me Frontin Nacional-Çlirimtar në një brigadë të komanduar nga Gjin Marku,[5] u arrestua nga autoritetet shqiptare pas kapitullimit italian, u dërgua në kampin e përqendrimit të Prishtinës, përvojë të cilën e përshkroi pas luftës në tregimin e gjatë "Në gojën e ujkut".[6]

Në vitin 1949-1952, Dushi shkoi për studime në Bashkimin Sovjetik për letërsi. Pas kthimit, nisi të punojë si gazetar te “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera.

Në vitin 1955 shkroi “Udha e Velanit” dhe më 1961 “Kronikë e vendit tim”. Është i pari shkrimtar që fitoi çmimin e Republikës në Shqipëri, me romanin “Udha e Velanit”, në vitet 1955-1956. Bëhet dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve”. Në vitin 1962 shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 6”. Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të viteve të komunizmit. Dikur asokohe u bë kryeredaktor i revistës "Ylli".[5] Pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve” botuar më 1964, u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të luftës nacionalçlirimtare, në plenumin e 15-të të Komitetit Qendror të Partisë.

Dushi do të arrestohej 3 vjet më vonë, më 3 tetor 1967, dhe u dënua me 8 vjet burg politik, si “armik i popullit”. Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi.

Në vitin 1975 doli nga Burgu i Burrelit dhe punoi në ndërtim në Ndërmarrjen "21 Dhjetori" në Tiranë, derisa mbush moshën e pensionit. Dhjetë vjet më vonë, më 1985-n, Presidenti Ramiz Alia, i njeh kontributin në Luftën Nacionalçlirimtare, duke i akorduar vjetërsinë e viteve të luftës. Më 1988-n, i rikthehet letërsisë. Ai nis të shkruajë "Njeriu me proteza". Por e ndërpret punën deri në vitin 1992, për shkak të problemeve që kishte me shikimin, probleme të cilat i ishin shkaktuar nga shpërthimi i një bombe gjatë luftës. I rikthehet romanit po atë vit, me ndihmën e mbesës së tij së cilës i dikton romanin.[4]

Nuk mundi të përfundonte dhe më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi, pasi kishte humbur krejtësisht shikimin, u nda nga jeta.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Dritëro Agolli (14 tetor 2011). "Dënimi i shkrimtarëve ishte i gabuar". Panorama. Intervistuar nga Alma Mile.
  2. ^ Perikli Jorgoni (maj 1992). Intervistuar nga Ursula Ruston. "Dead poets translation society". Index on Censorship (në anglisht). 21 (9): 17–18.
  3. ^ "Përzgjidhen protagonistët e veprës "Banorët e shkallës nr. 5"". Shqip. 19 gusht 2009. Arkivuar nga origjinali më 11 shkurt 2021. Marrë më 31 janar 2021.
  4. ^ a b "Kin Dushi, shkrimtari që u la në harresë nga regjimi komunist". Fjala. 23 maj 2020.
  5. ^ a b Zef Pllumi. Rrno vetëm për me tregue. Tiranë: Hylli i Dritës. fq. 196.
  6. ^ Razi Brahimi (1965). Shënime letrare (PDF). Tiranë: Naim Frashëri. fq. 9. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 11 shkurt 2021. Marrë më 31 janar 2021.