Kisha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Katedralja e Shën Palit, Tiranë.
Bazilika e Zemrësë Shenjtë. Paris.
Katedralja e Shën Adalbert në Hungari.
Kishë në Islandë.

Kishë është një fjalë e huazuar nga fjala italiane chiesa (që nga ana e saj rrjedh nga fjala greke εκκλησια, ekklisìa - bashkësi) dhe përcakton:

  • Besëlidhjen e Re bashkësinë e krishterë, si vendore po ashtu edhe botërore,
  • bashkësinë e të gjithë të krishterëve,
  • njerëz që i përkasin një besimi ose bindjeje, një formë organizacioni të rregullt bashkësie të besimit të krishterë,
  • nje godinë që i shërben mbledhjes së anëtareve të një bashkësie të krishterësh, dhe ku bëhet kryerja e shërbesave fetare të krishtera,
  • në gjuhën e përditshme shtëpinë e Zotit dhe meshën e krishterë.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Kisha e ka prejardhjen e saj nga qindvjeçari i I i e.r. Në fillim njihej si një sekt hebraik. Me predikimin e Palit të Tarsit (Saulit, Shën Palit) formohen edhe bashkësi "miqësore", pra, të njerëzve me prejardhje jo hebraike, zakonisht të kulturës greke. Në qindvjeçarin e II të e.r. kishat judeo-krishtere (atyre më pranë hebraizmit) përjashtohen nga judaizmi që po riorganizonte strukturat dhe bazat e veta fetare pas krizës së shkatërrimit të Tempullit të Jeruzalemit në vitin 70 e.r., ndërsa kishat e miqësorëve vazhdonin të zgjeroheshin. Historikët e tregojnë me emërtimin "Kisha e Madhe" njësimin e bashkësive të rrjedhura nga apostuj të ndryshëm (qoftë të atyre nga Jeruzalemi po ashtu edhe të atyrëve të lidhur me Shën Palin) që më parë ndikuan në kishën katolike e ortodokse të mijëvjeçarit të parë, për t´i dalluar nga grupe anësore të frymëzimit të krishterë që përpunojnë mësime të veçanta që nuk pranohen nga shumica, si ebionitët dhe gnostikët.

Faza e dytë e kishës është ajo e etërve, d.m.th. formimit të një trupi shtjelluesish (shpjeguesish) të shkrimeve, zënkat me heretikët dhe shmangiet në lidhje me "paganizmin" dhe judaizmin, të përbërë nga shkrimtarë, shpesh kishtarë, që janë të detyruar t´i rishqyrtojnë mësimet e krishterimit në fushën kulturore të kohës. Në këtë kohë nis të ndihet nevoja për një ligj shkrimesh veçanërisht të krishtere për ta afruar me atë hebraik, që gjer në atë kohë mendohej si i vetmi i duhur, në formën para shkatërrimit të Tempullit të Jeruzalemit nga romakët.

Duke nisur nga qindvjeçari i IV vendoset edhe problemi i ndërsjelljes me shtetin, në veçanti Perandorinë Romake, ku edhe ndryshohet gjendja ligjore, më parë si fe e paligjëshme (deri në kohën e Konstantinit), më pas me Konstantinin bëhet fe e lejuar dhe më në fund me Teodosin, fe shtetërore. Nis edhe përparimi i dallimsisë në mendësinë e Kishës latine në krahasim me atë greken, dhe me këshillet ekumenike ndihmohet në një përcaktim të rreptë të ortodoksisë dhe në formimin e një gjuhësie teologjike veçanërisht të krishterë, të ndryshuara nga filozofia greke. Kjo sjell edhe largimin e disa kishave "kombëtare" nga gjiri i Kishës së Madhe (shiko Kishat e lashta të Lindjes), që tashmë tregohet edhe si Kishë katolike dhe ortodokse.

Mësimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Commons-logo.svg         Wikimedia Commons ka materiale multimediale në lidhje me: Të përbashkëtat e Vikipedias: Kisha

Referenca[redakto | redakto tekstin burimor]


Ekleziologji[redakto | redakto tekstin burimor]

1. IDENTITETI I KISHËS


Ç’është kisha? Kisha është para së gjithash një bashkësi njerëzish që i takon Mesisë, Jezusit. Për këtë arsye, anëtarët e kësaj bashkësie i quajnë të shenjtërit, d.m.th. ata që i takojnë Zotit dhe u mënjanuan për shërbimin e tij. Pasi u adoptuan në familjen e Zotit, ata kanë lidhje gjinie jo vetëm me atë, por edhe me njëri-tjetrin. Kjo shpjegon përse ata mund ta quajnë njëri-tjetrin vëlla dhe motër. Ata janë vëllezër dhe motra në Krishtin, sepse kanë lidhje të përbashkët me të. Kisha quhet gjithashtu «trupi i Krishtit», i Mesisë, sepse anëtarët e saj janë të lidhur me të me anë të Shpirtit të shenjtë për të qenë, si të thuash, duart dhe këmbët e tij në këtë botë, për të kryer vullnetin e tij dhe për të folur me të tjerët për lajmin e shpëtimit.


2. ROLI I KISHËS

para Perëndisë dhe në botë. Perëndia i shpëtoi anëtarët e Kishës, jo vetëm sepse i deshi, por gjithashtu sepse ka planet e tij për ta në këtë botë. Përndryshe, ai do t’i kishte hequr menjëherë nga bota.

a) Roli i kishës është para së gjithash adhurimi i Perëndisë. Adhurimi i Perëndisë është aktiviteti më i lartë i njerëzve, e megjithatë, që nga rebelimi i Adamit, njerëzit ia kanë refuzuar këtë nder në botë – theksoj në këtë botë, sepse engjëjt në qiell, d.m.th. qeniet shpirtërore, i japin lavdi pa pushim. Por, në këtë botë mbretëron një situatë anormale: askush përveç të tijëve nuk ia japin lavdinë që i përket si krijuesi i gjithësisë. Kjo është një sjellje e pahijshme! Por, duhet shtuar që Perëndia nuk pranon ndonjëfarë adhurimi, por vetëm adhurimin që ka përcaktuar ai, d.m.th. adhurimin me anë të Shpirtit të shenjtë, i cili është dhuratë personale e Mesisë. Vetë Jezusi tha:

«Por, po vjen koha, e tashmë filloi, kur Shpirti i së Vërtetës do t’i bëjë njerëzit të aftë ta adhurojnë Atin në çfarëdo vendi. Perëndia është krejtësisht tjetër nga kjo botë; Ai është Shpirt i fuqishëm, e ata që do ta adhurojnë duhet të jenë të rilindur me anë të Shpirtit të së Vërtetës. Nga njerëz të tillë Perëndia do që të adhurohet».(Gjn 4,23-24).

Ç’është adhurimi? Kjo fjalë do të thotë thelbësisht: proklamimi i vlerësive dhe i madhështisë së Zotit: me gojë, me këngë e të tj. Ky nënkupton edhe falënderimin e Zotit për madhështinë dhe për mëshirën e tij. Ky s’është vetëm një aktivitet që bëhet kur bashkohet bashkësia e besimtarëve, por edhe një qëndrim shpirtëror për çdo ditë. A jemi ne një popull plot ankesë dhe plotë shqetësim ose një popull plotë adhurim dhe plotë falënderim ndaj Zotit? Kjo është kriteri vendimtar i përshpirtshmërisë sonë.

b) Roli i dytë i kishës është dëshmimi para botës. Anëtarët e kishës duhet të jenë dëshmitarë para botës për ekzistencën e Perëndisë me anë të jetës së tyre të ndryshuar. Ata janë gjithashtu dëshmitarë për lajmin e mirë të shpëtimit me anë të Jezusit. Ata kanë një lajm për të komunikuar jo vetëm me jetën e tyre, por edhe me gojën e tyre (Veprat 1,8; 8,4; 1 Pjetrit 2,9).

c) Roli i tretë i kishës është sigurimi i bashkësisë për anëtarët e saj. Kisha është një komunitet, një familje, në kuadrin e së cilës anëtarët mund të rriten shpirtërisht. Për këtë arsye, Zoti u dha anëtarëve të kishësdhunti të ndryshme. Çdo anëtar i komunitetit të krishter ka një dhunti të veçantë, me të cilën mund t’i bëjë të rriten të tjerët. (2 Sel 5,11; Veprat 20,28; 2 Tim 4,1).


3. RITET E KISHËS

(sakramentet) Një rit është tërësia e veprimeve të një kulti fetar, sipas një rregulli të caktuar, në këtë rast, sipas një urdhri të Zotit. Jezusi themeloi dy rite të veçanta për dishepujt e tij dhe kështu për Kishën: pagëzimin dhe darkën e Zotit. Të dy ritet quhen latinisht sakramenta. Kjo fjalë përdorej për betimin që bënte një ushtar romak, kur hyri në ushtri. Kështu quhet, sepse në këto dy rite, të krishterët bënin një betim. Në rastin e pagëzimit ata betoheshin të bënin një jetë që do t’i sillte nder Zotit, kurse në rastin e darkës së Zotit ata e përtërinin këtë betim.


a) Pagëzimi

ky është riti nismëtar në komunitetin e të shpëtuarve; d.m.th. në kishë. Ky është jo vetëm një dëshmim publik për besimin te Jezusi, por edhe një identifikim publik me komunitetin e të shpëtuarve. Duke u pagëzuar, besimtari lidhet me këtë komunitet – që sot e tutje ata janë të afërmit shpirtërorë: vëllezërit dhe motrat e tij (ose e saj) në Zotin. Ai betohet t’i ndihmojë, t’i dojë dhe sipas nevojës të japë jetën e tij për ta. Ky është një veprim revolucionar. Për shumicën e njerëzve në Evropën jugore, fqinji është armiku. Konsiderohet si një sjelle normale për të qenë të poshtër ndaj njëri-tjetrit, ta shuar njëri-tjetrin. Pagëzimi, i cili është shënim i rilindjes shpirtërore, shënon një kthesë të plotë, përsa i përket këtij qëndrimi. Prandaj, është një turp kur të krishterët sillen ndaj njëritjetrit sikur ata s’ishin aspak të krishterë – një sjellje e tillë quhet në Bibël ecje sipas natyrës së vjetër, e kjo është një sjellje e palogjikshme. Pasi ende kemi brenda nesh natyrën e vjetër veç Shpirtit të shenjtë, kuptohet vetëvetiu se herët a vonë do të bëjmë mëkat kundër vëllait tonë. E çfarë atëherë? Duhet sa më shpejt të pendohemi dhe të kërkojmë ndjesë pranë tij. Rikthimi i marrëdhënies së zakonshme me vëllanë tonë është e domosdoshme.


b) Darka e Zotit

kjo është në shkallë të gjerë ripërtëritja e betimit që bëmë me rastin e pagëzimit. Vetë Jezusi caktoi që të mblidhemi (kisha e parë mblidhej një herë në javë) për të mbajtur mend vdekjen pajtuese të Jezusit, d.m.th. çmimin e shpëtimit tonë. Pjesëmarrja në darkën e Zotit është gjithashtu një dëshmim publik për shpëtimin tonë – me këtë ne dëshmojmë që jemi të shpëtuar, që vetë e përvetësuam flijimin pajtues të Jezusit. Pjesëmarrje në Darkën e Zotit është gjithashtu një rast për ta kontrolluar vetveten, e sipas nëvojes për t’u penduar, për të vihemi rishtas në rregull me Zotin në qoftë se jeta jonë është bërë në kundërshtim me atë që dëshmojmë. Darka e Zotit është gjithashtu rast për t’u pajtuar me njëri-tjetrin në kuadrin e komunitetit. Në qoftë se jemi grindur me vëllanë e në qoftë se ende nuk e shohim dot me sy, atëherë duhet të pajtohemi me të.


4. POZITAT NË KISHË

Zoti i caktoi me anë të apostull Palit, që të ketë brenda saj një organ mbikëqyrës për funktionimin e mirë të saj. Pali, apostulli i Zotit, kudo që shkonte, caktoi kryetarë të kishës, ose urdhëroi ndihmësit t’i emëronte. Këta njerëz duhej jo vetëm ta drejtonte bashkësinë, por edhe t’i shërbente. Ata ishin shërbëtorë, të cilët duhej t’i përgjegjeshin drejtpërdrejt Zotit për administrimin shpirtëror të kishës. Ata quheshin kryetarë (presbuteroi), por s’kishin asnjë rol priftëror për të luajtur, sepse priftëria e DhV/BV u anulua dhe u zëvendësua nga vetë Jezusi. Meqenëse pozitat në kishën e hershme ishin modeluar sipas sistemit të sinagogës, mund që arrijmë në konkluzionin se se në krye të këshillit drejtues kishte një president, i cili, me kalimin e kohës, u bë pastori i kishës. Përveç kësaj, ata nuk e morën pushtetin e apostullit, i cili ishte i njëhershëm. Pas vdekjes së apostujve, pushteti i tyre u konkretizua në DhR/BR, të cilën vetë e shkruan, e jo në pasardhësit e tyre shpirtërorë. Duhet vërejtur që Pali mbahej për apostull i fundit. Priftëria te DhR/BR kuptohet një mënyrë shpirtërore. (sh. Heb 13,15). Nevojeshin kualifikime shpirtërore për këtë pozitë (sh. 1 Tim 3,1-7; Veprat 6,1-7). Me kalimin e kohës, kryetarin e kishave në një qytet e quanin mbikëqyrës ose ipëshkev/peshkop (episkopoi), por ky ishte një zhvillim i mëvonshëm. Roli i kryetarëve të bashkësisë ishte mësimor dhe baritor: ndër ta kishte disa me dhunti të mësimit, ndërsa të tjerët kishin një dhunti baritore: ata kujdeseshin për të mirën shpirtërore të besimtarëve (sh. Rom 12,3-8). Ata kishin gjithashtu pushtetin e skishërimit në rastet e mëkateve të rënda. Por, skishërimi kishte për qëllim, jo ndeshjën përfundimtare të besimtarit, por me kohë rehabilitimin e tij. Pastaj vetë bashkësia duhej të emëronte edhe shërbëtorë të tjerë, të cilët përgjigjeshin për administrimin material të punëve kishtare. Këta njerëz i quanin dhjakë (diakonoi, tekstualisht: shërbëtorë). Edhe për ata nevojishin kualifikime shpirtërore.

Shërbimi i grave. Në kishën e hershme, shërbimi i grave kufizohej në atë të diakonesës, megjithëse grave nuk u lejohej të celebronin te darka e Zotit, si p.sh. dhjakët/diakonët. Përveç kësaj për gratë lexojmë që ushtronin shërbimin e profecisë (1 Kor 11,5). Pali përjashton shërbimin e grave në ndonjë rol prijës në kuadrin e kishës (1 Tim 2,11-14). Ai e përkrah pikëpamjen e tij duke iu referuar DhV/BV ku Adami u krijua së pari, kurse Eva (hebr. Hava) së dyti, dhe kjo lë të kuptohet se gruaja i ishte nënshtruar burrit qysh nga fillimi, dhe ku Hava u tundua sepse ajo u përpoq të zhvillonte bisedime me Satanin për burrin e saj, por dështoi sepse u mashtrua lehtë. Pali jep të kuptojë se gruaja, për shkak të urdhëresës hyjnore dhe për shkak të natyrës së saj thelbësore, nuk është në pozitë për të ushtruar rolin e kryetarit kishtar. Përve kësaj njeriu u krijua sipas shëmbëllesës së Zotit, kurse gruaja u krijua sipas shëmbëlltyrës së njeriut, kështu që njeriu pasqyron më mirë shëmbëlltyrën hyjnore se sa gruaja. Përkundrazi, burri nuk ka nevojë ta mbulojë kokën, sepse ai është shëmbëlltyra e Perëndisë dhe pasqyron madhështinë e Tij. Te gruaja pasqyrohet dinjiteti i burrit. (1 Kor 11,7). Në DhV/BV ishte praktikë që udhëheqësi të ishte mashkull në popullin e Zotit. Është edhe domëthënës se asnjë grua nuk u emërua as apostull e as kryetar kishtar në kishën e hershme. Sikurse burri është kryetar i gruas dhe Krishti kryetar i Kishës, nga kjo rrjedh se udhëheqja mashkullore duhet ushtruar brenda kishës. Megjithatë disa diskutojnë si vijon: megjithëse skllavëria kurrë nuk dënohej formalisht në kuadrin e DhR/BR, Pali mbolli farën e shkatërrimit përfundimtar të skllavërisë. E njëjtja gjë vlen edhe për udhëheqjen e grave brenda kishës. Por duhet kundërshtuar se Pali kurrë nuk argumenton se skllavëria ishte parim i themeluar nga Zoti para rebelimit të njeriut: ajo lindi vetëm më vonë për shkak të mëkatit të njeriut.


5. DISIPLINA BRENDA KISHËS

Jezusi jo vetëm që themeloi një Kishë, por i dha pushtetin e nevojshëm për disiplinë. Në Mt 16,18 Jezusi i dha Pjetrit pushtetin e çelësave si përfaqësit të apostujve. Çelësat janë simbol për pushtet (Is 22, 15-22). Prandaj Pjetri pranon pushtet për të lidhur dhe për të zgjidhur, d.m.th. për të caktuar çfarë është e ndaluar e çfarë është e lejuar në sferën e kishës. Në njëfarë mënyrë këtë pushtet e ka trashëguar kisha e sotme, e cila ka të drejtë të refuzojë pagëzimin ose të përjashtuar nga kisha një mëkatar të papenduar. Ne shohim se si ushtrohet ky pushtet në kishën e hershme në fragmentet që vijojnë: Vap 15,23-29; 16,4: 1 Kor 5,7.13; 6.2-4; 12,28. Dallohet qart nga fjalët e Palit se kisha vendëse ka të drejtë ta ushtrojë këtë pushtet. Mirëpo, ky pushtet vjen nga Krishti dhe i është nënshtruar gjithëpushtetit të tij mbi Kishën (Mt 28,18): duhet ushtruar në përputhje me Fjalën e Perëndisë e nën drejtimin e Shpirtit, nëpërmjet të cilëve Krishti drejton Kishën. (Rom 10,14-15. Ef 5,23. 1 Kor 5,4).

a) Nevoja për disiplinë: Kisha është trup i Krishtit, e cila përbëhet nga njerëzit, mbi të cilët Zoti ka vënë vulën e tij (d.m.th. ka rrezikuar namin e tij). Madhështia e Zotit (d.m. th. nami i tij) është në rrezik. Izraeli u ndëshkua, sepse kishte shkaktuar sharjen e namit të tij (Rom 2,24).

b) Qëllimi i disiplinës: disiplina ushtrohet për hir të Zotit dhe të Kishës (1 Kor 5,6-7), për të kthyer në rrugë të mbarë fajtorin (1 Tim 1,20; 2 Sel 3,14; 1 Kor 5,5). Përjashtim nga bashkësia është mjet ndreqjeje e jo mjet ndëshkimi. Disiplina është, gjithashtu, mjet pengimi për të tjerët (1 Tim 5,20, dhe për të evituar gjykimin e Kishës në tërësi nga Krishti (Zb 2,14- 25).

c) Rastet e disiplinës: në DhR ato ishin kryesisht për shkak imoraliteti dhe herezie. Në qoftë se ka mësues të rremë në kishë, ai duhet disiplinuar, por s’ka nevojë për hetim i tepruar (2 Kor 2,5).

ç) Duhet dalluar ndërmjet mëkateve vetjake dhe mëkateve të hapura. Mëkatet e hapura janë ato që i përkasin bashkësisë në gjithësi. Në qoftë se bëhet fjalë për mëkat të hapur, këshilli kishtare nuk ka nevojë të presë ndonjë kallëzim, por duhet të veprojë pa vonesë. Shkalla e disiplinës është: vërejtje (Mt 10, 15-18; 1 Tim 5,20), ndalim i pjesëmarrjes në darkën e Zotit (1 Kor 11,27; 2 Sel 3,6-15), përjashtim (Mt 18,17; Tit 3,10; 1 Kor 5,5.11; Gal 1,9).


6. ORGANIZIMI I KISHËS SË PARË

Kisha e parë përbëhej nga grupa besimtarësh që mblidheshin për adhurim dhe përmirësim shpirtëror në shtëpitë e individëve, e jo në ndërtesa të veçanta. Kështu, në qytete shumica e këtyre grupeve ose kishave mblidheshin në shtëpi. Ata mblidhëshin fshehtazi, sepse lëvizja e tyre ishte ilegale në sy të autoriteteve romakë. Vetëm në 260 të erës sonë, në përputhje me dekretit të perandorit Galien, të krishterëve u lejojej të dalin nga ilegaliteti dhe të ngrinin ndërtesat e tyre fetare. Kështu, në fillim, kisha e parë ishte organizuar në celula, e ky sistem shkonte shumë mirë, sepse celulat u shumëzuan me shpejtësi. Ngritja e ndërtesave të veçanta shënonte fillimin e fesë së institutionizuar si dhe fillimin e sklerotizimit shpirtëror.

Darka e Zotit: Skema e darkës së Zotit vjen nga darka hebraike e Pashkës; në të Jezusi futi disa ndryshime që adaptoi për t’i përdorur për veten e tij. Kështu, në këtë rit fetar familjeje, kur kryetari çifut i shtëpisë e kishte zakon të thoshte: «kjo është buka e vuajtjeve që hanin stërgjyshërit tonë në Egjipt», Jezusi tha, duke marrë një copë buke; «ky është trupi im, i cili flijohet për ju». Sikurse buka e ritit çifut paraqitej bukën që hebrenjtë e hanin në Egjipt, ashtu edhe buka që mori Jezusi paraqitej trupin e tij, që më vonë u flijua për të larë mëkatet e njerëzve. Ashtu vlen edhe për verën. Ato kanë vetëm një vlerë simbolike në darkën e Zotit. Në kishën e parë, darka e Zotit lidhej me një ngrënie bashkësie që arriti kulmin e tij me ritin e darkës së Zotit. Me kalimin e kohës, të dyja u ndanë njëra nga tjetra, ndoshta për shkak të shpërdorimit (sh. 1 Korintasve 11,17-34).

Pagëzimi: në fillim ky rit ishte i caktuar vetëm për të riturit, por shumë kohë më vonë u fut pagëzimi i fëmijëve. Kjo ishte për dy arsye:

1. Nën ndikimin e judaizmit, i cili refuzoi thjeshtësinë e ungjillit.

2. Nën ndikimin e shtetëzimit të krishterimit, kur krishterimi u bë fe e lejuar dhe pastaj e vetmja fe e lejuar.

Të dyja ndikimet ishin negative dhe dobësuan fuqinë e kishës.


7. THEKSET E NDRYSHME BRENDA KISHËS

Përse sot ka shumë kisha dhe sekte fetare brenda krishterimit? Ka disa arsye për këtë:

a) Reagimi kundër shtrembërimit të fesë nën ndikimin e ideve që kanë burimet e tyre në filozofitë e jokrishtëra, si për shembull legalizmi çifut, platonizmi, aristolelianizmi. Për këtë arsye, shumë njerëz dolën nga kisha katolike në kohën e reformacionit.

b) Me kalimin e kohës, disa të krishterë kanë dëshiruar t’i theksonin elementet që, sipas mendjes së tyre, ishin të lëna pas dore në kishë, si për shembull: pagëzimin e të rriturve (baptistët), ushtrimin e dhuntive të veçanta shpirtërore (pentekostalët). Kuptohet vetvetiu që ka gjithnjë rreziku i ekstremizmit, e ky lind sektarizmin. Mund t’i njohim preferencat nga simbolet që kanë dallim të veçantë në kisha: pagëzorja ose katedra ose altari, e të tjera.

c) Disa të krishterë kishin preferencë për një mënyrë të veçantë të drejtimit kishtar. Në episkopalianizëm, peshkopët luajnë rolin kryesor, kurse në kishat e reformuara kryetarët, kurse në kisha e tjera mbarë bashkësia, përsa i përket drejtimit të bashkësisë dhe së drejtës së votimit. Disa refuzuan sistemin që ka në krye një peshkop; ata parapëlqejnë një organ mbikëqyrës në krye. Disa duan që të gjithë anëtarët e kishës ta kenë të drejtën e votimit, e jo vetëm kryetarët. A është kjo thjesht një çështje mosmarrëveshjeje? Jo, pothuajse në çdo rast, anëtarët e kishës donin t’i afroheshin sa të kishin mundësi skemës së kishës së parë. Ata donin të ishin besnikë ndaj Zotit.


8. E ARDHMJA E KISHËS

Roli i kishës nuk kufizohet nga epoka e tanishme. Në epokën e ardhshme, d.m.th. në kohën e mbretërimit të Mesisë, anëtarët e kishës do të marrin pjesë në sundimin e Jezusit mbi këtë botë. Çdo anëtar i kishës do të duhet të paraqitet para gjyqit të Krishtit që të vleresohet jeta e tij. Ai që ishte besnik ndaj Zotit, që ka kryer vullnetin e tij, do të shpërblehet më përgjegjësinë më të madhe. Ai që nuk i mori seriozisht përgjegjësitë e tij shpirtërore në këtë jetë, do të humbasë shpërblesën e tij, megjithëse do të shpëtohet. Të gjitha këto do të ndodhin, kur të vijë Jezusi për të mbretëruar publikisht në këtë botë, dhe për të ndryshuar rendin shoqëror sipas vullnetit të Zotit. Kështu, kisha është organi administratues i Mesisë për të ardhmen. Në mbretërinë e Jezusit, çifutët e kthyer do të luajnë një rol priftëror, kurse anëtarët e kishës një rol administratues. Pas mbarimit të mbretërimit të një mijë vjeteve, kisha do të jetojë përgjithmonë me Jezusin në një gjithësi të përsosur. Vetëm ata që pranojnë Jezusin për shpëtimtarin e tyre personal dhe tregojnë realitetin e fesë së tyre duke i qëndruar besnikë do ta trashëgojnë botën e re të Zotit.

Shiko edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]