Kisha e Shelcanit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Kisha e Shelcanit

Zona e Shpatit në rrethin e Elbasanit ruan vlera të rralla të historisë dhe artit antik shqiptar. Në këtë zonë, përgjatë rrugës Elbasan-Gjinar, ndodhet kisha e Shelcanit, një godinë njëkatëshe në të cilën ruhen afreske të piktorit të famshëm Onufri.

Kisha është ndërtuar shumë pranë rrugës kryesore, që shekuj më parë shërbente për të lidhur Elbasanin me qytetet e tjera në Jug, si Fierin, Beratin etj., dhe sipas historianëve, është një dëshmi e qartë e zhvillimeve social-ekonomike të kësaj zone.

Këtë gjë e dëshmon edhe fakti se zona e Shpatit në shekujt XIII-XIV zinte një vend të rëndësishëm në organizimin kishtar të vendit, ku u krijua edhe peshkopata e Ispatisë (Shpatit). Në pikturat murale të Onufrit, në kishën e Shelcanit, vërehet përfshirja e elementit etnografik në figurat e shenjtorëve. Pjesë nga Bibla dhe histori kishtare janë të skalitura në muret e kishës së vjetër, të cilët kanë marrë plasaritjet e para.

Afresket në këtë kishë janë më të thjeshta se ato të kishave të tjera ku ka pikturuar Onufri, por si kudo, tipari dallues i tij janë ngjyrat e ndezura dhe plot jetë. Këto afreske i përkasin vitit 1554 dhe konsiderohen si krijime të papërsëritshme.

Por, kisha ka pësuar dëmtime të konsiderueshme vitet e fundit, duke kërcënuar seriozisht ruajtjen e këtyre afreskeve me vlera të rralla për pikturën murale të periudhës bizantine.

Erozioni rrezikon të shkatërrojë krejtësisht këto vlera, pasi prej një kohe të gjatë nuk është ndërhyrë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.