Kodi Civil 1929

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare, miratuar më 1 prill të vitit 1929, hartuar nën ndikimin e modelit francez, u quajt jo rastësisht Kodi Civil i Zogut.

Ai do të përfaqësonte një risi në realitetin që prezantonte shteti dhe shoqëria shqiptare e asaj kohe. Padyshim, të drejtat e huaja, e veçanërisht ato franceze, italiane dhe deri diku gjermane e zvicerane, do të frymëzonin legjislatorin shqiptar për të sanksionuar në dispozitat e tij barazinë e të gjithë qytetarëve, emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe lirinë për angazhim në aktivitete ekonomike.

Pranimi i të drejtës së huaj në Kodin Civil të Ahmed Zogut, më shumë se “një çështje cilësie”, ishte një “çështje pushteti”, sepse të drejtat e huaja, sidomos ajo franceze dhe italiane, të cilat gjetën sanksionimin e tyre në këtë Kod, ishin të drejta që i përkisnin ndikimit shpirtëror të civilizimit modern, dhe mbi të gjitha, atij të “Rilindjes italiane” dhe të “Revolucionit francez”.

Hyrja në fuqi e Kodit Civil të Zogut do të diktonte edhe përkatësinë e të drejtës civile shqiptare në familjen romano-gjermanike, duke e shkëputur atë përfundimisht nga e drejta otomane.

Edhe pse Kodi civil i Zogut, i hartuar dhe i bazuar në legjislacionet më bashkëkohore të kohës, personifikonte vlera pozitive historike, ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e të ashtuquajturit “pushtet popullor”, do të sillnin shfuqizimin e tij, dhe njëherazi, regresin legjislativ, social dhe ekonomik.

Risjellja në jetë e këtij Kodi, nëpërmjet ribotimit në këtë përvjetor të 81-të të tij, pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar, bën që edhe sot ky Kod të ruajë karakterin bashkëkohor, individualitetin dhe integritetin e tij, jo vetëm sepse në themel të tij qëndrojnë ideja e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe modeli demokratik i shoqërisë që e frymëzoi atë, të cilët mbeten të vlefshëm në çdo kohë, por edhe se ai vazhdon, ende aktualisht, të jetë një istrument pune për specialistët e kësaj fushe.

Burime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Kodi Civil 1929 (Kodi Civil i Zogut), Mbretnia Shqiptare - Ministria e Drejtësis. Shtëpia botuese: Papirus, prill 2010.

ISBN 978-99956-808-6-2