Kolonitë helene të bregdetit Ilir

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Merge-arrows.svg
Ndihmoni që kjo pjesë dhe pjesa Ilirët të bashkohen në një artikull të vetëm. Ilirët



Themelimi i kolonive helene dhe marrëdhëniet me botën ilire[redakto | redakto tekstin burimor]

Vendosja e kolonive helene në bregdetin ilir është pjesë e drejtimit të lëvizjes kolonizuese helene, në të cilën më aktiv u tregua Korinthi. Kjo dukuri u zhvillua, nga njëra anë, me shtytjen e faktorëve ekonomikë e shoqërorë të metropoleve dhe, nga ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm në përfshirjen e zonave ilire në sferën e ekonomisë së Mesdheut. Kolonitë më të hershme u vendosën në tokat e Ilirisë së Jugut. Këto zona të banuara nga ilirët kishin marrëdhënie tregtare me vendet e Greqisë që nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë më të gjerë në kushtet e shthurjes së rendit fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kolonive ka qenë pasojë e këtij procesi. Në fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire pikat tregtare, të cilat me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me brendatokën ilire u populluan nga grupe kolonistësh helenë dhe u kthyen në qendra të shpërngulurish (apoike) të metropoleve greke. Kolonia më e hershme u vendos në vitin 737 në ishullin e Korkyrës, që banohej atëhere nga liburnët. Nga këtej një valë kolonistësh u vendosën në Dyrrah (627 p.e.sonë, ka shumë gjasë edhe më herët). Apolonia, e cila u themelua në vitin 588, ngjan të ketë qenë populluar nga kolonistë të ardhur nga Dyrrahu. Për gjithë kohën antike midis dy qyteteve u mbajtën lidhje të ngushta ekonomike dhe politike, që janë karakteristike për marrëdhëniet midis metropoleve dhe apoikeve. Në të njëjtën kohë me Apoloninë u formua nga banorët të ardhur nga Eubea edhe kolonia helene në Orik, e cila për vetë mundësitë e kufizuara të kontakteve me prapatokën ilire nuk arriti kurrë rëndësinë ekonomike, as edhe famën e dy kolonive të tjera. Kaluan edhe dy shekuj të tjerë derisa kolonistët helenë të ardhur nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë dhe Knidi të vendoseshin në ishujt e Ilirisë së Veriut, ku themeluan Faron (sot Hvar), Isën (sot Vish) dhe Korkyrën e Zezë (sot Korculla). Në fillimet e veprimtarisë së kolonive peshën kryesore në ekonomi e zinte tregtia tranzite. Nga tokat ilire merreshin prodhime bujqësore, lëndë druri dhe minerale për nevojat e metropoleve, kundrejt shkëmbimit mall me mall me prodhime të zejtarisë. Por në shek.V p.e.sonë kolonitë e bregdetit ilir nuk janë më shtojca të ekonomisë e furnizuese të thjeshta lëndësh të para të qyteteve mëma. Prodhimi lokal, i mbështetur kryesisht në shfrytëzimin e punës së skllevërve, arrin në këtë periudhë një shkallë të tillë zhvillimi saqë ishte në gjendje të mbulonte jo vetëm kërkesat e popullsisë së këtyre qyteteve, por edhe të botës ilire përreth, gjallëruese dhe nxitëse e drejtpërdrejtë e këtij zhvillimi. Importimet nga qytetet mëma dhe Greqia u kufizuan kryesisht në sendet e luksit dhe në veprat e artit. Dyrrahu dhe Apolonia vepronin tani si njësi ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur këtë edhe në prerjen e monedhave të tyre të veçanta. Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të konsumit të gjerë: qeramika, veglat e punës, armët që hidheshin në tregun e brendshëm dhe në atë të prapatokës. Punishtet e prodhimit të gjerë të enëve prej balte, të tjegullave e të tullave, të punimit të gurit etj., ishin prona të skllavopronarëve dhe kishin karakterin e ergasterive antike. Në marrëdhëniet tregtare me botën ilire, veç prodhimeve bujqësore e blegtorale, lëndës së drurit për ndërtimin e anijeve dhe skllevërve, për të cilat tregu grek kishte mungesë, vëmendja e kolonistëve u përqendrua në pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut. Në shkrirjen dhe në përpunimin e hekurit, të bakrit dhe të argjendit, ilirët kishin një përvojë shekullore, nga e cila përfituan edhe kolonistët. Veçanërisht eksportimi i argjendit që nxirrej nga minierat e pirustëve dhe të Dardanisë, u bë një nga burimet kryesore të pasurimit e të lulëzimit të dy kolonive të mëdha, Dyrrahut dhe Apolonisë. Ai eksportohej kryesisht në formën e monedhave, të cilat gjetën një përkrahje të gjerë në krahinat e afërta dhe të largëta ilire. Për të nxjerrë fitime sa më të mëdha nga marrëdhëniet tregtare me ilirët, sidomos nga tregtia me shumicë e lëndëve të para, e gjithë kjo veprimtari kryhej nëpërmjet një përfaqësuesi të veçantë të kolonive, të quajtur poleti. Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin qendra zejtare e tregtare, bujqësia e blegtoria zinte në to një vend të dorës së dytë. Në rrethet e afërta të qytetit pronarët e pasur kishin tokat e kullotat e tyre me sipërfaqe e prodhim të kufizuar, sepse kufiri me ilirët nuk shtrihej shumë larg mureve të qytetit.

Rendi shoqëror dhe organizimi politik[redakto | redakto tekstin burimor]

Që në fillim në kolonitë helene të bregdetit ilir u vendos mënyra antike e prodhimit. Në ndarjen e shoqërisë në kolonitë rol të veçantë luante prejardhja shoqërore dhe etnike e njerëzve. Në kushte më të privilegjuara ishte shtresa me prejardhje aristokrate, që kishte qenë shpesh përkrahëse e themelimit të kolonive. Përbërja shoqërore e shtresave të lira ishte e larmishme. Krahas të mërguarve, për arsye politike gjatë luftërave të demosit me aristokracinë në metropole, kishte fisnikë të varfëruar, zejtarë të zhveshur nga mjetet e prodhimit, fshatarë të shpronësuar, tregtarë e detarë. Kjo masë e popullsisë shtohej vazhdimisht si rrjedhim i dyndjeve të herëpashershme nga metropolet. Në Dyrrah një kontingjent i madh njerëzish të tillë erdhi në gjysmën e dytë të shek.V. Në Dyrrah e në Apoloni shtresa e skllevërve përbënte forcën kryesore të fuqisë punëtore. Ajo ndahej në tri kategori: në skllevër të qytet-shtetit skllavopronar, të cilët punonin në punishtet e tjegullave dhe të tullave, në thyerjen, transportimin dhe në skalitjen e gurëve, në përpunimin e metaleve e në prerjen e monedhave, pra në punët më të rënda. Të shumtë ishin edhe skllevërit privatë që përbënin kategorinë e dytë, të cilët përveç ergasterive shërbenin edhe në ekonomitë shtëpiake. Një pjesë të popullsisë, gjithmonë në rritje, e përbënin “të huajt”, kategoria e tretë ose banorët me origjinë ilire. Këta në dhjetëvjeçarët e parë ishin të privuar nga të drejtat shoqërore dhe politike. Në përputhje me këtë përbërje shoqërore të popullsisë, rendi politik në Apoloni e Dyrrah kishte në fillim karakter oligarkik. Pushteti i takonte një pakice me prejardhje aristokrate. Shumica dërrmuese e popullsisë, ashtu edhe ilirët, duke mos bërë fjalë për skllevërit, nuk gëzonte të drejta në qeverisjen e qytetit. Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Dyrrahut dhe i Apolonisë në shek.VI-V shoqërohet me ndryshime në rendin shoqëror e politik të dy kolonive, si rrjedhim i një lufte të ashpër sociale e politike. Me zgjerimin e prodhimit zejtar dhe të shkëmbimit të mallrave me ilirët dhe me Greqinë, u pasuruan dhe u forcuan ekonomikisht shtresat tregtare e zejtare të kolonive. Këto shtresa dolën tani si forca të pavarura në arenën politike kundër grupit oligarkik, me synimin për të marrë pushtetin dhe për ta përdorur atë në dobi të interesave të tyre. Si rrjedhim i kësaj, në vitin 437 shpërtheu në Dyrrah një kryengritje e demosit, e njohur në historinë antike për rolin që luajti në prag të luftës së Peloponezit. Në arenën e kësaj lufte përveç forcave të demosit dhe aristokracisë, u duk edhe ndeshja e interesave të Korkyrës, prapa së cilës qëndronte Athina dhe Korinthi. Të dyja fuqitë synonin të përfitonin mundësi më të gjera në tregun ilir. Gjithashtu në këtë ndeshje morën pjesë aktive edhe ilirët fqinjë, të cilët duke ndihmuar aristokratët e dëbuar nga qyteti, u radhitën me forcat që përkahnin Athinën në luftën kundër lidhjes së Peloponezit. Rrjedhimi kryesor i luftës civile në Dyrrah ishte triumfi i plotë i parimit të ndarjes klasore të shoqërisë, forcimi i polisit skllavopronar. Pushteti tani kalon nga rrethi i kufizuar i aristokracisë skllavopronare në duart e gjithë skllavopronarëve si klasë. Baza shoqërore e tij u zgjerua me pjesëmarrjen e shtresave më të gjera skllavopronare, të pronarëve të punishteve, të tregtarëve etj., duke bërë kështu më të theksuar mënyrën antike të prodhimit. Që nga kjo kohë u forcua edhe pozita shoqërore e ilirëve që banonin në qytet. Një dukuri e tillë e ngjashme u zhvillua edhe në Apoloni. Këto ndryshime u pasqyruan edhe në përbërjen dhe në funksionet shtetërore. Vendin e krerëve (fylarkëve) aristokratë, në duart e të cilëve qe përqendruar pushteti gjatë regjimit oligarkik, e zuri tani një organ kolegjial, buleja (këshilli). Anëtarët e saj mund të ishin jo vetëm nga fisnikët, por edhe nga shtresat e tjera të skllavopronarëve. U krijua edhe organi i mbledhjes së përgjithshme të popullit, helieja. Detyrat kryesore të saj ishin miratimi i ligjeve, marrja e vendimeve me rëndësi dhe zgjedhja e kontrollimi i veprimtarisë së organeve ekzekutive të qytetit. Me gjithë pjesëmarrjen e popullit të lirë, edhe ky organ ishte në duart e skllavopronarëve, pa praninë e të cilëve helieja nuk kishte të drejtë të zgjidhte organet e larta ekzekutive të qytetit. Nga anëtarët e bulesë në krye të çdo viti zgjidhej prytani, i cili ishte funksionari më i lartë civil i qytetit. Me emrin e tij lidheshin të gjitha ligjet, dekretet e vendimet me rëndësi të shpallura gjatë vitit. Me çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen ushtarake dhe me luftën merrej toksarku, që ishte komandanti i shigjetarëve. Sekretarit i binte për detyrë kryesore të kujdesej për ngulitjen mbi gur ose mbi tabela bakri të ligjeve, të dekreteve e vendimeve të marra nga helieja apo organet e larta ekzekutive dhe t’i shpallte ato publikisht. Të tre hieramnamonët, merreshin jo vetëm me çështjet e kultit, me organizimin e lojërave e të festave, por me sa duket edhe me çështjet financiare të qytetit. Veç këtyre kishte edhe nëpunës të tjerë, të një rangu më të ulët, por që në të vërtetë luanin një rol me rëndësi në jetën ekonomike. I tillë ishte nëpunësi i ngarkuar me prerjen e monedhave, i cili kishte për detyrë të kujdesej si për sigurimin e lëndës së parë, ashtu edhe për prerjen dhe shpërndarjen e monedhave. Mbi drahmet e argjendta emri i tij vendosej krahas atij të prytanit. Një funksionar tjetër ishte poleti që merrej me rregullimin e tregtisë me ilirët. Kulti fetar ishte në harmoni me institucionet shoqërore e politike të qytetit. Kjo duket edhe nga shkrirja e funksioneve fetare me ato shtetërore (hieramnamonët). Hyjnitë më të adhuruara në Apoloni ishin Apoloni, që i dha emrin qytetit, hyjnesha ilire e brigjeve u unjisua nga kolonistët me Artemisin; Dionizi ishte hyu i vreshtave etj. Perënditë kryesore, të cilëve u faleshin më shumë dyrrahasit, ishin Zeusi, Dielli dhe bashkëthemeluesi legjendar i qytetit Herakliu. Kolonitë helene u vendosën në Iliri në rrethanat e marrëdhënieve të ngushta ekonomike me ilirët, që kushtëzoheshin nga interesat reciproke. Fuqizimi i mëtejshëm i kolonive përkon me lindjen e qyteteve ilire dhe me formimin e shtetit ilir. Tek këta kolonitë do të gjejnë një bazë për t’u mbështetur në synimet e tyre për çlirimin e plotë ekonomik dhe politik nga metropolet. Nuk kanë munguar edhe konfliktet midis ilirëve dhe kolonive, me sa duket, si rrjedhim i shpërdorimeve të kolonistëve në marrëdhëniet me ilirët dhe për kufijtë midis tyre. Këto morën forma të armatosura në luftën e Apolonisë me qytetin ilir Thronion rreth mesit të shek.V dhe në luftën e ilirëve kundër Isës më 385 p.e.sonë. Që nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.sonë historia e kolonive helene të bregdetit të Ilirisë zhvillohet në marrëdhënie të ngushta me historinë politike të shtetit ilir dhe në kornizën e saj.