Kompekaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Kompekaji është pandispanjë e përzier me kakao dhe arra, e pjekur në tavë, e shtruar me 5-6 peta byreku poshtë, po ashtu dhe sipër.

Përgatitja[redakto | redakto tekstin burimor]

Nga sasia e miellit hiqet gjysma dhe zihet brumi si për byrek, ndahet në dy pjesë ; secila pjesë hapet në petë me trashësi 4-5 mm. Sipërfaqja e tyre lyhet me gjalpë dhe mbështillet në formë roleje. Lihet 10-15 minuta që brumi të fitojë elasticitet. Çdo role ndahet në dy pjesë dhe nga çdo pjesë hapen petë pak më të mëdha se madhësia e tepsisë. Tepsia lyhet me yndyrë, shtrohen mbi të dy petët e spërkatura me gjalpë, mbi të cilat hidhet mbushja nga brumi pandispanje i përzier me arra të grira e kakao. Mbështillen anët e petëve mbi mbushjen dhe shtrohen 2 petat e sipërme të spërkatura me gjalpë. Anët e tepërta mbështillen nga brenda, sipërfaqja lyhet me të verdha vezësh dhe piqet.

Mbushja përgatitet në këtë mënyre: vezët rrihen me sheqer derisa të krijohet një masë e fryrë e qëndrueshme. Hidhet pak nga pak mielli i përzier me arra të grira dhe kakao, përzihen me kujdes që brumi të mos bjerë dhe hidhet në tepsi me petët e shtruara.

Për përgatitjen e kompekajit peta e poshtme dhe e sipërme mund të bëhet dhe nga petët e zakonshme të byrekut. Kompekaji i pjekur pritet në copa, ftohet dhe mbi të hidhet shurup i nxehtë.