Deir el-Bahari

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kompleksi i Deir el-Baharit)
Harta e sitit të Deir el-Bahri

Deir el-Bahri (arabisht دير البحري; Dayr al-baḥrī, domethënia fjalë për fjalë e të cilit është: manastiri i veriut) është një kompleks tempujsh mortorë që gjenden në bregun perëndimor të Nilit përballë qytetit të Luksorit. Emri i lashtë ishte Djeseru Djeseru që donte të thoshte "I Shenjti i të Shenjtëve".[1] Monumenti më i vjetër i ngritur në sit është tempulli i faraonit Montuhotepi II, sovran i Dinastisë së XI (Mbretëria e Mesme). Monumentet kryesore janë tempujt e Amenhotepit të I dhe të Hatshepsutit që i përkasin Mbretërisë së Re. I gjendur në afërsi, është për tu përmendur edhe varri i identifikuar si varri i identifikuar me nr. DB320 ku janë fshehur dhjetëra mumje mbretërore ti ruajtur nga dhunuesit e varreve. Gjithashtu vlen të përmendet edhe varri i Senenmutit për shkak të pikturave të rëndësishme astronomike.[2]

Tempulli mortor i Montuhotepit të II[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tempulli mortor i Montuhotepit II

Montuhotepi II, faraoni i Dinastisë së XI që ribashkoi Egjiptin në fillim të Mbretërisë së Mesme. Ai urdhëroi ndërtimin e shumë tempujve, megjithëse pak mbijetojnë deri më sot. E mirëkonservuar është një kapelë funerare që në 2014 u zbulua në Abydos. Shumica e mbetjeve të tempujve të tjerë gjenden gjithashtu në Egjiptin e Sipërm, më saktësisht në Abidos, Asuan,Tod, Armant, Gebelein, El Kab, Karnak dhe Dendera.[3] Në këtë mënyrë, Montuhotepi ndoqi traditën që nisi me gjyshin e tij, Intefi II: ndërtimet mbretërore në tempujt provincialë të Egjiptit të Sipërm filluan nën mbretërimin e Intefit të II dhe vazhduan përgjatë Mbretërisë së Mesme.[4] Megjithatë projekti më ambicioz ndërtues dhe inovativ i Montuhotepit të II mbetet tempulli i tij i madh mortor, i cili është shumë i pazakontë. Tempulli i tij mortor u ndërtua mbi disa nivele në gjirin e madh në Deir el-Bahri, ku hyej nga një rrugë e shtruar 16 metra e gjerë që e lidhte tempullin mortor me tempullin në luginë, që nuk ekziston më. Risitë e shumta arkitektonike të tempullit mortor shënojnë një shkëputje nga tradita e komplekseve piramidale të Mbretërisë së Vjetër dhe paraprirja e Tempujve të Miliona Viteve (Tempujt mortor) të Mbretërisë së Re.[5] Si i tillë, tempulli i Montuhotepit të II ishte sigurisht një burim madhor frymëzimi për tempujt e afërt por 550 vjet më vonë të Hatshepsutit dhe Tutmosit të III. Gjithësesi, risitë më të thella të tempullit të Montuhotepit II nuk janë arkitekturore por fetare. E para, është tempulli më i hershëm mortor ku faraoni nuk është thjesht marrës i ofertave, por mjaft i përfshirë në ceremonitë për zotat (në këtë rast Amon-Ra-hu).[6] E dyta, tempulli e identifikon faraonin me Osirisin, një perëndi që skishte pasur lidhje me kultin mbretëror, që mori rëndësi duke nisur nga Dinastia XI Egjiptiane e më tej. Në të vërtetë, dekorimet dhe statujat mbretërore theksonin aspektin osirian të sovranit të vdekur, një ideologji e dukshme në statujat mortore të faraonëve të mëvonshëm. E fundit, shumica e dekorimit të tempujve është vepër e artizanëve vendorë tebanë. Kjo është dëshmuar nga stili artistik i tempullit që paraqet njerëz me buzë dhe sy të mëdhenj si dhe trupa të hollë.[7] Ndërsa kapelat e rafinuara të grave të Montuhotepit II janë me siguri vepër e artizanëve memfitë që ishin tepër të ndikuar nga standardet dhe konvencionet e Mbretërisë së Vjetër. Ky fenomen i fragmentimit të stileve artistike dallohet sidomos përgjatë Periudhës së Parë të Ndërmjetme dhe është pasoja e drejtpërdrejtë e fragmentimit politik të vendit.[7]

Seksioni tranversal i tempullit mortor të Montuhotepit II nga E. Naville

Vendndodhja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendndhodhja e tempullit gjendet në rrëpirën shkëmbore të Deir el-Bahrit në bregun perëndimor të Tebës. Zgjedhja e këtij vendi është me siguri e lidhur me prejardhjen tebane të Dinastisë së XI: Paraardhësit e Montuhotepit në fronin teban janë varrosur në varre të afërta. Për më tepër, Montuhotepi mund ta ketë zgjedhur Deir el-Baharin sepse është i lidhur me tempullin e Karnakut, në bregun tjetër të Nilit. Në veçanti, statuja e Amonit sillej përvit në Deir el-Bahri gjatë Festivalit të bukur të luginës, diçka që faraoni mund ta ketë perceptuar si të dobishme për kultin e tij mortor.[5] Rrjedhimisht dhe deri në ndërtimin e Djeser-Djeseru-së rreth pesë shekuj më vonë, tempulli i Montuhotepit të II ishte destinacioni final i barkës së Amonit gjatë festivalit[8][Shpjegimi 1]

Zbulimi dhe gërmimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fillim të shekullit të XIX, rrënojat e tempullit të Montuhotepit të II ishin plotësisht të mbuluara detrite. Për rrjedhojë ato ishin të pa dallueshme deri në gjysmën e dytë të shekullit, megjithë gërmimet e mëdha të kryera në tempullin e afërt të Djeser-Djeseru të Hatshepsutit. Kështu, qe vetëm në vitn 1859, që lordi Dufferin dhe asistentët e tij, Dr. Lorange dhe Cyril C. Graham, nisën të gërmojnë këndin jugperëndimor të sallës hipostile të tempullit të Montuhotepit. Duke pastruar masën e madhe të detriteve, ata shpejt zbuluan varrin e plaçkitur të mbretëreshës Tem, një nga gratë e Montuhotepit. Duke kuptuar potencialin e sitit, ata atëherë e punuan gradualisht rrugën e tyre deri te faltorja, ku gjetën altarin prej graniti të Montuhotepit me një paraqitje të Amon-Ra-hut dhe gjetjeve të tjera si varri i Neferu-së TT319. Më në fund, në 1898, Howard Carter zbuloi strehën e fshehtë të Bab el-Hosanit[9] përballë oborrit, ku zbuloi të famshmen statujë të zezë ulur të faraonit.[10] Punimet e tjera gërmuese të rëndësishme morën udhë nga viti 1903 deri në 1907 nën drejtimin e Henri Édouard Naville, i cili punoi aty në emër të Egypt Exploration Fund. Ai ishte i pari që ndërmori një eksplorim sistematik të tempullit. Rreth dhjetë vjet më vonë, midis viteve 1920 dhe 1931, Herbert Eustis Winlock gërmoi më tej tempullin për the Metropolitan Museum of Art. Gjithësesi, rezultatet e tij u publikuan vetëm në formën paraprake të përmbledhjes së raportit.[11] Në fund, nga viti 1967 deri në 1971, Dieter Arnold drejtoi kërkimet mbi sitin në emër të Institutit Arkeologjik Gjerman. Ai i publikoi rezultatet e tij në tre volume.[12]

Ofertat e themeleve[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Poshtë katër këndeve të tarracës së tempullit, H. Winlock zbuloi katër gropa të mëdha gjatë gërmimeve të tij në 19211922. Këto gropa ishin gërmuar në tokë para ndërtimit të tempullit si rite themelimi. Në të vërtetë, kur H. Winlock i zbuloi, ato përmbanin akoma shumë oferta: një kafkë gjedhi, broka dhe baule të mbushura me fruta, elb dhe bukë si dhe një tullë që mbante emrin e Montuhotepit II.[13] Gërmimet e mëtejshme të gropave të ndërmarra në 1970 nga Dieter Arnold treguan më tepër oferta ushqimore si bukë dhe brinjë lope, por gjithashtu disa objekte bronxi, një skeptër fajence dhe copa pëlhure. Pëlhurat ishin ngjyrosur në të kuqe në cep, shtatë me emrin e Montuhotepit II dhe tre me atë të Intefit të II.[14]

Arkitektura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rruga e shtruar dhe oborri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rrënoja e ambulatorit

Njëlloj si komplekset mortore të Mbretërisë së Vjetër, kompleksi mortor i Montuhotepit II përfshinte dy tempuj: Tempulli i lartë i Deir el-Bahrit dhe një tempull në luginë që gjendet pranë Nilit në tokë të kultivuar. Tempulli në luginë ishte i lidhur me tempullin e lartë me një rrugë të shtruar 1.2 km. të gjatë dhe 46 m. të gjerë të pazbuluar. Rruga e shtruar çonte në një kopësht të madh përball tempullit të Deir el-Bahrit. Kopështi ishte i zbukuruar me një shtrat të gjatë drejtkëndor lulesh, me pesëdhjetë e pesë Ficus sycomorus dhe tetë pemë bruke të mbiella në gropat e thella të mbushura me dhe.[15] Ky kopësht prej shumë pak kopshteve të tempujve të dokumentuar arkeologjikisht të Egjiptit të Lashtë që janë njohur mjaft rreth pamjes së tij të rindërtuar. Mirëmbajtja e një kopshti të tillë më shumë se 1 km. që nga Nili deri në shkretëtirën e thatë duhet të ketë kërkuar punën e vazhdueshme të shumë kopështarëve dhe një sistem të mirë vaditjeje.[15] Majtas dhe djathtas rrugës ceremoniale gjendeshish të paktën 22 statuja ulur të Montuhotepit të II duke mbajtur, në anën jugore, kurorën e bardhë të Egjiptit të Sipërm (Hedjeti) dhe në anën veriore kurorën e kuqe të Egjiptit të Poshtëm (Deshreti). Këto me gjasa i janë shtuar tempullit për të celebruar Festivalin Sed të Montuhotepit të II gjatë vitit të tij të 39 në fron.[16] Disa statuja me gurë ranor pa koka gjenden akoma edhe sot në sit. Një tjetër u zbulua në vitin 1921 gjatë gërmimeve të Herbert Winlock-ut dhe tashmë gjendet e ekspozuar në Metropolitan Museum of Art.[17]

Rindërtim i tempullit mortor të Montuhotepit të II nga Édouard Naville, ku prania e piramidës është e debatuar.

Pjesa ballore e tempullit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në perëndim të rrugës së shtruar është tempulli kryesor, që konsiston në dy pjesë. Pjesa ballore e tempullit i është kushtuar Montu-Ra-hut, një shkrirje e zotit të diellit Ra me zotin teban të luftës Montu, veçanërisht i adhuruar gjatë Dinastisë së XI. Një shkallë e shtrirë sipas aksit qendror të tempullit çonte në tarracën e sipërme. Rruga e pjerrët që është e dukshme edhe sot është ndërtuar në vitin 1905 nga Édouard Naville mbi mbetjet e shkallës zanafillore, që është e dukshme vetëm në dy vende si më e ulta e dy shtresave të veshjes anësore me gurë gëlqerorë.[18] Pjesa ballore lindore e tempullit, në të dy anët e shkallës ngjitëse, konsiston në dy portikë me një një kollonadë me radhë të dyfishta, që e bëjnë tempullin të duket si një varr shkëmbër, varri tradicional i paraardhësit të Montuhotepit të II të Dinastisë së XI.[19] Mbi tarracën e tempullit, një podium 60 m. i gjerë, 43 m. i thellë dhe 5 m. i lartë mbështet sallën e sipërme që përfshin një ambulator dhe ndërtesa qendrore. Ambulatori, i ndarë nga salla e sipërme nga një mur 5 kubit i trashë, përfshinë një tërësi prej 140 kolonash tetëkëndore të radhitura në tre rreshta.[Shpjegimi 2] Shumicës së këtyre kolonave tashmë u mbetet e dukshme vetëm baza.[18] Oborri i ambulatorit ishte tërësisht i zënë nga ndërtesa qendrore, një ndërtim masiv 22 m i gjerë dhe 11 m. i lartë. Kjo ndërtesë, e gjendur në qendër të kompleksit të tempullit, u gërmua në 1904 dhe 1905 nga Edouard Naville. Ai e rindërtoi atë si një strukturë katrore me në majë një piramidë të vogël, një simbol i kodrës zanafillore që me gjasa i ngjante superstrukturës të varreve mbretërore të Abidosit. Ky rindërtim, i përkrahur nga H. E. Winlock, u kontestua nga Dieter Arnold, i cili argumentoi se, për arsye strukturale, tempulli mund të mos e ketë suportuar peshën e një piramide të vogël. Ndërsa ai propozoi se ndërtesa ishte me çati të sheshtë.[20]

Pjesa e mbrapme e tempullit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Model i hambarit të varrit të Montuhotepit II

Mbrapa ndërtesës qendrore ishte qendra e kultit të faraonit të hyjnizuar. Pjesa e mbrapme e tempullit ishte prerë direkt në rrëpirën shkëmbore dhe konsiston në një oborr të hapur, një sallë me 82 kolona tetëkëndore dhe një kapelë për një statujë të faraonit.[6] Kjo pjesë e tempullit i ishte kushtuar Amonit. Oborri i hapur është i shoqëruar përbri në pjesët veriore dhe jugore nga një rresht prej pesë kolonash dhe në pjesën lindore nga një rrersht i dyfisht me 16 kolona gjithësej. Në qendër të oborrit të hapur qëndron një dromos (shëtitore ceremoniale) i thellë që çonte në varrin mbretëror. Gjetjet arkeologjike në këtë pjesë të tempullit përfshijnë një altar prej guri gëlqeror, një stelë granit dhe gjatë statuja graniti të Senuseretit të III.[21] Në perëndim, oborri çon në sallën hipostile me dhjetë rreshta me nga tetë kolona secili, plus dy kolona shtesë në të dy anët e hyrjes. Salla hipostile ndahet nga oborri nga një mur dhe, duke qenë edhe i lartë, është një rrugë e kalueshme me një shkallë të vogël.[22] Në skajin perëndimor të sallës hipostile qëndron vendi më i shenjtë i tempullit, një faltore kushtuar Montuhotepit dhe Amon-Ra-hut që çon në një tempull të vogël shkëmbor (speos) që bujt një statujë me përmasa më të mëdha se natyrore të faraonit. Vetë faltorja bujt një statujë të Amon-Ra-së dhe ishte e rrethuar në tre nga anët nga mure dhe në te ana e mbetur nga rrëpira shkëmbore. Faqet e brendshme dhe të jashtme të këtyre mureve ishin të dekoruara me mbishkrime të pikturuara dhe paraqitje të faraonëve dhe zotave në alto-reliev.[23] Relievet e mbijetuara tregojnë faraonin e hyjnizuar të rrethuar nga perënditë kryesore të Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm, Nekhbeti, Seti, Horusi dhe Wadjeti.[24] Zotat e prezantojnë faraonin me tufa degësh palme, simboli i miliona viteve. Ky reliev është një shfaqje e ndryshimit të thellë fetar në ideologjinë mbretërore që nga Mbretëria e Vjetër:

Në Mbretërinë e Vjetër, faraoni ishte zotëruesi i kompleksit piramidal, [...] tani ai është reduktuar në një prijës njerëzor që varej nga vullneti i zotave. Pavdekësia e tij nuk është më e vetëvetishme; ajo duhet ti dhurohet atij nga zotat.[25]

Varri mbretëror[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Siç u përmend më lartë, oborri i hapur i pjesës së mbrapme të tempullit paraqet një dromos në qendrën e tij. Ky dromos, një korridor i drejt 150 m. i gjatë, të çonte në një dhomë të madhe të nëndheshme 45 m. poshtë oborrit që padyshim është varri i faraonit. Kjo dhomë është tërësisht e veshur me granit të kuq dhe ka një çati me majë. Ajo përmban një kapelë alabastri në formën e një faltoreje Per-ëer të Egjiptit të Sipërm.[26] Kjo kapelë dikur ishte e mbyllur me një derë me dy kanata që tani mungon. Pëmbante një qivur dhe enë me balsame që ka lënë gjurmë në dysheme. Shumica e objekteve të varrit që duhet të kenë qenë depozituar këtu, janë zhdukur prej kohësh si rezultat i plaçkitjes së varrit. Objektet e pakta të mbetura ishin një skeptër, mjaft shigjeta dhe një koleksion medelesh duke përfshirë anije, hambare dhe furra.[27]

Tempulli mortor i Hatshepsutit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tempulli i Hatshepsutit

Tempulli mortor i mbretëreshës Hatshepsut, Djeser-Djeseru ("I shenjti i të shenjtëve"), gjendet poshtë rrëpirës shkëmbore në Deir el Bahri në bregun perëndimor të Nilit pranë Luginës së MbretërveLuksor. Tempulli mortor i është kushtuar perëndisë së diellit Amon-Ra dhe gjendet pranë Tempullit mortor të Montuhotepit të II, që shërbeu si frymëzim dhe më vonë si gurore. Është konsideruar si një nga "monumentet e pakrahasueshme të Egjiptit të Lashtë".[28] Tempulli është vendi ku u masakruan 62 njerëz, kryesisht turist, nga terroristët që morën nën kontroll sitin në 17 nëntor 1997. Akademia Polake e Shkencave në Varshavë është përgjegjëse për studimin dhe restaurimin e tre niveleve të tempullit. Që në vitin 1995, dy nivelet e para ishin pothuajse të përfunduara dhe niveli i sipërm ishte akoma nën rindërtim.

Arkitektura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një reliev pjesërisht i mbijetuar i tempullit të Hatshepsutit

Senenmuti, këshilltari dhe arkitekti mbretëror, mbikqyri dhe me gjasa projektoi ndërtimin e tempullit.[29] Megjithëse tempulli mortor më i hershëm i Montuhotepit u përdor si model frymëzimi, dy strukturat janë gjithësesi në mënyrë domethënëse të ndryshme në shumë drejtime. Tempulli i Hatshepsutit përdor një tarracë gjatësore me kollonadë që ndryshon nga struktura e qendërzuar e modelit të Montuhotepit – një anomali që mund të jetë shkaktuar nga vendndodhja e shkëputur e dhomës mortore.[28] Ka tre shtresa të tarracuara që arrijnë 35 metra lartësi. Secila prej tarracave është e formuar nga një rresht i dyfishtë kolonash katrore, me përjashtim të këndit veri-perëndimor të tarracës qendrore, që përdor kolona proto-dorike për të strehuar kapelën. Këto tarraca janë të lidhura midis tyre me shkallë të gjata dikur të rrethuara nga kopështe me bimë ekzotike, midis të cilave pemë temjani dhe mirre.[29] Tarracimi i tempullit të Hatshepsutit korrespondon me formën klasike tebane, duke vënë në përdorim pilonët, oborret, sallat hipostile, oborret diellore, kapelat dhe faltoren.

Relievet dhe skulpturat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Skulptura relivore brenda tempullit të Hatshepsutit paraqet mitin e lindjes hyjnore të një faraoni femëror – i pari i llojit të tij. Cikli tekstor dhe piktorik tregon gjithashtu për një ekspeditë në Vendin e Puntit, i quajtur edhe Pwenet ose Pwene nga egjiptianët e lashtë,[30] një vend ekzotik në bregun e Detit të Kuq. Ndërsa statujat dhe zbukurimet që atëherë janë grabitur ose shkatërruar, tempulli dikur bartëte dy statuja të Osirisit, një shëtitore sfinksash ashtu si dhe shumë skulptura të mbretëreshës në poza të ndryshme – në këmbë, ulur ose në gjunjë. Shumë prej këtyre portreteve u shkatërruan me urdhër të thjeshtri i saj, Tutmosi III pas vdekjes së saj, pasi e konsideronte si një uzurpatore.

Tempulli i Hatshepsutit, duke treguar lartësinë e rrëpirës shkëmbore mbrapa

Pozicionimi astronomik[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aksi kryesor i tempullit është vendosur në një azimut rreth 116½° dhe është drejtuar nga lindja e diellit gjat solstiksit dimëror,[31] që në kohën moderne ndodh rreth 21 ose 22 dhejtorit çdo vit. Drita e diellit depërton përmes murit të mbrapëm të kapelës, para lëvizjes djathtas për të fokusuar një nga statujat e Osirisit që qëndron në anën tjetër të portës në dhomën e dytë.[31] Një tjetër hollësi e këtij pozicionimi krijohet nga një kuti drite, e cila dregon një bllok të dritës së djellit që lëviz ngadal nga aksi qendror i tempullit për të ndriçuar fillimisht zotin Amon-Ra për të ndriçuar pastaj figurën e përgjunjur të Tutmosit të III para në fund të ndriçoi zotin e Nilit Hapi.[31] Për më tepër, për shkak të këndit të rritur të diellit, rreth 41 ditë në të dy anët e solstiksit, drita e diellit është e aftë të depërtoi përmes një kutie të dytë ndriçimi të dhomës më të brendshme.[31] Kjo kapelë kryesisht e brendshme u rinovua dhe zgjerua në periudhën ptolemease dhe ka referenca kultore të Imhotepit, ndërtuesit të Piramidës së shkallëzuar të Djoserit dhe Amenhotepit birit të Hapu-së – mbikqyrësi i punëve të Amenhotepit të III.[32]

Ndikimi historik[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tempulli i Hatshepsutit është konsideruar më përfaqësuesi i arkitekturës klasike egjiptiane.[28] Përfaqësues i arkitekturës mortore të Mbretërisë së Re, ai lartëson faraonin dhe përfshin gjithashtu faltore në nder të zotave të rëndësishëm të botës së përtejme.[33] Ky shënon një pikë kthese në arkitekturën e Egjiptit të Lashtë, i cili braktis gjeometrinë megalitike të Mbretërisë së Vjetër për një tempull që lejonte adhurimin aktiv, duke kërkuar praninë e pjesëmarrësve për ta krijuar madhështinë. Akset lineare të tempullit të Hatshepsutit pasqyrohen në tempujt e mëvonshëm të Mbretërisë së Re. Arkitektura e tempullit origjinal është ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme si pasojë e rindërtimit të keq-udhëzuar në fillim të shekullit të XX.

Tempulli mortor i Tutmosit të III[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tempulli mortor i Tutmosit të III është më i vogël se dy të mëparshmit dhe u ndërtua ngjitur me rrëpirën duke u futur midis dy tempujve më të mëdhenj.[34] Tutmosi III ia kushtoi këtë kompleks tempullor Amonit. I zbuluar në vitin 1961 nga një ekip polak[35] dhe besohet se ka qenë përdorur gjatë Festivalit të Bukur të Luginës. Nuk dihet shumë për kompleksin, pasi qe braktisur pasi pësoi rrëshkitje të rënda toke në fundin e Dinastisë së XX. Pas asaj kohe u përdor si burim materiali ndërtimor dhe në periudhën e krishterë u bë siti i një varreze koptike.

Tempulli mortor i Amenhotepit të I[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Amenhotepi I ishte faraoni i parë i Egjiptit që e ndau tempullin e tij mortor nga varri i tij, me gjasa në përpjekje për ta mbajtur varrin e tij të sigurt nga plaçkitësit. Ky tempull u vendos në skajin verior të Deir el-Bahrit.[36] Deir el-Bahri duket se kishte një lloj domethënie funerare për Amenhotepin, duke parë se varri teban 358, varri i mbretëreshës së tij, Ahmose-Meritamon, është gjetur gjithashtu aty afër.[37] Tempulli mortor i Amenhotepit të I u shkatërrua gjerësisht për ti hapur rrugë tarracës së poshtme të tempullit mortor të ndërtuar afërsisht 50 vite më vonë nga mbretëresha Hatshepsut,[38] dhe kështu vetëm pak tulla të mbishkruara me emrin e Amenhotepit të I kanë mbetur.[36] Statujat mbretërore brenda tempullit janë lëvizur për në tempullin e afërt mortor të Montuhotepit të II.[37]

Varret mbretërore dhe jo-mbretërore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Varri TT 353 i Sen-en-Mut (varri i Senenmutit) - një hipogjeum i ndërtuar nga Senenmuti, 97.36 m i gjatë dhe 41.93 m. thellë
Porcionet e sipërme dhe të poshtme[39] te panorames astronomike te tavanit

Një varr i fshehur në rrëpirën shkëmbore në jug të tempujve përmbante një vendstrehim të fshehtë të dyzet mumjeve mbretërore, të zhvendosura këtu nga Lugina e Mbretërve. Trupat janë vendosur këtu nga priftërinjtë e Dinastisë së XXI, shumica me sa duke për të parandaluar përdhosje dhe plaçkitje të mëtejshme. Varri me gjasa qe ndërtuar fillimisht për priftërinjtë e Dinastisë së XXI, me shumë gjasa familjarë të Pinedjemit të II. Në strehimin e fshehtë u gjetën mumjet e Ahmosit të I, së bashku me sovranët e dinastive të XVIII dhe XIX, Amenhotepi I, Tutmosi I, Tutmosi II, Tutmosi III, Ramsesi I, Seti I, Ramsesi II dhe Ramsesi IX. Në një dhomë të veçuar u gjetën Priftërinjtë e lartë të Amonit dhe faraonët Pinedjemi I, Pinedjemi II dhe Siamoni. Më vonë, një strehë me 153 mumie të rivarrosura priftërinjsh u gjetën gjithasthu në një varr të këtij siti. Varret private që i përkasin Mbretërisë së Mesme deri në Periudhën Ptolemease mund të gjenden aty. Dy varre shumë të famshme private gjenden pikërisht në Deir el-Bahari. I pari është ai i Meketre (varri TT280), që përmban shumë modele të pikturuara druri nga Mbretëria e Mesme dhe poçen e parë të njohur me kokë njerëzore. I dyti, varri "i fshehtë" i Senenmutit—arkitekti dhe këshilltari i cili mbikqyri ndërtimin e tempullit të Hatshepsutit—u nis gjithashtu të ndërtohej në këtë kompleks. Varri i Senenmutit u vandalizua që në lashtësi, por disa punime në reliev janë akoma të paprektura. Qe ndërtuar si një varr shumë i madh dhe korridoret e tij janë mbi 92 m. të gjatë. Gjithësesi, ai nuk u përfundua kurr dhe Senenmuti nuk u varros aty. Ai ka një tjetër varr, jo larg nga Deir el-Bahri, ku trupi i tij mund të jetë vendosur, por edhe ai i vandalizuar dhe plaçkitur.

Varri me hartë astronomike i Senenmutit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Yjësitë në tavanin e varrit të Senemutit

Varri i Senemutit u zbulua gjatë gërmimeve të viteve 1925-1927 të drejtuara nga Herbert Winlock për ekspeditën egjiptiane të Metropolitan Museum of Art.[40] Zbulimi i varrit tregoi dy panele dekorative me dekorime astronomike të asaj që përmendet si Diagrama Qiellore Egjiptiane.[41] Tavani me dekorime astronomike bashkë me varrin e Senenmutit (varri teban nr. 353), në sitin e Deir el-Bahrit, i përkasin Dinastisë së XVIII të Egjiptit të Lashtë (rreth 1473 p.e.s.). Megjithëse varri qe i pambaruar dhe ka pësuar dëmtime përmes shekujve, tavani tregon informacion të ri rreth astronomisë, kronologjisë, kalendarit, mitologjisë dhe fesë në Egjiptin e Lashtë për shkak të integrimit të gjithë këtyre elementeve si një mjet i lidhjes së botës hyjnore me atë tokësore. Diagrama qiellore, që përfaqëson një kalendar astronomik, konsiston në një panel verior dhe nj jugor që paraqesin yjësitë cirkumpolare në formën e disqeve; secili i ndarë në 24 seksione që sugjerojnë periudhën 24 orëshe, ciklin hënor dhe hyjni të shenjta egjiptiane. Për yjësitë e paraqitura në diagram, e vetmja që mund të identifikohet me siguri është Meskhetyu me Arushën e Madhe për shkak të vështirësisë që ngrihen kur një përpjektje për të përputhur yjësitë e tanishme me piktura të bëra mijëra vite më parë nga egjiptianët e lashtë.[42]

  • Disa nga figurat kryesore dhe yjet që shihen në diagramë janë Siriusi, Orioni, Ursa major, Draco (mund të shihet si një hipopotam me një krokodil në shpinë).
  • Katër rrathët lartë djathtas i referohen katër muajve të stinës së vërshimeve të Nilit (Akhet) midis korrikut dhe tetorit.
  • Dy rrathët lartë majtas dhe dy poshtë tyre mund të referohen si stina e mbjelljes (Peret) midis nëntorit dhe shkurtit.
  • Katër rrathët në të djathtë i referohen stinës së korrjeve apo vjeljeve (Shomu) midis marsit dhe qershorit.

Harta në panelin jugor mund të pasqyroi një bashkim planetesh në vitin 1534 p.e.s. rreth gjatësisë qillore të Siriusit. Katër planetet, Jupiteri, Saturni, Mërkuri dhe Afërdita janë relativisht lehtësisht të njohshëm. Planeti i Marsit nuk është përfshirë në grupin në fjalë dhe në pamje të parë duket se mungon në hartë. Gjithësesi, një shpjegim është se Marsi është paraqitur në hartën e the Senenmutit si një barkë boshë në perëndim.

Astronomia egjiptiane konsistonte në identifikimin e trupave qiellore në qiell dhe lidhjes së tyre me hyjnitë që besohej se luanin një rol në mitologjinë praktike dhe në praktikë.[43] Astronomia bart një simbolizëm domethënës për egjiptianët pasi kombinohej me aspekte më tokësore të jetës së përditshme, si punët bujqësore. Paraqitja e detajuar e astronomisë dhe hyjnive ilustron dëshirën e egjiptianëve për të kuptuar qiellin dhe përpjekjen për ta zbatuar atë kuptim te zotat që ata besonin se ndikonin të gjitha aspektet e jetës. Një zonë e madhe varresh jo-mbretërorë në këtë rrethinë i përketë Sheikh Abd el-Qurna-s.

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpjegime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Pas mbretërimit të Hatchepsutit, barka e Amonit vizitonte gjithë komplekset e kultit mbretëror në bregun perëndimor që ishin akoma në aktivitet
  2. ^ Të ngjashme me kolonën e Intefit të II në Karnak

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Margaret Bunson, Enciclopedia dell'antico Egitto, fq. 74
  2. ^ Edda Bresciani: Grande enciclopedia illustrata dell'antico Egitto, fq. 114
  3. ^ Grajetzki: The Middle Kingdom; fq. 20-21
  4. ^ Callender, In: Ian Shaw (edit.): The Oxford History of Ancient Egypt fq.127
  5. ^ a b Callender, In: Ian Shaw (edit.): The Oxford History of Ancient Egypt, fq. 142–143
  6. ^ a b Dieter Arnold dhe Byron Esely Shafer (ed.): Temples of Ancient Egypt; Cornell University Press; 2nd Revised edition, ISBN 0-8014-3399-1, fq. 74
  7. ^ a b Callender, In: Ian Shaw (edit.): The Oxford History of Ancient Egypt, fq. 144
  8. ^ Dieter Arnold dhe Byron Esely Shafer (ed.): Temples of Ancient Egypt; Cornell University Press; 2nd Revised edition, ISBN 0-8014-3399-1, fq. 95
  9. ^ "Discovery of Bab el-Hosan" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 27 maj 2016.
  10. ^ Discovery of the Bab el-Hosan cache
  11. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep. vol. 1, fq. 70.
  12. ^ Dieter Arnold: Der Tempel des Königs Mentuhotep in Deir el-Bahari. 3 vols.
  13. ^ Dieter Arnold: The Temple of Mentuhotep at Deir el-Bahri, fq. 49, Dieter Arnold: Dictionary of Egyptian architecture fq. 95
  14. ^ Dieter Arnold, Mentuhotep vol 3, fq. 52
  15. ^ a b Dieter Arnold: Lexikon der Ägyptischen Baukunst; fq. 159 dhe Dieter Arnold: Die Tempel Ägyptens; fq. 140.
  16. ^ Dieter Arnold dhe Byron Esely Shafer (ed.): Temples of Ancient Egypt, fq. 75, Cornell University Press; 2nd Revised edition , ISBN 0-8014-3399-1
  17. ^ T. Kühn: Der königliche Tempel- und Grabbezirk Mentu-hotep II. in Deir el-Bahari; fq. 21
  18. ^ a b Dieter Arnold: Mentuhotep vol. 1, fq. 16
  19. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep vol. 1, fq. 11
  20. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep vol. 1, fq. 27.; Dieter Arnold: Lexikon der Baukunst, fq. 159 dhe Höveler-Müller Am Anfang war Ägypten, fq. 142.
  21. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep. vol. 1, fq. 33.
  22. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep vol. 1, fq. 34.
  23. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep vol. 3, fq. 15
  24. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep vol. 3, fq. 33
  25. ^ Dieter Arnold dhe Byron Esely Shafer (ed.): Temples of Ancient Egypt, Cornell University Press; 2nd Revised edition, ISBN 0-8014-3399-1, fq.74-75
  26. ^ Dieter Arnold: Encyclopedia of Ancient Egyptian Architecture, I. B. Tauris editions, ISBN 1-86064-465-1
  27. ^ Dieter Arnold: Mentuhotep vol. 1, fq. 44
  28. ^ a b c Marvin Trachtenberg dhe Isabelle Hyman: Architecture, from Prehistory to Postmodernity; Prentice-Hall Inc.; 2003; Italy; isbn 978-0-8109-0607-5, fq. 71
  29. ^ a b Fred S. Kleiner: Gardner's Art Through the Ages: The Western Perspective Volume I, 2006, Cengage Learning, Victoria, 12th edition, isbn 0495573604, fq. 56
  30. ^ Ian Shaw & Paul Nicholson: The Dictionary of Ancient Egypt, British Museum Press, London. 1995, fq. 231.
  31. ^ a b c d David Furlong: Winter Solstice Alignment at Deir El Bahari Arkivuar 17 nëntor 2013 tek Archive.today – dëshmi fotografike të pozicionimit në drejtim të solstiksit dimëror
  32. ^ Richard Wilkinson: The Complete Temples of Ancient Egypt; Thames and Hudson. 2000, United Kingdom, isbn 0-500-05100-3, fq. 178
  33. ^ Nigel Strudwick dhe Helen Strudwick: Thebes in Egypt: A Guide to the Tombs and Temples of Ancient Luxor; 1999; Cornell University Press; Ithaca, NY; isbn 0-8014-3693-1, fq. 80
  34. ^ Maurizio Damiano-Appia, Dizionario enciclopedico dell'antico Egitto e delle civiltà nubiane, fq. 93
  35. ^ Guy Rachet, Dizionario Larousse della civiltà egizia, fq. 112
  36. ^ a b Betsy M. Bryan: "The 18th Dynasty Before the Amarna Period". The Oxford History of Ancient Egypt. Ed. Ian Shaw. fq. 218–271. Oxford University Press, 2000, fq. 226.
  37. ^ a b Aidan Dodson: Amenhotep I and Deir el-Bahri. Journal of the Ancient Chronology Forum, vol.3, 1989/90, fq. 42.
  38. ^ Aidan Dodson: Amenhotep I and Deir el-Bahri. Journal of the Ancient Chronology Forum, vol.3, 1989/90, fq. 43.
  39. ^ Versioni i plotë në Met Museum
  40. ^ Isis, Vol. 14, Nr. 2(tetor 1930), fq. 301-325
  41. ^ Journal of the American Research Center in Egypt, Vol. 34,1997, fq. 143-161
  42. ^ Marshall Clagett: Ancient Egyptian Science. Vol. 2. Philadelphia: American Philos. Soc., 1995. Print.
  43. ^ The Metropolitan Museum of Art Bulletin, Vol. 18, Nr. 12, Part 1 (nëntor 1923), fq. 283-286

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Dieter Arnold: Encyclopedia of Ancient Egyptian Architecture, I.B.Tauris (10 Feb. 2001), ISBN 1-86064-465-1.
  • Dieter Arnold, Byron Esely Shafer (ed.): Temples of Ancient Egypt, Cornell University Press; 1997, 2nd Revised edition, ISBN 0-8014-3399-1.
  • Dieter Arnold: Die Tempel Ägyptens, München, Zürich: Artemis & Winkler; 1992, ISBN 3-7608-1073-X.
  • Dieter Arnold: Der Tempel des Königs Mentuhotep von Deir el-Bahari (Archäologische Veröffentlichungen / Deutsches Archäologisches Institut, Abteilung Kairo), 1 Jan 1974.
  • Dieter Arnold, Herbert Eustis Winlock: Temple of Mentuhotep at Dier El Babari/E0512P, Egyptian Expedition Publications of The Metropolitan Museum of Art, 1979, New York: Metropolitan Museum of Art, ISBN 0-87099-163-9.
  • Dieter Arnold: Lexikon der ägyptischen Baukunst; Artemis & Winkler, München / Zürich 1994, ISBN 3-7608-1099-3..
  • Paul Bahn: Dizionario Collins di archeologia, Gremese Editore, ISBN 88-7742-326-9.
  • Edda Bresciani: Grande enciclopedia illustrata dell'antico Egitto, De Agostini, ISBN 88-418-2005-5.
  • Betsy M. Bryan: "The 18th Dynasty Before the Amarna Period." The Oxford History of Ancient Egypt. Ed. Ian Shaw. fq. 218–271. Oxford University Press, 2000.
  • Margaret Bunson: Enciclopedia dell'Antico Egitto; Fratelli Melita Editori, La Spezia, 1995, ISBN 88-403-7360-8.
  • Gae Callender: The Middle Kingdom Renaissance, In: Ian Shaw (edit.): The Oxford History of Ancient Egypt, Oxford University Press, Oxford, 2000, ISBN 0-19-815034-2, fq. 148–183.
  • Marshall Clagett: Ancient Egyptian Science. Vol. 2. Philadelphia: American Philos. Soc., 1995. Print.
  • Maurizio Damiano-Appia: Dizionario enciclopedico dell'antico Egitto e delle civiltà nubiane, Mondadori, ISBN 88-7813-611-5.
  • Aidan Dodson: Amenhotep I and Deir el-Bahri. Journal of the Ancient Chronology Forum, vol.3, 1989/90.
  • W. Grajetzki, The Middle Kingdom of Ancient Egypt: History, Archaeology and Society; Duckworth, London, 2006, ISBN 0-7156-3435-6, 18-23.
  • Nicolas Grimal: A History of Ancient Egypt. Librairie Arthéme Fayard, 1988. ISBN 90-04-12989-8.
  • Labib Habachi: King Nebhepetre Menthuhotep: his monuments, place in history, deification and unusual representations in form of gods. Annales du Service des Antiquités de l'Égypte; nr. 19 (1963), fq. 16-52.
  • Michael Höveler-Müller: Am Anfang war Agypten; Philipp von Zabern; 2. Auflage. edition; 2013.
  • Fred S. Kleiner: Gardner's Art Through the Ages: The Western Perspective Volume I, 2006, Cengage Learning, Victoria, 12th edition, isbn 0495573604, fq. 56.
  • T. Kühn: Der königliche Tempel- und Grabbezirk Mentu-hotep II. in Deir el-Bahari.
  • Barbara Mertz: "Temples, Tombs and Hieroglyphs". 1964. New York: Coward-McCann, ISBN 0-87226-223-5.
  • Guy Rachet: Dizionario Larousse della civiltà egizia, Gremese Editore, ISBN 88-8440-144-5.
  • Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, vol. II, Ananke, ISBN 88-7325-115-3.
  • Marvin Trachtenberg dhe Isabelle Hyman: Architecture, from Prehistory to Postmodernity; Prentice-Hall Inc.; 2003; Italy; isbn 978-0-8109-0607-5.
  • Ian Shaw dhe Paul Nicholson: The Dictionary of Ancient Egypt. The British Museum Press, 1995.
  • Ian Shaw: Exploring Ancient Egypt. Oxford University Press, 2003.
  • Nigel Strudwick dhe Helen Strudwick: Thebes in Egypt: A Guide to the Tombs and Temples of Ancient Luxor; 1999; Cornell University Press; Ithaca, NY; isbn 0-8014-3693-1.
  • Richard Wilkinson: The Complete Temples of Ancient Egypt; Thames and Hudson. 2000, United Kingdom, isbn 0-500-05100-3.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]