Komuna e Dollnenit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Komuna e Dollnenit

Komuna e Dollnenit është komunë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komuna e Dollnenit shtrihet në pjesën veriperëndimore të fushëgropës së Pellagonisë, e cila ndodhet në lartësi mbidetare prej 600 metrave. Komuna kufizohet me Komunën e Çashkës në verilindje, Komunën e Prilepit në juglindje, Komunën e Krivogashtanit në jug, Komunën e Krushevës në jugperëndim, dhe Komunën e Brodit në veriperëndim.

Komuna e Dollnenit përfshinë sipërfaqe prej 430 km².

Rreth 2/3 të sipërfaqes është rrafshinë, ndërsa 1/3 është pjesë me sipërfaqe të larta edhe atë sidomos në pjesën më veriore të komunës. Gati 90% e pjesës rrafshinore është sipërfaqe e përpunuar, kurse gjysma e pjesëve malore është livadhe dhe gjysma tjetër është e mbuluar me pyje.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dollneni ka qenë komunë e mëvetësishme deri në vitin 1965 dhe më pas me rregulloret e atëhershme ligjore i është bashkangjitur komunës së Prilepit. Komuna e Dollnenit është rithemeluar sërish me Ligjin për Ndarje Territoriale të vitit 1996.

Në vitin 2004 me Ligjin e ri për ndarje teritoriale, komuna tani përfshinë edhe territorin e komunës së dikurshme të Zhitoshës .

Popullsia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Komunë e Dollnenit jetonin 13568 banorë. [1] Sipas përkatësisë etnike, atëbotë shumicën relative etnike e përbënin maqedonasit 4,871 (35.9%), shqiptarë ishin 3,616 (26.7%), turq 2,597 (19.1%), boshnjak 2,380 (17.5%).

Mbështetur në të dhënat vjetore të publikuara nga Agjencia Shtetërore e Statistikave e Maqedonisë së Veriut (2002-2019), ku përfshihen të dhënat vitale të popullsisë dhe ato mbi migrimin e brendshëm, shqiptarët tani janë shumicë relative në Komunën e Dollnenit. Vlerësohet së në fund të vitit 2019, struktura etnike e popullsisë ishte si vijon:

  • Shqiptarë 31.7%
  • Maqedonas 28.8%
  • Turq 20.5%
  • Boshnjak 17.8%
  • Të tjerë 1.2%

Vendbanimet dhe infrasktruktura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komuna e Dollnenit përfshinë vendbanimet e pjesës perëndimore të Fushës së Prilepit. Vendbanimet kryesore të banuara me shqiptarë janë Zhitoshë, Cërnilisht dhe Desovë.

Si pasojë e politikave në të kaluarën, fshatrat me shumicë shqiptare në Komunën e Dollnenit kanë infrastrukturë shumë të dobët.[2]

Ekonomia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rreth 54% të popullsisë së Komunës së Dollnenit merret me bujqësi, ku si kulturë më e përfaqësuar është prodhimi i duhanit dhe kulturat e drithërave. Edhe pse bujqësia është degë kryesore ekonomike në këtë komunë, sërish mungojnë kushtet elementare për zhvillimin e saj duke përfshirë këtu mungesën e sistemeve për ujitje. Mungesa e kësaj infrastrukture në kushte të thatësirave dukshëm zvogëlon produktivitetin e kulturave bujqësore.

Blegtoria në komunë përfaqësohet nga 24% të aktivitetit ekonomik, me 8,000 kokë bagëti dhe 20,000 bagëti të imët. Kushtet për rritjen e bagëtive janë mjaft të favorshme, veçanërisht në zona më të larta, kurse mjedisi i shëndetshëm siguron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e blegtorisë.

Politika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 2017, për Kryetar të Komunës së Krushevës u zgjedh Xhemil Qamili (BDI)[3].

Në të njëjtat zgjedhje u zgjodhën edhe këshilltarët e Këshillit të Komunës. Këshilli i Komunës ka 15 anëtarë: BDI 3, LSDM 3, VMRO-DMPNE 2, ASH 2, Besa 1, PDSH 1, PDT 1, si dhe dy këshilltarë të pavarur.

Arsimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Arsimi fillor në Komunën e Dollnenit është i organizuar në shtatë shkolla fillore qendrore:

  • SHF “Ismail Qemaili”Cërnilisht me paralelet e ndara në Kostincë, Gostirazhan, Sekircë
  • SHF “Liria”Zhitoshë me paralelen e ndarë në Llokven
  • SHF “Mirçe Acev” në Llazhan
  • SHF “Pec Daskallot”Dollnen me paralelet e ndara në Vrançe, Senokos, Braillovë, Bellopolë, Zapollzhan
  • SHF “Vera Ciriviri-Trena”Debreshtë
  • SHF “Gjorgje Petrov”Ropotovë me paralelen e ndarë në Sarandinovë
  • SHF “Pere Toshev” në Desovë me paralelet e ndara në Dupjaçan, Drenoc, Nebregovë

Në vitin shkollor 2018/2019 mësimin fillor në Komunën e Dollnenit e vijuan gjithsej 1,811 nxënës, prej të cilëve 647 shqiptarë, 460 maqedonas, 414 turq, 287 boshnjak dhe 3 të tjerë.[4]

Arsimi i mesëm zhvillohet në Zhitosh, ku janë të organizuara paralelet e ndara të Gjimnazit “Drita” nga Kërçova.

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Regjistrimi i popullsisë i vitit 2002
  2. ^ Komuna e Dollnenit me probleme infrastrukturore
  3. ^ Komisioni Qendror Zgjedhor: Rezultatet e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave 2017
  4. ^ "Makstat: Viti shkollor 2018/2019". Arkivuar nga origjinali më 23 gusht 2020. Marrë më 29 gusht 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)