Kristo Luarasi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kristo P. Luarasi
U lind në15 dhjetor 1875
Vdiq8 korrik 1934 (57 vjet)
ProfesioniPrinter, botues, gazetar, tregtar lëndë druri[1]
Njohur përMbrothësia,
Bashkëshorti/jaPolikseni Luarasi

Kristo Luarasi ose Kristo Kici (Luaras, 15 dhjetor 1875 - Tiranë, 8 korrik 1934) ka qenë botues dhe veprimtar i çështjes shqiptare.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në vitin 1875 në Luaras te Kolonjës, i biri i Papa Stefan Kicit prej të cilit nxuri shqipen. Nxuri në shkollën e Hotovës, ku i dha mësim Petro Nini Luarasi. Si shumë bashkëkrahinar të tij vajti në mërgim, dhe posaçërisht në Rumani, u vendos në Bukuresht ku lëvizja çlirimtare e shqiptare po ecte përpara me botimin e librave në gjuhën amtare. Kristoja hyri në shkollën që kish hapur në Bukuresht atdhetari Nikolla Naço; njëkohësisht ai mësonte në një shtypshkronjë rumune mjeshtërinë e tipografit. Punon për traktatin teologjiko-filozofik, Fletore e BektashinjetNaimit.[2]

Nga viti 1896 bashkë me Kosta Jani Trebickën shkoi në Bullgari dhe u vendos në Sofje, ku shqiptarët e mërguar në këtë qytet me 1893 kishin themeluar shoqërinë “Dëshira” e cila, si edhe shoqëritë e tjera te mërgimit, zhvillonte një veprimtari kulturore me qëllime te qarta politike. Me ndërhyrjen e kryetarit të shoqatës, Dhimitër Mole, Kristua punoi në shtypshkronjën e shtetit me të mbërritur. Shoqata më ngriti 1896-en një shtypshkronjë te thjeshte, pas ca kohe Jani u tërhoq, u mor me punë te tjera, prandaj shtypshkronjën te cilës i vuri emrin kuptimplotë “Mbrothësia” e mbajti vetë Luarasi.

Shtypshkronja “Mbrothësia” shtypi abetare, gramatika, libra te këndimit dhe te shkencave. Kristo së bashku me Kostën dhe Mithat bej Frashërin arriti të botojë Ditërëfenjës-in ose Kalendarin Kombiar që u botua përvit me ndonjë shkëputje prej 1897 gjer më 1928. Shtypshkronja pati meritë për përhapjen e letrave shqipe dhe botimin e 37 vëllimeve që nga vëllezërit Frashëri, kristomatitë e përgatitura nga Gjergj Qiriazi, "Valët e Detit" te Spiro Dines, Hoxhë Vokës, etj. Në vitin 1899 Kristo P. Luarasi, sipas porosise që kishte marre edhe nga kryesia e shoqërisë “Dëshira” u nis për në Shqipëri, Kalabri e Siçili tek arbëreshët e Italisë[2], Stamboll, për t'u takuar me vëllezërit Frashëri. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që duke u vënë në kontakt me rilindasit më të shquar të kohës të hartonin një program te përbashkët për botimin e librave te tyre në shtypshkronjën “Mbrothësia” me alfabetin e Stambollit. Pasi u kthye në Sofje, me 23 shtator 1900, ai i dërgoi një letër përkrahësit dhe mësuesit te tij në Bukuresht, Nikolla Naços, ku, si përshkruan përipecitë e udhëtimit gjatë te cilit ai ishte i pajisur me tri pasaporta të rreme për t'u shpëtuar ndjekjeve që autoritetet turke u bënin te gjithë atyre që lëviznin me botime shqipe në duar, ndër te tjera, nënvizon se për mbarëvajtjen e përhapjes e kulturës dhe të librit shqip shihet i nevojshëm krijimi sa më parë i një “shoqërie për shkollat dhe i një shoqërie për të shtypur librat”. Ndërkohe Shahin Kolonja ndodhet në Sofje, dhe, pas punës përgatitore për grumbullimin e lëndes, me 1 nëntor 1901, në shtypshkronjën “Mbrothësia” u shtyp numri i parë i gazetës "Drita" me ndihmën austro-hungareze,[3] të cilën e botoi prej 1901 deri më 1908. Abetaret e Shoqërisë së Stambollës u ribotuan dendur për t'u shpërndarë n'atdhe U martua në vitin 1904 me Polikseni Dhespotin nga Lunxhëria që ishte mësuesja e pare e shkollës se pare te vashave në Korçë. Pati tre djem dhe një vajzë. Më i madhi Thomai që pat mbaruar shkollën për diplomaci, Skënderi që mbaroi shkollën për inxhinier-arkitekt dhe Theodhorin i cili punoi për gjithë kohën në shtypshkronjë te cilën e administroi edhe pas vdekjes së Kristos, si dhe vajzën Margarita.

Duke u kthyer nga një udhëtim në Manastir e në Selanik i dërgoi “Pleqërisë së shoqërisë Bashkimi” në Bukuresht me 22 gusht 1908 ku në mes te tjerash shkruante: ”... Qëllimi ynë është tani që të vete në Selanik, sëbashku me shtypshkronjën.” Synimi kryesise se shoqërisë “Dëshira” si edhe i botuesit e drejtuesit te “Mbrothësisë” Kristo P. Luarasi ishte që arma e fuqishme e botimeve në gjuhën shqipe të ndikonte në mënyre sa më të fortë në lartësimin e ndjenjës kombëtare. Për ketë arsye u vendos transferimi i shtypshkronjës nga Sofja në qytetin e Selanikut, i cili ishte në atë kohë jo vetëm një qendër e rëndësishme e perandorisë turke po edhe një qendër e madhe e grumbullit të shqiptarëve kalimtarë, nëpunës e ushtrues mjeshtërish te ndryshme. Më 1908 Shahini u zgjodh deputet në Mexhlisin Osman, duke hequr kështu dorë nga gazeta, vendin e të cilës e zuri "Liri e Cqipεrisε" numrat e së cilës dolën në fillim në Sofje e mandej në Selanik 1911-'15.

Më 3 nëntor 1911 në Sofje gjehet Fan Noli, i ftuar nga kolonia shqiptare me nisëm të Kristos, ku ai mbajti dy mesha në gjuhën shqipe. Sinodi i popullit bullgar vuri në dispozicion te tij kishën “Sveti Spas”. Vizitoi shtypshkronjën “Mbrothësia” dhe shtëpinë e Kristos.

Në vitin 1922 Kristoja u transferua familjarisht dhe me te gjithë shtypshkronjën në Tiranë ku vazhdoi punën e tij te mëparshme. Ai vdiq me 7 korrik 1934 në Tirane. Në vitin 1937 Theodhori që administronte shtypshkronjën i ndërroi emrin asaj duke ia kthyer në shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Kështu ajo vazhdoi deri në vitin 1947 kur u shtetëzua pa asnjë shpërblim nga qeveria komuniste e asaj kohe.

Mirënjohje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • nëntor 1962, dekoratë me Urdhërin për Veprimtari Patriotike të Klasit të II-të, ndërsa të shoqes po të njëjtin por të Klasit të III-të.[2]
  • nëntor 1992 u dekorua sërish me Urdhërin për Veprimtari Patriotike te Klasit të I-rë.
  • Emrin e tij e mban sot në qytetin e Tiranës një rrugë.
  • Në vitin 2011 iu dha titulli Qytetar Nderi i qytetit te Ersekës.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening (në anglisht). Princeton UP. ISBN 978-1400847761.
  2. ^ a b c Bica, Laurent (8 nëntor 2008). "Kristo Luarasi dhe Frashërllinjtë". Tema (2510): 22–23. Arkivuar nga origjinali më 4 tetor 2022. Marrë më 8 korrik 2022.
  3. ^ Özdalga, Elisabeth (2013). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Routledge. fq. 313. ISBN 978-0415665445.