Kultura e Komanit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Zbulim nga Komani

Kultura e Komanit është një kulturë materiale e cila prej gërmimeve arkeologjike çmohet ta ketë origjinën ndër shekujt e 7 dhe 8.[1] Zbulime të kësaj kulture janë bërë fillimisht në vendin e quajtur Kalaja e Dalmacës, në viset e fshatit të Komanit duke marrë kështu emrin e fshatit. Më tej është vërejtur se ka qenë shumë më e përhapur, duke përfshirë 30 site të tjera arkeologjike në Kosovë dhe Shqipëri. Sipas narrativës dominante në historiografinë shqiptare, të dhënat e kërkimeve arkeologjike të kësaj kulture shpjegojnë ndërlidhjen dhe kalimin nga popullata ilire në atë arbërore. Ndërsa studjuesit kryesisht të huaj e shohin si shprehje të një popullsie me prejardhje ilire, por të romanizuar.[2]

Përmbledhje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

1898 konsulli francez në Shkodër, Alexander Degrand ra në gjurmë të një varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces, në fshatin KomanPukës. Konsulli gjeti në varrezë një numër të madh zbukurimesh dhe armësh; dhe asokohe kujtoi se kishte ndeshur në një vendbanim pellazgësh.[2] Lënda e zbuluar prej tij gjendet e ekspozuar në Saint Germain des France, pavioni "Kultura e Komanit".[3]

Gërmimet më pas vazhduan nga studjuesi Paul Treger dhe konsulli austro-hungarez Theodor Ippen.[2] E gjithë lënda e zbuluar prej Tragerit ndodhet e grumbulluar në muzeun e Berlinit (Konigl Museum fur Velkerkunde).[3] Në vitet 1920', arkeologu italian Ugolini i bëri një analizë të plotë materialit të gjetur në Koman, duke dalluar aty objekte me origjinë kelte, romake dhe bizantine, por edhe objekte të kohës barbarike, që i përkisnin “dyndjes së popujve”.[4] Në vitet e fundit zbulime të "Kulturës së Komanit" janë bërë edhe në Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve shtetërorë, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi.

"Kultura e Komanit" është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin "Kulturën e Komanit" me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.

Gjerdan nga Shurdhahu

Por, përveç elementëve të vazhdimësisë ilire, "Kultura e Komanit" përmban edhe elementë të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet në elementë të artit, pra dhe të besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje të krishtera.

Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varrezat e "Kulturës së Komanit" dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e "Kulturës së Komanit" kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet "Kultura e Komanit".

"Kultura e Komanit", qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Nallbani, Etleva (2007). "Urban and rural funerary practices in early medieval Illyricum: Some general considerations". përmbledhur nga Cutler, Anthony (red.). The Material and the Ideal: Essays in Medieval Art and Archaeology in Honour of Jean-Michel Spieser. BRILL. ISBN 9004162860. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Nallbani, Etleva (2017). "Early Medieval North Albania: New Discoveries, Remodeling Connections: The Case of Medieval Komani". përmbledhur nga Gelichi, Sauro; Negrelli, Claudio (red.). Adriatico altomedievale (VI-XI secolo) Scambi, porti, produzioni (PDF). Università Ca’ Foscari Venezia. ISBN 978-88-6969-115-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Curta, Florin (2021). The Long Sixth Century in Eastern Europe. BRILL. ISBN 9004456988. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Curta, Florin (2012). "Were there any Slavs in Curta seventh-century Macedonia?". Istorija (Skopje). 47: 61–75. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Winnifrith, Tom (2021). Nobody's Kingdom: A History of Northern Albania. Signal Books. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Bowden, William (2004). "Balkan Ghosts? Nationalism and the Question of Rural Continuity in Albania". përmbledhur nga Christie, Neil (red.). Landscapes of Change: Rural Evolutions in Late Antiquity and the Early Middle Ages. Ashgate Publishing. ISBN 978-1840146172. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Wilkes, John (1996) [1992]. The Illyrians. Wiley. ISBN 978-0-631-19807-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Nallbani, Etleva (1999–2000). "Disa objekte të hershme në kulturën e Komanit". Iliria. 29 (1–2): 297–305.
  2. ^ a b c Vehbiu, Ardian (27 tetor 2009). "Kultura e Komanit". peizazhe.com. Marrë më 29 gusht 2021.
  3. ^ a b Gashi, Albinot (shtator 2017). "Kultura e Komanit". Bachelor degree. Prishtinë: 18.
  4. ^ Vehbiu, Ardian (30 shtator 2009). "Arbër dhe kumanë". peizazhe.com. Peizazhe të Fjalës. Marrë më 29 gusht 2021.